Zëri dridhej, shpirti buçiste fort.
..."Kush është burrë nuk frigohet, por vdes, por vdes si një dëshmor".....
Stadiumi po shpërthente, himni kombëtar ishte jehona e miliona shqiptarëve anembanë botës.
Ishim 11 lojtarë krah njëri-tjetrit dhe 11 shqiponja në kraharorë që na drejtonin.
Himni shqiptar po dëgjohej për të parën herë në histori në një kompeticion europian.
Ndjenim që miliona shqiptarë në të gjithë botën po dridheshim në atë moment. Po këndohej himni i mrekullueshëm kuqezi.
Nuk ishte një ndjesi e zakonshme, por prekja e historisë. Ishte realizuar ëndrra e madhe shqiptare.
Janë momente të cilat do më shoqërojnë tërë jetën. Koha ikën, ditët zëvëndësojnë shpejt njëra-tjetrën, por ky kujtim më duket sikur ka ndodhur dje.
Shqipëria në europian dhe unë isha i mbuluar me ngjyrat e saj. Ndodhesha mes tyre të cilët bënë realitet këtë ëndërr.Sfidën e parë historike në europian ndaj Zvicrës e përgatitëm shumë për të shmangur emocionet. Por nuk e arritëm. Pamjet tona gjatë himnit e treguan qartë sa të emocionuar ishim.
Sikur të mos mjaftonte kjo, mbi kokat tona na shoqëronin dhe dy miq, Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Sekuencat e Beogradit ishin aty me ne. Rrugëtimi na kishte bashkuar shumë me njëri-tjetrin. Figurat patriotike historike ishin në zemrat tona. Ato imazhe ishin brenda nesh ishin edhe në Francë, sepse rruga jonë drejt atij suksesi kaloi nga një rrugëtim i vështirë jo vetëm në eliminatoret e jashtëzakonshme, por edhe mes përpjekjeve disa vjeçare.Suksesi nuk erdhi rastësisht. Padyshim, njëri nga më kryesorët që shtroi rrugën kësaj kombëtareje në finalizim ishte padyshim De Biazi.
Por për mua jo pak ndikim ka pasur edhe matematicieni, Josiph Kuzhe për eksperincën që solli në kombëtare.Jam rritur me dashurinë për futbollin dhe çdo sfidë me fanellën kuqezi ndodhet brenda meje.
Më kujtohet qartë ftesa e parë në kombëtare, e cila erdhi nga gjermani Brigel. Telefonata nga një zyrtar i federatës më solli gëzimin e madh. Ishte e paimagjinueshme dhe sigurisht të parët që e morën lajmin ishin familjarët e mi, të cilët kanë bërë shumë sakrifica që unë të arrij deri këtu ku jam. Ndeshja e parë e imja ishte ndaj Ukrainës.
Nisemi nga kompleksi bregdetar për në Tiranë. Ndeshja luhej në Qemal Stafa. Futemi në Tiranë me autobuz duke kaluar nga sheshi Skënderbej. Nga sheshi deri tek stadiumi u desh një orë. Lumi i njërëzve që prisnin ekipin kombëtar ishte i jashtëzakonshëm.Autobuzi lëkundej nga të shtyrat e njerëzve. Shumë prej tyre kishin hypur mbi shtylla elektrike dhe pemët anësh rrugës. Ata donin të na jepnin një përshëndetje. Kuptova ekzaktësisht se çfarë do të thotë ndjenja e përfaqësimit të ekipit kombëtar. Fantastike...
"Kontrollo emocionet, ndryshe do të lidhen këpucët" ishin fjalët e Sul Memës që në atë moment mu shfaqën përpara.
Jo vetëm këpucët që u lidhën, por i gjithë trupi u bllokua kur përpara meje u shfaq flamuri gjigand kuqezi në ndeshjen time të parë.
Ishte sfida e parë me ngjyrat e ëndrrës së çdo futbollisti. Ndeshja ndaj Ukrainës më shpalosjen e flamurit gjigand përfundoi ashtu për mua, i lidhur fort nga emocionet.
Çudi, sepse e kisha përgatitur veten që të përqëndrohesha dhe të isha i qetë kur të zbrisja në fushë. Por ndodhi e kundërta.
Ndeshje pas ndeshje, eliminatore pas eliminatereje deri sa arritëm të gjenim çelësin e duhur për suksesin e shumëpritur.
73 ndeshje me kombëtaren kaluan shumë shpejt në karrierën time. Çdo ndeshje ka lënë shenjë në kujtesë.Ato janë jeta ime.
Nuk ka qenë vetëm gëzim, por ka pasur dhe hidhërim. Nuk më hiqet nga kujtesa paraqitja ime e dobët me Luksemburgun, kur u ndëshkova me karton të kuq. Një nga tre kartonët që kam marrë gjatë gjithë karrierës. Humbja në shtëpi ndaj Serbisë gjithashtu më ka lënë një peng. Një peng që nuk e di se sa do ndikonte tek unë nëse nuk do kualifikoheshim. Por në futboll gëzimi dhe hidhërimi ecin paralelisht.
Fitorja në Portugali dhe fitorja ndaj Bjellorusisë shumë vite më parë me golin e Salihit, janë ndeshje perfekte nga menyra e të luajturit nga unë. Por gjithnjë nga pas kemi pasur vullkanin "Qemal Stafa". Vullkanin kuqezi të tifozëve të mrekullueshëm.Pas vërshëllimës së fundit në Armeni, që korespondon me ndeshjen që na dërgoi në Europian, nuk kishte vetëm festë kualifikimi.
Dy ngjarje në një ditë. Kualifikimi historik u arrit në ditën e lindjes sime. Festa u dyfishua. Më bukur se kaq nuk kishte ku të shkonte.Bahh...Ditë fantastike...
Festa në Tiranë, një ëndërr tjetër. Rruga nga aeroporti deri në shesh, mbushur plot me njerëz. Emocione përtej imagjinatës që tek unë dhe tek miliona njerëz do të mbeten të ngulitura fort në shpirt.
Ndihem krenar për atë që kam arritur me kombëtaren shqiptare. E them me plot zemër. Kemi pas një ekip të mirë por më e rëndësishmja ishim djem që sakrifikonin 200 përqind në fushën e lojës. Jepnin gjithçka në fushë.Në Francë rrinim të gjithë bashke. Me ne u bashkuan dhe katër shokë të rinj që na shoqëronin në çdo hap. Ata ishin forcat speciale Raid.
Qëndronim grup me njëri tjetrin. Më shumë qëndroja me Memushajn, Lilën, Cikalleshin, Kukelin, Roshin, Balajn apo dikë tjetër. Humori dhe batutat ishin gjithnjë prezente në vendin dhe kohën e duhur.
Do kryenim nxemjen me Francën në Velodrome. Futemi në fushë me Alban Bushin. Tribuna kryesore ishte gjigande dhe e pjerrët. Bushi lëshon një nga batutat e tij karakteristike... momente ç'tensionimi të domosdoshme...
Më pas u derdh vullkani kuqezi. Kur dëgjoje 20 mijë shqiptarë aq pastër dhe aq fort përballë 50 mijë francezëve ishte një mrekulli.
Kënga jonë kuqezi na shoqeronte në çdo seancë nxemje. Kur vinte momenti i refrenit, stadiumi ushtonte.
Na rrënqethej mishi. Ndiheshim si njerëz ndryshe atë moment. Ndiheshim me krahë. Ndeshjen ndaj Rumanisë i kam ndjerë shumë tifozët. Jo vetëm gjatë nxemjes. Ishin mbi 50 mijë që këndonin fort gjatë gjithë ndeshjes. Ate sfidë i kam ndierë tifozët më shumë se kurrë në jetën time. Atmosferë e papërsëritshme. Kjo foto tregon shumë nga ai moment historik...
Pas europianit, për dy javë mbusha 35 vjeç. Nisin eliminatoret e botërorit. Çuditërisht shumë kritikë gjetën rastin për tu vërsulur. Të jemi të qartë. Kritikat i pranon gjithkush sepse të bëjnë të shohësh veten në pasqyrë dhe të bëjnë të përmirësoshesh. Të japin një tjetër shtysë më shumë për të bërë më mirë. Por në rastin tim nuk ishin kritika të tilla. Ato ishin të pabaza, "dashakeqe". Them kështu sepse isha në formën më të mirë në karrierë.
"Bjerini kokës këtyre, se boll na bënë si superstara", ishte refreni i pseudo "kritikëve".Me Karabak kisha kaluar në grupet e Champions League. Katër asiste, njerin prej tyre në kualifikimin historik ndaj Kopenhagen. Isha në formën më të mirë, por kjo nuk i pengoi "kritikët". Shënova me kombëtaren ndaj Lihtenshtejnit dhe nga shpirti më doli reagimi instiktiv...
"Duhet të pushoni dhe të tregoni respekt", ishte nënkuptimi i festimit tim.Në eliminatore arritëm të dilnim në vendin e tretë, pas Italisë dhe Spanjës, rezultat historik për Shqipërinë.
Karriera ime më bën të lumtur.
Ndihem mirë që injektimi i babait për futbollin u konkretizua dhe suksesin ia dedikoj atij. Jam në historinë e futbollit tonë dhe jo vetëm.
Në zemrën time mbaj me vete një kujtim prekës që nuk do e harroj kurrë. Në orën 03.00 të natës 100 tifozë ultras të Karabak më përcollëm në aeroport. Po shkoja në New York. Një mirënjohje që nuk e imagjinoja. Mirënjohje e cila tregon shumë...
Pas kalimit në SHBA me Cosmos, tashmë qëllimet i kam të qarta. Po jap kontributin tim në përçimin e eksperiencës në rritjen e brezave me lojën më të bukur në botë. Shumë fëmijë kanë ëndrrat e tyre në futboll, ashtu sikurse i kisha unë i vogël.Kjo fotografi më shfaqet sa herë kthej kokën pas. Kur shikoj fëmijët që vrapojnë sot pas topit më duken si Agolli 16 vjeçar që vraponte pas ëndrrës pa e ditur se ku do arrinte. Prandaj ëndrrat duhen ndjekur.Me akademinë e hapur www.ab7socceracademy.com ndihem i privilegjuar që pranë meje ndiej pasionin e të qënurit inspirues për fëmijët
Kjo më kujton shpesh praninë e babait krah meje. Ende ndiej pasionin e tij për futbollin. Sot unë jam baba. Më bashkëshorten time Rea, e cila më mbeshtet fort në çdo hap, kemi sjellë në jetë djalin tonë Blodin Brooklyn.Dëshiroj me shpirt ta përçoj injektimin për futbollin edhe tek djali im.Ëndërroj që emri i familjes Agolli të djersisë sërish fanellën e shqiponjës dykrenare.
Faleminderit futboll...
Nga
Ansi Agolli
(ish-futbollist i Shqipërisë)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!