Evangelina VELI

Publikuar më 16.06.2022

Dikush trokiti në derën e shtëpisë....
Si më e vogla e familjes, babi më tha të shkoja unë të hapja derën..
Fillimisht hezitova. Më pas hodha hapat për të parë se cili ishte personi pas dere.

 
Sa më shumë afrohesha, aq më të forta bëheshin trokitjet...
Sapo hap derën, një lumë ulërimash në greqisht vërshoi drejt meje.

Ishte banor i pallatit ku jetonim.. I nevrikosur, ai shprehte shqetësimin e tij për zhurmën që kishim shkaktuar...
Në të vërtetë nuk ishte ankesa e parë që vinte ndaj nesh, sepse shumë ankesa të tjera kishin paraprirë këtë të fundit. Ishte koha kur jetonim në Greqi.

Në momentin kur kthehem për të njoftuar babin, motra më e madhe lëshoi shtangën e rëndë nga krahët dhe si shenjë revolte shkaktoi zhurmën e zakonshme që shqetësonte komshinjtë.

Largohem menjëherë nga shtëpia me biçikletën që e doja shumë. 
Më pëlqente të hapja krahët dhe të shijoja lirinë që krijohej nga shpejtësia e pedalimit.
Ishte mënyra e duhur për të harruar atë që ndodhte, doja të isha e lirë dhe të bëja atë që doja. Sa herë kishte trokitje, doja të fluturoja dhe të mos ndodhesha në atë situatë.
Mbi bicikletë hoqa duart nga timoni për të realizuar ëndrrën që shikoja me sy hapur........
, por harrova që ndodhesha në realitet. Një pemë më priti aty përpara meje.
Si pasojë u aksidentova në kokë dhe biçikleta nga ana tjetër u dëmtua.
Nuk ishte e thënë që të ëndërroja për shumë kohë, sepse e pashë veten midis të njohurve që më kishin rrethuar.
Ajo situatë kaloi shpejt dhe u ktheva sërish në palestër, e cila ishte shtëpia ime.
Gjatë ditës, unë, vëllai dhe dy motrat me në krye trajnerin tonë, ose më saktë babin, ngrinim dhe lëshonim me qindra kilogramë në dysheme, duke shkaktuar tronditje në pallat.
Stërvitja vijonte me ritëmm ku për ne ishte sport dhe argëtim, ndërsa unë doja të gjeja gjithnjë një shkak që të mos merresha me atë sport.
Doja shumë gjimnastikën dhe baletin.
Por për të ndjekur këto pasione, duheshin financa dhe ne si familje emigrantësh në Greqi, nuk i kishim këto mundësi. Në këtë mënyrë doja apo jo, i vetmi sport që mund të ndiqja ishte peshëngritja, kjo dhe falë pasionit të babit, i cili kërkonte të shikonte një kampione nga familja në të ardhmen.
 
Pas një kohë të gjatë strëvitjeje në shtëpi, erdhi momenti kur im atë na dërgoi në një palestër për tu stërvitur dhe për të qenë në kontakt me fëmijët e tjerë.
Por jam dorëzuar shpesh në rrugë për ta ndjekur këtë sport. Kjo ndodhte sepse më thërristë pasioni për baletin. Nga ana tjetër babi këmbëngulte dhe më thonte që kam talentin e duhur për tu bërë dikushi në peshëngritje.
Të kesh babin trajner është shumë e vështirë sepse je gjithnjë nën presionin që vjen nga imazhi i tij. Nuk arrita të bëj piruetën në balet, por as të provoja një top në një sport të caktuar.
I vetmi top në duart e fëmirisë time kishte ngjyra të ndryshme, Rozë, të verdhë, jeshile dhe blu. E kam atë top dhe nuk kam mësuar ende se cilit sport i përket. 
Topi im në fëmijëri u bë shtanga, të cilën duhej ta ngrija me forcë.
Në palestër mësova për herë të parë se çdo të thotë konkurencë. Kur shikoja moshataret që ngrinin peshë më shumë se unë, më shtohej ego për tu stërvitur me fort, gjë e cila më shtoi pritshëritë dhe më bëri që ta doja gradualisht atë sport.
Kisha talent dhe për këtë nuhatja e babit nuk kishte gabuar. Në garën e parë për moshën time arrita të shpallem fituese si peshëngritsja me teknikën më të mirë në garën e parë që zhvillova në Greqi..
Në përfundim ndjeva racizëm ndaj mejem një ndjesi që nuk e kisha përjetuar më parë.
Por kjo nuk ndikoi negativisht, por më rriti motivimin dhe ndikuar në karakter.
Ëndrra e madhe për të përfaqësuar Shqipërinë erdhi në një moment jo shumë të favorshëm, sepse askush nuk kishte besim tek aftësitë e mia. 
Sikur mos të mjaftonte kjo gjë, në përgatitjet për Europianin marr një substancë të ndaluar.
Ishte aksident. Në Federatë nuk kishte asnjeri që të ndiqte këtë problem. Kosto ishte shumë e madhe. 
Për pak kohë zhvillohej kampionati europian në Rumani dhe papritur duhej të merresha me diçka tjetër dhe jo me stëvitje. 
Me ndihmën e familjes dhe trajnerit, përgatita e vetme të gjitha dokumentet që duheshin për gjyqin, sepse isha e pafajshme dhe se ajo substancë ishte marrë për dëmtim jo për energji. Përfaqësuesit e antidopingut u treguan dashamirës në procesin e gjyqit. 
Bindja ime u vërtetua, fitova pafajësinë, por kisha humbur pjesëmarrjen në kampionatin europian. Zhgënjimi nga mungesa e pjesëmarjes në Europian ishte më e madhe sesa gëzimi për pafajsinë. 
Ishte i njëjti zhgënjim si në vitin 2016 në Norvegji ku nuk arrita të ngrija kilogramët e duhur për të kapur normat për Olimpiadë. 
Më duhej pak kohë që të fitoja këtë të drejtë. Si rrjedhojë kualifikimin dhe pjesëmarrjen në lojrat Olimpike në Rio i shijova shumë. Ajo eksperiencë mbetet e veçantë, duke nisur nga parakalimi dhe duke përfunduar tek gara.
Nuk e di se ku e gjeja forcën edhe kur konkurroja e dëmtuar. Si në rastin e botërorit të kaluar ku garova me këmbën e dëmtuar rëndë. Vetëm një kilogram më ndau nga medaljet.  Kur shikoja që medalja me iku për një kilogram, peshë që e ngrija çdo ditë në stërvitje, dëshpërimi ishte edhe më i madh. 

Gjendja morale dhe psikologjike u rëndua tek unë në një moment delikat.. Të gjithë thonin që mundësitë e mia aq ishin, nuk mud të shkoja shumë larg. Nisa të demoralizohem dhe të besoj vërtet që mundësitë e mia për majat kishin mbaruar.
Mendoja baletin për të gjetur qetësinëm por nuk mjaftoi...
Situatata e vështirë psikologjike më futi në depresion të thellë. Falë familjes dhe trajnerit, që më kanë ndenjur gjithnjë pranë, kalova situata kritike. 
Për shkak të depresionit nuk kam bërë mirë me sjelljen time ndaj familjarëve dhe trajnerit, por ashtu siç e theksova, ata ishin të jashtëzakonshëm në durim dhe në përpjekje që të kaloja situatën.
Nuk e di se si nuk arrita që të dorëzohem. Nuk e di dhe ndoshta nuk do ta mësoj kurrë. Por një e besoj shumë, karakterin që në asnjë moment nuk më ka lënë në baltë.
 
Njerëzit shikojnë vetëm medaljet dhe dështimet në sport, por nga ana tjetër ata nuk dinë asgjë nga jeta, sskrificat, vuajtjet e një sportisti. Ne media folën pa i faktuar ngjarjet duke ndikuar tek familjarët dhe për këtë nuk mëndon askush.
Karakteri paska rezultuar shumë i fortë për të duruar dhe luftuar deri në fund.
Por gjithnjë ka një moment që njeriu shpërblehet për sakrificat që bën në jetë. 

Në kampionatin e parë europian për të rritur të zhvilluar në Shqipëri në 2022, u shpalla kampione Europë. E kush e kishte menduar që do arrija në këtë pikë pas gjithë vështirësive që kalova?
Tashmë që preka majën e medaljeve, mendoj se erdhi përgjigja e duhur të gjithë skeptikëve. Jam e lumtur që gëzova familjen dhe trajnerin tim pas vështirësive, vuajtjeve dhe sakrificave. 

Këmbëngulja e babit u shpërblye, sepse realizoi ëndrrën e tij që të nxirrte një kampione nga familja.
Sot, medalja e fituar më ka bërë të shijoj dhe baletin, sepse pirueta me shtangën u realizua.

Pasioni i fëmijërisë dhe duart e hapura mbi biçikletë më në fund prekën lirinë që të jep ëndrra.

Në moshën 11 vjeçare nisa skarificën në peshëngritje me mendjen tek baleti. Por, peshëngrintja u bë jeta, karakteri im.

Sot shtangën e shikoj me syrin e një balerine....

Faleminderit 

 

Evangeli VELI

(peshëngritëse)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!