Gentjan MUÇA





Publikuar më 02.11.2020

Tre vëllezërit e mi luanin futboll dhe heraherës më pasonin topin duke këmbëngulur të bëhesha pjesë. Isha vetëm 5 vjeç kur fillova të luaja në rrugicat përbri shtëpisë. 
Në fillim nuk kisha shumë interes. Ashtu, rastësisht, por i shtyrë nga pasioni i tyre për futbollin shkelmova topin dhe nisa të kuptoj gradualisht që sfera ishte pjesë e imja. Sot e them pa droje se futbolli është themeli i jetës tek unë. 
Kthehesha në shtëpi me rroba të ndotura, por me shpirtin plot eufori. Çdo ditë ishte ndryshe, dhe shtohej dëshira për një hap më shumë. 

Në moshën 8-vjeçarë u regjistrova te Akademia e Tiranës me trajner Bardhi Hekuri. Nuk ishte aspak e lehtë. Duhej shumë mund, por jo vetëm, duhej dhe shumë sakrificë nga familja. 
Balta që dërgoja në shtëpi e ka munduar shumë mamin, por falë përkushtimit dhe mbështetjes së saj, sot kam atë që më plotëson e më motivon për të nesërmen. Babi dhe vëllezërit kanë qenë mbështetja tjetër e madhe në këtë rrugë. 

U  bëra pjesë e zinxhirit të ekipeve të Tiranës. U stërvita nga Bujar Sharra, Luan Zengla dhe Ilir Muça. 

Për një futbollist të formuar në Shqipëri është ëndërr të luaj jashtë vendit. Po zhvilloja një turne me kombëtaren U-19, drejtuar nga Gëzdari dhe Zengla, koha kur më erdhi mundesia e proves europiane. Ishte e vështirë për një adoleshent të ingranohej në futbollin elitar të Europës, Gjermani. 

Provova në dy ekipe të ndryshme në ligat inferiore. Bonner dhe Osterholz. Ishte e vështirë për shumë arsye, si dokumentacioni, mosha, përshtatja, mbështetja etj. 

Pas dy vitesh, Tirana nisi seleksionimin e lojtarëve të rinj që do përfaqësonin ekipin në sezonin e ri. Kthehem dhe vihem nën vëzhgimin e trajnerit Sliçkoviç. Bëhem pjesë e organikës së klubit ku linda si futbollist. Tirana atë vit ishte në periudhë tranzicioni. 

U huazova në Ballsh me Bylisin dhe një vit më vonë me Dinamon. Shkodra dhe Vlora u bënë dy destinacionet e tjera pasardhëse.

Pas katër sezonesh kthehem te Tirana nga trajneri spanjoll Rubio. 
Pas pak kohësh në krye erdhi Nevil Dede, në periudhën më të vështirë. Skuadra ishte në pronësinë e bashkisë dhe vështirësitë ishin të mëdha. Rrezikuam të binim nga kategoria, negativitet që u përjetua pas disa vitesh. Me Deden dua të theksoj se u rrita shumë si lojtar. Të qenurit një nga mbrojtësit më të mirë shqiptar, nga ai mësova shumë për pozicionin tim si mbrojtës i qendrës. 
Arrita një formë shumë të mirë duke u kthyer gradualisht në një lojtar të rëndësishëm për ekipin. 

Tirana u bë shtëpia ime e përhershme. Aq e fortë u krijua lidhja me klubin e zemrës sa nuk mund ta ndaja as nga ngjarja më e rëndësishme e jetës, ajo e krijimit të familjes. Kurorëzimi i martesës me bashkëshorten Agi u bë si asnjëherë tjetër në stadium, në praninë e tifozëve. Çdo gjë po shkonte në rrugën e duhur.

 Jeta është aq e larmishme me atë që të ofron, saqë në shumicën e rasteve ne nuk e shijojmë ashtu siç duhet sepse rrekemi pas detajeve që në vetvete janë të parëndësishme. Gëzimi, hidhërimi, kënaqësia, zhgënjimi janë emocione që na rrëmbejnë shpesh, por nuk e kuptojmë që ata janë pjesë e domosdoshme e jetës, thelbi i saj. 

Kështjella e jetës po merrte forme me tullat e vendosura një e nga një. 
Por nuk e kisha menduar se ajo do të cënohej rëndë nga shtylla mbajtëse. 
"Genti, duhet të lësh çdo gjë. Diçka e mistershme është gati të marrë gjithçka. Ajo mund të sulmojë nga momenti në moment", ishin fjalët e mjekut që konstatoi sëmundjen në kofshën time. Kështjella e ndërtuar deri në ato momente mu shemb përpara syve. Çdo gjë për mua  u mbyll nën perdet e errësirës.
Nuk arrija të shikoja përtej saj. Dy vite ankth, stres, luftë, përpjekje. Por unë kisha një aleat brenda meje. Në plagën time qarkullonte një venë gjaku e fuqishme,  vena bardheblu. Ajo që kishte mbjellë dashuri dhe respekt në karrierën time ishte aty për të më dhënë qetësi dhe forcën e duhur. Familja ime, tifozët, klubi, kolegët u gjendën me mbështetjen e tyre, aty në venën time bardheblu. Ajo i dha forcë kështjellës që të mos rrëzohej. Falë zotit çdo gjë shkoi në rrugën e duhur. Elham, falenderimi ndaj zotit u konkretizua tek emri i djalit tim. Këto ndodhen në periudhën kur një jetë po vinte dhe i gjithë rezultati përfundimtar ishte jetë. Nuk kishte dhuratë më të bukur se sa dhurata e zotit në të gjitha kuptimet.
  "Kocka është dëmtuar, por elementi i vendosur jep siguri. Mund të rikthehesh të luash pasionin tënd", ishte përgjigja përfundimtare e mjekut pas dy vitesh ankth. Të rikthehem në stërvitje? Të fitosh betejën për jetën, më pas të rifitosh pasionin!
E gjitha kjo falë venës bardheblu! Të lësh stërvitjen një javë është shumë e rëndë për një lojtar. Jo më kur ke dy vite larg fushës së blertë. Më ishte dhënë mundësia dhe këtë duhej ta shfrytëzoja. Atë bëra, u përkushtova të rikthehesha atje ku duhej të isha. Në vendin për të cilin kisha dhënë gjithçka. Për venën time. Tifozët, ushtarët bardheblu, ose më saktë, pasuria e klubit Tirana ishin mbështetja ime e madhe.
Ata janë rruazat e rëndësishme në forcën e shpresës, forcën dhe pasionin për futbollin. Përpjekja dhe besimi im u konkretizuan me titullin kampion për 100 vjetorin e klubit. E mrekullueshme.
Familja ime e madhe, bashkëshortja dhe të afërmit kanë mbajtur mbi supe shumë trishtim për të më lehtësuar.
Lëvizjet e Elhamit në shtëpi më mbushin me frymë kur më shfaqen para syve momentet e trishtuara. Tek ai dua të trasmetoj venën time, venën bardheblu që është qënia ime. Zoti tek i cili besoj shumë di të bëjë mrekullira në kohë dhe momente të caktuara.
Do doja që im bir të ishte sallaks. Mesa duket ata kanë më shumë shance sepse kërkohen në tregun e futbollistëve. Kjo ishte për shaka për të ç'traumatizuar pak rrëfimin tim. 
 Largimi nga skuadra e zemrës ishte trishtuese jo vetëm sepse ngjarjet e jetës i kam kaluar dhe përjetuar tek ai ambjent, por sepse dhash gjithçka nga shpirti për fanellën bardheblu të Tiranës. 
Tashmë këto ngjyra jetojnë brenda meje.
 
Nga 
Gentjan MUÇA
(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!