Rozana GJERGJI

 




Publikuar më 21.10.2021

Përpara meje qendronte kampionia e Gjermanisë dhe e Europës, Elisabeth Paetz. Po luanim në Olimpiadën e Tromsos, 2014. 

Ndeshja po shkonte siç doja unë, drejt triumfit. Ajo ndeshje ishte pothuaj e fituar. Loja vazhdonte, por të dyja ishim keq me kohën që kishim në dispozicion. Këtu duhej përdorur sekreti që për shahun është element thelbësor, qetësia. 

Si pasojë e presionit të kohës unë e humba qetësinë, ndërsa kundërshtarja ishte e qetë dhe e ruajti veten nga trysnia e kohës. Si rrjedhojë lëvizjet e mia më dërguan drejt humbjes kur ajo ndeshje ishte super e fituar nga unë. Humba kundër një prej lojtareve më të mira në botë. E vuajta gjatë gjithë garës atë disfatë.

Në mendje më vinin debatet e mëdha për shahun në lidhje me fatin. Për mua shahu është i vetmi sport ku fati nuk ka rol deciziv. Nuk mund të fitosh rastësisht, por ndonjëherë do ta konsideroja fat të keq nëse nuk je e përqendruar pasi s'ke pushuar mirë apo kur ke femijën pa qejf, apo  s'je mirë shpirtërisht, etj.  Të gjitha këto faktorë ndikojnë në ndeshje dhe të dërgojnë dhe në dështimin e saj, siç më ndodhi përballë kampiones së Europës, ku presioni kohë prishi qetësinë në lëvizjet e mia.

Gjendja psikologjike është faktor thelbësor në suksesin apo dështimin në lojën e shahut.  Dy nga fitoret më të bukura si pasojë e gjendjes shumë të mirë psikologjike kanë ardhur  kundër tavolinës së parë të Vietnamit,  Le Thao Nguyen në Olimpiadën e vitit 2012 dhe në ndeshjen kundër francezes Sophie Millet në olimpiadën e Batumit, Gjeorgji 2016.

Unë u rrita me këtë lojë, e cila tashmë është kthyer në jetën time.
Loja e mendjes lindi në moshë shumë të vogël. Në familjen time luhej shah që pa lindur unë. Im atë ishte gjithnjë dashamirës i lojës dhe si fillim u angazhua me vajzën e madhe deri sa një ditë konstatoi se unë mund të isha më e suksesshme në shah… ishte pikërisht ky momenti kur unë ndërsa shihja time motër të luante, i tregoj një lëvizje… 

Aty mori fund fëmijeria. Isha pa bërë 4 vjeçe dhe jeta ime u be shahu.

Talenti luajti rol të rëndësishëm në fillime, por ai nuk ishte i mjaftueshëm të më dërgonte tek suksesi. Duhej të punoja sistematikisht. Duhej aftësi për t'u përqendruar,  llogaritur lëvizjet, duhej intuita, analitika dhe guximi. Vetëm guximtari mund t'ia dalë në këtë lojë.

Që në fillim u tërhoqa shumë nga figura e kalit. Figura më e dashur më fastinoi që në vogëli dhe është udhëheqësi në lojën time edhe pse ka figura shumë më të rëndësihme si torra, mbretëresha dhe mbreti.
Lëvizjet në një lojë shahu janë të pafundme, por të gjitha konkretizohen nga shkaku dhe pasoja. Përllogaritja dhe analiza në shah e bëjnë këtë lojë të përshkruhet si shkencë ekzakte ku shkaku dhe pasoja kanë lidhje të drejtperdrejtë me njëra-tjetrën.

Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të mbyllem në mbrojtje. Më merret fryma në ndeshje të mbyllura ndaj preferoj të mbrohem duke sulmuar. Më pëlqen të guxoj gjithnjë me lëvizjet drejt mbretit kundërshtar.
Por kjo mënyrë lojë kërkon gjendja psikologjike të fortë, sepse është përcaktuese në një ndeshje të rëndësishme shahu. Dhe shahu vetë ndikon në anën psikologjike. 

Në jetën e përditshme kjo lojë më ka rritur profesionalisht dhe më ka maturuar që fëmijë nga ana psikologjike. Në jetën time ai është thelbësor. Çdo gjë që  kam arritur, e kam arritur nëpërmjet tij. Më ka bërë të jem luftëtare, me ambicje dhe dëshire për t'ia dalë. Më ka kalitur vullnetin, përqendrimin, t'i vendos qëllime vetes dhe te luftoj më pas për t'i arritur ato. Gjithashtu më ka pajisur me besim tek vetja.

Do doja që fëmijët e mi të angazhohen në shah. E kam provuar dhe konstatova talent tek ata, por nuk jane sistematik. Nuk e kanë me shumë pasion. S'dua të jem prindi që shtyn fëmijët të realizojnë ëndrrat e tyre, ndaj i kam lënë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre në sport dhe në jetë.

Shahu tek unë është jeta në miniaturë, është një libër që mund të fitojë çmimin Nobel dhe një film që mund të fitojë çmimin Oscar. Shahu është muzikë, është argëtim i pafund...


Faleminderit!

 

Nga 

Rozana GJERGJI

(shahiste)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!