Saranda N. DACI

 

 

 


Publikuar më 03.01.2022

"Duhet ta provosh, sepse ky sport është shumë argëtues. Të jesh e sigurt, këtu  do të gjesh veten. Paragllajdimi (parashutizmi) të bën tjetër njeri", më tha im atë. 

Isha e vogël, u frikësoja kur shikoja njerëz në ajër. Më tmerronte fakti që nuk mbaheshin në asnjë vend. Ata ishin në duart e një parashute. Isha e trembur për të provuar një lojë të tillë, ishte e rrezikshme dhe e pasigurt. 

Ëndërroja diçka tjetër, të bëhesha një lojtare tenisi, pra në vend të fluturoja vetë, të fluturoja një top. Por në Kosovën e pasluftës nuk ekzistonin klubet për një sport të tillë. Telefonat nuk ishin të përhapur në atë kohë. Në mundësitë e pakta të zgjedhjeve nuk kisha rrugë tjetër vetëm të ndiqja djemtë kur luanin basketboll në lagje, sportin që ishte shumë i përhapur. 

Në fillim vetëm shikoja, më pas luaja me ta. Koshi filloi të më bënte për vete. Topin e fluturoja sikur të ishte me parashutë drejt tabelës. Pa e kuptuar vëzhgoja edhe ndeshjet e skuadrave të Pejës dhe Dukagjinit, të cilat më tërhoqën me lojën e tyre. Por duhej të kalonin disa vite që të nisja stërvitjen profesionalisht si basketbolliste pikërisht në moshën 15 vjeçare.

Më duhej të shikoja shumë modele lojtaresh. Më pëlqyen stilet e Fiona Beqirit, Virjana Zatriqit dhe Arbnore Perqukut. Njeriu i parë që pa talentin tim në baskëtboll ishte Jakup Kasapolli në një turne ku luaja me shkollën 8 Marsi në Pejë. Më pas ai më udhëzoi të shkoja në klubin Penza ku u drejtova për herë të parë nga trajneri Fabian Gjuka me të cilin për katër vite fituam gjithçka të mundshme, sukses të cilin e vijova edhe me Prishtinën me trajner Fidan Shatri.

Të gjithë trajnerët nuk e kishin dilemë se në cilin pozicion duhej të luaja. Si lojtarja më e gjatë e Ligës, qendra u bë pozicioni im natyral. Gjithnjë çuditem kur kujtoj që e mendoja të pamundur që nga basketbolli i lagjes do të luaja një ditë me një ekip si Penza, ekip me të cilin fituam shumë tituj. Babai si parashutist bëri përpjekje bashkë me mamin që unë të ndiqja profesionin e tij. Por pas zgjedhjes  sime ata u bënë mbështetësit kryesore në rrugën që nisa. 

Tripleta me Prishtinën dhe titulli i fituar pas pesë ndeshjesh kundër Bashkimit, mbetet një nga kujtimet më të bukura deri më tani në karrierë. Por nuk mund ta harroj kurrë gjendjen e vështirë të trajnerit Fabian Gjuka pas infarktit të pësuar. Janë momente që do doja ti harroja.  Gradualisht ky sport është kthyer në shtëpinë time të dytë, shtëpi të cilën e kam bërë timen me karakterin që u ushqye në vite nga bashkimi i anës psikologjike me atë fizike në parket.

Kosova është ndjesia tjetër me emrin krenari që më shoqëron në çdo hap. Pranimi i përfaqësueses në FIBA ishte arritja e madhe që na bëri shumë entuzistë. Me këtë frymë arritëm të merrnim edhe medaljen e parë si kombëtare në turneun për shtetet e vogla, organizuar në Qipro. 

Ashtu sikurse nuk e kisha menduar kurrë që do isha një lojtarë profesioniste në basket, ashtu nuk e mendoja kurrë që një ditë do të lauja në liga më të forta. Në Çeki dhe tashmë në Turqi tek Bursa fillimet i kam pasur shumë pozitve.

Historia e shkurtër që ju rrëfeva me anë të TalentiSportiv, tregon që gjithnjë duhet të besojmë dhe të luftojmë për atë që duam.

Mund të lindesh me talent në sport, por pa stërvitje adekuate nuk mund të fitosh apo më saktë të bëhesh një basketbolliste. Por gjithashtu, po nuk linde për këtë sport as nuk e trashegon e as nuk e fiton dot atë.
Ëndrra vazhdon...Faleminderit!



Nga
Saranda N. DACI
(basketbolliste)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)