Silvinjo, si psikolog në Gjermani!

 


Publikuar me: 11.06.2024

Përpjekja është esenca e jetës sipas Mitit të Sizifit. Ky i fundit, gurin e madh që mbante mbi supe, e dërgonte pranë majës së Malit Olimp, por nuk e arriti kurrë majën. 

Kështu është dhe jeta ku arritja absolute nuk ekziston. Ajo që mbetet është përpjekja për të arritur më të mirën si qënie relative. 

Po çfarë lidhje ka kjo me futbollin dhe në veçanti me kombëtaren tonë që do të luajë në Euro 2024 në Gjermani? 

Kundërshtarët tanë në Grup nuk të lënë shumë vend për shpresë për të ëndërruar kalimin e Grupit. 

Por pamundësia nuk është e shkruar askund dhe këtë nuk e dimë me siguri!

Por ama ajo që dimë quhet Përpjeke. Kjo fjalë ekziston në dëshirën e çdo sportisti në evenimente të tilla ndërkombëtare. Mjafton ta ushqesh atë, sepse përpjekja është zanafilla për të arritur sukses. 

Si shkuam në Euro 2024 ne Gjermani? 

Cili ishte sekreti i kombetares, ku me në krye trajnerin Silvinjo arriti finalen e dytë në një europian? 

Personalisht mendoj që nuk ishte sistemi i lojës, apo taktika e jashtëzakonshme për të mposhtur kundërshtarët në grupin eliminator. 

Për mua ishte shpirti, motivimi i një kombëtareje që nga pas kishte dhe ka një nga tifozeritë më të bukura në Europë!

Le ta qartësojmë pak.

 Për mendimin tim nuk ishte teknika e lojtarëve apo taktika e trajnerit që bëri diferencën, por motivimi që i bashkoi bashkë lojtarët nga ndeshja në ndeshje. 

"Mora Fjale" dridhi stadiumin, rriti ndjenjën e motivimit, të krenarisë.  Kënga e kënduar në fillimin dhe në fundin e çdo takimi nga e gjithë skuadra me tifozët ishte adrenalina e ushqimit të motivimit të jashtëzakonshëm për të arritur më të mirën dhe që në fakt ia arriti. Silvinjo nga ana tjeter punoi shume per motivimin. 

Mendoj dhe besoj që ky ishte sekreti i madh, por jo shumë i dukshëm. Për mua Silvino ishte i suksesshëm sa herë luajti rolin e psikologut për kombëtaren, gjë e cila u konkretizua.  

Por kur tentoi të luante rolin e trajnerit, sidomos në dy miqësoret ndaj Kilit dhe Suedisë, u duk qartë që kemi mangësi si kombëtare në aspektin tekniko-taktik. 

Duhet të rikthehemi pas...Po, duhet të rikthehemi ne kohe dhe Silvinjo duhet të udhëhiqet nga Silvinjo psikolog.  

Pra, do doja që Silvinjo të ishte psikologu i kombëtares për të rritur motivimin dhe prekur shpirtin e tyre me të gjitha mënyrat. Kjo do ishte arma e fshehur për të bërë mirë ndaj skuadrave të mëdha që kemi në grup. 

Spanja, Italia dhe Kroacia nuk munden me skema apo taktikë dinamike apo statike, por me një ekip solid sa i takon frymës dhe shpirtit nga fillimi deri në fund të 90 minutave.  

Kombëtarja jonë në Gjermani le të udhëhiqet nga shpirti dhe ndjenja e fortë që të jep fanella kuqezi dhe të drejtohet nga Silvinjo si psikolog! 

"Mora fjalë" për shpirtin e motivimit....


Nga 

Edmond Sufaj

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!