Elis BAKAJ

 

 


Publikur më: 24.03.2022

Nën shiun e dendur fusha u vesh me baltën e zakonshme. Pas nxemjes trajneri na vendosi përballë njëri-tjetrit. Nuk mjaftoi vetëm koha e keqe atë ditë, por erdhi dhe autobuzi i zakonshëm për të marrë kthesën në mesin e fushës.  Pasi kaloi, rrotat e pasme lanë dy gropa të mëdha të gjata, të cilat u mbushën me ujë nga reshjet. Rinisëm ndeshjen dhe si për ironi topi ra në njërën prej gropave. U mblodhëm  të gjithë aty përveç portierëve. Shumë këmbë përplaseshin me njera-tjetrën për të nxjerrë topin dhe vijuar aksionin sepse loja vazhdonte. Qëndruam disa minuta aty deri sa u bëmë të gjithë njësoj me ngyrën e baltës.

Isha rreth 7-8 vjeç kur nisa stërvitjet me ekipin privat në lagjen e kombinatit në Tiranë. Edhe pse vështirësitë e kësaj natyre ishin të shumta, sedra shpesh më pëngontë të dilja nga fusha pa fituar. Nuk e pranoja dot humbjen. Doja të dilja gjithnjë triumfues dhe për këtë arsye nervozohesha shpesh kur gjërat nuk ecnin siç dëshiroja. Nuk e dija që kjo mënyrë, kjo sedër, ky karakter  do më ndiqte më pas gjatë gjithë karrierës. Kjo sjellje ndokoi si për mirë ashtu dhe për keq në karrierë. U rrita me fjalët e prindërve që më thonin shpesh që kisha talentin e duhur për këtë sport. Pas viteve të para, Partizani hapi ekipet zinxhir. Shumë moshatarë të talentuar në kohën time nuk kishin kushte stërvitore në klubet respektive. Ishte një kohë e vështirë. Nëse do kishim kushtet e sotme mund të bënim edhe më mirë se sa bëmë.  Aty nisa të formohem si lojtar dhe rreth meje shikoja shumë vëmendje. Më konsideronin një talent të lindur në klub dhe lojtar i së ardhmes për Partzanin. Shfaqa shumë grintë në stërvitje dhe jashtë saj. Shklëqeva me ekipet e moshave. U formova si lojtar, me të njëjtin karakter, sedër, ego që më udhëhiqte shpesh arsyen. Nuk ishte e thënë që të provoja zinxhirin e ekipeve të moshave deri në fund, sepse më afruan në ekipin e parë në moshën 15 vjeçare. Më prindërit e mi mora rrugën në këmbë për të nënshkruar kontratën e parë profesionale. Nuk mund ta harroj kurrë atë moment lumturie që më pushtoi gjatë gjithë rrugës. Gjërat ndodhën shumë shpejt dhe u grumbullova menjëherë me ekipin. 

Do luanim në kupën intertoto. Trajneri më aktivizon 20 minuatat e fundit. Pa mbushur 16 vjeç zbres në fushë.  Rreth meje ishin lojtarë gjigandë, burra, ndërsa vetja më dukej si fëmijë. Vrapoja kot, ashtu vërdallë fushës. Thjesht luaja me emocionet që më kishin eklipsuar trupin. Nuk e mbaj mend a kapa ndonjë top ose jo, por di që pas ndeshjes isha aq i lodhur sa më dukej sikur kisha luajtur 7 ndeshje pa ndërprerje. Ngarkesa psikologjike kishte bërë të veten. Sot them se në atë kohë më mungoi gjëja më kryesore për një futbollist të ri, menaxhimi i duhur nw çdo aspekt, menaxhim që është i domosdoshëm jo vetëm për një sportist, por mbi të gjitha për një lojtar me karakter dhe me ego të fortë. Edhe pse luaja  me lojtarë shumë të mëdhenj dhe trupmëdhenj, nuk dorëzohesha kurrë. Edhe pse ata kishin forcën për të më nxjerrë në çdo moment nga fusha me trup, sërish egoja nuk më linte të dorëzohesha. Kjo ishte një nga arsyet që tifozët më donin dhe njerëzit e sportit më vlerësonin.

Karakteri dhe grinta për të dhënë më të mirën ishte tipari kryesor edhe pse isha shumë i ri, tipar që mblodhi rreth vetes vëmendje. Kjo sjellje më bënte të shikoja përpara, por njëkohësisht më ka hapur dhe probleme në fushë dhe jashtë saj. Kupa dhe superkupa e fituar me Partzianin nuk mund të justifikojnë zhgënjimin që mora me humbjen e kampionatit në ndeshjen e fundit ndaj Dinamos. Isha golashënues dhe asistues shumë i mirë. Ky dështim mbetet dhe pengu im i madh nga Partizani. 

Pas gjashtë vitesh situatat ndryshuan sepse klubi kishte nevojë për financa. Dinamo në atë kohë drejtohej nga trajneri kroat Daliç. Ai më kontaktoi drejtpërdrejt. Më donte patjetër në ekip. Drejtuesit shpenzuan shumën më të madhe deri në atë moment duke më blerë nga Partiziani për rreth 120 mijë dollarë. Ishte një shumë e madhe për kohën, por që në fund rezultoi veprimi më i mirë. Në klub trajneri kroat më përshtati shpejt më mënyrën e trajtimit, komunikimit dhe stervitjes. Atë e respektonin të gjithë lojtarët e formacionit dhe stolit. Ai nuk bënte të njëjtën stërvitje nga dita në ditë. Përcillte gjithnjë qetësi tek lojtarët. Me Dinamon qëndroi disa muaj. Partizani më formoi si lojtar, por Dinamo më rriti si të tillë.


U shpalla dy vite radhazi lojtari më i mirë i kampionatit. Ashtu siç e thash më lart, blerja nga Partizani nuk ishte një hap ekperimental, por rezultoi një biznes fitimprurës në fund. 

Nga Dinamo kalova tek Dinamo, kësaj radhe tek ajo e Bukureshtit. Rreth 280 mijë euro fituan dinamovitët në atë kohë. Por për mua nuk ishte e lehtë, madje mund të them se duhej ta nisja nga fillimi karrirerën. Isha mësuar të isha gjithnjë në qendër të vëmendjes për mirë dhe për keq. Isha mësuar të isha një nga lojtarët më të vlerësuar për shumë vite në Shqipëri dhe papritmas realiteti që gjeta në Rumani ishte tjetër. Prisnin shumë nga unë dhe kështu duhej të tregoja në fushë se cili isha dhe të justifokoja të gjithë interesin e shfaqur nga ekipi rumun.

Egoja dhe grinta e pandryshuar në stërvitje dhe fushë shpesh nuk ishin në favor. Nervozizmi që nuk po jepje atë që doja nuk më ndihmonte për të kaluar fazën e përshtatjes. Në humbjen e parë në derbi me Steauan, atmosfera nga tifozët ishte e zymtë në qytet. Nuk dilnim dot nga shtëpia sepse mund të përballeshim me nervozizmin e tifozëve, të cilët gjithnjë krijonin kaos pas çdo ndeshje derbi. U detyrova të zhdukesha, sepse nëse ndonjë paparac apo tifoz të shikonte në rrugë apo ambiente të tjera mund të hapnin probleme të mëdha në klub. Pas ndryshimit të trajnerëve, tre ndeshje e nisja nga stoli dhe një si titullar. Nuk isha mësuar asnjëherë me këtë trajtim, isha mësuar të  isha një nga tre lojtarët më të rëndësishëm në ekip. Kjo situatë e ngarkoi emocionalisht karakterin tim. Humba durimin. U bëra problematik në stërvitje dhe në fushë nga vendimet e trajnerit. Kërkova të largohem. 

Qyteti i shqiptarëve i vendosur prej më shumë se një shekull në Odesa të Ukrainës u bë vendi mikpritës. Kampionati ukrainas ishte shumë më i fortë se ai rumun, por përshtatja ishte më e thjeshtë. U renditëm midis më të mirëve. Trazirat e vitit 2014 në Ukrainë ndryshuan situatën financiare dhe sollën probleme të shumta. U dëtyrova të largohem, por koha ishte e papërshtatshme sepse merkato ishte mbyllur. Kalova një nga momentet më të vështira të karrierës. Stërvitesha individualisht, stërvitje që zgjati jo pak por më shumë se tre muaj. Isha pa ekip. Gjatë kësaj kohe tifozët e Partizanit kërkonin rikthimin tim, ndërsa drejtuesit ishin skeptik për formën. "Është lojtar pa minuta dhe jashtë formë, është risk ta marrim në ekip'', ishte përgjigja e drejtuesve edhe pse unë dërgova fjalë në klub se isha gati të luaja dhe me pagë të ulët. Por jo. 

Në sfond u shfaq ekipi i Tiranës, i cili shprehu besim. Ishte dilemë e madhe vendimi që duhej të merrja. Një nga lojtarët më të mirë që Partizani kishte nxjerrë nga akademia duhej të vendoste nëse do të bëhej pjesë e kundërshtarëve të perjetshëm. Me zemër isha i Partizanit, por profesionalisht derën ma hapi Tirana. Ishte çmenduria më e madhe në karrierë. Fillimet me Tiranën ishin të tmerrshme, sepse duhej ti mbushja mendjen tifozëve se isha i vlefshëm. Nuk duhej të bëja asnjë gabim, sepse për gabimin më të vogël do të kryqëzohesha nga tifozët. Më shikonin me mosbesim si ish lojtar i Partizanit. Në stërvitje dhe në fushë fitova zemrat e tyre, por nga krahu tjetër u konsiderova tradhtar nga të kuqtë. Në sfidat derbi situata ishte e rëndë për mua kur shpesh dëgjoja një stadium të fyenin në kor. Në fakt tifozët i nxiste dhe karakteri i vështirë ku shpesh nuk i kontrolloja nervat. Karakteri i vështirë më ndiqte në çdo hap.

Më ndoqi edhe në rastin kur u futa si zëvenësues në një nga sfidat derbi. Pa kaluar disa minuta, gjyqtari i ndeshjes Jemini më ndëshkoi me të kuq. Sa isha futur në fushë. Ishte veprim shume teknik, ku ai pretendonte se e kisha ofenduar. Por përgjigjen e dha koha më pas me karrierat respektive se cili kishte të drejtë. Të gjithë e dimë sot se si përfundoi Jemini arbitrimin dhe se si vijova unë karrierën. 

Të jesh lojtar me nerv dhe të mos pajtohesh me humbjen nuk mund të kalohet asnjëherë në heshtje. Talenti që më kishtë dhënë zoti dhe karakteri më bënin të isha gjithnjë qendra e vëmendjes në çdo ndeshje. Dhe me Tiranën arrita të bëj të njejtën gjë si me Partizanin dhe Dinamon sa i takon paraqitjeve në fushë. Izraeli dhe Kroacia ishin eksperimente te tjera ekstra. Pasi mbarova kontratën në Kroaci, kisha një ofertë sërish nga Tirana. Por 10 ditë nga fundi i merkatos, Tiranës i bllokojnë merkaton për borxhe të prapambetura. në këtë mënyrë duhej të zgjidhja shpejt dhe në këtë mënyrë u bëra pjesë e Vllaznisë. Për fatin tim të keq, Vllaznia do të luante me Tiranën se cili do të binte nga kategoria. Një javë kalova pa gjumë nga stresi.

Lloj Lloj mendimesh më kalonin në kokë dhe të gjitha më bënin tabelë qitje për vendimin që duhej të merrja. Nëse do shënoja, Tirana do të më konsideronte armik. Në rast se do humbja penallti fjala vjen për Vllazninë, do të ndodhte e njejta gjë nga krahu tjetër. Në ndeshjen e parafundit disa lojtarë morën kartonë kastile për të mos luajtur, ndërsa unë isha i detyruar të zgjidhja. Zgjodha të mos isha në fushë. Fola me trajnerin Cungu. Ai më tha se është më mirë të mos luash kur ndien se nuk  mund të japësh 100% nga mundësitë e tua. Zgjedhja nuk ishte aspak profesionale, por nëse do rikthehesha sërish në kohë do bëja të njëjtën zgjedhje. Tirana ra nga kategoria. 

Me Kukësin kalova një fazë shumë të mirë duke u shpallur golashënues. Në eksperiencën time në Shqipëri nuk më ka pëlqyer shumë grupimi që gjeta në Korçë. Atje ishte krijuar një grup lojtarësh, ku njerin prej tyre e kam pasur tek Partizani. Nuk e pranuan dot faktin që të isha pjesë e Skënderbeut. Pas mbarimit të kontratës kisha mundësi të qëndroja, sepse varej nga dëshira ime. Por si mund të isha pjesë e një ekipi vetëm për pagën, ndërkohë që në kundërshtim kisha një grup lojtarësh? Kështu që zgjodha të largohesha. Me korçarët isha i huazuar për sfidat e Ligës së Kampioneve. Pas largimit dikush më tha se: "Mirë që ike, se ndryshe nuk do shitej Besart Berisha". 

Kam luajtur në Kroaci, Izrael, Greqi, Rumani, Ukrainë dhe pothuaj të gjitha ekipet elitare në Shqipëri, por më e mira e karrierës sime nuk kishte ardhur ende. Bjellorusia u bë shteti i radhës i karrierës sime. Në stëvitjet e para nuk më shikonte njeri në sy. Askush nuk më fliste. Ftohtësia e ambjetit reflektohej edhe tek lojtarët. Të gjithë dukeshin sikur i frikësonte diçka. Kjo situatë zgjati jo pak, por tre muaj. Trajneri çek në nje moment më tha: "Elis, mos u shqetëso, kjo është mënyra e sjelljes në Bjellorusi, në fillim ata janë mosbesues". Nuk mjafton vetëm talenti, por është puna që të bën të të respektojnë. Më pas jo vetëm që nisën të më përshëndesnin, por sot e kësaj dite shokët më të mirë në futboll i kam në Bjellorusi, madje dhe në Shqipëri nuk i kam si atje.

Ka shumë raste kur kam luajtur në temperaturë minus 10 gradë celcius. Nuk më ka bërë përshtypje sepse kam kuptuar që trupi im përshtatet më mirë vendet me temperaturë të ulët se sa të lartë. Në Bjellorusi kalova vitet e rilindjes sime si lojtar, duke u shpallur në dy raste si lojtari më i mirë i ekipit, në disa raste në formacionin e javës. Fanella e Shakhtyor në Bjellorusi më dha mundësinë të takoja dhe mbretin e futbollit, Maradonën. Të gjitha fanellat e klubeve janë të rëndësishme, por asnjëra prej tyre nuk ka peshën dhe afeksionin e fanellës së kombëtares. 

Fanellën kuqezi për herë të parë e kam veshur në humbjen e pësuar 6 me 1 në Rumani. Ishte Oto Bariç, i cili më dha mundësinë e aktivizmit.

Të jesh lojtar i kombëtares është privilegj dhe emocion i papërshkrueshëm me fjalë. Fanella e kombëtares më ka dhënë mundësinë të luaj edhe përballë lojtarit më të mirë në botë, Messit në miqësoren ndaj Argjentinës.
Kam ndjekur ndeshjen me Greqine në tribunën  përkarshi. Një nga momentet më të lumtura që na ka dhuruar kombëtarja. Në shumë raste kur bëja nxemjen me kombëtaren, sytë më shkonin tek vendi kur isha ulur i vogël. Më kujtohet gjithnjë atmosfera stadiumit. Thoja me mendjen time: "Ëndrrat e fëmijërisë janë realizuar. Isha unë ai djali i tribunës që atë ditë ndodhej në fushë midis yjeve të kombëtares me fanellën që e adhuronte aq shumë". Ndeshja  e fundit kuqezi ishte me Gjeogjinë, por pas asaj ndeshje nuk më erdhi më asnjë ftesë. Ka gjithnjë një fillim dhe  një fund në kombëtare, por nuk e di ende se cilit nuk i pëlqeva kur nuk u grumbullova sërish kur isha në kulmin tim në Bjellorusi.

 Gjithsesi, futbolli më ka dhënë oksigjenin e jetës. Këtë e kuptoj sot më shumë se kurrë. Kam disa muaj që jam shkëputur nga futbolli i luajtur dhe më bësoni, po kaloj një nga momentet më të vështira. Më duhet të përshtatem me qetësinë, më duhet të përshtatem pa zhurmën që ishte rreth meje si lojtar, zhurmë që më mungon. Kur luaja në fushë thoja kur do vije dita që të jem i qetë, ndërsa sot them të kundërtën. E kuptoj shumë mirë që është një situatë që do kalojë, kjo edhe falë familjes. Gjatë gjithë karrierës sime, prindërit, motra, bashkëshortja kanë qenë mbështetësit e mi më të mirë në momentet e vështira. Ata më dhanë ngrohtësinë që më mungontë në situatat më të vështira në karrierë. Familja është i vetmi vend ku njeriu gjen gjithnmonë veten, sepse njerëzit në përgjithësi ikin dhe vijnë në jetën tëndë sipas një interesi të caktuar, ndërsa familja është gjithmonë aty. Jam pajisur me licencat e drejtorit sportiv, trajnerit dhe menaxhinit. Fillimisht mezi pres të nis projektin për menxhimin i talenteve në Shqipëri. Është një nga synimet e mia. Dua të bëj atë që unë nuk arrita të kisha kur isha futbollist, pikërisht mënaxhimin e  duhur për lojtarët e talentuar. Sot kam dhe një motivim më shumë në jetë.

Vajza ime e vogël ka marrë grintën time, egon që e lexoj tek sytë e saj. Edhe pse është shumë e vogël, dua ta shikoj në sport nëse do ketë talent në tenis. E gjithë kjo panoramë e shpejtë e karrierës sime më mbush me nostalgji. Më bën të besoj edhe me shumë se futbolli për një futbollist është vetë jeta.... 


Nga 

Elis BAKAJ

(ish-futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)