Eduart RROCA





Publikuar më 06.11.2020

Më kujtohet qartë banderola e tifozëve të Tërbunit "Pirlo Who? We have Rroca",  kur u ngjitëm në Superligë. Më kujtohet edhe koha kur isha i padobishëm për Lushnjen në moshën 17-vjeçare, ashtu sikurse në memorjen time do të mbetet gjatë përzgjedhja së fundmi si lojtari më i mirë i javës në kampionatin turk.
Këto janë copëzat e jetës time sportive, copëzat që më tregojnë se me përpjekje dhe durim mund të realizohen ëndrrat fëminore.
Si fëmijë i pasionuar pas topit stërvitesha tek fusha afër shtëpisë në fshat. Fantazoja veten si lojtar i ardhshëm i Lushnjes. Në moshën 13-vjeçare regjistrohem tek ekipi amator Lushnja 1920 me profesor Muçi. Këtu u formova si futbollist. 

Në moshën 17 vjeçare shkoj te  ekipi i parë i Lushnjës për provë.
Drejtuesit e ekipit, për të cilin kisha ndërtuar ëndrrat e fëminisë, nuk e panë të përshtatshme për të më afruar në ekip. Për ta nuk isha i dobishëm.

 I zhgënjyer, bëhem pjesë e Egnatias. Me Rrogozhinën nuk kisha mundësi të stërvitesha rregullisht, sepse ndiqja studimet për Punë Sociale  në Tiranë. Shkoja dy -tre herë në javë dhe për ndeshje në fundjavë.
Ishte një periudhë shumë e vështirë, por nuk e kisha të lehtë të hiqja dorë nga ëndrra për të bërë karrierë si futbollist.
Por në kategorinë e dytë, cilësitë e mia i ranë në sy presidentit të Tërbunit, Petrit Syla, i cili më kërkoi takim. Diskutojmë në Tiranë dhe pas atij takimi u bëra pjesë e pukjanëve.
Skuadra e Tërbunit i kryente stërvitjet në Tiranë  dhe kjo më shërbeu shumë, sepse do stërvitesha rregullisht por edhe pa u shkëputur nga studimet.

Tërbuni kishte investuar dhe kishte shumë ambicje, kërkonin Superligën. Trajneri Stojku më dha besim që në ndeshjet e para. Pas disa kohesh u afruan dhe donatorët nga familja Frroku, duke investuar shumë për të ngjitur skuadrën në elitë.

Sezonin e dytë ishim shumë  mirë dhe fare pranë ngjitjes. Ndeshjen e parafundit e luanim në Himarë, ndaj një ekipi pa pretendime, por që luante fort për kundërshtarin direkt tonin. I kishim të gjithë kundër në atë deshje. U mundëm 1 me 0, duke humbur shanset për të kaluar në Superligë.


Por problemi pritej të ishte më i madh. Të gjithë ishim në ankth pas ndeshjes. Kishim paga dhe premio për të marrë. Druheshim nga penalizimi i drejtuesve.
"Bravo djema, keni bërë një lojë shumë të mirë dhe një kampionat të shkëlqyer", ishin fjalët e papritura që presidenti Frroku na tha pas takimit. U organizua një darkë dhe një sjellje ndryshe në momentin e errët për ne!

Ky besim dhe kjo sjellje u shpërblye nga ne në sezonin pasardhës.

Ishte sfida e fundit finale ndaj Beslidhjes. Luanim në shtëpi dhe na duhej vetëm fitorja.

Shkuam tri ditë përpara ndeshjes në qytetin e Pukës. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme.  Të gjithë po jetonin me ndeshjen.

Stadiumi ishte mbushur totalisht atë ditë.


"Pirlo Who? We have Rroca", ishte banderola gjigande që më surprizoi pa masë.

Fituam 2 me 0 dhe u ngjitëm në Superligë. Papritur isha kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm, po po, isha unë ai që isha i pavlefshëm kur isha 17-vjeç!
I gjithë qyteti ishte në festë. Një nga ditët e mia më të bukura në karrierë.
Por nuk ishte e thënë që kjo atmosferë festive të vazhdonte.


Problemet e donatorëve ndikuan në ekip dhë rrjedhimisht në largimin e shumë lojtarëve. Një pjesë e tyre ndër të cilët unë, zgjodhëm të ishim pjesë e Luftëtarit, i cili në atë sezon kishte investuar shumë për tu ngjitur në Superligë. Kolegu im tek Puka, Agastra u bë shkak për kalimin tek Gjirokastra. Atje u bashkova dhe Ramadanin me Mirakën.
Ishte një sezon me shumë presion, sepse ishte vetëm një objektiv, ngjitja në Superligë.

Trajnerët Mustafa dhe Hysi u pasuan nga Gert Haxhiu.
Haxhiu kishte kohë jashtë tregut të trajningut dhe lojtarët në fillim e morën më skepticizëm afrimin e tij.
Por ndodhi e kundërta, Haxhiu nuk ishte vetëm një trajner profesionist, por një person i jashtëzakonshëm edhe në ndërtimin e marrëdhënieve me futbollistët.
"Eduart! Ke cilësi shuma të mira, ke potencial për të qenë lart në karrierën tëndë.", më tha.
Për çdo futbollist vlerësime të tilla janë shumë të rëndësishme, sepse të mbushin me frymëzim për të dhënë gjithçka në fushë.

Ndeshja finale për ne ishte ndaj Pogradecit. Ishim në disavantazh. Po shikonim që sezoni po na dështonte, por jo.
Haxhiu ndryshon skemën e lojës. Bregu asiston për mua, dhe topi përfundon në rrjetë. Për pak kohë kaluam nga ferri në parajsë. U ngjitëm në kategorinë superiore.
Sezoni i parë për mua në Superligë. 

U stërvita nga një profesionist i vërtetë, Milinkoviç. Pas provave të bëra me lojtarë të ndryshëm, ai pikasi dhe Abazajn. Me grupin e formuar bëmë lëmsh kampionatin.
Ishte bërë traditë se cili ekip vinte në superligë nuk qëndronte më shumë se një sezon. Lufëtari u bë surpriza e dy sezoneve duke hedhur poshtë Tiranën dhe Vllazninë.

 Në atë sezon kisha  probleme në gju. Nuk bëra ndërhyrje, por për 6 muaj bëra fizioterapi duke përshkruar pothuajse përditë rrugën vajtje-ardhje në Janinë, Greqi. Andi Papa ishte personi që më shoqëroi në çdo hap të rikuperimit tim.
Aq herë e kalova kufirin me Greqinë sa i bëra shokë sportelistët e doganës.
Rinovova pasaportën, sepse nuk kishte më vend për vulat e kalimit.
U aktivizova vetëm në në deshjet e fundit ku shënova tre gola në pesë takime. 

Edhe sezonin pasardhës ishim ekipi surprizë. Trajneri Hasan Lika, i jashtëzakonshëm për marrëdhëniet dhë njohurinë që kishte për futbollin. E përshtaste ekipin nga ndeshja në ndeshje në mënyrë profesionale.
Pësova tërheqje te muskujt e barkut, si pasojë e stërvitjeve që bëja në fushë sintetike. Realizova një ndërhyrje në Greqi, sërish duke patur pranë Andi Papa.

 Edhe pse isha në rikuperim, pra jo në fushë, në klub erdhi një ofertë nga Shkëndija e Tetovës për shërbimet e mia. Tavo nuk kishte pranuar sepse pretendonte një shifër më të lartë nga oferta e tyre. Ndërkohë ofertat nuk mungonin  as nga Partizani, Kukësi, Tirana etj.

Gjuhën e përbashkët me Tavon e gjeti presidenti Gjici i Kukësit, i cili pagoi 50 mijë euro për shërbimet e mia.

"Dëgjo këtu ti djalë. Nuk më intereson fare nëse ke bërë gola apo lojë të bukur te Luftëtari. Këtu je te Kukësi dhe duhet ta tregosh veten në fushë sa vlen", ishin fjalët e para të Gjicit kur firmosa kontratën. Një komunikim surprizë, por ky ishte Safet Gjici.

Skuadra ishte gjithnjë nën presion për të kapur rezultate. Presidenti tërbohej kur rezultati nuk arrihej.
"President, futbolli kështu e ka, fitorja dhe humbja janë bashkë", i thonim.
"Lërini këto broçkulla, çfarë janë këto. Duhet të fitoni me patjetër", ishte përgjigja e tij.

Gjoka, Duro, Shehi dhe në fund Gega ishin trajnerët me të cilët u stërvita te Kukësi. Gjoka ishte teknicien, Duro specialist i taktikës, Shehi kishte egon e promovimit si trajner dhe Gega kishte veti unike psikologjike.

Një grup vëzhguesish nga Istanbulspori kishin kërkuar ndeshjet e fundit të Kukësit. Ata donin të studionin Ethemin për ta afruar në ekip. Por pasi studiuan ndeshjet me minutazh të plotë, në fund më pikasën mua. Kërkuan të më afronin. 

Një mik i përbashkët i presidentit të turqve dhe Gjicit bëri të mundur që unë të kaloja në Turqi.
Por karakteri i Gjicit më shoqëroi edhe në momentet e fundit.
Para ndeshjes me Wolfsburgun Gjici më tha se duhej të leja shenjë në atë ndeshje në mënyrë që shkoja te Istanbulspori.
Ai kërkonte që të kalonim gjemanët. "11 kundër 11 jeni, pse mos ta kaloni Wofsburgun?", na tha.
 Ndeshja shkoi siç shkoi ku unë humba dhe penalltinë. 

Në fundin e takimit flas me presidenit Gjici për marrëveshjen. 

Pasi i bie numrit të tij, ai hap telefonin dhe:
"Kush të tha ty ta gjuaje penalltinë"?, ishin fjalët që më pritën.

"Doja të lija shenjë  ashtu sikurse  diskutuam bashkë përpara ndeshjes", iu përgjigja.

Edhe pse ne lojtarëve nuk na pëlqen aspak mënyra e komunikimit nga presidenti Gjici, ajo skuadër është në ato nivele vetëm për shkak të tij. Për shkak sepse ai investon dhe kërkon të fitojë gjithnjë në fushë. Por në shumë raste kjo është kthyer në bumerang për vetë ekipin e Kukësit.

Kalimi te Istanbulspor ishtë i menjehershëm. Ata kërkuan ndërkohë informacion tek unë për Ethemin, sepse donin një lojtar krahu. Ethemi kishte vendosur të luante në një ekip tjetër ndërkohë, kështu që unë i sygjerova Abazajn. 

Ata nuk donin lojtarë të huazuar, aq më tepër nga ekipe me emër si Andërlehti, mund të kishte kosto të lartë. Por Abazaj i ndërpreu marrëdhëniet me belgët dhe kështu unë ndërmjetësova afrimin e tij në Stamboll.

Një ndihmesë të fortë tashmë kam edhe familjen time. Bashkëshortja bashkë me vajzën ndodhën me mua. Me ata pranë, çdo gjë është më e lehtë. 

Tashmë duhet të tregoj vlerat e mia në futbolllin turk, i cili ka nivel të lartë.
Ashtu sikurse hapat janë hedhur një e nga një dhe mbështetur totalisht tek forcat e mia, shpresoj që të vijë radha e hapit të madh, ftesa nga kombëtarja kuq e zi.

 Ndihem krenar për atë që kam arritur deri më tani.

 Shkallët e ngjitura gradualisht duke nisur nga ligat inferiore tregon që çdo gjë është e mundur. 

 Falë përpjekjeve dhe durimit, çdo futbollist mund të realizojë ëndrrën e tij.


Nga

Eduart RROCA

(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !