Publikuar më: 28. 03.2023
Shikoja shpesh Zinedin Zidanë në televizor kur luante me Realin. Më dukej sikur ishte një show artistik nga mënyra si e ledhatonte topin. Ai u kthye në idhull ne fëmijërinë time, idhull të cilin doja ta ndiqja në çdo hap. Prindërit më dhanë një top bardhezi kur isha fëmijë. Rreth asaj sfere nisën të rrotulloheshin ëndrrat e mia që në moshën 4-vjeçare. U linda në Gjermani në Cuxhaven, dhe u rrita me dashurinë e prindërve për gjuhën amë. Duke parë talentin tim, prindërit më regjistruan me grupmoshat në akademinë e qyetet, fillimisht me SF Sahlenburg. Luajta në sulm gjithnjë duke ndjekur idhullin tim, por më vonë grinta e Lorik Canës më lëvizi qelizat e adrenalinës në fushë. Isha golashënues në ekipet e moshave kur luajta me Rot-Weiß Cuxhaven dhe Eintracht Cuxhaven. Çdo gjë po shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa erdhi momenti i vështirë në jetën time.
Moment që ndikoi dhe tek pasioni për futbollin e luajtur. Në moshën 17 vjeçare papritur filluan të më binin flokët! Nga dita në ditë ata binin si gjethet e një peme nga koka. I shqetësuar, pas vizitave u diaznifikova me Alopecia Areata. Ky problem shëndetësor sjell rënien e flokëve nga një ose disa pjesë të trupit. Zakonisht bien pak, por nuk e di pse koka ime u bë e gjitha pa flokë, pa vetulla, pa qerpikë! Në këtë rast mësova se shumë gjëra në jetë na vijnë pa e kuptuar, por gjithesi e kanë dhe një shkak ku burojnë. Isha në një moshë delikate zgjedhjesh. Sporti dhe edukimi ishin fushat midis të cilave duhej të zgjidhja. I detyruar edhe nga rrethanat zgjodha edukimin, duke hequr dorë nga pasioni si futbollist. Më dukej vetja si arbitri italian Pirluigi Colina. Kalova ditë të vështira, kjo si pasojë e realitetit të ri me të cilin duhej të jetoja. Një jetë e re sapo nisi për mua. Prindërit dhe motra ime ishin njerëzit që më dhanë mbështetjen, kurajon dhe ngrohtësinë që kisha nevojë. Por pa pasionin tim, futbollin çdo gjë më dukej e vështirë. Konkurova të bëhesha polic. Notat i kisha shumë të mira, por kriteret fizike, pra mungesa e vetullave, flokëve dhe qerpikëve më penalizuan. Vendosa të largohem nga vendi ku u linda dhe u rrita. Shkova në Hamburg. Isha në kërkim të rrugëdaljes sime. U regjistrova në shkencat sportive, sepse sporti ishte një pjesë e jetës, e historisë sime. Më dukej sikur pasioni më thirri sërish. Iu përgjigja kësaj thirrje. Studimi më rriti besimin për të parë drejt së ardhmes. Kuptova që në jetë dhe sidomos në sport, ana psikologjike është thelbësore. Kohët moderne e kanë afruar shumë sportin me përgatitjen mentale. I shtyrë nga studimet që nisa realizova paralelisht dhe kursin për trajner mental. Isha larguar nga futbolli i luajtur, por po kuptoja që prej saj nuk mund të ndahesha, kësaj radhe në një këndvështrim tjetër. Nisa të mësoj të trajnoj. Shikoja Jurgen Klopp dhe Tomas Tuchel. Ndiqja modelet e suksesit, modele që ëndërroj të më dërgojnë larg. Tek unë u konkretizua gradualisht një përfundim: "Një trajner nuk duhet të kuptojë vetëm lojën e futbollit, por dhe lojtarët që ka në dispozicion". Motivimi në këtë rast është një nga çelësat e suksesit në sport. Për gjashtë muaj ndoqa praktikën si trajner në shkollën e Real Madritit.
Pata në krahë shumë trajnerë nga Gjermania. Kjo ishte një trampolinë që formimin dhe pasionin tim për futbollin ta shpalosja edhe në praktikë sepse lëviza në qytete të ndryshme të Gjemanisë dhe Austrisë duke trajnuar dhe zbuluar talente, një pjesë prej të cilëve i dërgova në akademinë e Real Madritit për aftësim të mëtejshëm. Menjëherë pas kësaj eksperiece, skuadra e St Pauli që luan në ligën e dytë gjemane më ofroi besimin për të drejtuar grupmoshat e reja deri në moshën 14 vjeçare.
Pas largimit nga fusha e lojës në mënyrë të parakohshme dhe rinisjes nga fillimi i jetës sime, sot jam i lumtur që jam sërish pjesë e futbollit në rolin e trajnerit. Nëse nuk do ishte ana mentale, vështirë se mund të arrija këtu ku jam. Motivimi i anës psikologjike dhe të kuptuarit e lojtarëve që ke në dispozicion, sot për mua është rruga drejt suksesit për një ekip dhe një trajner në futboll. Ëndrra ime është që në të ardhmen të jem trajner në Bundesligën gjermane si dhe të koontribuoj për rrënjët e mia, futbollin mbarëshqiptar. Gjithsesi, tani për tani duhet të punoj fort në heshtje dhe të lë suksesin të bëjë zhurmë...
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)