Kristi GOREA

 

 



Publikuar më: 26.04.2022

Pa e kuptuar isha bërë pasiv, sepse aktiviteti fizik i fëmijërisë ishte zhdukur. Përpiqesha gjithnjë të fitoja lojën e radhës në play-station. Edhe pse kaloja shumë orë duke luajtur lojën virtuale, gjithmonë më dukej sikur sapo kishte nisur. Kjo panoramë u kthye në rutinë çdo ditë në fazat e para të adoleshencës.

Kilogramët pasuan njëra-tjetrën në trupin tim duke shqetësuar prindërit e mi. Të alarmuar, ata nisën të lëviznin për të gjetur mënyrën që të më largonin nga ai ves. Donin me çdo kusht të regjistrohesha në sport. Isha dakord vetëm për futbollin, sepse vetëm atë top kisha mbajtur në fëmijërinë time kur luaja me moshatarët në lulishten përballë shkollës deri në orët e vona. Prindërit nuk donin të vazhdoja futbollin. Babi më thonte se ai sport s’ishte i përshtatshëm për mua. Ata donin notin, sepse mesa duket meraku i tyre i bënte të mendonin se ai sport mund të më kthente në normalitetin fizik.

Debatet vazhduan për disa kohë midis nesh deri sa një ditë një shoku im më tha se ishte regjistruar në basketboll. Në fakt ky sport dikur në fëmijërinë time më kishte lënë pa gjumë. Ndeshjet e "play-off"-it në vitin 2006 midis Miami dhe Detroit i ndiqja si i çmendur dhe me topin e futbollit në duar imitoja lëvizjet e lojtarëve në shtëpi. Tashmë si adoleshent më kishte ardhur një mundësi për të ndjekur një ëndërr që më ishte shfaqur kur isha fëmijë. Në moshën 12 vjeçare, babi më regjistron në basketboll me trajner Gjon Luli dhe Haxhi Boshnjakun. Ky ishte momenti kur unë preka për herë të parë një top basketbolli. 

Por në fillim nuk dija asgjë nga ky sport. Ditët e para ishin shumë të vështira në stërvitje. Mësova se çfarë ishte tri hapëshi duke mbajtur pozicionin e duarve për të gjuajtur, si të dribloja dhe si të pasoja.

Isha ndër më të gjatët në grupmoshën time, por njëkohësisht isha më i ngathti dhe më i ngadalti.  Profesor Xhikja më përfshinte shpesh në grupet e lojtarëve më të mëdhenj në moshë. Ata ishin nivel tjetër dhe kjo më bënte të ndihesha në siklet, por nga ana tjetër më rriste egon për të bërë më shumë. Mungoja rrallë në stërvitje dhe me kalimin e kohës nisa ti arrij dhe madje ti kaloj disa nga ata lojtarë që ishin të grupmoshës më të madhe. Si pasojë e gjatësisë, trajnerët më vendosnin në pozicionin 4-5. 

Por dikush në sytë e mi më bëri të dashurohem me basketbollin, ky ishte idhulli im, Koby Bryant. Qëndroja natën vonë për të ndjekur ndeshjet e Lakersave në Finalet e 2010 kundër Celtics. Çdo lëvizje që shikoja tek Bryant përpiqesha ta imitoja të nesërmen dhe pse jo me të njëjtin rezultat. Etika e tij e sëmure e punës, dëshira gjithmonë për tu përmirësuar dhe në detajet më të vogla, mënyra se si ai nuk dorëzohej kurrë ndaj çdo rrethane apo situate, për mua ishte shumë inspiruese në karrierën sportive por edhe në jetën e përditshme. 

Ditët kaluan deri sa erdhi momenti i madh. Do të luaja ndeshjen e parë miqësore me grupmoshat në Elbasan. 

Kur shënova dy koshat e parë, më dukej vetja i pandalshëm dhe sikur kisha çliruar botën.

 Me të rinjtë e Teutës mësova se çfarë ishte përgatitja fizike. Nën drejtimin e profesor Bekim Abrazhdës zgjoheshim herët në mëngjes dhe niseshim me ekipin në sektorin Rinia në Durrës dhe bënim pothuajse dy orë stërvitje në plazh, me ushtrime shpejtësie, kërcimi dhe rezistence. Në shtëpi shkonim vetëm në drekë, sepse pasdite duhej të shkonim sërish në stërvitje.  Kjo lloj stërvitje më bënte të mbyllesha në shtëpi dhe të mos dilja më për shkak të lodhjes. Pikërisht ky ishte një nga ato momente ku prindërit ndiheshin të gëzuar, jo nga lodhja ime, por nga fakti që aktiviteti fizik po kthehej në profesion tek djali i tyre.

E sikletshme ishte kur stëviteshim në fusha betoni. Ishte e vështirë sepse çdo kërcim nuk amortizohej dhe ndikonte direkt në shëndetin e ligamenteve të gjurit, gjithashtu dhe tek mesi. Betoni na bënte të ndërronim shpesh atletet, sepse konsumoheshin më shpejt.

Por pavarësisht këtyre problemeve dhe lodhjes, me ekipin e të rinjve kalova dy vite shumë të bukura ku ishim konkurrent për titull. Krijuam miqësi midis çunave që akoma e kujtojmë dhe sot e kësaj dite.

Pas aventurës me të rinjtë, profesor Bekimi mori nën drejtim ekipin e parë ku menjëhere thirri dhe disa nga elementet më të mirë të të rinjve ku ndër to isha dhe unë. Ekipi i parë ishte në një pozitë shumë të keqe në kategorinë e dytë. Ndodhej në vendin e fundit. 

Gjithashtu adaptimi ishte i vështirë sepse shokët e skuadrës ishin më të medhenj dhe nuk kisha atë lloj afrimiteti si me bashkëmoshatarët e mi. “Mos  lejo emocionet të ndikojnë në lojën tënde”, ishte këshilla e trajnerit.

Në këtë kohë të vështirë e ndieja shumë ngrohtësinë që gjeja në familje. Babi ishte mbështetja kryesore sidomos në aspektin psikologjik. Kjo ndikoi shumë për kalimin e vështirësive të fillimit. 

Për zhvillimin e cilësive të mia ishte shumë e rëndësishme kombëtarja U-16 ku njoha Nikola Milatoviçin, trajnerin e parë të huaj në Shqipëri. Ai pati një rol thelbësor në rritjen time në aspektin teknik dhe individual.

Ai i kushtonte shumë rëndësi detajeve në lëvizjet e trupit dhe mënyrës se driblimit të topit dhe se si të gjuaje më shpejt. Një vit me vonë ai u bë trajneri i ekipit të parë të Teutës dhe aty marrëdhënia vazhdoi më tej. 

Një karakteristikë e tij ishte që i jepte shumë besim dhe motivim lojtarëve. Më ndihmoi në rritjen e vetbesimit, duke me motivuar që të vazhdoj të punoj sepse kisha mundësi të behesha një lojtar i mirë. 

Kërkonte që të isha më agresiv në fazën sulmuese në mënyrë që mbrojtja kundërshtarë të ndihej nën presion. Forca dhe shkathtësia të japin prioritet, por mësova që teknika dhe zgjuarsia nuk të lënë asnjëherë në baltë.

Kujtoj shpesh debutimin si titullar, i cili erdhi ndaj Studentit. Kisha shumë emocione dhe ndihesha komplet i ndrydhur në veprimet në parket. Gjuajtjet e para nga trepikëshi nuk preknin koshin por tabelën. Përfunduam duke fituar ndeshjen, por që unë zhvillova një ndeshje shumë të keqe dhe isha shumë i mërzitur. Kur u ktheva në shtëpi, qaja për paraqitjen e dobët. Prisja shumë nga vetja, por vendosja në një presion ndoshta të tepërt për një lojtar debutues 17-vjeçar bënë punën e vet. Me pas me kalimin e ndeshjeve çdo gjë shkoi drejt normalitetit. Pas tri vitesh, ekipi u rinovua ku u larguan shumë lojtarë. Papritur u emerova kapiten i ekipit. Nuk dija si të veproja, sepse isha i ri dhe nuk i dija rëndësitë e roleve. Por me fitimin e eksperiencës mësova të bej rolin e kapitenit, sepse modeli i vendosmërisë së Kobi Bryat që ndiqja më dha më shumë vetëbesim. Tani që jam më i pjekur dhe e di se çfarë përgjegjësish dhe kënaqësish të jep ky titull në parket, ndihem shumë krenar dhe falenderues. 

Si kapiten fituam superkupen e Shqipërisë. Mposhtëm Tiranën që ishte favorit në atë finale. Moment shumë i rëndësishëm për karrirën time. Në atë moment kuptova që qenka e mundur fitorja ndaj çdo kundërshtari nëse e beson këtë gjë deri në fund. Por ftesa në kombëtare është qëllimi që çdo sportist ka.

Ftesa e parë ishte ndjenje e madhe krenarie sepse e konsideroja si një vlerësim që më bëhej. Sfida e parë kuqezi erdhi në një miqësore në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për turneun parakualifikues europian. U futa disa minuta nga fundi dhe isha i lumtur që hyra në fushë dhe pse nuk pata ndonjë impakt të madh në parket.

Fatkeqësisht në ndeshje zyrtare me kombëtaren e parë nuk më është dhënë ende mundësia të futem në fushe, kjo dhe për shkak të trajnerëve përkatës ndër vite. Gjithsesi ajo që kemi në dorë është stërvitja dhe vetëm stërvitja, zgjedhja më pas nuk na përket më ne.

Sporti ecën midis gëzimit dhe zhgënjimit. Humbja në finalen kampionatit ndaj Goga Basket para tri viteve më bënë që mendja të më shkonte përherë në sakrificat dhe mundimet që kaloja duke u stërvitur dhe duke u privuar nga shumë gjëra që moshataret e mi bënin dhe unë nuk mundja ti bëja. Shpesh pyesja veten se a ia vlente gjithë ky mund për të arritur deri aty sa të humbisja në finale? 

A ia vlente të vazhdoja të sakrifikoja kur nuk po shpërblehesha në fund? 

Me pas mendoja gjëra të tjera që më bënin të vazhdoja të shtyja përpara siç janë shoqëria e krijuar nga basketbolli, mësimet që të jep basketbolli, mësime që të ndihmojnë më pas në jetë. Dhe besimi tek suksesi dha frytet e veta. Zhgënjimi i para tri viteve u rikthye në gëzim të jashtëzakonshëm vitin e kaluar, kur ndaj Goga basket morëm revansh. Si kapiten durrsak, me ekipin ku u rrita rikthyem titullit pas 66 vitesh në Durrës.

Ajo finale u fitua dhe ishte shpërblimi i mundit të 13 viteve karrierë. 

Dhe ky sukses i shkon për meritë mbi të gjitha familjes sime që gjithmonë më ka mbështetur në karrierën sportive. Ata janë kthyer në tifozë që nuk humbasin asnjë ndeshje. 

Babin e kam pasur gjithmonë në krah në çdo etapë. Është personi më i rëndësishëm që më mbështet në këtë rrugë. Ai ishte arsyeja që unë e nisa sportindhe tashmë falë sportit kemi forcuar dhe marrëdhëniën tonë babë e bir. Tashmë jemi në stadin ku me trajton si vëllai i vogël. 

Xhaxhallarët e mi, të cilët nuk janë më midis nesh, kanë luajtur volejboll bashkë babin. Dikur bënin shaka më sportin që kisha zgjedhur: “Vetëm ti devijove nga fisi”, më thonin. Por unë sot nuk e di dhe nuk e besoj që ka një sport më të bukur së basketbolli dhe në të njëjtën kohë nuk e di se çfarë do ndodhte me mua nëse do të zhytesha edhe më shumë në virtualitetin e "play-station" në adoleshencë. Nuk e di se çfarë do ndodhte nëse familja ime nuk do kishte këmbëngulur të ndiqja sportin. Por di që prej asaj dite marsi të vitit 2009 nuk u shkëputa më kurrë nga baskebolli.

Basketbolli më dha atë që kam sot, për të cilin ndihem i lumtur dhe krenar.

Jam një djalë që u linda dhe u rrita në qytetin bregdetar, duke luajtur për ekipin e Teutës me dashurinë me emrin basketboll. Këto janë pjesë të historisë sime dhe do të jenë gjithmonë brenda meje, çfarëdo që të bëj më tej me jetën time. 

Faleminderit!

 

Nga

Kristi Gorea

(basketbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!