Arjola PRENGA





Publikuar më: 01.01.2021

I shte një mëngjes i ftohtë. 

Hapa derën, përpara syve u shfaq një bardhësi e pafundme. 

Bora kishte zaptuar vendin. 

"Ola, futu brenda se do ftohesh", ishte zëri i mamit.

Futem brenda, shikoj rreth e rrotull, por aty nuk ishte mami. 

Ishte thjesht vegim, vegim në Norvegji, ku jetoj prej disa kohësh. 

Bora me ktheu për një çast në fëmijërinë time në Rrëshen, atje ku prindërit u kujdesën për hapat e parë të jetës. 

Më kujtohen shpesh vitet ku qyteti gumëzhinte në çdo kohë nga diskutimet rreth volejbollit.

Ky sport ishte si ajri për komunitetin ku u rrita. 

Kur isha e vogël gjithmonë luaja lojëra me top dhe nuk ishte habi që më pas nisa volejbollin.

Çdo ditë dilja me mamin te fushat e shkollës për të bërë stërvitje.

Kam lindur në familje sportistësh dhe topi ishte lodra jonë kryesore. 

Motra e madhe, Amarilda Prenga u bë shembulli dhe modeli që duhej të ndiqnim. 

Fillimet e mia me volejbollin nuk kanë qenë të lehta. 

Më shikonin me skepticizëm. Me mosbesim më panë kur u bashkova me Dinamon.

Ishte Kreshnik Tartari që më mori te Dinamo, sigurisht për faktin se isha motra e Amarildës. 

Ishte përgjegjësi e madhe. Amarilda Prenga është pasardhësja e të madhes Ela Tase. Bluzen e trashëgimtares në volejboll i'a ka dhuruar pikërisht ikona e sportit tonë.

"Çfarë mund të bëjë kjo vajzë më Dinamon?", "Ndoshta Ola është këtu vetëm për shkak të motrës!", ishin fjalët që më shoqëruan në fillimet e mia. Doja të tregoja të kundërtën.

Isha 15 vjeçe dhe mezi po ambjentohesha. Fjalët skeptike ishin si bora e bardhë që mbulonte rrugët. 

Por natyra ime nuk mund të demoralizohej. Kërkoja rrugën time.

Amarilda përpiqej në çdo rast të jepte mesazhe profesionalizmi tek unë.

Dinamo do luante një ndeshje në transfertë. Futem e para në autobuzin e skuadrës dhe ulem pranë dritares. Papritur vjen Amarilda.

"Duhet të zbresësh nga autobuzi. Në fillim do futen vajzat me eksperiencë dhe në fund do hipësh ti ", tha. E pashë me habi, por i mirëkuptova fjalët e saj. Fryma e grupit në një ekip është shumë e rëndësishme. Unë gjithnjë kam qenë më e vogla në grupin e skuadrës Dinamo. 

Karakteri im i fortë më ka shoqëruar gjithnjë në pasionin tim. Por ky detaj nuk më pengonte që të isha e përulur në punën që bëja, përkundrazi më shtynte shumë përpara. Kur shikoja padrejtësi, karakteri nuk qëndronte në heshtje, sepse e drejta ashtë shumë e rëndësishme tek unë.

Dinamo ishte e mbushur me lojtare me eksperiencë. Kritikat e trajnerit ndaj tyre unë i përvetësoja te elementët e mi që t'i mësoja më shpejt.  Pas çdo stërvitjeje egoja rritej, mezi prisja seancën e radhës stërvitore. "Je shumë e aftë si lojtare libero. Ke intuitë të jashtëzakonshme", më thonte shpesh Kreshnik Tartari.  

Me punë të vazhdueshme u transformova në lojtare të rëndësishme. Skeptikët nisën të më shikonin ndryshe.


Nuk isha rastësisht në volejboll. Po vërtetoja se i përkas volejbollit.

Bora e bardhë e skepticizmit nisi të shkrijë nga puna dhe egoja ime. Para meje u shfaq gradualisht rruga e karrierës në volejboll.

Në vitin 2007 te Dinamo pata fatin të stërvitesha nga Vangjel Koja dhe Enkeleda Lleshi. Jam ndierë vërtet komode. Profesionalisht ishte momenti im më i mirë. Ata dinin vërtet se si duhej të trajtohej dhe stërvitej një volejbolliste për të nxjerrë në pah talentin. Ai konsiderohet viti ku u rrita profesionalisht.

Ftesa nga kombëtarja shqiptare ishte momenti tjetër, një mrekulli. Emocionet  e para me fanellën kuqezi janë të papërshkruara me fjalë.


Por kishte dhe disa gjëra që nuk korespondonin me formimin tim si profesioniste. Isha mësuar me disiplinë te Dinamo. Në kombëtare ishte ndryshe.

"Vajza, pushoni pak, pini ujë dhe vijojmë sërish stërvitjen", na tha trajneri. Të gjitha vajzat shkuan për të pushuar dhe pirë ujë. Unë dhe Amarilda vepruam ndryshe nga vajzat e tjera. Nisëm fillimisht të mblidhnim topat. Në këtë moment për mua ishte e padrejtë kjo sjellje e vajzave të tjera. I drejtohem dhe i them të veprojnë ndryshe. Edhe ata duhej të mblidhnin topat, sepse stërvitja kryehej nga të gjitha ne. Amarilda më afrohet dhe më thotë: "Shiko punën tënde Ola, mos u merr me vajzat e tjera. Nëse do të mbledhësh topat mblidhi!". Eksperienca e saj ishte e rëndësishme për frymën në grup. Ndërsa karakteri im kërkonte që çdo gjë të funksiononte me drejtësi.

Nga ana tjetër pranë nesh do të vinte dhe një volejbolliste tjetër  nga familja jonë. Motra e vogël, Adelajda Prenga kishte nisur të ndiqte rrugën e genit të familjes. Kur vinte në Tiranë, na shikonte me adhurim kur luanim në parket. 

Kishte prirje dhe talent për volejbollin. Gradualisht u bë pjesë e Dinamos. Më pas luajti për shumë vite te Aulona Voley, te Partizani, një sezon te Minatori dhe në Kosovë. Ajo është pjesë e Dritës në Kosovë, ku së fundmi fitoi kupën e Kosovës. 

Me pasion dhe këmbëngulje fitoi të drejtën të ishte dhe ajo në kombëtare. U bëmë tre motra që përfaqësonim Shqipërinë. Rast unik që vështirë mund të gjendet në historinë botërore të sportit.

Amarilda e hodhi e para hapin që të luante me ekipe të mëdha Europiane. U transferua në Greqi, më pas te Dinamo e Bukureshtit. Kaloi në Francë te Le Cannet me të cilën shkoi deri në finalet e kupës CEV . Ka lujatur gjithashtu dhe në Finlandë me Lujjataren.

Ëndërroja të bëja të njëjtën gjë. Dhe ky moment erdhi.

Në stërvitjen me ekipin kombëtar rashë në sytë e trajneri amerikan Glen Conley. Ai më kontaktoi dhe më ftoi të isha pjesë e Universitetit Kent State. 

E pranova ofertën. Një muaj para se të shkoja në USA do zhvilloja lojrat mesdhetare me Shqipërinë. 

 Aty kontaktohem nga një menaxher italian. Më therrasin nga recepsioni. Ai tha:" Dua të takoj Prengën!"

Mendova se kërkonte Amarildën, sepse ajo ishte lojtarja më e mirë e Shqipërisë. Por jo, ai po më kërkonte mua. Kisha thënë po ofertës nga Amerika dhe e refuzova ofertën nga italia.

Me vajtjen në Amerikë nis edhe odiseja ime me ekipet ndërkombëtare ku sygjerimet  e Amarildës më ndoqën shumë në këtë drejtim.

Isha shumë e re dhe të jesh në Amerikë vetëm është vërtet një çmenduri. Kur studentet e tjera dëgjonin që isha nga Shqipëria silleshin me arrogancë. Edhe pse isha e vogël kjo gjë nuk me shqetësonte sepse i kisha të qarta qëllimet dhe arsyet përse isha atje. 

Mbas përfundimit të sezonit sistemi i volejbollit ne USA nuk më lejoi të luaja sërish. Mbas studimeve mu ofrua nga universiteti të bëhesha pjesë e stafit drejtues. Por isha shumë e vogël për të lënë volejbollin. Doja të provoja eksperienca te reja. 

Gjithmonë jam tërhequr nga kulturat e ndryshme dhe të njihja njerëz të rinj, prandaj çdo sezon kisha dëshirë të ndryshoja shtet. Spanja, Italia, Franca, Turqia ishin eksperiencat e mia deri sa u dashurova me Norvegjinë. Jam ndjerë vërtet shumë mirë në çdo aspekt këtu, ku të gjithë njerëzit marrin respektin e duhur.

Me ekipin e Stod Volley kam marr pjesë gjithmonë në kupat e Europës si edhe në Ligën Nordike duke u shpallur dhe si (shooter)-e më e mirë.

Si (shooter)-e kam fituar çmim edhe me kombëtaren.  Në Ligën e Europës 2018 fituam medaljen e Bronxit ku u shpalla Best Outside Hitter ( shyterja) në top 7 lojtaret më të mira të kompeticionit.

Jam krenare që linda në qytetin, i cili konsiderohet djepi i volejbollit dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe që të treja motrat të mos ushqeheshim me këtë pasion.

Sporti është trashëgimi në gjakun e familjes sonë. E them këtë për disa arsye.

Babi ka luajtur futboll, mami volejboll. 

Ndërkohë xhaxhai, Besnik Prenga, gjithashtu ka lënë gjurmë në futboll, si trajner dhe tashmë si menaxher talentesh. 

Ne, u lindëm dhe u rritëm me frymën e sportit, veçanërisht volejbollit.

Ky pasion më ka dhënë gjithçka kam sot. Volejbolli më njohu edhe me të fejuarin tim, me të cilin kemi ndërtuar jetën këtu në Norvegji. 

Sporti është vetë jeta për familjen e madhe Prenga.

Amarilda, Arjola dhe Adelajda, tashmë jemi tre motra që nuk do reshtim kurrë së falenderuari sportin tonë të dashur, volejbollin.

Bora që bie pafund në vendin skandinav më kthen shpesh në vendin ku u linda, ku u rrita, ku ndërtova ëndrrat e mia.

Volejbolli në jetën tonë ka bërë çdo ditë më të bukur.

Ky sport ka ndikuar tek ne jo vetëm në profesion, por edhe në formim dhe shprit. 

Shumë njerëz na kanë ndihmuar në rrugëtimin tonë dhe na kanë mbështetur shumë. Për këtë do jemi gjithnjë mirënjohëse.

Faleminderit!


Nga 

Arjola Prenga

(volejbolliste)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!