Ilir SULI





Publikuar më 17.05.2022

Kur e shikoj veten time sot, them: Nëse do mund ta ktheja kohën pas, nuk do e lija pa përfunduar detyrën e matematikës në moshën 7-vjeçare.

 Do i thoja xhaxhait tim, peshëngritësit Agron Suli: Nuk do ngrihem nga tavolina e mësimeve dhe se nuk do të shkoj në palestër për tu stërvitur me Pirro Dhimën, Mirjan Hakanin dhe shumë emra të tjerë të ndritur të peshëngritjes në klubin Tirana.

 Nëse do e dija që sot pas më shumë se tre dekada në sport do të kisha si rezultat vetëm operime në duar dhe herie diskale, do thoja jo jo, do ndjek një rrugë tjetër. 

Nëse sot do shikoja kaq shumë mungesë respekti dhe mirësie, do ti thoja po Naim Sulejmanov për të garuar për Turqinë, apo të zgjidhja një jetë tjetër në një kohë të caktuar. 

E shikoni këtë fotografi i rrethuar nga medaljet? Ndërsa unë nuk i shoh, sepse në realitetin e peshëngritjes dhe jetës, Ilir Sulin nuk e gjej askund.

Pasojat e zgjedhjeve të këqija individuale po i shlyej prej shumë kohësh tashmë. Jam i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm se kam abuzuar shumë me veten dhe mundësitë që kam pasur.

 Por nga ana tjetër, në 33 vite karrierë ngrita me mijëra kilogramë dhe fitova shumë medalje, por sot kujtesa për shumë njerëz është e shkurtër për të dërguar shenjën e mirënjohjes dhe treguar mirësi. Më duket sikur janë bërë palë në heshtje me mua për ndëshkimin tim.
Por unë ekzistoj, nuk kam vdekur.
Ndjeshmëria si person më bën shpesh ta mendoj dhe shikoj realitetin bardh e zi, dhe kjo ka kostot e veta. Me njërën nga këto ngjyra e nisa dhe këtë histori për Talentisportiv.

Dikush mund ta quaj shenjë depresioni, apo ku ta di unë se si. Por më duhet të them se jeta ime në sportin e peshëngritjes ka pasur gjithashtu dhe shumë gëzim, adrenalinë, krenari. Ato momente sot në kujtime janë oksigjen i ekzistencës. Ato janë ana tjetër e medaljes në historinë e Ilir Sulit.

Shpesh kujtoj këpucët e femrave me të cilat realizoja stërvitjet e para kur isha fëmijë. Për shkak se baza materiale ishte me pikatore, ato ishin shumë të përshtatshme për takën që kishin në fund, sepse krijonin bazamentin e duhur për të ngritur peshat. Isha shumë energjik, entuziast dhe konsiderohesha talent.

 Në palestrën ku nisa karrierën, trajner im Hektor Shaqiri më tha ditët e para. “Ilir, më ndiq mua”. Dhe unë nuk bëra gjë tjetër, e ndoqa, dhe për 33 vite qëndrova pas tij. Ai u bë trajneri, sportisti, shoku dhe prindi im. Të mirat dhe të këqijat i kemi kaluar bashkë në çdo hap. Ai krijoi karakterin e atij që jam. Serioziteti, disiplina dhe mbi të gjitha sjellja humane ishin shumë lart në krahasim me kohët e sotme, atëherë njeriu në vetvete respektohej. Sot kjo ka humbur në çdo vend ku e hedh shikimin.

Në garën e parë, u pozicionova gabim dhe si rrjedhojë i ktheva vithet jurisë. Nuk dija si të qëndroja, dhe në vend që të isha para tyre, bëra të kundërtën. Isha fëmijë i lëvizshëm dhe në një rast para një gare në Elbasan rashë nga krevati i marinarit dhe theva dorën. Në atë kohë sportistët përqedroheshin shumë tek aktiviteti. Ishte një sistem më pozitiv sa i takon sportit. Trajneri, xhaxhai dhe im atë ishin kritikën e mi në çdo hap që hidhja.
Hektori ishte më pranë meje. Më thonte se nuk të ka dhënë njeri flamurin në dorë që të rregullosh botën. Duhet të jesh më shumë i çiltër. Isha njeri i ndjeshëm dhe ndikohesha. Reagoja ndaj çdo sjellje apo fjale që më dukej përtej normalitetit. 

Ajo kohë më injektoi punën në gjakun tim. U rrita me atë frymë. Isha më i rregullti bashkë me ulje-ngritjet e mia. Isha i pari që fikja celularin, jo si sot, ku sportistët janë të prirur të bëjnë stervitje duke dërguar foto dhe video celulari në rrjetet sociale.
8 deri ne 10 000 lekë në muaj paguesha në moshën 14 vjeçare dhe 300 lekë dietë ushqimore, tarifa shumë të larta për vitet 90. Së bashku me Luan Shabanin trajtoheshim si profesionistë.

 Ishte një periudhë shumë e veçantë për mua dhe një periudhe shumë e mirë për sportistët para viteve 90. Në klubin Partizani kalova një nga periudhat më fantastike.  Gara e parë si profesionist ishte shpërthim në vetvete. 14 vjeç me peshë 50 kilogram, ngrita 75 kilogramë në shkëputje 95 kilogramë në shtytje.

Por suksesi dhe perspektiva që kisha nuk më lanë të ecja me këmbët në tokë. Si rrjedhojë duke u rritur dhe duke u bërë edhe më harrakat pas shoqërisë, pas veseve, si alkoli, pubi. Diskot e natës ishin të hapura deri në 8 të mëngjesit. Abuzimi me veten kishte nisur.  Më vonë filluan abuzimet e tjera, si ndonjë cigare me hashash etj.

Sot e konsideroj gabimin e madh. Nuk duhej të abuzoja me veten time. Jeta nuk është një dekadë, është më e gjatë dhe për këtë duhej të mendoja më shumë.

Kur shikoj të rinjtë që ndjekin veset, më duket e pakuptueshme, sepse i kam provuar vetë pasojat në jetë që më sollën alkoli, ç'organizimi i jetës, keq menaxhimi i vetes, i të ardhurave, bixhozi. Natura ime e ndjeshme nuk i kaloi problemet dhe nuk i suportoi opinionet që në shumë raste ndikuan shumë negativisht në karrierën sportive dhe jetën individuale.

Vetëkënaqësia nuk ishte bazë e abuzimit me veten. Por unë nuk kisha marrëdhënie të mirë me menaxhimin e lekut edhe pse nëpër duar nuk kisha shuma të mëdha. Më vjen keq kur i kujtoj të gjitha gjërat që kam bërë, të cilat nuk do i bëja, por po të isha me këtë mendim nuk do isha këtu ku jam, do isha jashtë.
Këtu çdo ditë zhgënjimi më vjen edhe më shumë nga njerëzit, që më duket se e kanë humbur sensin e mirësisë. Mund t'ia japësh edhe në tave shkaqet duke i thënë ja ku i keni. 

Në vitin 94 në Antalia fitova medaljen  e parë. Isha 18 vjeç. Në 96 mora pjesë në Atlanta në lojërat Olimpike. Pas një viti në kohën e trazirave shkova në Greqi bashkë me familjen.
Në 1999 kthehem në Shqipëri. Por atëherë ndryshuan shumë gjëra dhe njërëzit shikonin me sy tjetër. Qeveria e drejtuar nga zoti Ilir Meta në atë kohë vendosi 500 milion lekë dispozicion si buxhet, 10 herë më shumë se sa sot. 

Me besim të jashtëzakonshëm shkuam në Olimpiadën e Syndey-it. Do fitoja medaljen e artë. Dhe për këtë nuk dyshoja fare, sepse në njërën nga stërvitjet në Australi theva rekordin e botës me shtatë kile. Besimi në vetvete nuk më mungonte.
Por natën para garës nuk më zinte gjumi. I kërkova një psikologu grek të më jepte një aspirinë për të fjetur gjumë, por ai nuk ma dha me të drejtë se po të ndodhte diçka do akuzonin atë. Do dilja kampion olimpik, ky ishte mendimi që më la pa gjumë. Nuk kisha emocionet e konkurimit jo, por ndjesinë se çfarë kënaqësie më priste kur të ngjitesha në podium. Gabova unë, por gaboi edhe trajneri im, manaxherët, gaboi edhe Fideli që ishte me ne. Mendoj që duhej të merrnim një psikolog me vete. 

Meta në atë kohë më kishte premtuar 500 mijë dollarë, Rama gjithashtu si ministër i sporteve më kishte premtuar që do më priste si hero. Kisha mbështetje në çdo hap. Por detajet e vogla në fund bënë diferencën, ndoshta u nxituam. U rendita në vendin e pestë dhe ndihesha si kufomë kur u ktheva në Shqipëri.

Për disa muaj rresht nuk u la gjë pa thenë kundër meje, si një sportist që kisha mbaruar. Kishin dëgjuar edhe që unë merrja ndonjë cigare substancash narkotike.
Por shumë shpejt u ringrita nga varri. Në botërorin e Varshavës 2002 u shpalla nënkampion bote, një rezultat e jashtëzakonshëm ku askush nuk e priste. Por Olimpiada më kishte ndjekur nga pas me imazhin e saj, gjë e cila në opinion kishte ndikuar. 

Tre vitamina bashkë quhet doping. Ushqim ekstra që nuk e merr dot me pjate dhe kanë disa lloj emrash. Në peshëndritjen shqiptare janë kapur shumë peshëngritës nga gafa pa dashje. Brikenit i ka ndodhur dikur me multivitamina ku as rezultat nuk mori. Por ai u ringrit dhe doli kampion bote. Erkandi po ashtu. 

Unë kisha marrë substanca për forcimin e kockave. Nuk isha për konkurrim, isha jashtë gare komplet. Por duhej te isha i kujdesshëm sepse isha në vëmendje. Kjo nuk ndodhi dhe si rrjedhojë përfundoi ashtu siç përfundoi. Nuk duheshin vetëm veset personale, por u shtua dhe dënimi për doping.

Kur je në qendër të vëmendjes ka kosto si për mirë edhe për keq. Por sot, 33 vitet në sport nuk i kam të siguruara. Nesër, në pension çfarë do të ndodhë? 

Më kërkuan të përfaqësoj Turqinë dikur. Nuk ika kurrë. Ky është fakt. Në momentin që sportisti investohet në sport duhet të ketë një mbështetje në formë pensioni për të ardhmen e tij. E them këtë që të paktën një si unë ka se çfarë t'i jap brezit të ri, anët pozitive që disponoj dhe të luftoj anët negative që kam provuar.

Sportistët që lënë sportin duhet të jenë sa më të ndërgjegjshëm që të jenë shembull për brezin e ri. Të ketë meritokraci. Gjithkush të bëjë punën që meriton. Me grup pune të mirë i shkohet deri në fund. Por duhet miritokraci dhe zgjatje dore, sepse vlerat pozitive ekzistojnë tek çdo individ.

Jam në Shqipëri i lidhur me peshëngritjen. Sot po stërvis të rinj të talentuar. Këtë nuk po e bëj vetëm për t'i dërguar ata tek suksesi, por mbi të gjitha për t'i edukuar ata që të mos bëjnë gabimet e mia në menaxhimin e vetes , të qëndrojnë larg veseve.

E bëj me pasion, sepse peshëngritja është jeta ime në kuptimin e plotë të fjalës. Çdo ditë jam i përqendruar tek mentaliteti i tyre, sepse kampion bëhesh, ndërsa njeri është e vështirë. Nuk dua që dikush nga ata të bëjë gabimet e mia nesër dhe për këtë flas papushim. Duhet t'i flasim shumë të rinjve.

 Kur u shpalla nënkampion bote, gëzova familjen time, babain xhaxhain, trajnerin, të cilët kishin vuajtur me mua, sepse ata që vuajnë më  sportistin janë pak njerëz.  Në Rinas kur u ktheva me medaljet më pyetën nëse do vazhdoja të mbroja ngjyrat kuqezi. Dhe unë u përgjigja:

"Jam shqiptar dhe do vdes shqiptar". Dhe në fakt, ironikisht kështu po ndodh, pavarësisht se ndihem i vdekur nga vlerësimi dhe mungesa e meritokracisë. Të ngrihesh nga varri është e vështirë, por jo e pa mundur.

Në jetën time kam  pasur  ulje-ngritje, por një personi i kërkoj shumë falje, Indritës, bashkëshortes sime!

Nga Ilir Suli
(ish - peshëngritës)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!