Publikuar më 02.04.2021
Në programin e RTSH-së ishte përcaktuar një ndeshje volejbolli.
Doja ta shikoja...
Por nuk arrija dot të bindja veten që ta shikoja atë ndeshje...
Ishte momenti më i vështirë që po kaloja ndonjëherë.
U përpoqa, por sërish nuk e binda veten.
Nuk është e lehtë të largohesh nga diçka që e do me shpirt dhe kështu u bëra dëshmitare e këtij fakti.
Isha ndarë nga 22 vitet e jetës sportive. Ky mallëngjim më pershtjellonte të shikoja volejboll...
Vitet e arta kishin kaluar shpejt në sytë e mi dhe nuk isha më pjesë e lojës më të bukur.
Stërvitesha dhe luaja me parimin për të mos ulur në asnjë rast nivelin tim deri në ndeshjen e fundit kur u largova me titujt e fituar me Dinamon.
Duke konsumuar kafen e mëngjesit, në sfond dëgjoj një muzikë të veçantë...
Ishte e njohur për veshët e mi...
Papritur kujtimet në lidhje me muzikën më rikthejnë jetën sportive.
Ajo muzike më dërgoi në një "night club".
Po, në një klub nate duke dëgjuar muzikë.
Sigurisht ky vend nuk ishte në Shqipëri, por diku në Europë ku do luanim me Dinamon në kupat e Europës.
Gjithsesi, nuk qëndruam më shumë se 30 minuta në atë klub nate....
Por ato pak minuta mjaftuan që të ndjeja lirinë e vërtetë që të jep sporti. Falë tij isha në qendër të vëmendjes në Shqipëri, por jo vetëm.
Nuk e kam ndier në asnjë moment faktin që jam cilësuar si volejbollistja më e mirë pavarësisht çmimeve të shumta që kam marrë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Por për një gjë jam e vetëdijshme. Luaja me vajza të shkëlqyera në një ekip fantastik si Dinamo.
Ndjenja ime më bën të mendoj shpesh që linda për të qenë volejbolliste.
Mendoj kështu sepse që e vogël isha e përqendruar shumë te detajet e këtij sporti.
Vëllai im luante me të rinjtë e Dinamos. Kur kthehej në shtëpi merrja topin në duar dhe e shikoja me vëmendje.
E rrotulloja në duar dhe në mënyrë të pavetëdijshme mundohesha të kuptoja se si funksiononte që ta zotëroja.
Përfshihesha në botën e sferës, një botë që për mua ishte enigma për tu zbuluar.
Kur ndiqnim vëllain në pallatin e sportit, vështroja me detaje çdo lëvizje, çdo goditje të topit që kryenin lojtarët.
Vajzë e vogël, por nuk e shikoja këtë sport për të marrë emocion, por e vështroja një sy tjetër, atë të arsyes.
Më dukej sikur brenda atij topi ishte Ela Tase.
Në moshën 14-vjeçare u regjistrova me të rejat.
Çdo ditë ishte magjike për mua.
Pa e kuptuar nisa të privohem nga gjërat individuale të moshës, si pasojë e pasionit të ri.
Shkoja gjithnjë 30 minuta para orarit të stërvitjes, gjithashtu qëndroja edhe shumë kohë pas stërvitjes.
Topi i volejbollit u kthye në magji.
Përqendrohesha teknikisht për çdo veprim të ri.
Isha e lumtur sepse brenda meje ndjeja që ky sport ishte i destinuar në qënien time.
Roli i parë në fushë nisi si pasuese, por mendja ime punonte që ti ktheja pasimet në sulme.
Kërkoja gjithnjë të përmirësohesha dhe pas 6 muajsh ftohem nga ekipi i parë i Dinamos për një turne në Kinë.
Nuk kisha bërë ende 16 vjeç dhe kjo më pengoi të luaja qoftë edhe një ndeshje gjatë qendrimit dymujor në vendin aziatik.
Por nga ana tjetër stërvitja e kryer gjatë kësaj kohë ishte thelbësore për formimin dhe karrierën time të mëvonshme.
Pritja për një ndeshje zyrtare me të rriturat nuk më tensionoi në asnjë moment. E ndjeja që momenti im do të vinte dhe kështu ndodhi.
Dinamo luante në spaktakiadë. Erdhi koha, duhej të tregoja egon në tapet. Pas çdo sulmi arrita të rrëmbej duartrokitjet e publikut.
Atmosfera më frymozonte gjithnjë për të dërguar përpara talentin që e prekja në çdo veprim.
Nisa ti ngjis shkallët shumë shpejt. Në moshën 17-vjeçare vendosem në formacionin bazë të kombëtares shqiptare si shutere kryesore. Uniforma kuqezi ishte ëndërr e realizuar, por kjo nuk më ndali të studioja teknikisht çdo lëvizje për të perfeksionuar aftësitë në fushën e lojës.
Veprimet praktike nguliteshin dhe rriteshin me një mendim të përqendruar gjatë stërvitjes. Pas kësaj nevojitej një reflektim auto analizë në kohë pushimi për të gjitha veprimet e kryera.
Stërvitja nga njëra anë dhe loja nga ana tjetër ishin konkurrente me mua. E konsideroja në këtë formë sepse ishte mënyra e duhur për tu rritur fizikisht dhe teknikisht me orë individuale të përqendruara. Aplikoja shumë kërcyeshmërinë dhe forcën e krahëve.
E gjitha kjo është realizuar me pasion të jashtëzakoshëm dhe mendoj se ky është një element shumë i rëndësishëm për të arritur suksesin në sport.
Loja komplekse në të gjitha rolet në fushë më vlerësoi si lojtaren më të mirë ballkanike disa herë në karrierën time.
Paraqitjet tërhoqën shumë ekipe Europianë që të shprehnin interes.
Në atë kohë nuk konceptohej merkato lojtaresh. Gjithsesi kjo nuk pengoi që në drejtimin tim të vinte një kërkesë nga një skuadër e Gjermanisë Perendimore.
Isha 19 vjeçe, indiferente dhe nuk e konceptoja fare një mundësi të tillë. Dinamo më kishte lidhur fort pas saj. Atmosfera dhe vëmendja rreth meje ishin në shkallën më lartë.
Por merita nuk ishte thjesht individuale, sepse suksesi im nuk do ishte i mundur pa mbështetjen dhe cilesitë e kolegeve ku kemi sakrifikuar në çdo element për të qenë në majat e volejbollit shqiptar për dy dekada.
Koshienca më kerkonte nga unë përgjegjësinë e pikës së fundit gjithmonë si shutere kryesore dhe si kapitene e ekipit.
Përzgjedhjet e vajzave bazoheshin tek merita. Më të mirat përfaqësonin ekipin kombëtar...
Organizimi, mbështetja, Infrastruktura dhe motivimi ishin elementët që e bënë volejbollin e kohës të ishte në nivele të larta.
Këto hallka pas viteve 90 nisën të shuheshin deri në ekzistencë. Mënyra e inspirimit dhe shfaqja e ndeshjeve emocionuese është kulturë që duhej dhe që duhet të jetë në lëndët mësimore për çdo sport.
Në tre raste në katër ekipet më të mira europiane me Dinamon, tre herë lojtarja më e mirë e ballkanit, mjeshtre e merituar, renditur midis 10 sportistëve më të mirë shqiptarë në histori, etj.
Isha një lojtare shumë e njohur dhe e vlerësuar për karrierën në volejboll. Profesioniste në klub, por pa asnjë mbështetje kur u largova.
Papritur u gjenda në një realitet që sporti nuk na kishte lejuar ta shikonim.
"Ministria Jonë" më ofroi të punoj si pedagoge ne Akademinë e Rendit 20 vite radhazi, ku orari dhe detyrimet ishin të pafavorshme për vazhdimësinë si trajnere.
Në këtë formë, volejbolli u largua nga unë dhe nga ne vajzat, qe e deshëm pa interesa dhe lamë rininë tonë në fushë.
Largimi nga volejbolli më dha një dhuratë të çmuar, pikërisht përshëndetjet, vlerësimet dhe respektin e pamasë të njerëzve në çdo kohë, të cilat vazhdojnë edhe sot. Ky ishte vlerësimi me frymëzues i motivit të përkushtimit tim.
Në momentet kritike që kalon çdo sportist pranë ka një aleat të pandryshueshëm, familjen.
Në vitin 1984 vjen në jetë djali im Fogerti, i cili gjeti dy prindër sportistë.
Në sakrificë të sportit, ai u rrit më shumë nga mamaja e bashkëshortit tim, Bashkim Milo. Duke qenë trajner basketbolli i Dinamos dhe Kombëtares, ne udhetonim së bashku në pasionet përkatëse dhe me përgjegjësitë e marra në këto pjesëmarrje...
Gjithmonë e kam parë veten me "modesti"pavarësisht arritjeve me ekipin tim Dinamo dhe me kombëtaren duke debutuar nga 1973 deri në vitin 1995 dhe fituar gjithçka.
Së bashku me sportin jeta u pasurua me kolegë, shoqëri, publik të njohur e të panjohur.
Prandaj sot edhe pse vitet kalojnë, ndjej të them me të madhe:
"Volejbolli është vetë jeta".
Nga
Ela TASE
(Ish-volejbolliste)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!