Publikuar me 05 .07.2023
Pasioni për sportin qëndron gjithnjë aty me ne në çdo moment të jetës, pavarësisht kohës, vrullit, dinamikës, shkëputjes, apo rikthimit. Pasioni im në thelb ka qenë gjithnjë i njëjtë për sportin e futbollit, me të cilin u rrita, tentova ta kthej në profesion, u ndava, u ribashkova, u investova, por kurrë nuk e harrova...
Sot të gjitha rrjedhat e emocioneve janë bashkuar në "lumin e madh" të pasionit. Sot drejtoj prej tri vitesh ekipin e Guelph United në Kanada, me dëshirën e njëjtë si ai fëmija dikur që luante nëpër rrugica, apo në ekipin e Tiranës, ku mora dhe pengun e largimit nga futbolli i luajtur pa nisur ende.
Trajnerët më thonin gjithnjë se duhej të përmirësohesha dhe të prisja. Kurrë nuk dëgjova prej tyre atë që dëshiroja, motivimin që kërkonte natyra ime, natyra e një djaloshi me ëndrra.
Nuk isha një yll, apo më i talentuari i të talentuarve, por dua të them se trajtimi me anë të komunikimit duke depërtuar në psikologjinë tek një i ri është thelbësor sot në futbolin modern, ndërsa kjo gjë i mungoi shumë të rinjve në kohën kur u rrita me pasion për tu bërë futbollist.
Por në jetë nuk duhet të thuash kurrë, kurrë, sidomos kur bëhet fjalë për ëndrrat, sepse asgjë nuk është e pamundur. Kjo ndodhi me mua, Pas shumë vitesh në Kanada u përzgjodha një nga katër trajnerët më të mirë të futbollit në Universitete. U përzgjodha si një nga trajnerët që do përfaqësoja Kanadanë në Lojërat Olipmpike Universitare në Korenë e Jugut.E kush e kishte menduar që një ditë do arrija në këtë nivel, apo që sot do të drejtoja klubin Guelph United në Kanada?
Për të arritur në këtë pikë, po e nis nga fillimet e mia historinë e pasionit me emrin futboll. Kështu mund të jem më i qartë dhe me fjalët që citova më lart.U linda në Tiranë dhe që në hapat e parë jam rritur me topin pranë vetes. Babi ishte njeri shumë i respektuar në komunitet, sepse ai ishte dashamirës dhe kishte natyrë shumë humane me njerëzit. Qëndroja shumë kohë pranë tij. Cilësitë e tij mi ushqeu dhe mua. Ishte ndjekës i rregullt i futbollit dhe si drejtor i "Migjenit" kishte mundësi që të krijonte hapësirë për të ndjëkur ndeshjet e huaja. Në njërën prej tyre isha prezent, pikërisht në derbin e Italisë, Milan-Inter. Cili ekip do fitonte në atë ndeshje do bëhesha tifoz. Interi fitoi 2 me 0 dhe që nga ajo ditë jam interist.
Më kujtohen shpesh momentet kur shkoja në plazhin e Durrësit dhe luanim pa pushim me një top bojëqielli me pulla të kuqe. Kërkoja gjithnjë të godisja me këmbën e majtë edhe pse këmba e preferuar ishte e djathta. Për mua nuk ishte thelbësore forca e goditjes së topit, por teknika për të gjetur rrugën e duhur drejt portës.
Pothuaj çdo ditë luaja me moshatarët në lagjen "Xhitoni". Një herë godita topin në krahun e kundërt, dhe ai përfundoi në xhamat e një dritareje duke i thyer ato. Vrapova të fshihesha që prindërit të mos më gjenin, sepse në atë kohë komuniteti ishte shumë i ndjeshëm. Të vënë në sedër, prindërit pasi më gjetën më bërtitën për atë që kisha bërë.
Nuk i kuptonim shumë mirë pasojat e lojës dhe dëmtimet që pësonim. Edhe pse nuk e dëshiroja goditjen e fortë, në një rast godita portierin "Buba" në kokë. Ai ra në tokë. E morëm prej krahësh dhe e dërguam tek çezmja e ujit aty pranë. Ia freskuam kokën në ujin e rrubinetit. Atë ditë e dërguan në spital. Por fatmirësisht të nesërmen pashë Bubën dhe iu afrova me vrap. Je mirë i thashë? "Po tha, nuk ka problem". U çlirova shumë, por serioziteti zgjati pak, sepse nisëm të gjithë ti thonim: "Pse, bjen burri në tokë për një top"?
U regjistrova me të rinjtë e Partizanit, ku ishte Genc Tomorri. Në fillim premisat ishin të mira dhe trajnerët vlerësuan cilësitë. Por për fatin e keq, pësova një dëmtim të rëndë në kavilje, gjë e cila më penalizoi shumë. Qëndrimi larg fushave dhe stërvitjes më penalizoi, duke mos u kthyer më te Partizani.
Por çdo e keqe e ka një të mirë dhe në këtë rast u krijua hapësira për të ndjekur rrugën e arsimit, të mesët dhe më pas fakultetin ekonomik.
Në atë kohë u angazhova me futbollin e lagjeve. Por në krahasim me klubin, atje ndihesha i lirë dhe isha i motivuar. Dalloja me ekipet e lagjeve.
Në gjimnaz arrita suksese me ekipin. Si rezultat fitova kupën si lojtari më i mirë i sezonit. Nga gëzimi ftova të gjithë shokët në shtëpinë time për të festuar. Kupa qendronte mbi dollap. Ajo shkëlqente dhe drejtonte festën tonë. Por ndodhi e papritura. Një prej shokëve humbi ekuilibrin dhe përplaset me dollapin. Nga lart kupa bie në dysheme dhe bëhet copash, duke humbur shkëlqimin. Shokun "nuk e falëm", ku për shumë kohë i thonim ende se e ke thyer nga zilia, haha...Sot këto momente janë nga kujtimet më të bukura që nuk harrohen kurrë.
Ndërkohë kur nisa fakultetin ekonomik, u bëra pjesë e skuadrës së fakultetit. U bëmë një nga ekipet me të mira dhe arritëm në finale. Isha kapiten i ekipit dhe në finale mundëm Inxhinierinë Mekanike. Ishte ndjesi e jashtëzakonshme, sepse kampionati ishte shumë emocionues.
Pas këtij suksesi, vjen Kostandin Kona dhe më fton të bëhem pjesë e klubit Tirana. Si qendërmbrojtës i rashë në sy dhe për këtë arsye më afroi në ekip. Isha 19 vjeç.
Shehu dhe Mema ishin trajnerët e ekipit. Nuk e diskutoj që ishin trajnerë clësorë, por nga ata nuk mora kurrë motivimin e duhur. Sidomos, kur nuk ishe lojtar titullar, gjithnjë gjendeshe nën presionin e llogarisë, fajit, apo kërkesës për tu përmirësuar. Më dërgonin gjithnjë të luaja me rezervat, pa më dhënë në asnjë rast mundësinë për të luajtur me ekipin e parë. Për dy vite e gjysmë, punova shumë me shpresën që të më jepej mundësia nga trajneri Shehu. Por nga ai jo vetëm nuk mu dha mundësia, por gjithmonë më mungoi shtytja që të më motivonte moralisht.
Kur trajneri nuk të afron diçka vetvetiu nuk e ndjen forcën e brendshme motivuese. Shehu më thonte gjithnjë: "Je shumë i mirë po duhet të presësh ende se do të hapet vendi i titullarit"...! Prita dy vite e gjysmë, por pa shpresë.
Isha 22 vjeç kur vendosa i zhgënjyer të largohesha përfundimisht nga Tirana dhe nga futbolli i luajtur.
Ky largim u bë më pas pengu, që më ndoqi nga pas. Kalova kohë jo të mira, sepse të largohesh nga pasioni në një moshë kaq të re nuk është e lehtë.
Vitet ikën shpejt. U diplomova për ekonomik. Shpejt u njoha me Monikën, vajzën që më rrëmbeu zemrën dhe së bashku krijuam një familje të re. Dashuria jonë u bekua me Amin, djalin tonë, i cili u kthye në motivin kryesor të jetës.
Edhe pse të dy kishim kushte të mira profesionale në Shqipëri, në moshën 31 vjeçare dhe me djalin 2 vjeç e gjysmë në duar vendosëm të largoheshim drejt SHBA-së. Monika fitoi "Schoolship" dhe në këtë mënyrë vendosëm të largoheshim.Kishim dëgjuar shpesh se Amerika ka kuptimin (Ha Mer dhe Ik)..! Por realiteti ishte ndryshe dhe nuk mund të bëje asgjë nëse nuk punoje shumë fort. U përveshëm si familje për të ndërtuar të ardhmen tonë atje.
Kam larë pjata, kam pastruar dhe kam bërë deri në tre punë njëkohësisht vetëm e vetëm që të krijonim një ardhme të mirë në Oklahoma. Përveç kampionatit Botëror që u zhvillua në SHBA më 1994, nuk pata asnjë kontakt më me futbollin për pesë vitet në vazhdim. Nuk dija fare se çfarë bëhej në Europë me këtë lojë. Në vitin 1999 u shpërngulëm në Kanada si familje.
Sporti popullor, hokej në akull ishte absolut, ku pothuaj të gjithë kanadezët i shikoje të merreshin me këtë sport. Shumë prej njerëzve i shikoje të rrëshkisnin nëpër rrugën ku kishte ngricë.
Menjëherë sa shkova takova disa shqiptarë, të cilët më sygjeruan ta regjistroja djalin në sport. Ata më thanë se Universiteti i qytetit kishte nisur të regjistronte fëmijët në ekipin e futbollit.
Shkova për të regjistruar Amin. "Ok", thanë dhe e regjistruan, "por nuk kemi trajner që ti stërvisim djemtë", shtuan më pas...!
Kthehem në shtëpi. Pas bashkëbisëdimit në familje, bashkëshortja më thotë. "Meqë ti ke një lidhje të hershme me futbollin që gjithnjë ka qenë pasioni yt, pse nuk e merr ti përsipër ta stërvitesh këtë ekip?". Kaq mjaftoi. Pas kësaj shtyse, aplikova për trajner, duke paraqitur dhe një platformë projekt. Ata e miratuan dhe më dhanë ekipin që ta stërvisja.
Nga tja nisja? Kjo ishte dilema e parë. Pasi plotësoj grupin me lojtarë, vendosa që të ndiqja teorinë që ëndërroja kur isha i ri, ti qëndroja sa më pranë lojtarëve, sepse gjithnjë besoja se suksesi i një ekipi në futboll vjen nga grupi dhe jo nga individi. Por për këtë duhet frymë harmonie.
Duhej të trajnoja dhe motivoja çdo lojtar që kisha në organikë. Doja të isha modeli ndryshe i trajnerëve të mi. Doja të isha motivuesi për lojtarët dhe jo të bëja rolin e kritikuesit pa fund, apo të bërtisja pa kriter, se kështu do demoralizoja ëndrrën e tyre.
Kanadezët luanin shumë hokey dhe nuk e kishin idenë e lojës së futbollit. Ata kujtonin që duhej ta ndiqje topin kudo që të ishte dhe ta godisje sa më fort që ta dërgoje në portë. Ata nuk e kishin idenë e mbrojtjes dhe sulmit, Nuk e kishin idenë e lojën në skuadër. Kanadaja ishte shumë mbrapa me futbollin në atë kohë dhe çdo gjë nisi nga A-ja. Në dorën time kishte ardhur një shans i artë që të riktheja pasionin në sukses, kësaj radhe në rolin e trajnerit. Ishte bukur që ti jepje fëmijëve qetësinë dhe vizionin se si të përdorej dhe si të pasohej topi.
Kampionati filloi në Maj kur nisi të ngrohej koha. Brenda sezonit të parë arritëm të fitonim gjithçka, çdo trofe të mundshëm midis Universiteteve.
Në ekip kisha dhe Amin, djalin tim, i cili u bë shkak që të bëhesha trajner në ekipin e futbollit. Ai kishte talent, por pasioni i tij i vërtetë që ndoqi më vonë ishte basketbolli. Këtë sport e ushtroi në SHBA, ku ndoqi studimet e larta për Biologji.
Pas sukseseve të shpejta me ekipin, shkova në Amerikë për pak ditë. Në një moment më bie telefoni. "Ben, je përgjedhur si një nga katër trajnerët më të mirë të universiteteve në Kanada, kështu do jesh pjesë e ekipit olimpik të Univerisiteteve në Olimpiadë që do zhvillohej në Gwangju të Koresë së Jugut, ". U shtanga, njëkohësisht nuk po e mbaja dot gëzimin. Doja ta ndaja menjëherë me familjarët, sepse ata ishin bërë shkak që të rikthehesha pranë futbollit. Bashkëshortja dhe djali u gëzuan jashtë mase.Me dy flamuj në duar, atë kanadez nga njëra dora dhe atë shqiptar tek dora tjetër parakaluam përpara 70 mijë spektatorëve në Seul, Kore. Ishte mahnitëse kur mendoja që unë gjendesha aty. E kush e kishte menduar që rrjedha e jetës do më dërgonte aty? Por ja që pasioni i bën realitet ëndrrat.
Takova shumë sportistë të njohur por dhe shqiptarë atje, por jo ekipin olimpik të Universiteteve të Shqipërisë. Nuk kishin fonde për të marrë pjesë. Atje ishte prezent vetëm Stavri Bello, i cili përfaqësontë Komitetin Olimpik Shqiptar. Ishte kënaqësi që të prezantoja edhe Shqipërinë time me gjuhën dhe me prezantimin tek njerëzit e ndryshëm, sportistë ose jo.
Koreanët më lanë përshtypje me buzëqejen e tyre që nuk shteroi në asnjë rast edhe në orën 12 të natës pas një punë të lodhshme në shërbin të olimpistëve. Do mbetet gjatë në memorjen time ajo eksperincë që përjetova gjatë një muaji në Kore, ku me shqiponjën me duar u mundova tia mësoj dhe sportistëve si simbol.
Pas Olimpiadës të gjithë trajnerët dhe lojtarët e ekipit më dhuruan një bluze të Kanadasë me të gjitha firmat e nënshkrimet e tyre. Pjesë e arkivit petsonal u bënë dhe Libri zyrtar i pjesëmarrjes në Olimpiadë, stemat e çdo shteti që mori pjesë si dhe flamuri i ekipt të Malajzisë. Të gjitha janë kthyer në kujtime të paharruara...
Si për çudi kjo histori dihet pak në Shqipëri. Jam ftuar në komunikim në Radio, por nuk mu krijua hapësira me pyetje të prezantoja mundësitë e mia për ti shërbyer futbollit shqiptar, qoftë dhe vetëm në imazh. Më pyetën për De Biazin, ku vura theksin tek lojtarët e rinj. Ata duhet të jenë prezent, sepse ata jane e ardhmja.
Sot e kësaj ditë, Universiteti ka dalë katër vite radhazi në finale, që do të thotë programi ynë po jep ende sukses.
Ashtu siç e theksova, i vogël i qëndroja shumë pranë babit, duke marrë cilësitë e tij më të mira, sidomos qëndrimin dhe kujdesin ndaj njerëzve.
Duke parë që në qytet, afërsisht 20 mijë të rinj duan të merren me sport, ndërsa Universiteti krijonte vetëm 20 vende, menduam të krijonim klubin e futbollit. Me mbështetjen e familjes, të bashkëshortes si biznesmene e sukseshme dhe djalit krijuam klubin e futbollit. Në fillim doja ta quaja Inter Guelph, meqë jam tifoz i Interit, por zgjodhëm një emër tjetër domethënës. Duke qenë se në lumin kryesor të qytetit bashkohen tre lumenj, emrin e klubit e vendosëm Guelph United. Lumejt i ngjajnë shumë historisë sime.
Kam pasur talente nga Shqipëria, ku kam krijuar kushte që ata të gjenden në një trampolinë për të kaluar në nivele të larta në futboll. Po studiojmë pista të ndryshme për të afruar lojtarë të talentuar.
Binjakëzimi me Inter Miami të Devis Bekam, ku ndërmjetës është Ami është një risi tjetër që do ndikojë në rritjen e imazhit dhe nivelit në ekip në të ardhmen.
Kurrë mos thuaj kurrë në pasion......
Faleminderit !
Nga
Benny Mëzezi
(Trajner, Drejtues i Guelph United, Kanada)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)