Arben KASOLLI

 



Publikuar më 08.03.2023
Ekipi Al Faisaly më ofroi një kontratë. Me ata luanin Migen Memelli dhe Gilman Lika. Sezoni kishte nisur dhe ishin zhvilluar dy javët e para. Portieri ishte shkak i rezultateve negative me gabime shumë të rënda. Nisa stërvitjen. Memelli më afrohet dhe më thotë: "Dëgjo, këtu nuk ka trajner fare. Hiqe atë portier se në fund të sezonit do dalim pa asnjë lek sepse e kemi në klauzolë nëse nuk arrijmë sukses me rezultate dhe gola. Pastaj ti rri gjatë gjithë kohës duke fol. Bën dhe disa stërvitje të çuditshme me dhënien e topit kërcimet e ku di unë. Do të heqin dhe ty po vazhdove kështu", më tha.
Portieri i parë ishte 35-vjeç.
Përgjigjja ime ishte  një "Jo" e prerë. "Së pari nuk do më heqin dhe nga ana tjetër unë nuk do e heq portierin", thash...
 
Ishte Ramazan dhe kishim dy javë pushim në kampionat. Portieri Monsour Al Najei nuk shkoi fare në shtëpi dhe qëndroi me mua duke u stërvitur.
Për pak javë u shndërrua në portierin më të mirë në kampionat. 
Por sukseset ndoqën njëra-tjetrën. E ftoi dhe kombëtarja e Arabisë Saudite. Pas 2 muajsh (në dhjetor) kur do luanim kundra Al Hilal, përpara ndeshjes vjen presidenti i klubit Al Faisaly dhe me thotë: Hilal kërkon portierin tonë Monsour për 8 milion dollarë, si thua......? "Shite direkt se portierin e dyte e kemi shumë të mirë", iu përgjigja. Por Gianni Salinas, traineri i ri Italian që kishte ardhur më tha: Jooooooo Arben të lutem....mos. Nëse na ikën Monsour do biem nga kategoria. Nga ai po i marrim pikët. Si përfundim nuk e shitëm dhe trajneri kishte të drejtë sepse nga ai portier në arritëm vendin  gjashtë.
Po e nis kështu historinë time, me disa ngjarje, për të treguar fillimisht që profesioni ka metodologji, sekrete dhe nuk është gjithmonë ashtu siç duket, apo siç i është dukur shumë njerëzve.

Në vitin e dytë në eksperiencën time në Arabi, kalova tek Hajer Club FC. Portieri ekzistues kishte qene pjesë e ekipit kombëtar si portier i tretë kur ishte 18 vjeç në botërorin e Afrikës së Jugut. Kishin kaluar shumë vite dhe ai nuk ishte ftuar më. Mustafa Malaika tashmë ishte 27-vjeç. Më thonë në fillim se nuk bënte dhe se duhej ta hiqja. Por nuk ndodhi kështu. E mbajta se nuhata disa cilësi që duhej tia nxirrja në pah. Ai u transformua në lojtarin më të mirë dhe u bë portieri i parë në kombëtaren e Arabisë Saudite. U cilësua si portieri më i mirë i vitit.
 
Tek ekipi i Dordrehtit në Hollandë bëra transformim. Hoqa portierin ekzistues dhe me instistim mora Andries Nopert nga Foxhia me parametra zero. Pas stërvitjes së parë thashë menjëherë se ky lojtar do jetë portier i parë. Besimi u konkretizua. Menjëherë ai shpërtheu dhe në dy javët e para u shpall portieri më i mirë. E mori Go Eagle në Eredivize dhe me pas Van Gal e ftoi në kombëtare.
U shkruajt shumë në atë kohë nga mediat e huaja edhe për faktin që e kisha zbuluar unë si portier, por në Shqipëri kjo kaloi në heshtje. 
Para dy vitesh prisha kontratën me Fc Dordrecht sepse Mahd Sports Academy më e madhja në gjithë Arabinë morën trajnerët më të mirë nga ccdo profil nga ccdo shtet i botës. Mua me moren nga Hollanda si trajner portierësh.
Kam qenë pjesë e Ajaksit të madh, akademisë Krojf, ku u shpalla trajneri më i mirë, trajner portierësh në Kombëtaren holandeze U-17 dhe shumë klube holandeze dhe jo vetëm ku kam transformuar lojtarë anonimë në lojtarë të jashtëzakonshëm.
Kur kalova tek ADO Den Haag që vitin e parë zëvendësova gati ccdo portier që kishte qenë në klub 4-5 vitet e fundit. Portierët që mora, sezonin tjeter u bënë të gjithë pjesë e kombëtareve të Hollandës U-15, U-17, U-19 dhe U-21. Po atë vit, pas 2 muajsh, portieri Tim Krul u shit tek Newcastle United (portieri i Kombëtares së Hollandës, i cili u fut në min e fundit për penallti në botëror e Katarit).
Por sukseset e arrituar në rang europian nuk më kanë "ndihmuar" për të realizuar ende ëndrrën time që të shërbej për kombëtaren time, Shqipërinë. Nuk më ka ndihmuar kjo eksperincë që të trajnoj me pasionin dhe me njohuritë e mia të paktën një nga ekipet zinxhir të kombëtares shqiptare. Portierët e trajnuar nga unë kanë shkuar në ekipet më të mira në Europë.
Gjithsesi, historia ime flet më mirë për atë që kam korrur me punë dhe sakrificë për më shumë se 30 vite ku kam luajtur portier dhe ushtruar profesionin e trajnerit në Hollandë dhe jashtë saj. Por fillesat e mia i kam në pengun tim, Shqipëri, tek fushat me qymyr.
Kur isha i vogël, Viti i ri ishte një ditë e shënuar për ne sepse merrnim dhurata. Pikërisht në këtë ditë mora dhe dhuratën që më drejtoi më pas gjithë jetën. Një top blu llastiku ishte dhurata më e bukur nga prindërit. E mbaja topin me shumë kujdes. Flija me të me siklet sepse nëse shpohej nuk bënte më. Luaja vetëm një lojë me shokët, futbollin. Vraponim si të çmendur pas topit. Në shkollën tëtëvjeçarë mësuesi organizonte rreguallisht ndeshje midis klasave dhe në fundin e çdo ndeshje me radhë ai na e jepte topin ta mbanim në shtëpi një natë. Mbaj mend që kam luajtur deri në orët e vona të natës nga gëzimi që kisha marrë topin e shkollës në shtëpi. Nuk e përshkruaj dot sot e kësaj dite gëzimin e jashtëzakonshëm që më jepnin ato momente.
Që i vogël kisha një lidhje të veçantë me Dinamon. Ishte ekipi i parë që kam ndjekur në stadium. Ndërsa portieri që më ka tërhequr në fëmijëri ishte Seb Majer i Gjermanisë. Më kujtohet sikur e kam parë dje momentin kur ai ktheu të mbrampmet në kapjen e një topi në botëror. 
Dëgjoja shpesh emrat e mëdhenj të futbollit nga njerëzit. Ishin aq të lidhur me futbollin saqë injektohej natyrshëm dhe të fëmijët kjo lojë.
 
Kur luanin ekipet e ndërmarrjeve, qëndroja pas porte. Në një ndeshje, pas një gjuajtje të sulmuesit, topi kaloi pranë shtyllës dhe unë nga pas porte u hodha instiktivisht, e kapa topin, por rashë me të pasmet në tokë. 
Këtu nisi rruga ime e vërtet si portier.
 
Kujtim Velo (që e thërrasin dhe sot Kasaçi) bashkë me ccunat e lagjes si Di Jashari sa herë që më shikonin më thonin: "Beno hidhu edhe nji herë vëlla se je tamam portier. Që atë herë unë mbeta portieri i Varrit Bomsave, ku akoma kështu kujtohem në gjithë lagjen. Atëherë isha më i vogli nga të gjithë.

Aq mjaftoi dhe më morën tek Dinamo. Theodor Gjiknuri, ose siç e thërrisnim Lolo u bë trajneri im i parë në rrugën e gjatë të futbollit. Ai i donte lojtarët e zhvilluar shumë dhe me fizik. Na thërristë çdo mëngjes shumë herë dhe na thonte se gjimnastika të zhvillon shumë.
 
Kur kalova tek Mjeshtëria Sportive, Bashkim Muhedini më tha se kisha talent për portier, por duhej të punoja shumë. Në atletikë isha i mirë dhe i kalova të gjitha normat.
Më dhanë këpucët me taka si shpërblim për kalimin e normave dhe që do bëhesha pjesë e Mjeshtërisë Sportive. Nga gëzimi kam vrapuar gjithë natën tek fusha me bar përpara shtëpisë. E mbaj mend qartë gëzimin tim, do shkoja në stërvitje të nesërmen. Kisha dëgjuar se këpucët e reja duheshin shtruar. Kështu që nuk ndalesha së luajtuari përpara shtëpisë. 

Në fillim isha pak i çorientuar. Ja shpreha dajës ankthin tim. Ai më tha: Puno dhe vetëm puno sepse çfarë do mbjellësh sot do korrësh nesër.
Ishin 25 veta në ekip dhe do bënin një ndeshje miqësore në grup. Kisha bërë një uniformë si e Sampdorias me atë vizën. Në atë moment luajta mire dhe sigurova vendin si portier i parë.
 
Besnim Çela më vonë më tha të shkoja me Naftëtarin, sepse këta të fundit kërkonin portier. Isha 18 vjeç. 
Ndeshjen e parë e mbaj mend si tani. Luhej ndaj Tiranës së Mingës, Kolës, Muçës etj. Portieri i parë tha se kishte dhimbje barku, por të tjerë thanë se kishte frikë të aktivizohej.
Më caktuan të futem ne fushë. Në 45 minutat e para pësova 5 gola. U mërzita aq shumë sa kur shkova në dhomët e zhvesheve hodha dorezat dhe thash se nuk do luaj më futboll. Kujtim që e kam me vete gjithmonë. Të gjithë nisën të më inkurajonin dhe më thanë se ishte normale sepse po luanim ndaj Tiranës.
 
Nga Naftëtari kalova një vit në Ersekë me Gramozin për të bërë stazhin e shkollës. Fakti që shkollën e përfundova me korespondencë bëri që të kryeja dhe shërbimin ushtarak në Tropojë. Për dy vite luajta më Valbonën. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak u bëra pjesë e Tiranës si portier i dytë.
 
Ishin vitet 90, ku eksodi kishte shpërthyer drejt vendeve fshinje. U nisa klandestin në Greqi. Në Ikumenicë u ndodha në kampin e refugjatëve. Aty erdhi një person i sigurimit. Ishte çam dhe e njihte shumë mirë gjuhën shqipe. I thash se isha portier. Je vërtet portier, apo?, më pyeti. "E provojmë", i thashë. "Patjetër",tha dhe më mori në provë në Janinë. Pa kaluar as 20 minuta provë më drejtohet dhe më thotë: "Hiqi rrobat dhe shko tek magazina merr uniformën e re dhe bëj një dush". U bëra pjesë e ekipit ku luante Foto Strakosha. Nuk kisha shumë mundësi të luaja si titullar, kështu më dërguan tek Ionikos.
   
Atje fati më njohu me një turiste holandeze, e cila më vonë u bë nusja ime. Ajo u bë shkak që të shkoja në Holandë. "Do ikim në Holande në vendin tim. Atje do realizojmë martesën", tha ajo. U shtanga sepse nuk e kisha menduar dhe më dukej shumë e vështirë udhëtimi në këtë vend për shkak të dokumenteve. Por dokumentet i mundësoi ajo. Ishin fallso, por funksionuan dhe papritur u ndodha në Hollandë. Në jetë sollëm vajzën Brianna.
Bashkëshortja holandeze kontaktoi Ajaksin dhe i bëri të ditur se isha një portier shumë i mirë. "Si? te Ajaksi kaq shpejt?", thash i habitur. "Pse çfarë ka, edhe ti si ata je, lojtar futbolli". Unë tek Ajaksi, që e kisha parë vetëm në ëndrra dhe televizor.
Kur shkova atje, nisën të më prezantonin me ekspozitën e historisë së klubit. U habitën që unë i njihja të gjitha. "Si ka mundësi që e njeh kaq mirë historinë dhe futbollistët e Ajaksit?  Iu përgjigja: "Në Shqipëri e kishim detyrim të mësonim në shkollën e futbollit, por dhe bisedat e përditshme ishin shkollë më vete".
Më prezantuan më pas me fushat stërvitore. Kur pashë barin artificial, nuk u përmbajata dot dhe nisa të hidhem si i çmendur. Hidhesha pa frikë dhe nga ana tjetër holandezët më shikonin me habi. "Jam mësuar të hidhem tek fushat me qymyr dhe këtu nuk e kam problem fare të hidhem kaq shumë", dhe vazhdoja të hidhesha sikur isha liruar nga kafazi.
Po shijoja lirinë e vërtetë. Luaja si portier i tretë. Por si është ajo fjala....Nuk më njihte njeri në qytet se isha i fundit, kështu që doja të isha i pari në fshat. Kalova tek Harlemi, edhe më pas te AZ Alkmar.
Van Gal më dha teorinë e futbollit në fillimet e mia. "Do mësosh futbollin. Kur tja japësh topin David Blind duhet ti thuash ta mbajë aq sa duhet, sepse ti ke fushëpamjen e duhur. Nëse duhet të rrotullohet ka një sekond kohë.  Portieri ka përgjegjësi në lojë dhe nuk do jetë thjesht një portier", më tha Van Gal.
 
Kjo teori ndiqet në futbollin modern sot. Piet Schrijvers, bërtiste gjatë kohës në fushë". Jepe topin, dërgoje këtej, jepe majtas, jepe djathtas. Ky ishte futbolli me te cilin praktikohej në Holande, dhe ne habiteshim në Shqipëri kur dëgjonim lojtarët e huaj që bërtisnin gjatë gjithë kohës.

 Portierin e Ajaksit Piet e ndoqa i vogël ku Dinamo luajti me Ajaksin në Tiranë. Mblidhja topat pas porte. Në fundin e lojës për fatin tim ai më dha foton e ekipit me firmat e lojtarëve, bluzë dhe një stampë të Ajaksit.
Kur kalova te Az Alkmar pas shumë vitesh, Piet ishte trajner. I thash nëse më mbante mend. "Mend? çfarë do të thuash?",  më pyeti. Ke luajtur me Ajaksin portier ndaj Dinamos në Tiranë. Po më tha. Unë jam ai djali i vogël që më dhurove foton dhe bluzen e Ajaksit. Ndërsa sot ti je trajner dhe une portieri që do të luaj për ekipin tënd. Ai u habit nga ky fakt "Ska mundësi", dhe më përqafoi. I ashtu quajturi De Beer Van De Meer (Ariu i De Meer) sot nuk jeton më.
 
Tek Ajaksi kam takuar Johan Krojf. I thash më vjen të marr tani dhe të dërgoj në Shqipëri tek babi, i cili të kishte idhull. Dëgjo më tha, si e bën urinën ti e bëj dhe unë. Nuk kemi diferencë, jemi njerëz më tha duke u përpjekur të tregohej modest. Në të vërtetë në Holandë ashtu janë të gjithë, modest dhe nuk i bën përshtypje shumë se cili lojtar je apo se cfarë bën në jetë.
 
Pas aktivizimit me ekipe të ndryshme erdhi  momenti i keq për mua.  Isha 33 vjeç në fundin e karrirës. Nuk mundja të vazhdoja më. Isha i demoralizuar sepse bashkëshortja holandeze u diagnostikua me koncer. I dhanë vetëm 6 muaj jetë. Prit i thash doktorit si qenka kjo punë, sikur të jetë një takim i shpejtë dhe kaq? Në ditët e fundit nuk më lejoi që unë ta vizitoja, donte që ta mbaja mend si kishte qenë krah meje dhe jo si ishte bërë nga sëmundja.
 
Kalova dy vite të vështira. Futbolli më dukej i pakuptimtë dhe shprehja 22 budallenj pas një topi mori kuptim nga depresioni që më kishte pushtuar. U shkëputa totalisht për dy vite nga futbolli dhe hapa një dyqan rrobash. Por nuk ishte e thënë të largohesha kaq thjesht nga pasioni me të cilin isha rritur, i cili në të vërtetë është e gjithë jeta ime.
Një i njohur më tha se tek akademia e Krojfit kërkonin trajner portierësh. Më ishtë afruar mundësia për tu ribashkuar me futbollin, tashmë si trajner portierësh. Shkova dhe nisa menjëherë nga puna. Brenda një viti u shpalla trajneri më i mirë në akademinë Krojf, e cila ishte e shtrirë në të gjithë Hollandën.

Pas suksesit të arritur erdhi kontrata me Ajaksin, ku për tri vite u bërë pjesë e ekipit si trajner portierësh. Isha rikthyer dhe kjo falë futbollit. Fati më bashkoi me bashkëshorten nga Kosova, Megi Tasholli. Koha nisi të flasë për mua, sepse ajo më dha ngrohtësinë dhe besimin që më mungonte shumë pas momenteve të vështira që kisha kaluar.

Ana teorike ishte e rëndësishme, por eksperienca si portier ishte domëthënëse në dhënien e më të mirës profesionalsiht. Janë kohë kur futbolli i afrohej më shumë shkencës në çdo detaj. Më kujtohet shumë mirë stërvitja e Hollandës, e cila do merrte pjesë në Meksike. Çdo stërvitje u bënte me detaje duke nisur nga temperatura. Lojtarët vishnin komplet që të rrisnin ngrohtësinë, sepse në Meksikë ishte shumë ngrohtë. Bëhej analizë e lartësisë ku do luhej dhe kapacitetit të oksigjenit. Bari i fushave ishte më i lartë në Meksikë dhe në këtë mënyrë qarkullimi i topit ishte më i ngadaltë. Të gjitha këto shpjegime më bënin përshtypje.
Nuk kam bërë kompromis me veten sa i takon anës profesionale. 
Tek Almere City midis portierëve që trajnoja kisha dhe djalin e sekretares së klubit. Kur erdhi koha të bëja një raport, citova me arsyet objektive përkatëse se ai nuk mund të bëhej portier. Kjo i habiti të gjithë në klub, sepse nuk e prisnin që të merrja këtë vendim. Trajneri duhet të flasë vazhdimisht me lojtarin fillimisht dhe të kërkojë cilësitë. Kur nuk shikon asnjë cilësi për ta evidentuar, duhet thënë e vërteta.
Etrit Berisha ishte portier i dytë me Kalmarin.
Martin Jol, trajneri i Fulham (Tottenham, Hamburg HSV, Ajax) me thirri në zyrë dhe më tha: Arben dua informacion për Etrit Berishën. Unë Isha aty si trajner tek Fulham U-21 dhe punoja si skaut. Kur mora Etritin në tel dhe i thashë që do vij të të shikoj bashkë me trajnerin e ekipit të parë e pyeta edhe për pasaportën. Ai me tha kam vetëm shqiptare. Këtë pyetje e bëra më mbrapa sepse Berisha kishte vetëm 3 ndeshje me Kombëtaren dhe që të luash në Angli kur vjen jashtë EU duhet të kesh luajtur minimalisht 20 ndeshje me kombetaren A. Këtë gjë ua kam thënë edhe në FSHF disa trajnereve/drejtuesve kur interesoheshin për Etritin.

Gjashtë vitet e fundit jam përpjekur vetë të kontaktoj për tu bërë pjesë e kombëtareve të moshave ose çfarë do lloj funksioni si trajner aty, por gjithmonë premtimet nuk janë realizuar. Në fillim e hidhnin tek lekët (kur unë kurrë nuk e kam bërë si muhabet këtë gjë.....sepse edhe pa lekë unë do vija të punoja në FSHF me portierët vetëm e vetëm që ti rrisja portierët shqiptare ashtu siç kam rritur portierët e huaj. Ku unë do ti shërbeja me gjithë zemër asaj fanelle kuq e zi. Vitin e kaluar kujtova që kjo endërr u bë realitet, sepse bisedova në zyrat e FSHF -së me drejtorë…
Por mendoj se realiteti i futbolit tonë shtë i shtrirë që në klube, nisur nga mentaliteti dhe koncepti që kanë për këtë lojë.    
Më kërkuan të bëj një raport për portierin Simoni. E bëra dhe ia nisa Kamolezes.
Asnjë përgjigje. Me disa që kam folur me ata që ishin pranë Simonit u kam thënë: Simoni duhet të dalë jashtë dhe të stërvitet jashtë, sepse këtu në Shqipëri ai nuk ecën dot përpara. Simoni ka talent, por ato mangësi që ai ka nuk mund ti përvetësoje dhe mësojë në Shqipëri. Me një muaj kohe kur unë Isha tek Dinamo i tregova Simonit se si punohej në Hollandë dhe shtete të tjera. Dhe jo për të bërë qejfin tim, por në dy javët e para Simoni u ngrit si nivel, formë dhe ccdo gjë.
Dhe në 4 ndeshje ai nuk pësoi asnjë gol. Këto gjëra i tregonim edhe në autobus tek Dinamo kur niseshim për ndeshje ose stërvitje....dhe qeshnim me shaka.
Kur isha tek Dinamo, gjatë një bisede në ëhatsapp me grupin, stafin etj........unë i shkruajta Nevil Dedes: "Nevil, mund të filloj më herët me portierët ........ ai u përgjigj: Arben unë këtu në ëhatsapp jam profesor kurse në kafe jam Nevil.!!!!!!!! Pas një muaji u largova nga Dinamo, sepse rasti me Nevilin tregoi se me atë si trajner kjo punë nuk bëhej.
Ishte paradoks për eksperincën time. 

Në një takim me Sul Demollarin kur po bisedonim për këtë që më ndodhi, ai me tregoi se si kishte qene reagimi i trainerit hollandez, Rinush Israel kur dolën kampion në Rumani. "Urime profesor, dolëm kampionë"..."Jo, nuk jam profesor, unë jam trajneri i ekipit", i ishte përgjigjur Demollarit trajneri kampion i Dinamo Bukureshtit.

Shqipëria ka talente të jashtëzakonshme. Një nga portierët e talentuar për mua është dhe portieri i Apollonisë, 15 vjeccari Henri Bega, me të cilin kam folur shumë para dhe mbas ndeshjeve. Ai më kërkoi që të vinte në Hollandë për një javë stërvitje. I thashë Po. Por mbas një jave prapë do shkosh në Shqipëri iu përgjigja dhe askush nuk do ti shpjegojë këto që do mësosh këtu për të shkuar më përpara. Por ai do vijë, sepse kërkon me çdo kusht të bëjë stërvitje me mua privatisht. 

Një nga talentet e portës është dhe nipi im, Marvin Kodra. Kur ishte 17 vjeç e planifikova ta merrja në Qipro. Është stërvitur me ekipin e parë të Tiranës që në moshë të vogël. Ka dalë kampion me Tiranën U-19 dhe është grumbulluar me kombëtaren U-17 të Shqipërisë. Ashtu sikurse shumë talente edhe Marvinit nuk iu është dhënë rasti të aktivizohet titullar sepse shumë klube kërkojnë të paguash. Kur ishte tek Tirana, trajneri Egbo, i cili e ka stërvitur më tha se portierin duhej ta largoja diku tjetër sepse aty nuk ia jepte njeri mundësinë në ekipin e parë.
Portierët kur njihen me metodën time këkojnë gjithnjë të jenë pjesë. Unë nuk e kam në metodologji punën pa pushim. Nuk mund të stërvitet lojtari shtatë ditë radhazi pa pushim, dy orë në ditë. Sepse ai do japë dy-tre muaj, më pas nuk do mund të japë më në nivelin që pritet. Pasi dëgjoi këtë, një trajner në Shqipëri më tha: Nëse i japim një ditë pushim lojtarit, ai ja fut për në Sarandë!
 
Më ka qëlluar në disa raste në Shqipëri fenomene të çuditshme që janë kundër praktikës që ndiqet në Hollandë. Më afruan një lojtar të ri 17 vjeç. E pyeta djalin nëse kishte të dashur? Ai u skuq. Daja i tij më tha. Djalin e kemi të mirë! Ana psikologjike është kryesorja. Unë jam i besuari kryesor i portierëve dhe këto komunikime unë i bëj dhe i kam bërë kudo me ccdo portier si në Holandë ashtu edhe jashtë në klube të tjera. Kurse në Shqipëri pa mbaruar fjalën unë me thoshin: "Po presor, po presor".......pa u futur fare në diskutim ose komunikim me mua.
Tek Ajaksi portierin e pashe në diskoteke. Ishte i shoqëruar me tre vajza dhe të nesërmen e pyes. Si shkoi nata e mbrëmshme, arrite të qullosësh gjë? Po tha, me njërën prej tyre. Ok, i thash do jesh titullar në ndeshjen e radhës. Kjo është mënyra që një lojtar të mos ndihet i frustruar dhe në faj. Por është një mënyrë që ai të kuptojë vetë limitet dhe të bëjë gjërat e duhura.

Bashkëshortja ime Megi Tasholli ka qenë dhe vijon të jetë një mbështetje e madhe në rrugën e futbollit. Duke qenë nga Kosova, ishte një shkak që për disa kohë të ingranohesha dhe me futbollon kosovar ku stërvita 6 portierë të talentuar. Futbolli kosovar ka shumë talente. Por ashtu sikurse në Shqipëri, duhet të ecet me metodologjinë dhe teknikën që evuluon në stërvitjen e portierëve.
Kemi krijuar një familje të madhe ku sollëm në jetë dy djem Oltionin dhe Orionin, të cilët janë vëllezërit e Briannës, vajzës së madhe. Por ëndrra ime ka qenë gjithnjë që të kem një pasardhës në pasionin tim, futboll. Djali i madh nuk kishte dëshirën e duhur për të më ndjekur, kështu që zgjodhi një rrugë tjetër. Ardhja e Orionit në jetë, i cili është 6 vjeç më ka dhënë shpresë së do arrij të shikoj një pasardhës në futboll.
E marr me vete në stërvitjet që realizoj në akademinë private që drejtoj. Ai stërvitet me lojtarët e tjerë profesonistë dhe amatorë. Në shumë raste e shikoj duke u hedhur si portierët që stërvis. I them mos u hidh, por sulmo drejt portës, sepse kam dëshirë që të jetë lojtar dhe jo portier. Është sallaks dhe dua ti kultivoj dëshirën e mirë që të ketë për sportin e futbollit. Premisat e fillimit janë shumë të mira, e ardhmja mbetet për të na dhënë rezulatain që duam.

Vitet kalojnë, por kalimin e tyre nuk e ndjej. Më duket çdo ditë si një dite e re kur stërvis portierët e mi në Akademinë që drejtoj. Aty marr frymën e pasionit që më mbush çdo ditë me jetë. 


Faleminderit!

 

Nga

 Arben Kasolli

(ish portier & trajner portierësh) 

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)