Publikuar më 28.01.2023
Gjithnjë mësojmë, sepse horizonti i jetës është i pafund. Ndërkohë çdo veprim mbetet diku i sigluar. Brenda meje ka momente të sigluara që vijnë nga futbolli, i cili në të vërtetë më ka dhënë gjithçka. Si fillim po ju tregoj një ngjarje, kur njeriu kupton se ku gjendet pas një eksperience të caktuar.
Luaja me Besën kundër ish-ekipit tim, Lushnjes në "Roza Haxhiu" përpara 8 mijë spektatorëve lushnjarë. Luaja me Xhihanin në sulm.
Atë ditë për fat, ose jo, shënoj golin tim të parë dhe të vetëm ndaj ish ekipit tim Lushnjes.... Nuk festova dhe ngrita vetëm duart lart......
Nuk e prisja, sepse reagimi i tifozëve ishte surprizë....
Ata brohoritën "goool", sikur kisha shënuar për Lushnjen dhe jo kundër tyre. Më duartrokitën pa fund.
U mallëngjeva. Aty kuptova lidhjen e fortë që kisha krijuar tek ekipi im i lindjes si njeri, si futbollist dhe respektin që të imponon futbolli. Ata nuk më vëshëllyen, por më respektuan si lojtarin e tyre edhe pse luaja me Besën. Këtë bën futbolli, kujtime që të shoqërojnë gjithmonë. Horizonti për mua në ato momente ishte jeshil si Lushnja.
Por këtë përjetim nuk do mund ta përjetoja nëse nuk do isha pjesë e historisë së ekipit të Lushnjes, ku kalova 15 vite si lojtar dhe më pas nisa dhe vijoj si trajner.
I mbaj mend shumë mirë topat e llastikut kinezë, me të cilat nisa të luaj për herë të parë futboll në klasën sportive. Isha 10 vjeç kur u regjistrova. Si çdo fëmijë doja të isha golashënues, por gradualisht pasi kalova në ekipet zinxhir të Lushnjes, trajnerët panë tek unë mbrojtësin dhe mesfushorin.
Më vonë, Leonidha Curri kishte nuhatje të zgjidhte rolin e lojtarit. Ai pati meritën kryesore në formimin tim si futbollist. Në fakt të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar meritojnë respekt. Kur vinin në Lushnje ata nuk sillnin vetëm profesionalizëm në futboll, por edhe kulturë dhe formimin e duhur në çdo aspekt.
Edhe pse vitet kalojnë, shumë momente mbeten të paharruara për një futbollist. Kalova 6 sezone të mrekullueshme me Lushnjën, deri në momentin kur më kërkuan dy ekipe, Partizani dhe Tirana.
Trajneri Shehu i Tiranës më donte sepse ai aplikonte lojën në krahë, por Starova i Partizanit më bindi nga ana tjetër që të luaja me të kuqtë. Zgjodha Partizanin.
Atë vit u shpallëm kampionë në Superligë dhe përjetova ndeshjet e Kupës së Kampioneve. Kalova dy sezone, të cilat ndikuan shumë në rritjen time profesionalisht dhe për këtë i jam mirënjohës trajnerëve, Sulejman Starovës dhe Hasan Likës.
Ngjyra e kuqe e fanellës së Partizanit më afroi fanellën e kombëtares, ëndrrën e çdo futbollisti....“Keni vetëm një fanellë në dispozicion. Mos e ndërroni pas ndeshjes me lojtarët kundërshtarë sepse nuk keni tjetër, ndryshe do të penalizoheni” na thanë para ndeshjes që kombëtarja e Shqipërisë, ku bëja pjesë, do luante me Danimarkën në Tiranë. Sfida përfundoi 0 - 1 për danezet por në fund nuk i rezistova dot bluzes së Larsonit. I afrohem dhe i kërkoj fanellën. Ai ma dha menjëherë. U mundova të ikja pa i dhënë timen. Por nuk ishte e thënë, sepse ai më ndoqi nga pas dhe ma kërkoi. U detyrova ti jepja fanellën time sepse e donte për koleksion. Ngela pa fanellë dhe si rrjedhojë më penalizuan për ndeshjen e radhës. Nuk më grumbulluan ndaj Spanjës. Çuditërisht vetëm unë u penalizova, sepse tre lojtarë të tjerë që i ndërruan fanellat, u grumbulluan!
Ishin kohë të këqija për kombëtaren, pa kushte dhe me shumë sakrifica. Një ndjenjë e çuditshme që më përshkroi atë kohë, ishin emocione që përzihen shpesh brenda një ndeshje futbolli.
Emocione të përafërta përjetova dhe në fundin e ndeshjes së parë timen me kombëtaren ndaj Irlandës së Veriut. Ishte surprizë dhe e papritur e madhe aktivizimi nga Bejkush Birçe. Luajtëm shumë mirë dhe kur ishim 1 më 1, fituam një penallti. I madhi Sulejman Demollari gaboi nga pika e bardhë dhe menjëherë pas pak minutash Irlandëzët shënuan golin e fitore. Nga gëzimi si ndeshja e parë, përfundova në një zhgënjim të madh në fundin e ndeshjes. Por ky është futbolli, duam apo nuk duam.
Në fillimin e viteve 90, kushtet ishin shumë të vështira. Nuk kishim mundësi as të kryenim një grumbullim normal para ndeshjeve, sepse lojtarët që vinin nga jashtë duhej të udhëtonin shumë për të arritur në kombëtare. Kushta, Strakosha etj që vinin nga Greqia me autobuzë apo me makina, përshkruanin me mijëra kilometra. Por paravarësisht sakrificave, të gjithë në fushë jepnim shpirtin për fanellën. Kur shikoj sot lojtarët me cilësi të jashtëzakonshme në kombëtare, të cilët japin vetëm 30 përqind nga mundësitë e tyre, më bën të ndihem jo mirë.
Pata fatin të jem pjesë e historisë me kombëtaren në fitoren e parë jashtë fushë për eliminatore. Në Moldavi fituam 3 me 2 një ndeshje të jashtëzakonshme. Në fund festuam sikur kishim fituar kupën e botës. Ishte ndeshja e parafundit me kombëtaren.Kombëtares sonë sot mendoj i duhet shumë një psikolog siç ishte De Biazi, i cili harmonizoi lojtarët nga Kosova dhe Shqipëria nën ndjenjën e flamurit, patrotizmit. Ata dhanë gjithçka në fushë dhe arritën të realizonin ëndrrën e madhe të europianit.
Le të rikthehemi tek klubet. Në fundin e sezonit të dytë me Partiznain, Eduart Abazi u bë shkak që të transferohesha në Kroaci tek ekipi i Pazinka. Ishte hera e parë që më ofrohej diçka e tillë me pagesë të mirë dhe mundësi perspektive. Në këtë mënyrë duke pasur dhe një ofertë të mirë, u bëra pjesë e kroatëve. Nuk kisha nevojë të bëja asgjë si lojtar, vetëm të merrja çantën dhe të shkoja në stërvitje. Akomodimi ishte perfekt. Më bëri çudi sepse nuk ishim mësuar me këto kushte. Niveli i futbollit gjithashtu ishte shumë i lartë ku luanin lojtarë me emër, të cilët më vonë u bënë dhe kampionë europe. E njëjta situatë ishte edhe pas një sezoni në Slloveni ku luajta me Sloboda. Edhe këtu aventura ime nuk zgjati më shumë se një sezon sepse erdhi oferta e jashtëzakonshme nga sponsori Xhaferri që financonte Lushnjen.
Ishte trefishi i asaj që fitoja në Slloveni dhe Kroaci. Nuk i rezistova dhe u bashkova me shumë futbollistë cilësorë që u kthyen në Lushnje. U krijua një atmosferë e jashtëzakonshme, ku ndiqeshim nga mijëra tifozë edhe gjatë stërvitjeve. Hasan Lika në filim dhe kampioni i botës Mario Kempes i dhanë një dimesion tjetër ekipit. Edhe pse me cilësi nuk arritëm dot të fitonim kampionatin.Deri sa erdhi ishte viti 97. Trazirat e bënë qytetin për dy vite me radhë një vend të rrezikshëm dhe shumë të vështirë për të jetuar. Qëndrova vetëm një sezon në Kroaci tek Pazinka dhe u ktheva pranë familjes, sepse ata kishin nevojë që të isha me ta në atë kohë dhe për katër vite më pas luajta me Lushnjen. Situata u filloi të stabilizohej, bashkë me të dhe futbolli. Isha një lojtar që vlerësohësha nga trajnerët. Ata shikonin shpesh nga unë gjatë lojës kur nuk shkonte ashtu siç pritej.
Në rastet kur goli nuk vinte, trajnerët më drejtoheshin "pse nuk po shënojmë?"
Afrohesha pranë pankinës dhe i thoja se do shënojmë tani. Çuditërisht në disa raste erdhi goli dhe menjëherë shkoja tek trajneri: "Qetësohu tani se gjithçka mbaroi".
Trajnerët nuk e përcaktojnë me letër liderin në fushë, por është vetë lojtari që e përcakton nga mënyra e komunikimit me trajnerin dhe se si sillet me kolegët e ekipit.
Vitet kaluan dhe në një moment u gjenda para dy zgjedhjeve. Mipi im 19-vjeç nuk kishte hapësirë në ekipin e parë. Në këtë mënyrë vendosa të kaloja në Kavajë me Besën për ti bërë atij vend tek Lushnja. Me besën përjetova atë moment të paharruar me golin e shënuar në Lushnje. Në fund të karrierës si futbollist e mbylla me Egnatian. Pasi u ngjitëm në superligë, vendosa të largohem nga futbolli. Isha 37 vjeç. Nuk mund të luaja më në nivele të larta, nuk mund të konkurroja me Fortuzin, i cili sapo kishte shpërthyer si lojtar.
Nuk e kisha planifikuar të bëhesha trajner, por ky profesion erdhi natyrshëm. Kur mora licencen Euefa B, thashë me vete. "Nuk kam ditur asgjë. Të njëjtën gjë thashë edhe kur mora Uefa A dhe Uefa Pro. Mësova që profesioni i trajnerit është gjithnjë në përditësim. Nëse nuk je koherent me ndryshimet, atëherë nuk mund të kesh sukses.
Me Lushnjen kam arritur shpesh të ngjtem në Superligë si futbollist dhe si trajner. Por si lojtar kënaqësia është më e madhe, ndërsa puna e trajnerit është më shumë "hall". Sepse tek trajneri faji është individual, ndërsa tek lojtari kolektiv. Dy traversa dhe gol, trajneri vazhdon punën, ndërsa dy traversa dhe jashtë, trajneri merr valixhet. Pra përveç përgatitjes së vazhdueshme, trajneri duhet të ketë dhe fatin me vete.
Edicioni 2013-2014 mund të quhet një nga sezonet më të mira për mua si trajner por që u shoqërua me zhgënjim. Ishim një ekip shumë cilësor ku në fushën tonë mposhtëm të gjitha ekipet pretendente të sezonit. Ishim një skuadër për tu mundur. Por vonesat e pagave, pra financat ndikuan psikokogjikisht në momentin më delikat tek futbollistët. Si pasojë e goditjes psikologjike nuk arritëm të mërrinim atë që meritonim në fund të sezonit dhe ramë nga Superliga.
Kur ke organikën e mirë dalin probleme të tjera dhe kur ke buxhetin e mirë, nuk ke organikë. Në momentin që përputhen të gjitha këto, atëherë stadiumi i Lushnjës mbushet për një muaj. Sot financat janë 500 mijë euro. Një nga buxhetet më të mira për një ekip në Kategorinë e parë, por ekipi rrezikon rënien më poshtë sot. Gjithsesi tifozët lushnjarë meritojnë Superligën!
Më thonë shpesh që kur thuhet Lushnja kemi parasysh Banon. Dhe unë i them se kam qenë dhe jam gjithmonë pranë Lushnjes dhe gati kur ajo më thërret.
Edhe tek Tomorri mbaj kujtime shumë të bukura me vete. Kisha një organikë shumë të mirë në dispozicion me lojtarë të talentuar. Kalimi në Superligë ishte sukses i jashtëzakonshëm me një publik të shkëlqyer. Tek Butrinti gjeta një qytet që e donte futbollin, por hasa vështirësi në afrimin e futbollistëve për shkak të pozicionit gjeografik. Shqipëria e mesme ka një afeksion të veçantë për futbollin, sepse edhe afrimet e lojtarëve bëhen më lehtë.
Futbolli është një nga të vetmet fusha që të jep statusin e figurës publikë që nuk harrohet në një komunitet. Trajneri dhe futbollisti gjithnjë janë në qendër të vëmendjes në ndryshim nga shumë figura të tjera publike që nuk i njeh njeri. Dhe ky është një privilegj që ta jep vetëm futbolli.
Para meje gjithnjë më shfaqet horizonti jeshil.....
Faleminderit!
Nga Artan Bano
(trajner)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!