Altin RRAKLLI






PUBLIKUAR MË 18.09.2020
 


Pasi konsumova ushqim më filluan përzierjet në stomak. 

Nisa të bëhem keq. Sedra nuk më linte që të njoftoja mjekun e ekipit. 

Me mentalitetin e një shqiptari mendoja se do e kaloja vetë. Por situata u komplikua dhe u detyrova të njoftoja ambulancën. 

U shtrova në spital.

 
Kaloj momentet kritike dhe stabilizohem.

 
Por çfarë lexoj të nesërmen në gazetat gjermane?

 
"Altin Rraklli ka probleme me zemrën"!!!?


 U befasova. Isha 24-vjeç dhe në formën time më të mirë tek skuadra gjermane e Frajburgut. Isha në TOP formë.  

Skaneri me sa duket ishte lexuar gabim nga një mjek pa eksperiencë, i cili kishte dhënë këtë njoftim tek gazëtarët. Më pas vetë spitali e përgënjeshtroi lajmin dhe theksoi se problemet tek unë kishin ardhur nga helmimi me ushqimin dhe jo nga zemra. 

Por për mua ishte një goditje shumë e rëndë, e cila më la një shije të hidhur.

 
Nëse do të kontaktoja që në fillim klubin tim çdo gjë do të ishte ndryshe. Por ja që mentaliteti dhe fati jo i mirë ishin premisat e një situatë të tillë. 

 E nisa me këtë ngjarje historinë time për të treguar se fati shpeshherë ndikon në jetën tonë personale dhe profesionale. 

Si futbollist jam pikasur nga zbuluesi i talenteve Hasan Germani, kur unë isha në klasë të katërt fillore. Ai kontaktoi mënjëherë babain tim, i cili gjithashtu ka pasur një karrierë si futbollist me cilësi shumë të mira.  
"Altin, ke dëshirë të regjistrohesh në shkollën profesionale në futboll?, ishte pyetja e pakuptimtë e babit për mua si fëmijë.
 Dhe unë nga ana tjetër që u përgjigja. "Çështë kjo pyetje? Po tallesh? Me vrap dua të regjistrohem". 

Në shkollë vinin shpesh vëzhguesit e klubit Besa për të ndjekur elementët  premtues nga afër. Unë dhe Përparim Daiu dalluam nga fëmijët e tjerë dhe për këtë na afruan te të rinjtë. Ky hap më bëri të fluturoja pak, por këmbët me mundim i mbajta në tokë. Fati im në këtë moment u përzie me dhuntinë time.
Nuk e humba asnjëherë stërvitjen me klubin. 

Trajneri Fisnik Kosova ka qenë njeriu që më ka shoqëruar në të gjitha shkallët e moshave kur isha i ri. 

Edhe pse mbaroja shumë vonë shkollën, rendesha me vrap në stërvitje. Kishte ditë që shkoja pa ngrënë. Por kjo nuk kishte rëndësi për mua. Dëshira për të qenë atje duke u stërvitur me topin ishte gjithçka që më shtynte përpara. 

Me të rinjtë kishim rezultate të shkëlqyera, por ekipi kombëtar i moshave ishte një mollë e vështirë për tu kafshuar. Ishim qytet province dhe prioritet kishin futbollistët që luanin në qytetet më me emër në futboll. Duhej të kishe ndërhyrje të forta që mund të arrije atje. 

Por edhe kjo nuk ishte problem për mua, sepse ishim kalitur më këtë mendim gjatë kohës që në rriteshim me futbollin në Kavajë. Një minus i madh në mentalitetin e një futbollisti, i cili dashur pa dashur të krijonte inferioritet artificial në fushën e lojës. 

Në moshën 18-vjeçare grumbullohem me ekipin e të rriturve të Besës së Kavajës. Isha i hutuar dhe njëkohësisht i emocionuar, por gëzimi nuk u fsheh dot brenda meje. Isha i lumtur por edhe me fat. 

Në ndeshjen e parë timen si profesionist, trajneri Dashnor Pajaziti më aktivizoi titullar ndaj Flamurtarit të madh të kohës. Luanim në Vlorë. Për fatin tim dhe të ekipit shënova gol. Goli ishte i rëndësishëm sepse fituam 2 me 1. E nisa me këmbën e mbarë. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm. Ndeshja e parë dhe gol, ndryshe kjo quhet fat. 

Por çuditërisht kur mendoja se pas këtij momenti unë do të isha në formacionin e parë, trajneri më la në stol javët pasardhëse duke më dhënë pak minuta. Isha i ri dhe mendoja si i tillë. Por kjo situatë ishte normale për një 18 vjeçar që ishte pjesë e ekipit të parë. Duhej të fitoja eksperiencën dhe forcën e duhur për të përballuar ndeshjen.


 Ne sezonin pasardhës, për 6 muaj në drejtimin e Besës erdhi i madhi Fatmir Frashëri. Një njeri i jashtëzakonshëm, por mbi të gjitha shumë i rreptë. "Si e paskeni lënë menjëanë një lojtar si Rraklli" ? ishte habia e tij e shprehur kur erdhi te Besa. Një metodist i shkëlqyer me mentalitet fituesi. 

Më torturonte në stërvitje. Po, po, më torturonte jashtë mase. Shpeshherë kthehesha duke qarë në shtëpi.
"Po i bëj të gjitha çfarë kërkon trajneri, por ai nuk kënaqet asnjëherë, përkundrazi sillet sikur nuk kam bërë asgjë", thoja i trishtuar kur kthehesha në shtëpi. 


Isha i rraskapitur, i mërzitur, por jo i demoralizuar. Kjo sjellje e Frashërit më rriste më shumë motivimin për të dhënë më shumë në stërvitje. Ai ishtë metodist i shkëlqyer. 

Eksperienca ime me trajnerin Fatmir Frashëri ishte baza themelore në rritjen time si lojtar. Ai kishte një stof kampioni dhe metodat e tij nuk kishin asnjë ngjashmëri me metodat e trajnerëve të tjerë. Ai është projektuesi im si lojtar. Atë sezon, Besën e shpëtoi nga rënia nga kategoria dhe e la në vendin e shtatë.  Frashëri mbetet një mit në futbollin tonë në çdo aspekt.


Më pas gradualisht zura një vend të rëndësishëm në ekip duke u transformuar në lojtarin bazë. Në një nga sezonet më të mira të Besës dola golashënues bashkë me Kliton Bozgon. 

Ishin vitet e ambasadave. Periudhë kaosi. Asnjë futbollist nuk donte të qëndronte në Shqipëri. Të gjithë donin të iknin. Të gjithë ishin në kërkim të një ekipi jashtë vendit. Nuk e njihnim konceptin menaxher dhe kështu ishim të detyruar të kërkonim vetë skuadrën ku mund të luanim. Greqia ishte vendi më i afërt ku shumë futbollistë tentuan të luanin atje.

 
Edhe në këtë situatë më duhej ndërhyrja e fatit.
Kombetarja e Shqipërisë do të zhvillonte një ndeshje miqësorë me Greqinë në Tiranë. Ekipi kombëtar kishte mungesa. Sulmi ishte pa lojtarë. Sulmuesi kryesor, Sokol Kushta nuk dihej ku ishte. Po kërkonte ekip për të luajtur jashtë vendit. Stafi i kombëtares i kishte humbur kontaktet me të. 

Trajneri i kombëtares, Bejkush Birçe më fton për herë të parë. Miqësoren ndaj Greqisë e fituam 1 me 0 në Qemal Stafa. Ndodhi si me Besën, ndeshja e parë zyrtare dhe gol. Goli im i dha fitoren Shqipërisë. Ishte një moment shumë i rëndësishëm për karrierën time. Debutimi me kombëtaren dhe mbi të gjitha me gol ishte pasaporta bazë për kalimin tim në Gjermani.


Kalimi në kampionatin gjerman nuk mund të realizohej pa ndërhyrje. Një mik i imi nga Kavaja që kishte emigruar në Gjermani njihte mikeshën e presidentit të Frajburgut. Ai më prezantoi  atje si lojtar stabël të kombëtares shqiptare dhe i sygjeroi që të më merrnin për një provë. Pas dy javësh shkoj në Frajburg.
Nuk duhej shumë kohë për të parë cilësitë e mia. Pas katër ditësh nënshkruaj kontratën me Frajburgun, skuadër që luante në kategorinë e dytë gjermane. 


Uau.
Ishte e mrekullueshme ajo që ndodhi. Para 20 ditësh isha në tension të vazhdueshëm dhe i merakosur për karrierën time. Nuk dija ku do luaja. Dhe ja, për pak ditë unë u bëra lojtari i parë shqiptar që luaja në futbollin gjerman.
Një gjë të tillë nuk mund ta imagjinoja dhe jo më ta besoja se do ndodhte. Ëndrrat duhen besuar. 

Fati më hapi rrugën, por kontrata ime nuk erdhi si pasojë e fatit, por si pasojë e asaj që tregova në prova te ekipi gjerman. U bëra lojtari i parë që luaja në një nivel kaq të lartë në Gjermani.


Më pas isha lojtari i parë shqiptar që luajta në Bundesligën gjermane. Një sadisfaksion i jashtëzakonshëm në kujtimet  e mia, por edhe për të gjithë shqiptarët. Në fazat përgatitore gjatë dimrit zhvillohej mini kampionati në salla të mbyllura, e cila shërbente për fazë përgatitore. Dola kampion me Unterhaching në sezonin e fundit.

Goli i fundit që na dha trofeun u shënua nga unë. Çdo ndeshje e imja në fazën përgatitore ndiqej nga mijëra shqiptarë në kanalin gjërman RTL edhe në Shqipëri. Kur më thonin që më kishin ndjekur me krenari dhe mall, nuk kishte lumturi më të madhe.

Kisha bërë krenarë shumë shqiptarë. Ata ndienin që dikush po përpiqej të ngrinte lart imazhin e shqiptarëve në një kohë shumë të vështirë.

Karriera ime në Gjermnai nuk ka qenë fushë me lule. Pa përpjekje dhe mundimin  e duhur nuk mund të arrija asgjë. Krahas përpjekjeve më duhej shpesh të luftoja një problem që na ka shoqëruar gjithnjë pas vitit 90. Duhej të luftoja inferioritetin që kisha kultivuar në Shqipëri. Deri diku e arrita, por ishte shumë e vështirë. Sedra e shqiptarit gjithashtu më ndiqte kudo. Ajo ishte pengesë. Si pasojë e kësaj përjetova dhe ngjarjen e hidhur që ju tregova më lart.


Me ekipin kombëtar kam kontribuar më shumë se një dekadë. Shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin. Harmonia ishte karakteristika jonë në kombëtare.


Të qeshurat nuk kishin fund. Alban Bushi ishte qendra ku prodhohej shakaja dhe harmonia. Egoizmi i tij për të qenë gjtihnjë titullar ka sjell edhe situata gazmore. Në një rast, Ilir Shulku luajti rolin e gazetarit: "Përshëndetje Bushi. Nga burimet e gazetës thuhet se ti nuk do jesh titullar në ndeshjen e nesërme me kombëtaren. Cili është mendimi yt për këtë vendim"? ishte pyetja e Shulkut i kamufluar si gazetar. "Nëse Bushi nuk luan titullar, Shqiparia nuk ka asnjë shans të fitojë", ishte përgjigja e Bushit që shkaktoi të qeshura të mëdha te i gjithë grupi.

Unë kam pas probleme me kaviljen dhe situata më kishte bërë të mësoja vetë se si ti fashoja kaviljet para ndeshjeve. Në një rast, Bushi më thotë se kishte problem me kaviljen. "Do ta lidh unë" i thashë. Pasi ja përfundoj, Bushi çohet në këmbë. 

"Ou, nuk e ndiej fare kaviljen, ma paske bërë në mënyrë fantastike", tha dhe doli nga dhoma. Pas pak, Bushi kthehet në dhomë. Më shikon me habi dhe më thotë:"Altin, po unë kam probleme me kaviljen e këmbës tjetër dhe jo me këtë që më ke lidhur ti". 


Të qeshurat nuk kishin fund edhe në këtë rast. 

Bushi ka qenë gjithnjë qëndra ku buronte humori. Me egoizmin e tij kishte konkurencë më Igli Taren. Egoizimi për të qenë titullar ishte fiksimi i tij. Këtë e shfaqi edhe para pak muajsh, pikërisht tani që ka lënë futbollin.
Në ndeshjet e organizuara nga shoqata e drejtuar nga Andi Lila, trajner i kombëtares sonë ishte Ilir Shulku. Ai nuk e kishte planifikuar si titullar Bushin. Bashkë me Shulkun ishim ulur në tavolinë. Bushi vjen drejt nesh. Afrohet, na përshëndet dhe pret reagimin e Shulkut për ndeshjen. Nuk duron shumë dhe ja pret: "Po unë me kë do të luaj në sulm?", tha Bushi duke treguar se egoizmi i tij nuk kishte dalë ende në pension.


Harmonia dhe humori ishin super, por duhet theksuar se në fushën  e lojës nuk ishim skuadër, sepse luanim më shumë individualisht. Nuk e ndihmonim shumë njëri-tjetrin, shpërdoronim pa fund. Kjo në të vërtetë ndodhte sespe lojtarët mendonin shumë për veten e tyre për të siguruar ndonjë kontratë më të mirë me skuadrat e huaja. Ky ka qenë një nga elementët që na ka penguar në marrjen e rezultateve. Inferioriteti i shfaqur në fushë na penalizonte gjithashtu shumë.

Ndaj Gjermanisë kemi treguar vlera në futboll edhe për faktin se gjërmanët të lejonin të luaje. Në eliminatoret e europianit 1996, u ndeshëm me ta në transfertë. Ishte skuadra kampione e ardhshme. Me emrat që kishte në përbërje ishte e frikshme të mendoje rezultatin e takimit. Druheshim se do pësonim një humbje shkatërruese. Ekipi ynë kombëtar ishte përbërë nga lojtarë që luanin në ligat 5 apo 6 në Gjermani apo gjetkë. Kishte në përbërje lojtarë që ishin në kërkim të ekipeve dhe të pastabilizuar. Me pak fjalë ishim ekip kombëtar kaotik. Bakenbauer tha për ne para ndeshjes se skuadra të tilla duhej të kryenin ndeshje kualifikuese pastaj të luanin me Gjermaninë. Normalisht ai nuk e dinte që këto lojtarë kishin cilësi më shumë se ligat ku ata luanin, por thjesht i referohej faktit që ata ishin pjesë e skuadrave rajonale. Kjo i dha dhe një goditje më shumë ekipit tonë.

 
Ishte i sikletshëm fillimi i sfidës. Dy golat e shpejtë të gjermanëve na frikësuan shumë. I druheshim katastrofës. Por ndodhi e kundërta. Gjermanët u vetëkënaqën dhe si pasojë ne morëm zemër dhe filluam të shikonim përpara. Më pas erdhi ajo goditje e imja e befasishme ku topi shkoi aty ku duhej, në rrjetë.
E kam parë disa herë atë gol. Andrea Kepke ishte disa sekonda larg. U mundëm 2 me 1, por edhe mund të barazonim ndeshjen. Gjithsesi doli shumë më mirë se sa e mendonim. Mediat gjermane e kryqëzuan skuadrën e tyre, ndërsa me ne nuk u morën shumë.

 
Gjithsesi Këpke nuk e harroi atë gol dhe ma ktheu reston. Në Grenada ku u mundëm nga Gjermania 3 me 2 në 1997, ne fituam një penallti. Goditjen time e priti portieri gjerman. "Nuk mund të shënoje serish ndaj meje", më tha me buzëqeshje. Janë momente që kanë hyrë në historinë e futbollit tonë dhe unë jam i lumtur që jam pjesë e kësaj historie.


Në ndeshjen ndaj Greqisë e cila ishte e fundit e imja me fanellën kuq e zi, Brigël më aktivizoi në minutat e fundit në humbjen 0 me 2. Në fundin e ndeshjes më tha se nuk do të isha më pjesë e kombëtares. Nuk u ndieva mirë edhe pse e respektova vendimin duke shtrënguar duart. Nuk arrita të kuptoja këtë vendim. Ishin elementë në Federatë me mentalitet të pa rinovuar që lojtarët i vlerësonin ende sipas moshës dhe jo sipas asaj që jepnin në fushë. U habita sepse isha lojtari më i shpejtë në kombëtare dhe në nivelin tim nuk kishte të përafët që mund të thoja:
"Në rregull, është dikush që e meriton më shumë kombëtaren për cilësitë që ka". Sikur të mos mjaftonte kjo, 12 vitet e mia me kombëtaren u anshkaluan pa një falenderim, pa lamtumirë.

Do doja shumë një tufë me lule për hir të sakrificës dhe djersës që kam dhënë për ngjyrat kuq e zi. Nuk jam i vetmi, ndoshta as i fundit, por këto sjellje të lënë shije të hidhur sa i përket vlerësimit dhe mirënjohjes që duhej të bëhej jo ndaj Altin Rrakllit, por për  12 vite përkushtim ndaj kombëtares. Gjithsesi kjo ka mbetur në kujtimet e mia si shije e pakëndshme.

Disiplina e kulturës gjermane dhe eksperienca me shumë trajnerë kur isha futbollist më kanë ndihmuar të jem në shkallën e duhur për të ushtruar profesionin e trajnerit. Në Shqipëri nuk njihej koncepti i futbollit të femrave.

Pesë vite nën drejtim ishte periudhë e veçantë. Mendoj se solla një zhvillim të ri. Lojtaret e sotme janë zbuluar nëpër botë kur ata ishin 17-18 vjeçare pikërisht nga unë. Sot janë elementë të rëndësishëm.  

Si një futbollist me kontribute të mëdha dhe me pasionin e madh për të ushtruar profesionin e trajnerit kërkova të merrja në drejtim një nga kombëtaret e  moshave për meshkuj. Kërkesa ime nuk u mor për bazë në asnjë rast nga presidenti Duka. Për atë që kam dhënë për ngjyrat kuq e zi e meritoja të më jepej mundësia të tregoja aftësitë e mia edhe në këtë drejtim, ndërkohë që drejtimin e kombëtareve e kanë marrë edhe njerëz pa asnjë lloj kontributi.

 
Fati më ka ndihmuar në karrierën si futbollist, të paktën në hapjen e rrugës. Më pas ka qenë aftësia dhe përkushtimi im që e kam mbajtur veten në nivelet që arrita. Sa i takon trajningut të një ekipi meshkujsh, nuk mund të them se kam patur fat. 

Kur isha nën drejtimin e kombëtares së femrave isha dhe këshilltar i mikut tim, presidentit të Partizanit, Gaz Demi. Ai më ftoi të drejtoja Partizanin pas largimit të Hasan Likës. U futa në dilema të mëdha. Nëse do lija kombëtaren e femrave do hidhja poshtë gjithë atë projekt që kisha nisur për të ndërtuar një risi për vendin tonë, kombëtaren e femrave. Ndërkohë nga ana tjetër dëshira ishte e madhe për të drejtuar Partizanin. Në fund zgjodha të dërgoja në fund punën e nisur me kombëtaren.


Babi im trashëgoi tek unë shpejtësi dhe teknikë, gjë të cilën shpresoj që edhe unë tia trashëgoj dy fëmijëve të mi. Ansel dhe Alen Rraklli janë dy djemtë e mi.


Topin e kam vendosur pranë tyre kur ata ishin vetëm 1 vjeç. Ansel, i cili tani është 7 vjeç ka tregues shumë të mirë si futbollist. Ai luan me femijë tre-katër vite më të mëdhenj se vetja, kjo për shkak të cilësive që ai disponon.

Aleni ka dëshirë të madhe të jetë lojtar. Ai është pesë vjeç. Të dy stërviten me njëri-tjetrin me praninë time. Anseli ka idhull Ronaldon, ndërsa Aleni ka idhull Mesin. Të dy kanë karakteristika të ndryshme. Ndryshe nga babai im, unë jam i lumtur se kam kohën e duhur në dispozicion për të ndjekur hap pas hapi fëmijët e mi.

Dy djemve i kushtoj rreth dy orë përditë në pasionin që ata po ndjekin. 

Shpresoj që në kombëtaren kuq e zi emri Rraklli të zbresë një ditë sërish në fushë. 

    
E nisa në Kavaje karrierën si futbollist dhe e mbylla po aty. E nisa karrierën e kombëtares me Greqinë dhe e mbylla po me Greqinë. Trajningun e nisa me futbollin e femrave, por me pak fat dua ta mbyll me futbollin e meshkujve.


Janë vite që më kanë lënë mbresa të jashtëzakonshme. Sigurisht duhej të kisha dhënë më shumë në fushë dhe në gjithë rrugëtimin tim. Të kontibuosh për ngjyrat kuq e zi është një ndjesi e pa përshkruar që ta jep vetëm sporti. Rrugëtimi im si futbollist më ka mbushur me krenari dhe më ka dhuruar momente të jashtëzakonshme.
Fatin e përmenda shumë, sepse është i domosdoshëm për një sportist, por dua të theksoj, se fati nuk ka vlerë në vetvete nëse sportisti nuk ka talent. Fati në shumicën e rasteve ndihmon më të mirin!


Nga

Altin RRAKLLI

(ish-futbollist,trajner)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !