Daniel HOXHA

 

 

 


Publikuar më 23.02.2022

"Para disa vitesh, në krosin kombëtar në Shqipëri vendosa të marr pjesë në garën finale në gjendje jo të mirë shëndetësore. Kjo ndodhi pa dijeninë e trajnerit. Ndryshe nga herët e tjera që fitoja me lehtësi, në fund të garës mezi arrita të mund kundërshtaren direkte për vendin e parë. Vetëm pas triumfit njoftova trajanerin për gjendjen time. Sigurisht ai nuk e priti mirë, por unë nuk mund të qëndroja pa qenë pjesë e garës, pjesë e pasionit, dashurisë me emrin atletikë". Kjo është një nga historitë inspiruese të kampiones së atletikës shqiptare, njëkohësisht trajneres sonë Diana Dardha që e dëgjojmë shpesh.

Ky është një nga mesazhet që vjen si kujdesje prej saj për pasionin që ne ushtrojmë dhe për dashurinë që duhet të kemi për atë që bëjmë. Si pasojë e kësaj, në një kohë shumë të shkurtër kam arritur suksese të pamenduara. Sot jam vetëm 17-vjeç dhe sapo kam nisur të jetoj ëndrrën në atletikë, por një talent nuk mund të ketë sukses nëse nuk ushtrohet nga një trajner i duhur dhe historia ime e dëshmon këtë. Kam lindur në Itali, por prindërit e mi janë nga Shqipëria. Gjuha shqipe është trashëgimia e mamit dhe babit, e cila më bën të ndihem krenar. Por krenar dua të jem edhe në atletikë me atë që dua të arrij. 

Në fillimet e mia topi i futbollit ishte sfera që rrotullohej rreth meje. Luaja më bashkëmoshatarët në ambjente të ndryshme derisa në klasën e gjashtë profesori italian i fiskulturës më sygjeroi të provoja atletikën, sepse kisha disa të dhëna specifike. Prindërit më mbështetën në këtë iniciativë. U regjistrova menjëherë. Fati im i madh ishte se do të stërvitesha nga një kampione shqiptare e atletikës. "Ke elementë të veçantë që të bëjnë një atlet me përspektivë në këtë sport. Talentin që ke duhet ta ushtrosh që të arrijmë rezultatet që duam. Por kjo kërkon durim dhe përkushtim në stërvitje", ishin fjalët e para të saj. 

Në fillim e konsideroja atletikën si pjesë të argëtimit dhe jo si profesion. Por stërvitjet e përditshme (6 herë në javë) më bënë që gradualisht ta dua shumë këtë sport. Si adoleshent prisja me padurim të futesha në garë dhe për të provuar veten. "Mundohu gjithnjë të kapërcesh vetveten. Në garë mos shiko kundërshtarin, shiko vetëm mundësitë e tua. Duhet të bësh garën tëndë dhe të shmangësh në çdo rast emocionet që mund të vijnë nga çdo situatë e krijuar. Emocioni është pengesa që duhet shmangur në çdo rast", na këshilllon shpesh trajnerja si ekip. Këto fjalë mua më bënin të ecja me (këmbët në tokë).

Ky është një nga ato detaje që na ka rritur nga ana sportive dhe psikologjike të gjithë si grup. Synimi për tu argëtuar fillimisht u bë tërheqja drejt atletikës ku rezultatin final nuk duhej ta mendoja në asnjë rast përpara garës. Erdhi momenti i së vërtetës. Pas disa garave të mira, arrita në finalen e parë si adoleshent. Ishte kampionati i të rinjve "Campionati triventi 2019". Në nisjen e garës isha i qetë. Në mendje kisha një thënie të çmuar të trajneres: "Sdo të shkojë gara, ajo duhet të respektohet deri në fund. Përqendrohu në garën tënde, në mundësitë e tua". Dhe me këtë mendim u futa në garë, i relaksuar nga çdo emocion. Në çdo hap që më afronte pranë finishit ndjeja sikur fitoja më shumë energji. Nuk shikoja aspak përreth vetes edhe pse isha i rrethuar nga atletë të talentuar. Dhe në fund papritur jo vetëm që arrita të përfundoj garën, por renditem në vendin e dytë. Ky rezultat ishte suksesi i parë i imi në një kampionat të rëndësishëm për moshën. 

Pas këtij rezultati, atletika nuk shihej më vetëm si argëtim nga sytë e mi, por një sport ku kisha gjetur veten. Pas disa rezultateve të tjera të sukseshme në rag lokal erdhi dhe suksesi i madh në garën kombëtare për të rinj pas një viti. Tashmë në një nivel shumë të lartë. Në kampionatin kombëtar italian për 15 vjeçarë. Arrij suksesin e jashtëzakonshëm, shpallem triumfues në garën 1200 metra me pengesa me kohën; 03:29:06. Arritje e madhe në një kampionat të tillë që më jep shpresa të shumta për të ardhmen. "Një talent nuk mund të jetë i suksesshëm nëse nuk ushtrohet sistematikisht dhe me durim në çdo hap që hedh", na thotë trajnerja, e cila ka një eksperiencë të jashtëzakonshme në atletikë si kampione  e padiskutueshme.

Vlera këto që po i kultivon çdo ditë tek brezi i ri që stërvit ku bëj pjesë edhe unë.  Atletika është kthyer tashmë në profesionin tim. Çdo ditë në stërvitje shkoj me synime të qarta. Egoja e suksesit më shoqëron në çdo seancë. Në fakt kjo dashuri për atletikën nuk erdhi rastësisht, por nga dëshira dhe puna e vazhdueshme me trajneren. Jo vetëm unë, por të gjithë si ekip pranë vetes nuk kemi thjesht një trajnere profesioniste, por ajo është dhe një mami e dytë për ne. 

E them këtë sepse Diana Dardha nuk përkushtohet vetëm për anën profesionale në stërvitje, por për gjithçka ajo është aty duke nisur nga mënyra e ushqyerjes dhe duke përfunduar tek kërkesat në stërvitje. Jo më kot merr vlerësime të shumta nga prindërit dhe drejtuesit e federatës italiane të atletikës. Trajneria jonë, e cila është pjesë e atletikës italiane prej gjashtë vitesh i ka gjërat e qarta se si kultivohet një talent dhe si arrihet në majën e triumfit, sepse ajo është një kampione e lindur.

Si pasojë e stërvitjes sistematike kam arritur gjithashtu të shpallem dhe kampion në garën rajonale të krosit për moshën time. Si 16 vjeçar, ëndrra ime është të përfaqësoj kombëtaren kuqezi. 

Ftesën e pres me padurim. Të qenurit larg na mbush me mall për vendin e tonë. Por këtu nuk do të harroj edhe Italinë, ku nisa rrugën e atletikës. Dëshiroj të jem një atlet në të ardhmen që me emrin tim të ngre lart vlerat e kombit me arritjen e medaljeve.

 Gjithsesi deri në atë kohë, unë duhet ti hedh hapat një e nga një. "Etapat e një sportisti duhet të ndiqen me kujdes, sepse rreziku i djegies së një atleti janë të shumta nëse ato hapa nuk hidhen me kujdesin e duhur", thotë Diana Drardha. Për këtë ndihem i qetë dhe i sigurt, sepse pranë meje kam një kampione të madhe që atletikën e ka si zemrën që pulson me dashurinë dykrenare. 

 

Nga

Daniel Hoxha

(atlet)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!