Publikuar më 19.01.2022
Dielli përvëlonte, termometri shënonte 40 gradë celcius. Po luaja në finalen e turneut dhe adrenalina e lojës nuk lejonte të depërtonte tek unë nxehtësia e fushës.
Përballë kisha një nga lojtarët më të mirë maqedonas.
Por seti i parë mbaroi pa shumë histori. Humba përballë kundërshtarit. Dukej sikur gjithçka do mbaronte shpejt.
Ulem në vendin tim për të rikuperuar energjitë për setin e dytë.
Kthej kokën nga tribuna ku qëndronin prindërit e mi…
Dhe këtu nis historia e ndeshjes…
Pashë mamin, babin dhe vellain tim në "zjarrin përvëlues" të diellit. Një drithërimë më pushtoi trupin…
Pa e kuptuar, brenda meje nisi të rritej një energji e jashtëzakonshme për triumf.
Sulmoj fort në çdo shërbim, në çdo break... Nuk i ndieja këmbët, më dukej sikur fluturoja edhe pse djersët më pushtonin në çdo aksion.
Çdo pikë të fituar e shoqëroja me shikimin nga tribuna. Entuziasmi në sytë e tyre u bashkua me forcën time në fushë.
Arrita ta kthej ndeshjen, duke fituar setin e dytë dhe e dërgoj finalen e madhe në setin final.
Nuk e kisha ndier në asnjë rast aq fort motivin për të triumfuar. Edhe pse 10 vjeç, kuptova që në sportin e tenisit nuk isha rastësisht.
Nis seti final. Aty më duheshin lëvizjet e idhullit tim, Stefanos Tsitsipas.
Bëra atë që pëlqej më shumë, të sulmoj e të luftoj pa pushim! Ashtu bëra derisa rrëmbeva trofeun dhe e vesha me ngjyrat kuqezi.
Për pak sekonda heshtje…
Më pas shpërthim, shpërthim…
Kisha fituar trofeun e pasionit tim..
Serioziteti i treguar dhe vendosmeria për të arritur suksesin sollën edhe rezultatin fantastik, që bëri krenar jo vetëm prinderit dhe trajnerin, por mbarë kombin tim.
Arrita te spikas dhe te le gjurmet e mia mes shumë femijëve te talentuar nga Maqedonia, Serbia, Bosnja Hercegovina, Kosova, Austria etj.
Për herë të parë u shpalla fitues në një turne ndërkombëtar tenisi duke rrëmbyer kupën e vendit të parë për kategorinë Boys-U10, fitues i vendit të parë për kategorinë Mix Double-U10 dhe fitues i vendit të tretë për kategorinë U-11.
Ëndrrat ekzistojnë që ne ti ndjekim, të rendim pa pushim pas tyre për t'i prekur ato... Ëndrra ime është tenisi, sporti që më ushqen pasionin për atë që dua të jem nesër. Akoma nuk e kam kuptuar tamam se si arriti tenisi te deportoje kaq fort në të gjithë qenien time... Mua më pëlqejnë sfidat e vështira, ndoshta nga kuptimi i emrit tim është "zot i luftës", më pëlqen të luftoj dhe të triumfoj në çdo ndeshje. Ndiej natyrshëm dëshirën e madhe që të ngre lart emrin tim dhe flamurin kuqezi në majat e turneve botërorë në të ardhmen.
Por të ndalojmë pak, sepse maja e suksesit i takon së ardhmes dhe tani po flas me gjuhën e ëndrrave.Në realitet është ndryshe.
Duhet shumë mund, përkushtim. Shumë faktorë ndikojnë deri në arritjen e pikës ku duhet. Këto fjalë të prindërve të mi më rrisin çdo ditë pasionin për tenisin, por prioriteti i tyre kryesor është mësimi dhe unë po ia dal me sukses të shkëlqej në shkollë edhe në sport.
Aktualisht mbaj vendin e parë në renditje në Shqipëri sa i përket kategorisë Green U-10, i shkëputur shumë pikë nga vendi i dytë.
Nuk jam ende tenisti që dua të jem, jo se jam vetëm një 10 vjeçar, por fjalët e prindërvë më kanë bërë të ndërgjegjshëm se duhet përgatitje dhe përkushtim për të arritur ëndrrën.
Turnetë jashtë Shqipërisë kanë qenë një test real për të matur nivelin dhe talentin.Gjatë muajit gusht mora pjesë në Ten Pro Global Tour në Francë, ku merrnin pjesë femijet me të talentuar të globit.
Me gjithë vështirësitë dhe ngarkesën e këtij turneu, përballova denjësisht ndeshje shumë të forta dhe në fund arrita të klasifikohem në TOP 8, për kategorinë Boys U11.
Nuk kisha asnjë ndrojë të luaja përballë të huajve, sepse mbaj gjithnjë me vete fjalët e gjyshit tim: "Ata janë njerëz si ti, vlerësoi si të tillë dhe mos ki ndroje!". Në Shkodrën time sporti është djep për çdo pasion dhe fjalët e gjyshit tim burojnë nga kjo dashuri sportive. Kjo është një nga arsyet se përse sporti është në qenien time.
Jam përballur me lojtarë nga vende të ndryshme të Europës edhe në turne "Tennis Europe". Niveli i tyre është i lartë, sepse janë të stërvitur shumë mirë si teknikisht ashtu edhe fizikisht, por megjithatë kam arritur të përballem denjësisht dhe të arrij deri në finale consolation. Ndërkohë që tani kam filluar të bëhem gati për sezonin e ri. Shpresoj që edhe këtë vit sfidat të ndjekin njëra-tjetrën dhe trofetë të vazhdojnë të ngrihen lart si në turnetë kombëtarë ashtu dhe ndërkombëtarë.Tenisi kërkon kushte specifike për çdo pasionant, për të arritur sukses. Më duhet të ndjek pasionin tim me këmbë në tokë, si mënyrën më të mirë për të korrur sukses, por kjo nuk më pengon aspak për të parë horizontin e së ardhmes.
E di që duhet të djersis shumë në stërvitje. E di që duhet durim dhe forcë psikologjike, sepse ky sport varet shumë nga detaje që në dukje duken të parëndësishme, detaje që ndikojnë drejtpërdrejt në fitore ose humbje.
Po luaja një ndeshje në Shqiperi. Setin e parë e fitova shumë lehtë dhe pastër në rezultat. Nisa setin e dytë me qetësi dhe i sigurt për ta mbyllur si setin e parë.
Por ndodh ajo që nuk e kisha menduar në asnjë rast.
Një fije nga raketa ime këputet.
Ky ishte momenti që ndryshoi gjithçka, kësaj radhe për keq. Mora nje raketë tjetër, por kjo nuk ndryshoi asgjë në rrjedhën që mori ajo ndeshje.
Të ardhmen nuk mund ta parashikoj. Por di vetëm që duhet përkushtim dhe stërvitje e pa ndërprere, gjithmonë pa lënë pas mësimet.
Sot ndjek dhe imitoj lojtarë të mëdhenj, madje edhe në luk. Por këtë nuk e bëj që në të ardhmen të më thërrasin Tsitsipasi shqiptar. Jo. Unë jam Ares Ferhati nga Shqipëria, mbajeni mend këtë emër!
"Kupat fitohen në stërvitje, në turne shkojmë vetëm për t’i tërhequr!", janë fjalët e trajnerit tim, që udhëheqin pasionin tim me emrin tenis!
Miniprezantim AudioVizual, kliko këtu...
Faleminderit…
Nga
Ares Ferhati
(tenist)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!