Jurgen DOSTI

 





Publikuar më 11.08.2023

Nuk është vetëm privilegj që të jesh djali i një emri të madh në futbollin elbasanas dhe jo vetëm... Kur shkoja në stadium për të parë Muharrem Dostin, atmosfera ishte elektrizuese. Midis mijëra tifozëve sytë i kisha vetëm tek babi edhe kur aksioni zhvillohej në portën tjetër. Doja të bëhesha portier si ai dhe kjo dëshirë nuk ishte e imponuar. Doja të ndiqja gjurmët e emrit në fushën e lojës. 

Një herë kur u kthye nga Maqedonia e Veriut, babi më solli topin e parë në duar. Ishte i bardhë me vija blu. E mbaja si dhuratë të çmuar tek koka e krevatit. Luaja pak dhe me shumë kujdes me atë top, sepse kisha frikë se gërvishej. Ëndërroja me atë në duar të bëja gjëra të mëdha në futboll. Nga njëra anë im atë ishte shumë i njohur në qytet dhe nga ana tjetër bisedat në familje zhvilloheshin vetëm për futboll. Këto detaje më shtuan edhe më shumë dëshirën për të ndjekur këtë rrugë. 

Në moshën 8 vjeçare nisa stërvitjen me grupmoshat e Elbasanit me trajner Agim Tapa,  të cilin e kujtoj me nostalgji dhe respekt. "Respektoi shokët e ekipit, sepse më e rëndësishme është të jemi njerëz në fillim, pastaj të bëhemi futbollistë", ishin fjalët e vyera të trajnerit që ndikuan shumë në rritjen time. 

Në fillim e nisa në portë, por pas disa vitesh ndryshova pozicion si qendër mbrojtës. Kur kthehesha nga stërvitja, në shtëpi gjeja fjalët e ngrohta të mamit, e cila ishte dhe mbetet mbështetësja ime e madhe në çdo aspekt. "Shpresoj tja vlejë e gjithë kjo sakrificë që nesër të jesh dikush në këtë sport", më thontë shpesh pasi i jepja rrobat e pista të stërvitjes për ti larë. Motra ime nuk interesohej për futbollin drejtpërdrejt edhe pse më inkurajonte në ditë jo të mira. Ajo, ndryshe nga unë, ëndërronte të ishte mjeke dhe këtë rrugë po ndjek sot. 

Trajneri më kritikonte shpesh. Ai kërkonte që të merrja më shumë ngarkesë fizike në stërvitje sepse isha mbi peshë. Kur takoja babain dhe i tregoja për kritikat e trajnerit, ai më përgjigjej: "Trajneri ka gjithnjë të drejtë. Dëgjoi këshillat e tij dhe zbatoi në stërvitje". Dhe kështu bëja, u detyroja të qëndroja më shumë se fëmijët e tjerë dhe të bëja më shumë stërvitje. 

Nuk e shmangia dot presionin që vinte nga fakti që isha djali i një futbollisti me reputacion në qytet. Kjo gjë krijonte paragjykime ndaj meje. Nëse bëje diçka pozitive në fushë, thonin hajde se nuk bëri gjë, ndërkohë nëse shkonte një situatë keq në fushë, thonin hajde se është djali i Muharremit. Për një djalë të ri që jeton në një komunitet të vogël është shumë sfilitëse nga ana psikologjike.


Me kalimin në ekipet zinxhir erdhi momenti që të takohesha me babin edhe profesionalisht. Ai ishte trajneri im tek të rinjtë dhe më vonë në ekipin e parë. Kur shkoja në stërvitje ndihesha si në gjemba dhe doja në çdo rast të mos kisha kontakt me të. Në momentin që kërkonte atë që duhej në stërvitje, mundohesha ta realizoja sa më mirë. Ishte vërtet shumë e sikletshme, sepse çdo bisedë apo sjellje mund të interpretohej në opinion. 

Në moshën 18 vjeçare grumbullohem nga ekipi i parë. Shkuam në Korçë për tu ndeshur me një nga ekipet më të mira shqiptare në atë kohë, Skënderbeun. Atmosfera ishte fantastike. Papritur trajneri më thotë të bëhesha gati për nxemje se do aktivizohesha. Ishte një nga ato momente që do më shoqërojë gjithë jetën. 

Emocionet bënë punën e vet kur shkela për herë të parë fushën si lojtar profesionalist i Elbasanit. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë ku në fund humbën 1 me 0. Pas sfidës, babi, i cili më ndoqi nga shkallët e stadiumit, më tha: "Bravo, vazhdo kështu".

Dikur e ndiqja unë babin nga shkallët e stadiumit, tashmë rolet ishin përmbysur, babi shikonte djalin nga stadiumi duke mbajtur veshur fanellën e skuadrës që ai bëri emër. Kam kaluar gjashtë vite me Elbasanin në kohët më të vështira të klubit me ulje ngritje në kategoritë e futbollit tonë. Më kujtohet shumë herë dhe një rast në kategorinë e parë, moment që nuk e kisha përjetuar asnjëherë deri në atë çast.

"Keni ardhur për të fituar këtu?"...., na pyetën disa njerëz me hunj në duar në hyrje të stadiumit....

Heshtëm si ekip. Ishte e papritur dhe një moment që nuk na kishte ndodhur kurrë. Ishte goditje të fortë psikologjike. I gjithë ambjenti dukej i kurdisur atë ditë. 

Kërkuam që të mos e zhvillonim ndeshjen, por klubi mori vendim që të zbrisnim në fushë...

Si mund të luhej në ato kushte futboll normal? 

Kështu që rrjedhimisht humbëm 0-2. Rezultati fatmirësisht nuk ndikoi në objektivin final të Elbasanit, sepse në fund të sezonit u ngjitëm në Superligë.

Elbasani ishte ekipi i vetëm i imi në karrierën e shkurtër, përveç një kontrate të pazbatuar me ekipin hungarez VASAS për shkak të mungesës së dokumenteve dhe rregullave ekstrakomunitare. Në moshën 28 vjeçare dhe nën petkun e emrit të madh të babit, u largova nga fushat si lojtar, por jo nga futbolli. Futbolli në Elbasan përjetohet shumë nga tifozët e mrekullueshëm, të cilët mezi presin ta shikojnë ekipin midis më të mirëve në futbollin shqiptar. Këtë sezon uroj që gjërat të shkojnë në rrugën e duhur sepse ndryshimet kanë sjellë shumë entuziazëm dhe optimizëm. Elbasani dhe tifozët meritojnë Superligën. 

Pas largimit nga futbolli, ndoqa kurset për trajner pranë Federatës duke u pajisur me licensën  e trajnerit. Sërish edhe në këtë rast, rruga ime ishte si ajo e babit edhe pse qëllimi im është që të ndërtoj rrugën time si trajner. 

Si eksperincë të parë drejtova e Elbasanit U-11. Pas kësaj e ndjeva të nevojshme të shkëputesha nga qyteti im, për të nisur një jetë të re, jashtë Shqipërisë, në SHBA. Fati im i madh ishte njohja me lojtarin legjendar të kombëtares, Ansi Agolli, i cili më afroi në akademinë e tij si trajner i moshave. Është fat dhe për këtë do e vlerësoj Ansin përzemërsisht për mbështetjen që më dha që në fillim.


 Të jesh pjesë e AB7 Soccer Academy, një prej akademive më të mëdha të futbollit në New York është premisë e mirë për të ardhmen e një trajneri që shpresoj të konkludohet "Step by Step". Sezonin e parë arritëm në vendin e dytë si ekip moshash. Së bashku me Ansin dhe Bledin shpresoj të arrijmë nga suksesi në sukses.

 U rrita në një familje ku flitej çdo ditë për fubtollin. U rrita në një qytet ku flitej çdo ditë për tim atë. U rrita si futbollist nën emrin e tim eti. Rrjedhimisht më duhet që të ruaj emrin e mirë dhe me lirinë e fituar të prek majat në rolin e trajnerit. 

Futbolli është jeta ime...


Nga

Jurgen Dosti

(ish futbollist, trajner)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)