Gilman LIKA

 



Publikuar më 29.01.2022

Po kaloja një sezon të vështirë. Për shkak dëmtimi të ligamentit mbeta shumë kohë pa luajtur. Kur u ktheva në fushë nuk isha në gjendjen e duhur. Vetëm në fundin e sezonit erdha në formë me Tiranën. Por situata nuk ishte e mirë në renditje. 

Do luhej sfida finale për qendrimin në kategori. 

Përballë ishte ekipi i zemrës, Vllaznia. Derbi i Shqipërisë kësaj radhe nuk përcaktonte fituesin e titullit, por ekipin që do binte.

Ishte momenti më i keq në karrierën time. Nëse do zbrisja në fushë do ishte më keq situata për mua sepse përballë ishte ekipi i qytetit ku u linda. 

Nuk më bëhej të luaja, diçka më pengonte.

 Takohem me presidentin e Tiranës dhe i them që situata ishte shumë e vështirë dhe nuk më bënin këmbët për të luajtur. 

Halili e kuptoi menjëherë situatën. "Mos e çaj kokën. Hajde në tribunë dhe shikoje ndeshjen me mua", tha. 

Por unë nuk mund ta shikoja atë ndeshje, sepse nuk kishte gëzim atë ditë sido që të shkonte ajo sfidë...

Në ato momente kujtimet e femijërisë më mbërthyen për të më dhënë përgjigje për zgjedhjen që bëra. 

Në sfond dëgjoja zërin e shokëve. "Gilman, Gilman...hajde se po të presim për të luajtur futboll. 

Isha rikthyer vërtet në kohë...

Zbres me shpejtësi nga shtëpia dhe ç'të shikoj?!

Rreth 10 shokë ishin futur në një makinë tip Fiat 131-sh. Dy prej tyre ishin në bagazh. Duhej të gjeja edhe unë një vend dhe të shkoja me ta në vendin e pasionit tonë. 

Fusha ku luanim futboll ishte në Vrakë, një fshat afër Shkodrës. Ishte një nga aventurat e zakonshme që bëja kur isha i vogël.

Si fëmijë bënim gjithçka për futbollin e lagjes dhe shpesh luanim në rrugën ku kalonin makinat. 

Ai topi që nuk kishte formë të rregullt ishte shumë i çmuar për mua. E gjithë dita kalonte pas futbollit. Në shtëpi shkoja vetëm sa për të ngrënë diçka, të cilën shpesh e merrja në dorë. 

Si tifoz i vogël i Gjermanisë më pëlqente shumë Mehmet Scholl. Nga ana tjetër babi më merrte në stadium për të parë Vllazninë. Në ekip luante xhaxhai im, prej të cilit kam marrë emrin Gilman. Ishte ai që më quajti me këtë emër, mesa duket ky ishte një nga ata ogurët e mirë për atë që do të isha nesër në futboll. 

Babai im ishte i pasionuari i madh pas futbollit. Ai ka luajtur deri tek të rinjte dhe më pas vetëm stërvitje me ekipin e parë të Vllaznisë. Vëllain e tij e kishte si përfaqësuesin e familjes në futboll. Babi dontë që edhe unë të ndiqja ëndrrën shkodrane, futbollin. Ai më regjistroi në një ekip fëmijësh ku trajnerët i kishte shokë. Të ndjerët Cuf Cena dhe Ali Rrakiqi u bënë trajnerët e parë. Rakiqi më trajnoi më shumë dhe gjithnjë më aktivizonte në sulm.

Ndeshja e parë më Vllazninë erdhi kundër Dinamos. Profesor Seri, ndaj të cilit do jem gjithmonë mirënjohës, më komunikoi që do luaja me ekipin e parë. 

Nuk kam fjetur asnjë minutë nga emocionet, madje edhe nuk munda të ushqehesha fare. Sfida e parë si profesionist do mbetet më e veçanta në jetën time.

Pas një sezoni pozitiv, luanim në Europë. Zv.Trajneri i Genclerbirligi kishte ardhur për të parë Sukajn. Atë ndeshje e fituam dhe ai kishte thënë në klub që Sukaj ishte lojtar shumë i mirë, por në atë ndeshje një i ri tjetër më nr 21 ishte më i miri në fushë dhe ai isha unë. Ndeshjen e kthimit erdhi trajneri i parë dhe në këtë mënyrë u transferova bashkë më Sukajn dhe Telin.

Në Turqi kalova një periudhë të jashtëzakonshme. Niveli i kampionatit ishte shumë i lartë. Mundëm kundërshtarë shumë të fortë si Fenerbahçe apo Gallatasaraj. Pata fatin të luaj ndaj lojtarëve shumë të fortë si Alex, Roberto Karlos, Guiza etj.

Nuk e di pse, por në atë kohë po të luaje me Tiranën, ishe shumë pranë kombëtares.

 Ashtu më ndodhi edhe mua. Transferohem tek bardheblutë. Trajneri Rubio më nxori në pah aftësi që ndoshta as unë vetë nuk i kisha menduar se i kisha.

Ftesën e parë me kombëtaren e kam marrë ndaj Hungarisë në fakt, pikërisht pas fitimit të kupës së Shqipërisë me Vllazninë.  Ndërsa ndeshja e parë që u aktivizova ishte ndaj Azerbaixhanit. Momenti më i bukur në kombëtare ishte kur luajta ndaj Mesit në miqësoren ndaj Argjentinës. E ndjeja shumë që atë moment do e mbaja mend gjatë. Dhe realisht është një nga kujtimet më të bukura në karrierë.

Të gjitha këto fragmente nga historia ime më dhanë një përgjigje se pse atë ditë dilema ime mori zgjidhje për të mos luajtur kundër ekipit të zemrës.

Futbollin e kemi trashëgimi në familje. Të njëjtën gjë shpresoj të mbetet gjithnjë. Kësaj radhe dua që ëndrra të pasohet nga djali im. Ashtu sikurse xhaxhai dhe unë fituam trofe, ashtu dëshiroj edhe për pasardhësin Lika në të ardhmen.....


Faleminderit!


Nga

Gilman Lika

(ish-futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)