Kapërcej pengesën e radhës...
Shputat e këmbëve përplasen fort në pellgun me ujë...
Pikat e freskëta më rizgjojnë për të disatën herë në garën finale...
Është Kampionati Europian, Amsterdam 2016.
Pranë meje konkurrentet janë përqendruar në maksimum.
Të gjitha kanë një qëllim, triumfin...
Eksperienca më thotë se duhet të fokusohem vetëm në garën time...
Kështu veproj...
Mbeten dhe pesë xhiro deri në fund...
Për një çast lë vetëm fizikun tim në garë...
Mendja ime shkon diku, atje në malet e mrekullueshme të Alpeve shqiptare.
Mendimet mbushin me oksigjen ëndrrën time.
Një ëndërr që më ka shoqëruar dy vitet e fundit si fitimtare.
Por mendimet ëndërrimtare nuk zgjasin shumë, sepse pikat e ujit në pengesën e radhës më zgjojnë sërish.
Vëzhgoj rivalet...
Njëra prej tyre nuk i kapërcen siç duhet pengesat. Ndërsa një tjetër ka humbur ritmin e duhur me frymëmarrjen.
Janë shenjat e para të lodhjes që nisin të shfaqen, por jo tek unë.
Gara po shkon drejt fundit ndërsa unë vendos sërish të arratisem në mendimet e mia, tashmë drejt Dardhës.
Ndryshe nga çdo vend tjetër, ajri i veçantë më bën të mos ndiej asnjë peshë në këmbët e mia.
Lartësia sjell brenda meje pastërtinë e oksigjenit që e bën gjakun tim të qarkullojë në mënyrë të shkëlqyer.
Ëndrra nis të konkretizohet drejt finishit.
Zhurma e mrekullueshme e përplasjes së këmbëve në pellg më zgjon për herë të fundit.
Është xhiroja finale.
Gara ime nis tani.
Rezistenca e fizikut është një nga armët e mia më të forta. Më forcon anën psikologjike më jep shpresë, më mbush me besim.
200 metra larg meje ndodhet ëndrra e prekshme.
Shtoj shpejtësinë...
Fluturimi drejt podiumit historik më ka shoqëruar për shumë kohë.
Dhe...
Uauuuuu...
Pres finishin e dyta...
Ndodh mrekullia e madhe...
Medalja e argjendtë tashmë është në duart e mia....
Uauuu, çfarë lumturie...
E çoreintuar kërkoj me nxitim për të përqafuar fort trajnerin tim Taulant Stërmasi.
Ështe ai arkitekti i triumfit tim në kampionatin Europian. Ështe ai që besoi tek unë që në fillim.
Ështe ai që pa talentin tek vajza e pastërvitur.
Gëzimi i jashtëzakonshëm pushtoi të gjithë qënien time. Lumturova familjen time, pa të cilën nuk do ja dilja kurrë.
Jam atletja e parë shqiptare që arrij një rezultat të tillë.
Uauuu, çfarë kënaqësie..
Gjithsesi për të arritur te ëndrra ime nuk ka qenë aspak e lehtë, më besoni...
Bashkëshorti i tezes sime ishte i pari që më afroi të stërvitesha si atlete kur jetoja në Durrës. Ai pa atleten e ardhshme tek unë dhe më ofroi të ushtrohesha dhe ta merrja seriozisht këtë sport. Dilja gjithnjë e para në spartakiadat e shkollave në Durrës.
Familja ime më mbështeti, pasi besonte tek energjia ime e madhe. Një fëmijë duhet të mbështetet për pasionin që ka, të paktën t'i jepet mundësia që të provojë se deri ku mund të shkojë. Për këtë fakt jam me fat dhe e lumtur.
Nisa të stërvitem te pista e stadiumit "Niko Dovana". Atletet e tjera ishin më të mëdha në moshë sesa unë dhe me thënë të drejtën ndihesha pak e tërhequr nga natyra ime.
Pas katër muajsh u zhvillua gara e të rinjve për tre mijë metra te kodrat e liqenit në Tiranë. Ishte gara ime e parë në këtë stil. Nuk munda vetëm vajzat që stërvitesha, por të gjitha.
Edhe pse triumfova, sërish e konsideroja zbavitje këtë sport dhe nuk e pashë në asnjë rast si profesion. Isha adoleshente dhe preferoja më shumë të qëndroja te ëndrrat se sa ti ktheja ato në realitet.
Për prindërit ishte sakrificë. Të kujdesesh për pesë fëmijë është e vështirë sidomos nga ana ekonomike.
Gjithsesi unë isha fëmija më i privilegjuar sa i takon shpenzimeve. Telefoni i parë më takoi mua. Kjo edhe për shkak të stërvitjes dhe kujdesit që ata duhej të tregonin ndaj angazhimit tim në atletikë.
Karakteri im gjithnjë nuk më lejon ti referohem suksesit të sportisteve të tjera. Sigurisht egoja duhet të ekzistojë dhe ekziston tek unë sepse ajo më orienton drejt qëllimi final. Por preferoj të kultivoj egon brenda kufijve të talentit dhe mundësive që kam, duke u përmirësuar hap pas hapi.
Kjo sjellje më jep paqe dhe forcë në rrugën e ndjekur.
Përballja e parë ndërkombëtare ishte krosi ballkanik në Maqedoni. Adoleshente dhe pa eksperiencë. Niveli si ekip nuk ishte optimal dhe shpresëdhënës.
Më duhej të nisja stërvitjen e vërtetë, ndryshe nuk mund të isha atlete e vërtetë.
Duhej të mësoja se çfarë do të thotë vërtet stërvitje. Këtë e kuptova vetëm kur kalova nën trajnimin e Taulant Stërmasit.
Bashkëpunimi me trajnerin e ri ishte privilegj për mua. Në atë kohë ai stërviste elitën e atletëve shqiptarë si Klodiana Shala, Admir Bregu etj. Këta sportistë ishin idhujt e mi. Nuk isha e bindur nëse do më merrte në trajnim ose jo. Isha në ankth.
Trajneri im i parë më prezantoi tek ai ashtu siç isha, e pa stërvitur dhe e pa shtruar në nivelin profesional.
Stërmasi pranoi të më trajnonte.
Stërvitja me të më transformoi në sportisten më të mirë në Shqipëri. Përfaqësova flamurin kuq e zi në kampionatin Europian në Paris. Por pavarësisht se isha më e mira në Shqipëri, në kompeticionin europian dola diku nga fundi dhe me diferencë.
Ishte moment kritik. U ndieva për herë të parë shumë keq. Nuk isha në nivelin e duhur që mund të përfaqësoja Shqipërinë.
Pas dështimit duhej të zgjidhja një nga dy alternativat.
Të fokusohesha totalisht në stervitjen e përditshme me regjim strikt, ose të mjaftohesha me aq dhe të hiqja dorë.
Zgjodha alternativën e parë.
Vendosa të ndryshoj totalisht stilin e stërvitjes. Duhej të shkëputesha nga familja, nga lidhja e ngushtë.
Ishte e vështirë në fillim sepse nuk isha mësuar me një regjim të tillë. Në stërvitje nuk mund të mungoja asnjë ditë.
U shpërngula në Tiranë duke menjanuar rrugën vajtje-ardhje nga Durrësi. Stërvitja ishte e detajuar. Nisa të thyej rekordet kombëtare në stilin tim, 800 dhe 3000 metra.
Këtu fillon kristalizimi i ëndrrës për medalje. Besimi rritej dita ditës në aftësitë e mia. Përfaqësova Shqipërinë në nivelin europian, por....
Sërish nuk isha ende në nivelin pretendues. Të gjithë nervin e garave Europiane e shfryja në garat ballkanike ku dominoj ende prej tetë vitesh. Edhe pse numri i shteteve të ballkanit ka zgjeruar gjeografine duke shkuar në 21 shtete, sërish jam sportistja për t'u mundur.
Sa më e gjatë të jetë gara, rezistenca dhe qëndrueshmëria dalin në pah tek unë. Dorëzimi nuk ekziston në qënien time. Garën nuk e kam lënë asnjëherë pa e përfunduar përveç një rasti.
Pikërisht në Diamond league, Shangai. Përpara se të kaloja një pengesë në garë ndieva disa thumba që u ngulen fort në pulpën time. Atletja konkurente më shkaktoi çarje me thumbat e atleteve duke më prekur tendinen. Erdhi një pikë që nuk e përballova dot dhimbjen, nisa të çaloj. Kjo ishte hera e parë që unë u detyrova të ndërpres garën.
Në stërvitje ëndërroja se si do të ishte finalja e madhe. Mendoja ndryshimin e marshit në finish. E ëndërroja shumë. Mendoj se gjërat janë psikologjike dhe bashkë me punën e madhe të sjellin suksesin. Rezultatet nisën të vinin gradualisht deri sa kulmuan me vendin e dytë në Amstërdam. Ishte diçka vërtet e jashtëzakonshme. Për here të parë mora medalje që nuk e kishte marrë askush në Shqipëri. E dyta në Europë.
Kthimi im në Shqipëri në mesin e natës nuk u shoqërua nga zyrtarë, kjo për shkak se duhej të priteshin testet. Kjo nuk më pëlqeu aspak sepse jam ndër të vetmet sportiste në vend që kontrollohem rreptësisht nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës.
Por kjo nuk i pengoi njerëzit e thjeshtë që të ishin aty me mua. Ishte kënaqësi t'i shikoje ato pranë meje duke festuar.
Pas kthimit nga Holanda me medaljen e argjendë, mora dhe një dhuratë të hidhur, prishjen e pistës së vetme të kryeqytetit, stadiumin "Qemal Stafa".
Mungesa e terreneve në atletikë mbetet një problem. Tashmë duhet të shkoj në Elbasan për t'u stërvitur. Duhet të përballoj stresin e rrugës vajtje-ardhje, angaritë e ndryshme, etj.
Nga mungesa e një piste në Tiranë jam stërvitur dhe te Shkolla e Bashkuar në një terren me gurë. Si pasojë kam nxjerrë dy herë kaviljen.
Infrastruktura është mungesa e madhe, por ka edhe mangësi të tjera. Trajneri im është i detyruar të bëjë masazhatorin dhe fizioterapistin. Të ardhurat që mundësohen nga bashkia apo nga turnetë e ndryshëm mundohem ti menaxhoj për lëvzjet në periudhën e dimrit, ku duhet të shkoj në vendet me temperaturë optimale.
Gjithsesi këto janë probleme të cilat na kanë shoqëruar gjithnjë. Unë nuk i shikoj gjërat me pesimizëm edhe pse natyra ime i përjeton shumë zhgënjimet.
Duhet të inkurajojmë brezim e ri që të merret me sportin e atletikës. Dhe kjo kërkon infrastrukturë dhe motivim. Unë kam fatin të kem në genin tim një vajzë të talentuar që premton shumë për të ardhmen.
Ajo është Redia Dauti, kushërira ime e vogël është kampione e ballkanit edhe pse eshte vetëm 16 vjeçe.
Rezultatet e saj kanë kapur normën e garave për të rritur. 3000 metra me pengesa është gara e saj. Në garim i kalon pengesat shumë më mirë se sa unë. Jam rritur me kushurirën time dhe ajo më shikon si idhull. Kjo më jep kënaqësi të jashtëzakonshme. Jam krenare dhe e lumtur për rezultatet e saj.
Pandemia nuk do e ndalë dot sportin. Olimpiada është vendi që po na pret për sfidën e radhës dhe unë do jem gati.
Atletika tek unë erdhi si pasion. U projektua si profesion dhe u konkretizua me medalje.
Ëndrra vazhdon...
Nga Luiza GEGA
(atlete)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar !