Lindita Prenga Hoxha

 
 

 



Publikuar më 06.12.2021

Sporti është jeta ime, sepse  kam luajtur edhe kur brenda meje po rritej  një jetë tjetër.  Në sezonin 95-96 isha shtatzënë dhe gjashtë muajt e parë u stërvita dhe luajta pa asnjë pengesë me ekipin e Mirditës. Madje në fushë gjatë gjithë fazës së parë mbulova rolin më të vështirë, lojën në qendër. Sulmi, mbrojtja dhe organizimi kërkonin sakrificë, dhe kjo erdhi fale adrenalinës që po më jepte fryma që po rritej në barkun tim. Më pas u shkëputa në muajt e fundit të shtatzanisë. Ndërkohë ekipi i Mirditës ndodhej në situatë të vështirë në fazën e dytë dhe rrezikonte të binte nga kategoria. Sapo kisha lindur dhe nuk isha pjesë e ekipit. Nuk qëndrova më shumë se tri javë pas lindjes dhe u riktheva në lojë pa menduar dy herë  për veten se çfarë mund të më ndodhte. Trupi im kërkonte më shumë kohë që të stabilizohej, por kjo nuk ishte shkak për të më ndaluar që të kontribuoja për ekipin tim. Atë sezon arritëm të shpëtonim nga rënia.  E gjitha kjo nuk mund të ndodhte nëse volejbollin nuk do e  konsideroja si pjesë të pandashme nga jeta në 28 vite karrierë në parket. 

E nisa kështu historinë time për të treguar se u linda dhe u rrita në vendin ku ky sport është kthyer pothuajse në një mit.

Isha vetëm 14 vjeçe kur trajneri i Mirditës më besoi minutat e para në parket. Luanim në Shkodër për gjysmëfinalet për  kupën e Shqipërisë. Emocionet dhe përgjegjësia u shtuan shumë kur kuptova se do luaja  me vajza më të mëdha në moshë. Këto vajza u bënë mbështetja dhe shtysa për sukses . Sapo u futa në fushë, Arjana Arapi, volejbollistja emblemë e Minatorit, më pasoi topin dhe gjuajtja ime u finalizua në mënyrë perfekte ....  Ishte goditje fantastike! Kjo goditje, edhe pse u pasua nga mijëra të tilla në 28 vite karrierë, mbetet si fotografi e shenjtë në kujtesën time.

Ka disa çaste në jetë që i japin udhë pasioneve tona. Është e pamundur që një fëmijë të mos ketë një pikëtakim me volejbollin në Mirditë. Në fëmijërinë time të hershme, fusha me parket qymyri ishte vendi i përzgjedhur ku shkoja për të parë Minatorin. Isha vetëm 10  vjeçe kur pashë për herë të parë ndeshjen e kësaj skuadre. Ishte si një frymëzim që ushqen ëndrra të bukura. Dëshira për t’u bërë pjesë e këtij sporti elitar u rrit bashkë me mua. Nisa ta shikoj ndryshe volejbollin, tashmë jo me syrin e një admirueseje, por me syrin e një vajze që falë karakterit dhe fizikut duhet të  prekja ëndrrën për të qenë protagoniste në fushën me qymyr. Kisha duartrokitur me zemër sukseset e vajzave të qytetit, tani ishte koha të zbrisja në fushë dhe të rrëmbeja duartrokitjet e tyre.

Ka një vend në qytet ku ndalem çdo ditë me shpirtin plot emocion. Është si një strehëz e bukur kujtimesh. Është pallati i sportit që sot mban emrin e Arjana Arapit, volejbollistes që shkroi historinë e një qyteti, prej së cilës pata fatin të marr pasimin e  parë që solli dhe suksesin tim në zanafillë të karrierës. Me këtë godinë është i lidhur ngushtë një qytet i tërë. E ashtu të lidhura ngushtë janë edhe kujtimet e mia. 28 vite karrierë me një ekip, me një qytet. Aty ku unë u linda, me dashurinë e nënës u mbrujt dashuria për jetën dhe pasionin tim për këtë sport. Volejbolli ka shënjuar gjithe jetën time.
Unë jam një nga ato vajzat e panumërta që e duan volejbollin pa kushte.


Qyteti im nuk  përfaqësohet nga një familje, por nga të gjitha ato vajza dhe ato njerëz që e zhvilluan dhe trashëguan volejbollit  brez pas brezi dhe ngritën traditën e bukur në këtë qytet të vogel, por me dashuri të madhe për këtë lojë. Sot ndihem krenare që jam në mesin e atyre vajzave që u rrita me dashurinë për këtë lojë.
Familja ishte mbështetja ku gjeta përkrahjen e duhur që në fillim.  Prinderit nuk i kam pasur sportistë, por më kanë ushqyer me dashurinë dhe pasionin për sportin. Ishin ata që më shoqëronin teksa unë ushqeja ëndrrën time për këtë sport. Shumë shpejt besimi tek vetja u bë udhërrëfyes që shtroi të ardhmen.

Trajneri i parë ishte i apasionuari Haki Halili. Ai ishte i palodhur për të përzgjedhur dhe mësuar brezin e ri duke dhënë çdo gjë si trajner. Ai ndikoi te rritja ime si sportiste. Në fillim isha e emocionuar që thjesht po stërvitesha, por më pas natyra ime më shtynte të isha kërkuese ndaj asaj që doja të arrija. Ndeshjen e parë me të rejat e luajta me Lushnjën për kupën "RINIA". Isha një vajzë në klasën e shtatë me emocione të mëdha, po  karakteri i fortë më bëri të luajta me pasion. Falë fizikut të fortë dhe kërcyshmërisë që kisha, pozioni në fushë ishte "shutere". 

Stëvitesha dhe punoja shumë për të arritur më të mirën. Ego rritej dhe mezi prisja momentin, ekipin e parë. Dhe ky moment erdhi në moshën 14-vjeçare, kur kalova në ekipin e parë të të rriturave me trajner Pashk Biba. Më pas punova me shume trajnerë  të tjerë që ndikuan në rritjen profesionale, si:  Preng Toma , Ilir Cirinaku, Fatmir Sharofi, Artan Pogoni, Hasan Gurabardhi, Edmond Jazexhi,  Altin Mertiri. Gjithmonë kam besuar se sekretet e suksesit në volejboll varen nga karakteri, puna, fiziku dhe ana psikologjike. Nuk do t’i harroj kurrë  momentet që kalonim me vajzat në stërvitje, ndeshjet, sportdashësit e mrekullueshëm të qytetit, të cilët na ndiqnin në çdo ndeshje si në fushën e qymyrit ashtu edhe në pallatin e sportit. Luaja me vajza të shkëlqyera në një ekip fantastik.

Në kujtesë kam  ndeshjen me Dinamon e pathyeshme të asaj kohe, kur fituam 3 me 2. Me ne luante dhe lojtarja legjende e Vllaznisë, Nora Deda, e cila mbajti të veshur bluzën e Minatorit për shumë vite.... Jeta ime në volejboll u bë akoma më e bukur kur me mua, për disa vite, luajti dhe motra ime Ela. Vollejbolli i dha jetë pasionit dhe realizoi ëndrrën e jashtëzakonshme.
Sot jetoj me të njëjtin pasion. Largimi nga volejbolli i luajtur nuk më ndau nga kjo lojë, sepse për një vit më pas arrita të drejtoj skuadrën e parë të Minatorit, ku u shpallëm fitues të Kupës së Fedetatës  dhe dy turneve në Malin e Zi dhe Kosovë. Gjithashtu u shpallëm fitues në Kampionatin Kombetar për sezonin sportiv 2019- 2020.
Nuk e kam ndjerë  dhe nuk e shikoj në ansjë rast veten larg këtij sporti dhe kështu do jem gjithnjë. Sot këtë pasion dua fort ta transmetoj tek të rejat që stërvis. Kur shikoj fëmijët, mbushem me pasion e frymë si te isha përsëri ajo vajza 10-vjeçare që e adhuronte volejbollin dhe  të madhen Ela Tase. Sot si mësuese e edukimit fizik në shkollë dhe trajnere me moshat është një ndjesi ndryshe, por e bukur. Të punosh me moshat e reja dhe t’u transmetosh atyre pasionin dhe dashurinë për sportin e bukur të volejbollit është ndjesi e veçantë.  Dua t’u mësoj atyre se pasioni dhe karakteri janë vetëm njëra anë e medaljes. Pasi kjo nuk mjafton, duhet shumë serozitet dhe shumë stërvitje për të pasur sukses.  Kushtet stërvitore janë më të mira sot, por duhet punë dhe vullnet.
Shpesh u them vajzave se sporti i volejbollit është mjaft tërheqes, ku ndërthurja e elementeve teknikë, zhdërvjelltësia, lëvizshmëria, kërcyshmëria, forca, reflekset dhe karakteri janë elementet bazë. Por mbi të gjitha duhet të ndihesh i motivuar. E mbështetja kryesore buron në familje. Zanafilla e një sportisti është në fëmijëri e në këto kushte duhet mbështetja e njerëzve më të afërt. Ashtu siç e kam pasur edhe unë familjen mbështetjen time më të madhe. Prinderit, më pas bashkëshorti dhe dy djemtë e mi kanë qenë frymëzim për pasionin, i cili është dhe profesioni im.

 Sporti i volejbollit në qytetin tonë tashmë është kthyer sport tradite, sepse falë kembënguljes dhe pasionit  tonë, i rezistoi fortunave të kohës.... Volejbolli në Mirditë nuk filloi me ne dhe nuk mbaron me ne, pasi historia e tij është e hershme me vajza sportiste që e ngritën traditën e këtij sporti me shumë mund dhe sakrifica dhe që nuk harrohen kurrë. Ato i dhanë shpirtin sportit të këtij qyteti. Ndihem e lumtur që kam qenë dhe jam pjesë e kësaj historie, e cila vazhdon. 28 vitet e mia si sportiste u mbushën me emocion, vështirësi, pasion. Ky pasion ka nisur një rrugë tjetër, tashmë si trajnere, pasion që në krah ka dhe armën time më të mirë, karakterin....


Nga

Lindita Prenga HOXHA

(ish-volejbolliste, trajnere)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!