Xhihan ADILI

 





Publikuar më 01. 05. 2022

"Ai nuk dëshiron që ti të kthehesh në shtëpi para se të perëndojë dielli. Nuk e pranon dot faktin që ti endësh rrugëve. Do të bërtasë, madje mund të mos lejojë më të dalësh jashtë pa të", më thonte shpesh mami për babin kur isha i vogël. Por unë isha i gatshëm të përballesha përditë me britmat e tij, sepse kisha diçka më shumë që më motivonte, lojën e bukur të futbollit, lojë e cila më kishte mbërthyer fort pas vetes.
Gjëja e parë që bëja sapo hapja sytë ishte prekja e topit. Mjaftonte vetëm një copë bukë në dorë për të marrë energjitë e duhura për gjithë ditën.
Loja ime nisi në moshën 5-6 vjeç në lagjen ku jetoj dhe tani. Mezi prisja të dilja nga shkolla dhe të përballesha me topin sa më parë. Por familja nuk më përkrahte në fillim. Ata nuk më kushtonin shumë rëndësi në ëndrrën time që ende e kam të freskët nga fëmijëria.

Një ditë një shok më tha se kishin nisur regjistrimet për fëmijët që donin futbollin. Nuk do e harroj kurrë atë moment kur menjëherë mora babin në telefon. Im atë ishte në punë dhe unë nga ana tjetër e telefonit flisja për pasionin e madh. Më dukej shumë e gjatë dita dhe orët e pafundme në pritje të babit që të kthehej atë ditë nga puna. Isha shumë i gëzuar dhe vendi nuk më mbante. Sapo erdhi i drejtohem me gëzim: "Kam vendosur të zgjedh rrugën e futbollit. Dua të regjistrohem në klub futbolli sepse ëndërroj vërtet diçka të madhe". Babi me shumë sinqeritet dhe shumë dashuri me tha: "Biri im kjo rrugë që po zgjedh ti është një rrugë tejet e gjatë. Duhet ta dish që kjo punë nuk do arsyetime, por kërkon punë ekstreme për të arritur diçka në jetë". Pa hezitim nisa të qaj kur ai më këshilloi me fjalët e tij. 

Por nga ana tjetër, nga ai moment nisa ta prek ëndrrën në realitet. Me shumë seriozitet e kisha gjithnjë me vete këshillën e babit. Duhej të punoja shumë për të arritur atje ku doja. U regjistrova në klubin e futbollit me gëzim të jashtëzakonshëm.


Kur udhëhiqemi nga ëndrrat shpeshherë nuk i ndiejmë pengesat. Dhe unë nuk i ndieja pengesat e fillimit. Fusha e stërvitjes ishte 17 kilometra larg shtëpisë dhe më duhej çdo ditë ta përshkruaja këtë largësi më biçikletë. Por çuditërisht në asnjë rast rruga nuk ishte e mundimshme, madje më dukej shumë e shkurtër. Kaloja gjithnjë pranë lumit me malet e larta.

Aty mbushesha me optimizmin për të ndjekur rrugën që kisha nisur
Motivimi brenda meje ishte i madh për të ndjekur atë që doja. Pedaloja përditë me gëzimin e pandryshuar. Doja të isha gjithmonë atje, duke u stërvitur.

"Gjithsecili nga ju duhet të punojë si ky djalë për të arritur diçka në jetë.  Ky lojtar me sakrificën që bën përditë, me një këmbë do luajë në formacion, sepse e di se sa mund po mban trupi i tij dhe sa i përgatitur është në aspektin fizik", thonte trajneri im Alisa Vishi, i cili i referohej sakrificës për rrugën e gjatë që bëja përditë vajtje-ardhje me biçikletë. Ai shikonte gjithashtu se sa me pasion punoja në stërvitje. Trajneri i donte lojtarët që punonin shumë. Pas çdo seance e pyesja se çfarë duhej të rregulloja dhe se si ishte paraqitja ime, kjo për tu përmirësuar. Në disa raste më merrte si shembull para ekipit.
Mbaj kujtime shumë të bukura nga ajo kohë. Ishim ekip spektakolar dhe rezultatet ishin pothuajse të gjitha fitore.

Por edhe pse ishim më të mirët, në një ndeshje fantastike nuk arritëm të mërrnim fitoren e merituar për të kaluar në finalen e kampionatit të moshave. Por ky është futbolli, të cilin duhet ta pranojmë edhe kur rezultatet nuk i përgjigjen lojës.
Që në fillim u aktivizova në mësfushë, pikërisht rolin ku luaj tani. Por nuk e kam problem të luaj dhe mbrojtës i djathtë.


Në çdo eksperienë të re, ditët e para janë të vështira. Duhet adoptim emocional deri sa të përshtatesh me ambjentin e ri. E tillë ishte dhe ekipi i Shkupit, që më priti shumë mirë. Më njohën si një lojtar të përkushtuar dhe më mbajtën shumë pranë. Ditët e para i kalova mes emocioneve të shumta.

Nuk do e harroj kurrë momentin kur nënshkrova kontratën e parë si profesionist me Shkupin.
E shijoj shumë fushën, jo vetëm në ndeshje zyrtare, por edhe kur stërvitem. Klasi i lojtarit të Çelsit, Ngo Kante është pika e referimit në vizionin që kam për futbollin. 

Gjithmonë duhet të kemi shembuj, por më e rëndësishmja është të kapërcejme veteveten për tu bërë më të mirë.
Dëshira është që në momentin e duhurr të luaj në futbollin kroat, sepse është trampolina për të kaluar në një ekip më të madh. Por për këtë duhet të rritem. Kjo është arsyeja e transferimit tek Korabi, në mënyrë që të fitoj sa më shumë eksperiencë. Kalimi tek Korabi ishte vendim i shpejtë, por i mirëpritur.

Këtu gjeta gjithçka që mund të marrë një lojtar në moshën time. Gjeta veten time dhe tashmë ndihem i lumtur që jam me këtë klub dhe në këtë qytet. Ngjyrat e fanellës janë si ekipi i Tironës, skuadra që pëlqej. Gjithashtu me Korabin zhvillova dhe ndeshjen e parë si profesionist. Përballë ishte Vardari, emri i madh i futbollit në vendin tim. Në 90 minuta dhashë më të mirën, ku emocionet nuk u bënë pengesë, sepse në tribunë si mbështetje kisha mbështetjen e familjarëve, një djesi e pashpjegueshme.
Ata janë kthyer tashmë mbështetja më e madhe në rrugën me emrin futboll. Paraqitjet e mia kanë bërë që të grumbullohem dy herë me kombëtaren, por mungesa e ftesës së radhës më la një shije jo të mirë. Sepse mungesa e ftesës nuk erdhi për shkakun tim, por për arsye të tjera. 

Gjithsesi e di që kjo nuk duhet të jetë pengesë, apo demoralizim, sepse duhet të rritem edhe më shumë për të kaluar edhe digat artificiale që mund të na dalin përpara. Duhet luftuar fort për atë që duam dhe unë këtë po bëj.
Çdo ditë punoj më shumë, besoj tek ëndrra,  sepse me vete mbaj gjithnjë këshillën e babit.


Nga

Xhihan ADILI

(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)