Klodiana SHALA

 

 



Publikuar më 09.09.2020

Kur je fëmijë mendon vetëm për një gjë, ëndrrat. Edhe unë e kisha një të tillë, të cilën e ndoqa me sprintin tim deri në limite. Vrapoja, vrapoja dhe vetëm vrapoja. Kjo më jepte ndjesinë e lirisë. 

Nuk njihja kundërshtare në vrapin tim, në të gjitha spartakiadat e zhvilluara isha gjithnjë një hap para të gjithëve, në shkollë dhe më pas në gjithë Shqipërinë. Shpirti im i sapo ekspozuar në jetë nisi ta kthente ëndrrën në realitet. 


Por nuk ishte dhe aq e lehtë për qënien time të isha aq e lirë sa ëndërroja. 


"Babi, dua të bëhem atlete. Jam e para në të gjitha spartakiadat e zhvilluara në shkollë". 


"Ëndërroj të përfaqësoj Shqipërinë në Olimpiadë", ishte kërkesa e vazhdueshme ndaj babit tim. 

Por, thirrja ime ishte e zbehtë përpara fanatizmit që u shfaq përballë meje.


 "Jo, nuk mund të kesh sukses në këtë sport. Përqendrohu tek shkolla, atletika është humbje kohe", ishte përgjigja e tij. Nisa të dridhem nga "muri" i paarsyeshëm. Shpirti po më digjej nga inati.


 Por ëndrra ime kishte nisur fluturimin. Ajo zgjoi guximin dhe e kaliti që të mos ndalej. 


Në krah më erdhi aleatja ime më e mirë, mami, e cila mu gjend pranë. 


Ndërmora një mision të vështirë. Për tri muaj radhazi u stërvita fshehtaz babit. Ai nuk besonte, ishte skeptik për suksesin tim në këtë sport. Mami qëndroi stoike krah meje, ajo besoi dhe më ndoqi në çdo moment për tri muaj radhazi. Nisa stërvitjen për arritjen e normave në atletikë.


 "Ku po shkoni ju të dyja" na pyeste babi. "Po shkojmë nga tezja", i thonim. 


Për të shmangur fanatizmin e tij, bashkë me mamin bënim sikur shkonim tek tezja, ndërkohë që unë ushtrohesha në stërvitje. Por nuk duhej shumë kohë që mosbesimi dhe fanatizmi i babit të thyheshin. 


Si me çelës, qëndrimi i tij ndryshoi pasi unë kapa normat e të rriturve në 800 metra, më pas në 200 dhe 400 metra. Pasi triumfova me rezultatet e mia si atlete, rolet e prindërve të mi u ndryshuan. Im atë nuk la asnjë media pa dalë dhe pa treguar me të madhe se unë isha vajza e tij. 


Ëndrra ime kishte thyer murin e fanatizmit dhe skepticizmit. Babi më ndoqi në çdo stadium ku kisha sfidë më pas, ndërsa mami nuk u duk më në garat e mia. 


Fluturimi im drejt ëndrrës nisi të ecë shumë shpejt. Në moshën 14- vjeçare mbajta flamurin kombëtar duke udhëhequr ekipin shqiptar në lojrat olimpike rinore ne Bath të Anglisë. 


Isha e hutuar, e trembur dhe nuk po orientohesha dot. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte. Kapërcimi nga bankat e shkollës tek përfaqësimi i Shqipërisë në Olimpidë ndodhen shumë shpejt. 


"Çfarë po ndodh kështu, mos jam në ëndërr?", thoja me vete. 


Në të vërtetë isha në ëndërr, por me një ndryshim. Ëndrrën po e jetoja. 


Sikur mos të mjaftonte ky turbullim, më ndodh një situatë e çuditshme në qendrën e qytetit anglez. 


Po lëvizja pas stërvitjes me çantat në krahë. Papritur vjen dikush dhe më kërkon ti blija një stilolaps. Në rregull i them, dhe i blej stilolapsin. Menjëherë më rrethojnë katër policë të cilët qëndronin mbi kuaj.


 "Jo", thashë me vete, nuk ka mundësi. "Po tani çfarë bëra"? 


Policët  më pyetën. "E kërkove ti ta blije stilolapsin, apo ai"? 


U tremba shumë. Por me shpirtin e guximshëm të kalitur tashmë iu dhashë përgjigjen e duhur për personin që shiste lapsat. Ai mund të arrestohej nëse do të thoja të vërtetën.

 
U tremba shumë, por në atë moment në mënyrë instiktive bëra zgjedhjen e duhur për ti ardhur në krah një personi që nuk e njihja, por për një qëllim jetik ishte aty me lapsat e tij. 


Pas eksperiencës sime të parë në një turne ndërkombëtar, kthehem në Shqipëri. Rinis stërvitjen në terrenet e ashtuquajtura sportive. Them kështu sepse ne nuk kemi pasur terrene normale për tu stërvitur, ne nuk e njihnim tartanin. 


Unë stërvitesha në asfaltin e liqenit artificial. Po, po, atje. Goditjet që merrja në këmbët e mia ishin premisa e dëmtimeve në gju. Ishte pikërisht ky shkak që ndikoi shumë në karrierën timë të mëvonshme. 


Ekzistonte diçka shumë e fuqishme brenda meje që të mos dorëzohesha kurrë në rrugën e ëndrrës sime. Mes vështirësive të shumta rezultatet ishin mbresëlënëse duke thyer rekordet kombëtare, shumë prej tyre ekzistojnë ende edhe sot. Vlerësimi ndërkombëtar ndaj meje në atë kohë ka qenë shumë i madh, por unë paguhesha vetëm 150 mijë të vjetra nga Federata Shqiptare e Atletikës. Kjo shumë nuk dilte për ujin që pija, jo më për djersën që derdhja. 


U konsiderova ndër 10 sportistet më të talentuara të botës. Për talentin tim u akordua një bursë nga (IOC), 1200 dollarë në muaj. 


Por kjo bursë u çmontua rrugës nëpër labirintet e Federatës Shqiptare të Atletikës dhe në fund tek unë vinin vetëm 200 dollarë. 


Jo.... As këto veprime demoralizuese nuk mjaftuan të ndërprisnin pasionin tim. Nisa të shfrytëzoj mundësitë për tu stërvitur jashtë kufijve të Shqipërisë.


Pra, stërvitesha jashtë kufijve me mundësitë e mia, për të mbajtur lart flamurin kuq e zi. Nuk jam bërë pishman për këtë fakt, përkundrazi jam shumë krenare. Por, gjithashtu jam në mbështetje edhe të sportistëve shqiptarë që zgjodhën të përfaqësonin ngjyrat e shteteve të tjera. Nuk jam dakord kur thuhet se ata janë tradhtarë. Jo. Nuk mund ti thuash tradhtar sportistëve sepse shteti i tyre nuk diti ti mbante. 


Mungesa e kushteve, terreneve dhe mbështetjes nga të gjitha anët ishin kundërshtarët më të këqinj të sportit. Ata e demoralizonin dhe pengonin suksesin e një sportisti.

 
E dini se ç'dodhte me një atlet shqiptar pasi kryente stërvitjet në Shqipëri dhe më pas zhvillonte gara jashtë vendit? 


Në lojrat Olimpike në Sidnej 2000 isha flamurtarja e Shqipërisë. Një emocion i jashtëzakonshëm. Më dridheshin duart dhe trupi nga emocionet. Gara ime zhvillohej pas disa ditesh në orën 9 të darkës. 


Bëhem gati, dal nga dhoma e ndërrimit dhe nisem drejt tunelit për në pistë. Afrohem ngadalë pranë tribunave të stadiumit gjigand dhe ç'të shikoj. Asnjë vend i lirë. Pyes veten: "Po unë ç'dua këtu? 


Nuk jam për këtë vend. Jam në vendin e gabuar", thoja me vete dhe mes lotëve bëra hapa pas. 


Shoqëruesit më kapën prej krahësh dhe me thanë se gara zhvillohej përpara dhe jo pas. Isha e frikësuar, e turbulluar. 


Kisha veshur atlete me thumba. Në pistën me tartan, atletet e mia ishin të papërshtatshme. U pengoja dhe mezi ecja. Isha mësuar me pistën me dhe të kuq të "Qemal Stafës" që ishte zakonisht bosh për garat e atletikës. Aty nuk isha në Shqipëri, isha në Australi. Ecja ime nuk kishte lidhje me atletizmin në atë moment.

 
"Si mund të vrapoj, kur nuk arrij të eci në këtë pistë"?, thoja me vete.


Nisa të pushtohem nga sikleti i shumëfishtë.

 
Ashtu, e kapur prej krahësh nga shoqëruesit, duke qarë dhe duke u penguar nga thumbat u vendosa në pistë për garën time.


Kjo ngjarje më ka mbetur si pasqyrë para syve të mi. Ky është një shembull që tregon se çfarë reflekton një sportist në garë kur stërvitet në kushte antisportive, pa mbështetje dhe pa asgjë.


Londra ka qenë një nga pishmanet e mia. Aty e nisa dhe aty e përfundova karrierën time. Kisha kapur rezultatet më të mira dhe do isha në gjysmëfinale. Por dhimbjet e gjurit më penguan. Ky problem i gjatë solli edhe shfaqjen e problemeve në shtyllën kurrizore. Si pasojë kur prisja të arrija rezutate të shkëlqyera, nuk u drejtova në pistë për garë, por në sallën e operacionit. 


Për mua ishte një bombë. 


Jam operuar nga gjuri edhe dy herë të tjera, Shkak ishin terrenet. Goditjen që kam marrë nga stërvitja në asfalt ishin fatale për karrierën time. 


Por në momente delikate ka gjithnjë situata komike. 


Me dhimbjen e gjurit dhe shtyllës kurrizore isha ulur në minibarin e hotelit duke pritur doktorin. Pranë meje vjen një sportist dhe interesohet duke me pyetur se nga isha apo me çfarë sporti merresha. Pas tij nga larg fizioterapisti i ekipit, Mel Ostreni ma bën me shenjë që ti kërkoja të bëja foto më sportistin. Unë isha në siklet,  më dhimbje gjuri dhe shpine, ndërsa ai ma bënte me shenjë të bëja foto. 


Pasi iku lojtari holandez, Ostreni erdhi duke bërtitur me të madhe: "Çfarë ke humbur...", më tha. 


Kisha humbur një foto me një lojtar të madh holandez. Por dhimbjet dhe sikleti im ishim shumë më të mëdha sesa deshira për të bërë foto në të moment. 


Në lojrat olimpike të gjithë  sportistët rrinin bashkë. Aty mund të takoje yjet e tenisit, futbollit, basketbollit etj.

Sportisti është ambasadori më i mirë i një vendi. Ai duhet të mbështet fort.


Çfarë dua të them mbështeje? 


Përpara se të ikja në Olimpiadën e Sydney 2000 kërkova të ndiqja  studimet universitare në fakuletetin ekonomik. 


Nuk ma dhanë këtë mundësi. Ndërkohë që në të gjithë botën funksionon ndryshe, ku sportisti  elitar konsiderohet vlerë nëse ulet në auditoret e universiteteve. 


Mundësitë te sportistët janë të limituara, prandaj mbështetja është jetike, sidomos nga ana finaciare. Pampuri i madh, heroi olimpik, iku nga kjo jetë pa pasur asnjë pension. Iku nga kjo jetë duke punuar roje në një institucion. Në Shqipëri është një ligj për sportistët dhe pagesat ndaj tij, por ky ligj është zhvlerësuar gradualisht rrugës. Olimpistët janë me gishta në Shqipëri, janë ata që kanë ngritur lart emrin e Shqipërisë me rezultatet e tyre. Ata e kanë përfaqësuar dhe e përfaqësojnë vendin në radhë të parë duke derdhur djersën e tyre dhe duke kapur normat ndërkombëtare, pra, shkojnë atje me talentin e tyre dhe me emrin Shqipëri.  Nuk duhet të shkojmë larg për të parë sesi funksionon marrëdhënia Shtet-Sport. Mjafton të shikojmë Kosovën ku janë bërë ligje të posaçmë për sportistët. Mendoj se për olimpistët, që numërohen me gishtat e dorës duhet të ketë një ligj të veçantë për pensionin e tyre. 


Para disa vitesh doja të themeloja një shoqatë. Nga peshëngritja filluan kundërshtrimet. 


"Pse ti dhe jo ne?", ishte përgjigja dhe si pasojë nuk u bëmë bashkë për të ndërtuar një organizëm të tillë. Ne nuk kemi qenë bashkë si sportistë. Arti dhe sporti janë një, por artistët ndryshe nga ne mblidhen bashkë kur kanë probleme për të zgjidhur.

Kur kujtoj këto problematika shkëputem mënjëherë dhe rikthehem në kujtimet e mia, në ëndrrën time. Kujtoj rekordmenin botëror Usain Bolt që bënte shaka në autobuz në olimpiadën e Pekinit. Ai tundte autobozin e sportistëve duke krijuar efektin e tërmetit. 


Të gjithë u trembëm në fillim, më pas u argëtuam. Ishte sportisti që mbante në entuziazëm të gjithë sportistët, pavarësisht nëse ata ishin somalez, kenian, gjerman, kanadez apo kushdo qofshin. 


Ai, imazhi botëror i një rekordmeni absolut, mbi të gjitha ishte një shembull se çdo të thotë të jesh njeri. Vlera që e bën njërëzimin të ecë përpara. Ja se çfarë është në gjendje të bëjë sporti. Imazhi i sportistit ngrihet shumë lart bashkë me vendin që përfaqëson.


Në rrugën time kam shumë kujtime të ëmbla, të cilat kanë qenë si kundërpesha e problemeve të hasura. Nëse do të pengohesha në pasionin tim, nuk e di se çfarë do të bëhesha. Dëshira ime do ishte këngëtare ose gazetare.

 
Zgjohem me muzikë dhe fle me muzikë, por nuk kam vesh muzikor. Kur këndoj me kufje, shpesh më thonë. "Provo të heqësh një kufje që të kuptosh sa keq këndon".
Kur jam me kufje më duket vetja sikur  po sfidoj Eranda Libohovën. Por jo, thjesht jam një zhurmuese pasionante.

 
Si gazetare mendoj se do bëja më mirë. Do bëja mirë, të paktën rekordet e mia nuk do i transformoja. Këtu mjafton njëri të bëj lajm dhe të tjerët e bëjnë copy-paste pa hulumtime. Nëse është gabim, në këtë rast gabimi shumëfishohet.


 "Me talentin që disponon kjo atlete, nëse do të ishte stërvitur me kushtet e një vendit tjetër, sigurisht që do të ishte ndër 3 sportistet më të sukseshme në botë", këto janë fjalët e gazetarit sportiv për mua përpara garës në Spanjë ku munda atleten ruse.


Gazetari bëri një prezantim fantastik, ku dinte edhe rruget e lagjes ku isha rritur. Ai ishte shëmbulli i gazetarit që doja të isha. Gjykimi i tij në dukje subjektiv ishte shumë objektiv. Gazetari kishte investiguar historinë time. Ishte njohur me vështirësitë nisur nga mungesa e kushteve stërvitore dhe mungesa totale e mbështetjes. Këto informacione e kishin dërguar në këtë konkluzion.

Kujtimet e mia nga atletika janë të pafundme dhe të përziera. Ndihem shumë mirë sepse kudo ku shkoj kam një imazh që më bën të ndihem e lumtur. 


Më njohim fëmijët dhe kjo është krenaria më e madhe që më ka dhënë karriera sportive. Kudo ku shkoj njerëzit shprehin respekt.


 Paraja është e rëndësishme, por respekti është vlerë që nuk blihet. Unë e kam fituar me djersë dhe sakrificë. 


Ëndrra ime fëminore më dha Krenari dhe Respekt!

 

 

Nga Klodjana SHALA 

(ish-atlete, rekordmene)




Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !