Ertan DEMIRI

 

 

 


Publikuar më 22.08.2021

Vitet pas meje mbajnë me vete pasionin tim, pasionin e jetuar, me të cilin u rrita, luftova dhe nuk u ndala në asnjë moment edhe kur përpara meje skepticizmi kërkoi të më demoralizonte. 

Për herë të parë si futbollist jam futur në një fushë të madhe futbolli vetëm në moshën 18-vjeç. 

Po, po e vërtet, në këtë moshë jam regjistruar në klubin e futbollit Besa nga Saraji, në Maqedoni (sot Maqedonia e Veriut). Ndeshja e parë ishte shumë, shumë e çuditshme. Nuk dija nga të vrapoja në një  fushë aq të madhe, e cila më dukej e pafundme. 

Tranjeri Bedri Salihu u mundua të më qetësonte duke më dhënë këshillat e tij. Ai më qërtonte shpesh edhe për mënyrën e  vrapimit. Kërkonte diçka ndryshe nga stili im. 

Nuk u ndjeva aspak mirë në fillim, sepse rreth meje skepticizmi ishte i madh dhe demoralizues edhe për shkak se futbollin e kisha nisur në moshë të madhe. Shpesh mendoja që më mirë të luaja në lagje me topin e bardhë që daja më kishte sjelle i vogël për dhuratë nga Zvicra se sa të stërvitesha në klub. Në lagje kisha mundësi të zgjidhja shokët e ekipit, ndërsa në klub nuk kisha asnjë mundësi të zgjidhja, atë e vendoste vetëm trajneri. Por ditët kaluan dhe pasiguria ime u zëvendësua gradulisht me egon, e cila rritej vazhdimisht. Nisa të përkushtohem shumë për të rritur cilësitë dhe për të shfrytëzuar talentin që disponoja.  Prindërit, edhe pse në atë kohë nuk kishte shumë informacion se si duhej ushqyer një sportist,  u përpoqën maksimalisht që të më gjendeshin pranë duke mi plotësuar të gjitha kushtet. Ishin një mbështetje e jashtëzakonshme në momentet delikate. 

Pas 6 muajsh kalova tek Slloga (Shkupi sot), ku me priten mirë, por sërish me skepticizëm. Tek Slloga qëndrova pesë sezone. dhe për dy vite pa asnjë lek. Isha lojtar që ndiqja pasionin edhe pse në një moshë kur të ardhurat ishin të domosdoshme. Por isha i vendosur për tu bërë një futbollist europian dhe nuk kishte kthim pas. Vardari ishte ura lidhëse që të dërgonte jashtë...U transferova tek ekipi më i mirë maqedon. Emocionet ishin të çuditshme duke e ditur rivalitetin e Sllogës me Vardarin..
Koha kalonte dhe unë sa vija dhe u konfirmoja si lojtar cilësor. Emocioni më i bukur erdhi kur drejtuesit e Vardarit më vendosën shiritin e kapitenit. Një vlerësim i jashtëzakonshëm për një lojtar shqiptar.
Por nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse të luash tek Vardari duhet të përgatitesh edhe për surpriza të pakëndshme, siç ishte dhe një moment i pëjetuar negativisht kur u sulmova nga fansat e klubit.  
Besova tek ëndrra, luftova fort për çdo top, djersita, deri sa erdhi oferta e parë nga Belgjika. Kalimi tek Lokeren ishte realizimi dhe shpërblimi i punës se palodhshme shumëvjeçare.

Fitore dhe asist kundër Anderlehtit në fushën e tyre, dhe kjo që në ndeshjen e parë. Karriera ishte në ngjitje. Ndihesha i mrekulluar nga ecuria dhe realizimi i asaj që prisja nga futbolli. Por momentet delikate që të ndryshojnë jetën e profesionit sidomos në futboll janë gjithnjë udhëtare me ty.
Formë fantastike dhe kulmi i karrierës, por pikërisht atëherë kur nuk e prisja pësova një dëmtim të rëndë. Dëmtimi i kaviljes më kushtëzoi të gjithë karrierën më pas.
Operimi më largoi për 1 vit nga fusha e lojës. Ishte moment delikat dhe stresues.  

Për tu ringritur u bëra pjesë e ekipit Al Tawon. Një përvojë shumë e mirë dhe experience e re në jetë, e cila më dha shpresë se mund të vazhdoja të ndiqja rrugën në futboll.

Edhe atje aventura nisi me asist dhe fitore. Nuk e di pse ndeshjet  e para me ekipet e reja kanë qenë gjithnjë të veçanta për mua, ndoshta edhe forca e besimit ka bërë rolin e vet.
Rikthimi ishte shenja që më tregonte se kisha ende rrugë për të bërë në profesion. Ndjesia e bukur e ndeshjes së parë vijoi edhe tek Tetexi. Luajta kundër Shkëndijës. U shpalla lojtari i ndeshjes me notën 10. Kjo mjaftoi që pas  3 muajsh të transferohesha  tek ekipi tetovar. Ishte kënaqësi dhe privilegj të vishja atë fanellë me ngjyrat kuq e zi, por fatkeqësisht Shkëndija kishte trazira në klub. Luajtëm pa lekë për 1 vit...

U ndodha  para përfundimit të karrierës si futbollist dhe isha i vetëdijshem për këtë. Rastësisht më ofruan një ndeshje për të provuar fatin në Shqipëri..
Më pëlqyen udhëheqësit e klubit Partizani. Firmosa për vit me të kuqte. Goli në derbi mbetet një nga kujtimet më të bukura në karrierën time. 

Fanella e kuqe e ekipit në Shqipëri më rikuperoi sado pak pengun tim, fanellën e kombëtares Shqiptare, të cilën e kisha ëndërr që ta vishja, por kjo u bë realitet vetëm pjesërisht, duke veshur fanellën e Partizanit. Pas njësezoni fantastik duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit erdhi fundi, i cili nuk u mbyll ashtu sikurse doja dhe meritoja. Trajneri Duro nuk me respektoi të paktën as si kapiten të ekipit. Pa asnjë takim u largova sikur nuk ekzistoja, jo me shijën e duhur që një futbollit meriton të ketë. Gjithsesi kjo nuk më pengoi të merrja me vete kujtimet e jashtëzakonshme që më kishte dhënë futbolli dhe tifozeria e në Shqipëri.
Nuk e kam pasur të lehtë të ndahem nga futboli i luajtur edhe pse kam tentuar disa herë. Pas eksperiencës me Partizanin, edhe pse kisha disa mundësi për të luajtur me ekipe të vogla,  më familjen vendosëm bashkarisht që largimi nga futbolli si kapiten i Partizanit ishte krenari.

Familja ishte dhe mbetet mbështetja më e madhe për një sportist. Për këtë ndidhem i privilegjuar që në krah të pasionit kam pasur në çdo moment të dashurit e mi ndaj të cilëve ndihem mirënjohës dhe do i falenderoj gjithë jetën. 

 Futbolli është element i rëndësishëm për jetën. Si prind realisht ka qenë e vështirë të jem futbollist, por në zgjedhje familja asnjëherë nuk me ka penguar. Gjithmone që kur isha i vogël, vendimet i kam marrë vetë.

Kam besuar, dhe besoj shumë. Besimin e kam ushqyer me punë të palodhur për futbollin, besim që më dha forcën e duhur që të mposhtja çdo skepticizëm në fillimet e mia.

Shpresoj shumë që në fushën e lojës të shikoj një përfaqësues nga familja Demiri. Djali im, Omeri i ka të gjitha cilësitë për të me zëvendësuar por edhe për të më plotësuar edhe një ëndërr, kombëtaren kuqezi.

Faleminderit!

 

Nga 

Ertan Demiri

(ish-futbollist)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !