Mirza ALIBEGAJ

 



Publikuar më: 10.06.2021

Të përjetosh sportin në kohët e mëdha dhe midis kaosit të fortë janë momente që njeriut i vijnë rrallë në jetë. 

Sapo kishte përfunduar ndeshja finale ndaj Skënderbeut në Korçë. Fituam titullin me një pikë diferencë. Ishte viti 1991. Atmosfera kaotike përfshiu sallën pas ndeshjes. Pritej të merrnim medaljet si ekip fitues. 

Por u detyruam të futemi me shpejtësi në dhomat e zhveshjeve. Aty morëm medaljet nën një atmosferë tensioni. Por nuk do përfundonte këtu. 

Një kamion ushtarak na priste tek dera. U futëm ashtu shpejt e shpejt midis paqartësive që na kishin pushtuar si ekip. Kaluam Korçën dhe u nisëm drejt Pogradecit. Atje na priste autobuzi ynë me xhamat e thyer totalisht. Gurët nuk kishin kursyer asnjë dritare.  

Vazhduam për në Tiranë mes shqetësimit që na shoqëroi gjatë gjithë udhëtimit. Në atë momente po mendoja për shumë histori të cilat në kohë të ndryshme përjetoheshin ndryshe. Dhe këtë mundësi përjetimi ma kishte dhënë basketbolli. 

Memorja më ktheu dy vite pas me kombëtaren në Austri. Ishte Maj 1989. Bëmë një përfaqësim shumë të mirë. Fituam me Austrinë, Greqinë dhe me Portugalinë. U mundëm me pikë të vogla me Turqinë. Deri këtu ishim në rregull deri sa në dorë na ra një gazetë. Komentet ishin ndryshe nga sa prisnim. Ato kishin lidhje me atletet tona që ishin si modeli i converse( atlete kinese lecke). Për ne ato atlete ishin super të mira dhe në treg nuk i gjeje në Tiranë por vetëm nëpër ekipe kombëtare. Gjithnjë pas mbarimit të ndeshjeve i dorëzonim në federatë. 

E kuptonim që përballë nuk kishim vetëm ekipe shumë të mira, por dhe vajza me uniforma fantastike. Gjithsesi nuk na shkonte mendja që do flisnin gazetat. Më erdhi keq sepse më pushtoi një ndjenje turpi,  por skishim ç'të bënim. Ajo që të bënte të ndiheshe mirë në atë kohë ishte që ne luanim bukur dhe fitonim. Por ky rast ishte relaks kur po e mendoja në autobuzin e kthimit për në Tiranë pas asaj që kishte ndodhur në finalen e kupës. 

Në atë moment kuptova qartë se në jetë sporti të sjell të papritura, të cilat nuk kanë fund dhe kjo në vetvete është e papërsëritshme që asnjë profesion tjetër nuk ta jep. 

Jam rritur që e vogël me topin ngjyrë kaf. Edera, motra ime ishte dhe shkaku që nisa këtë sport. Në ditën e parë të ndeshjes stërvitore të motrës rashë në kontakt me atë sferë, të cilin e bëra pjesë të jetës. Edera ishte pika ku u referuan ëndrrat e mia. Kuptohet isha shumë e vogël për të menduar që një ditë do të bëhesha basketbolliste. 

Në atë kohë dy profesorët Arben Alimemeti dhe Edi Jani erdhën në klasën tonë (në klasë të 3-të ) na matën në gjatësi dhe përzgjodhën 3 djem dhe 1 vajze. Ajo vajzë isha unë. Përzgjedhja nga tranjerët për të më marrë te klasat sportive më bëri shumë të lumtur. Në memorjen time kam reagimin e tranjerëve që ishin të sigurt që unë do e vazhdoja këtë sport. Ata e reflektuan këtë besim sapo lexuan mbiemrin tim pas përzgjedhjes. 

Edera në atë kohë kishte bërë emër në basketboll, po përveç saj u mbeshteta shumë edhe nga prinderit që nuk nuk kanë qenë aq të hapur për sportet në atë kohë.

Ky pasion u bë edhe më i bukur nga tranjeri i apasionuar i ekipit të të rejave të Tiranës prof. Roland Topalli i cili më kërkoi në moshën 13 vjeç të bëhesha pjesë e grupit. U mundoja të përpija çdo mësim të tijin në stërvitje. 

Fjalët e tranjenerëve për mua kanë qenë veprat e tyre, dmth se si merreshin me mua në stërvitje dhe duke më dhënë besim në lojë. Isha e lumtur kur ata merreshin me mua ose me korigjonin dhe asnjëherë nuk e kam parë me sy kritik ketë gjë. 

Prisja me durim minutat e mia me ekipin e parë. Ëndërroja, por nuk nxitoja. Ai moment i shumëpritur erdhi kur prof. Qemal Karaj më njoftoi për këtë lajm fantastik. Isha16-vjeçare dhe u bëra pjesë e Tiranës  në finalet e vitit 1984 për Kupën e Republikës në Elbasan. Në  moshën 17-vjeçare zura vend në ekipin e të rriturave pas një vendimi të federatës për aktivizim e një 18-vjeçareje në formacionin  e parë për 20 minuta. Pas fazës së parë tranjeri Kujtim Kasmi me besoi të luaj jo për 20 minuta por për gjithë lojën. Dhe ky ishte besimi më i fortë nga një trajner për punën e një basketbollisteje. 

Me 17 Nentorin deri në vitet 90 (Tiranën sot) ishin vitet më të bukura. Në fakt të gjitha kujtimet me ekipet ku kam luajtur i kam të mira… përveçse në Greqi. Ekipi grek nuk luftonte për vendin e parë, renditej në mesit e tabelës. Në fillim nuk ndihesha mirë, por kjo skishte lidhje me kujtimet e mia të mëparshme, por thjesht isha mësuar të isha fituese. Por ambjentimi erdhi gradual ku pretendimet u rriten nga ekipi ku luajta dhe si pasojë luanim edhe në kupën Liljana Rocketi në Europë. Më pas u ktheva dhe u bëra pjesë e Luftëtarit të Gjirokastrës, kampion në atë kohë. Pas dy vitesh, në kulmin tim më erdhi një kërkesë nga ekipi i Universitetit të Prishtinës. Nuk u mendova dy herë. Atë sezon do luanim në një ligë më cilësore me ekipe të ish-Jugosllavisë. Në Prishtinë ruaj kujtime fantastike, sepse u rikthyen emocionet që kisha shijuar për lojën e Basketbollit para viteve 90. E gjithë pjesëmarrja, organizimi i ekipit dhe me e rëndësishmja sallat e ndeshjeve plot e përplot me një tifozeri fantastike, na dhanë energji të pashtershme nga shkallët e stadiumeve. Një nga eksperiencat e mia më të bukura që nga largimi nga Tirana është Prishtina. Jam shumë krenare që kam marrë pjesë me atë ekip ku bemë historinë jo vetëm të këtij klubi por edhe të basketbollit të Kosovës.

 Kemi  hyrë në "Final Four" (katër më të mirat) duke habitur çdo ekip të ligës për lojrat e bukura që bëmë dhe atmosferën fantastike në ndeshjet brenda fushës tonë. Më dukej sikur luaja me kombëtaren nga entuzizmi që ishte prezent në çdo moment. Ky çast më ktheu kohën kur isha 19 vjeçare. Tranjeri i apasionuar i kombëtares Bashkim Milo me ftoi në ekipin kombëtar dhe më dha besimin, megjithëse isha e vogël në moshë.

Për herë të parë jam grumbulluar në 1987, por për arsye të çuditshme të asaj kohe u lashe jashtë ekipit (një javë para se të niseshim). Skuadra merrte pjesë në Lojërat Mesdhetare në Siri me 9 lojtare (për pak mund të merrte pjesë me 8 lojtare pasi Ederen e largojnë 2 orë para nisjes, por e rinisin me një urdhër të dytë pas 2 ditësh për tiu bashkuar ekipit në Siri). Pas këtij aktiviteti , të cilin kombëtarja e fitoi, do të vinte ai i rradhës 1988 në Ballkaniadën në Jugosllavi në të cilën jam aktivizuar në vazhdim. 

Fati im në këtë periudhë ishte që në krah kisha një motër fantastike jo vetëm si basketbolliste. Kjo bëri që ta kaloja lehtë këtë situatë me ekipin kombëtar. Që nga momenti i parë që nisa këtë lojë Edera ka qenë frymëzim për mua për të gjithë atë çka ajo jepte brenda dhe jashtë fushe. Forca e saj e karakterit, duke u përballuar me problemet e kohës që nuk ishin të pakta, për të arritur në majat e basketbollit, është për tu admiruar. Nuk  e di nëse ndonjë person tjetër mund ta përballonte. Dëshira ime për të arritur të luaj përkrah saj ma bënë sportin në atë kohë shumë të bukur, emocionues dhe me sfida.

Duhet të theksoj që gjate viteve 90 ekipet kombëtare kanë patur probleme edhe më të mëdha deri te uniformat e ndeshjeve dhe në një rast kemi marrë uniforma të një ekipi të kampionatit shqiptar që kishte uniformë të kuqe … se për atlete në atë kohë i blenin vete sportistët. 

Pas një eksperiencë unike si lojtare ktheva kokën nga trajnimi. Doja të bëja atë që profesortë e mi kishin bërë me mua. Kur je lojtare është në dorën tënde përqendrimi në detyrat e tranjerit, emocionet, forca e karakterit për të fituar, inteligjenca në situata të ndryshme) ndërsa kur je trajnere je i kufizuar nga vijat e fushës dhe të gjitha këto që thashë janë në dorën e të tjerëve.

Nganjëherë përfshihem nga një ndjenje që të hyj në lojë dhe ta luaj vetë ndeshjen. Një trajner në rini thonte: "Kur fiton ekipi e fitojnë lojtarët dhe kur humbet e humb trajneri". Kështu mund të kuptohet 
diferenca e pozicionit. 

Trajningu është njësoj, pasion për të dhënë më të mirën për këtë lojë, dashuri për vajzat për ti mbështetur që të bëhen të gatshme të përballen paralelisht me basketbollin edhe në jetë.

Nuk jam që talenti i një lojtareje bën fitues një ekip. Talenti është një i cili pa punë mbetet po një. Një sportist nëse bazohet vetëm të talenti, mund të kapërcehet shumë shpejt nga një sportiste jo aq e talentuar por punëntore dhe sistematike. Kam kaluar një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në basketboll. Por kjo karrierë nuk do ishte e tillë pa trajnerët e mi. 

Basket është pasion dhe dashuri. E tillë ka qenë që ditën e parë kur kam filluar këtë lojë dhe deri më sot. Duke nisur nga klasat sportive, Beni, Edi, Nakia te tranjerët e të rejave, Roland Topalli, Ali Stërmasi, te tranjerët e të rriturave Qemal Karaj , Kujtim Kasmi, trajnerin e kombëtares Bashkim Milo që me punën e tyre dhe besimin që më dhanë ma bëne ta dua këtë sport edhe me tepër. 

Një sportist duhet ta dojë sportin dhe duhet të punojë sa më shumë duke i vënë vetes qëllime se ku do të shkojë. Kur merremi me sport çdo gjë kalon nga puna jonë, nga forca e karakterit për të përballuar çdo situatë. 

Përmenda trajnerët, por një rol thelbësor ka familja, që për mua është gjithçka, është  dashuri pa kushte, kështu ka qenë jo vetëm në lidhje me sportin por në çdo hap në jetë. 

Kam qenë e bekuar për familjen time në femijëri edhe sot.  Ajo vazhdon të jetë e tillë, por me një ndryshim që në ketë familje të madhe sot kanë zenë vend disa miq që jeta më ka vënë përballë dhe natyrshëm janë bërë pjesë e kësaj familjeje. 

Faleminderit!

Nga 

Mirza Alibegaj

(Ish-basketbolliste)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!