Emmanuel EGBO

 




Publikuar më: 24.12.2020

Drejtuesit e Tiranës më kërkuan të drejtoj skuadrën vetëm tri ndeshje deri sa të gjendej trajneri i ri. 

Nuk ishte hera e parë që më vinte një kërkesë e tillë.

Si zakonisht isha gati të refuzoja, por ndryshe nga herët e tjera diçka më ndaloi të thoja jo. 

Brenda shpirtit ishte zëri që më zgjoi dhe devijoi përgjigjen time: "Duhet ta provosh, është momenti i duhur"! 

Momenti i duhur?, pyeti pjesa tjetër e vetes sime. 

Por kot lodhesha për të gjetur përgjigje. Ishte e përcaktuar që unë të thoja po.

Një natë parë se të prezantohesha si trajneri i parë nuk me zinte gjumi. Duhej të bëja gati fjalimin dhe metodikën që të inkurajoja dhe motivoja djemtë. 

Vjen prezantimi i shumëpritur me një atmosferë të zbehtë, pa jetë...

Përballë meje qëndronin sy të demoralizuar, të pa motivuar. Situata ishte e nderë dhe e pa shpresë.

Më shikonin si trajnerin kalimtar. Nuk besonte askush që situata  do ndryshohej.

Do drejtoja vetëm 270 minuta lojë 
deri sa të gjendej trajneri i ri.

Ndeshja e pare ishte prova e zjarrit. Kundërshtari i përjetshëm priste tek  dera me moral të lartë. Ishin kampionët në fuqi, Partizani. Mbi të gjitha kishin 6 vite që nuk na linin të shikonim dritën e gëzimit të fitores. 

Situata në klub dhe psikologjia që vinte nga historia e përballjeve ndaj Partizanit ishte e zymtë. Dukej sikur të gjithë thonin një zëri:" Jemi të mbaruar". 

Por mua më ishte dhënë një shans dhe zëri i brendshëm kërkonte të linte gjurmë. Mendova. Për çfarë kanë nevojë djemtë tani? Për te aplikuar idetë në fushën e lojes ?

Jo, sepse koha nuk premtonte.

Përgatis ekipin me thjeshtësinë dhe mënyrën e drejtpërdrejtë. U përpoqa të forcoja grupin me frymën e duhur pozitive. Përdora mënyrat e mia që ndeshja më e rëndësishme për tifozët të mos përshtjellonte më tej situatën nga një disfatë e mundshme.

Në një kohë kaq të shkurtër sa kisha në dispozicion nuk mund të bëhet asgjë në aspektin e trajnimit. Gjetja e motivimit për të ndryshuar moralin që lojtarët të futen në fushë me mentalitetin e duhur, ishte synimi themelor.

Ndieja dhe besoja fort që historia do ishte ndryshe në fushë. Sigurisht, unë nuk mendoja që zoti im, të cilit i besoj shumë, do të bënte gol apo do mbronte portën e Tiranës, por besimi tek ai përcolli  shpirtin e duhur te lojtarët në fushë që ata të jepnin atë që duhej.

Kthesa e madhe në fundin e takimit ishte momenti që përcaktoi ecurinë e Tiranës në vitin e saj më të rëndësishëm të historisë, festimin i 100 vjetorit të krijimit. 

Duhej trofeu dhe fitorja në derbi ishte shenja të cilën duhej tia përcillja lojtarëve. 

90 minuta ndryshuan moralin dhe fatet e sezonit në skuadër. 

Pas një jave, ndaj Kukësit situata ishte ndryshe. Atmosfera nisi të ngrohej në klub. Por edhe këtu nevojitej një mrekulli.

Ndodh sërish kthesa e madhe në fundin e takimit, kësaj radhe me dy gola. Dy fitore në limite ndaj dy rivalëve për titull. Rruga nisi të shtrohej për bardheblutë. Pas ndeshjes se tretë, drejtori sportiv më komunikon besimin e drejtuesve për të vijuar aventurën si trajner.

Erdha si provizor dhe tashmë duhej të dërgoja në fund ekipin me qëllimin e vetëm, fitimin e titullit kampion.

Kam dëgjuar shumë që thonë se ishte fat fitorja në derbi, ndaj Kukësit apo ecuria e ekipit në tërësi. 

Mund të jetë, por askush nuk e ka shpjeguar se si ka ardhur një fitore pas 6 vitesh me arsyetim dhe pikërisht në momnentin më të errët që Tirana ka luajtur një ndeshje derbi vitet e fundit!

16 fitore nga 17 të mundshmet. Po kjo si mund të shpjegohet, fat?

Fati të jep dorën një herë, ndërsa besimi është dora që të tërheq gjithmonë në rrugën e duhur. Po, kësaj i besoj.

Shumë njerëz mendonin se unë thjesht flija i qetë, sepse për ndeshjet mendonte dhe trajnonte zoti im.

Jo

Zoti nuk luan futboll, nuk shënon gola, nuk mbron portën. 

Ai është aty për të mbështetur të drejtën, besimin e thjeshtë të njeriut, punën dhe përkushtimin e tij. 

Kam dashur ta vlerësoj dhe falenderoj në çdo moment zotin tim në fundin e çdo takimi. 

I kujtoni fitoret në limite? 

Arsyeja nuk i justifikon dot, sepse nuk ka te beje me të. Ka të bëjë me besimin te vetë lojtarët. Ata kuptuan se mund të bëjnë gjëra të mëdha në fushë. Kjo forcoi frymën e grupit dhe...

Nga ana taktike, lojtarët i vendosa në pozicionet natyrale, pikërisht aty ku ndiheshin mirë. 

Në fushë zbrisnin ata lojtarë që vërtet kishin formën më të mirë. 

Besimi, qetësia, psikologjia, vlerësimi, merita dhe përgatitja teknike ishin elementët bazë që e shtynë Tiranën të shpallej kampion.

Për këtë arsye sot vlerësohem ende. Po ju tregoj një shembull.

Para pak kohësh një person u afrua dhe i entuziazmuar më thirri: 

Trajneri i Tiranës! Egbo si je?! 

Për një moment u befasova. Mbledh veten dhe përgjigjem: "Jo, unë jam thjesht ish-trajneri i Tiranës". 

Aty pranë afrohet edhe një tjetër, i cili sërish më drejtohet sikur unë të isha trajneri i bardhebluve. Përpiqem të sqaroj se unë jam thjesht një ish. 

"Jo, për ne do jesh gjithmonë trajneri i Tiranës. Me punën tënde solle titullin kampion për 100 vjetor. Për ne je dhe do mbetesh gjithmonë trajneri bardheblu", ishin fjalët e tyre. 

U preka shumë nga mirënjohja që  dëgjova, fjalë që më pas janë bërë normale për veshin tim nga njerëzit në rrugë. Tifozë të Tiranës, Kukësit dhe Partizanit kanë shprehur vlerësime të jashtëzakoshnshme ndaj punës sime dhe për këtë ndihem krenar dhe mirënjohës.


Zeri im i brendshëm ka rezultuar përcaktues në momentet e duhura. Deri në moshën 12 vjeçare kam luajtur në të gjitha pozicionet në fushë. 

Skuadra ku luaja në Nigeri në një rast kishte nëvojë që unë të isha portier për një ndeshje. 

Ky moment percaktoi jetën time më pas në futboll. U bëra portier në moshën 12 vjeçare, pozicion pa të cilin historia ime nuk do ishte kjo që po rrëfej.

Edhe ardhja ime në Shqipëri është përcaktuar nga momentet që kanë të bëjnë me zërin e brendshëm.

Luaja në Egjipt. Presidenti El Saed më ftoi të bëhem pjesë e Tiranës. Ishte mundësia ime për të luajtur për herë të parë në Europë, vendi ku të gjithë donin të ishin. 

Vij në Tiranë në vitin 2001. Kisha ndërtuar një Shqipëri ndryshe në imagjinaten time. 

Befasohem! 

Vendi nuk ishte ashtu sikurse e prisja. Kishin kaluar pak vite nga viti i mbrapshtë 97-ë dhe vendi dukej i shkatërruar. 

Gradualisht nis të përshtatem. Njerëzit në rrugë më shihnin në mënyrë të çuditshme. Unë e kuptoja shumë mirë këtë situatë. Çudia vinte kryesisht nga njerëzit që nuk kishin parë më parë një njeri me ngjyrën time. 

Merkoçi, Mahir dhe Fortuzi me shpjeguan këtë situatë dhe kështu nisa të përshtatem gradualisht edhe në aspektin social. 

Ndeshja ime  e parë si titullar ishte ndaj Vllaznise luajtur në Lezhë. Fituam 3 me 0 duke e nisur me këmbën e mbarë. Aventura si portier i Tiranës zgjati 3 vite. 

Transferohem në Egjipt dhe më pas në Afrikën e jugut deri në vitin 2007. 

Imazhi që kisha lënë në Shqipëri ishte pozitiv. Rikthimi në Ballsh ishte fillimi i jetës sime të pandarë nga Shqipëria. Pas largimit nga futbolli i luajtur bëhem zv trajner  dhe më pas drejtoj  Ballshin si trajner i parë. 

Në sezonin 2014-2015 kthehem te Tirana në pozicionin e zv trajnerit. Më pas vijoj si trajner i portierëve deri sa erdhi momenti im i jashtëzakonshëm. 

Gjatë gjithë kësaj kohe tek unë erdhën shumë herë kërkesat për të qenë trajner në momentet kur drejtuesit e klubit prisnin trajnerin e ri. Ftesat ishin për pak ndeshje dhe jo me kontratë  afatgjatë. Gjithnjë nuk kam pranuar sepse situatat nuk ishin optimale për të marrë një vendim të tillë. 

E njëjta gjë ndodhi edhe në fundin e vitit 2019.  Largohet trajneri Mema dhe pastaj trajneri Ahmataj dhe skuadra u ndodh në një situatë kaotike. 

Morali në klub ishte në pikën më të ulët. Por ndryshe nga herët e tjera vendosi momenti me zërin tim të brendshëm. Historia tregon atë që ndodhi tashmë...

Një trajner ka principet e veta në punën që bën. Në momentin që këto principe përputhen me idetë e drejtueve të klubit, suksesi është vetëm çështje kohe. Mundësitë e mia për të drejtuar tashmë janë të shumta, por si gjithnjë pres zërin tim të brendshëm të përcaktojë aventurën e radhës në profesionin tim.

Prej shumë vitesh jetoj në Shqipëri dhe tashmë kam nisur jetën familjare. Bashkëshortja është me origjinë nga Filipinet dhe ashtu sikurse dhe unë, ajo disponon nënshtetësinë shqiptare. Ndihemi shumë mirë dhe vijojmë të ndërtojmë jetën tonë në Shqipëri.

Besimi në zot është i pakufi. Besim që buron nga shpirti im. Ky besim më udhëheq shpesh në momentet më të rëndësishme në jetë. Ai më jep forcën e duhur në profesion. 

Gjithsesi, zoti im luan futboll por nga ana shpirtërore!

Ndërsa...

Futbolli im flet shqip!



Nga 

Emmanuel EGBO

(trajner

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !