Cezarina XHEKA








Publikuar më 18.03.2021

Ishte një ditë ndryshe nga të tjerat.

Jo sepse ishte finalja, jo thjesht sepse isha kapitene e Partizanit, apo sepse në tribunë mungonin tifozët, por për diçka tjetër që ka të bëjë me vetë jetën.

Një sfidë finale dhe brenda meje ndieja që duhej ta fitoja medeomos atë trofe. Duhej ta fitoja për një qëllim dhe për këtë duhej të gjeja forcën e duhur nga brenda.

Vështroj në tribunë...

Shikoj në vendin e përhershëm të motivimit. 

Ndryshe nga herët e tjera, ai vend që më jepte forcë në çdo ndeshje ishte bosh.

Mungonte për herë të parë personi që më motivon në çdo hap...

Pikërisht, aty nuk ishte mami që më kishte ndjekur në çdo ndeshje. Ajo është mbështetësja ime kryesore.

Mungonte shpirti stimulues i pasionit tim.

Fillon sfida...

Në çdo goditje fituese sytë shkonin në vendin bosh. 

Atje shikoja mamin që po luftonte me armikun e jetës me të cilin ka dy vite që lufton fort. Ky ishte shkaku që ajo nuk ndodhej aty.

Dhe kjo më motivonte më shumë. Më dukej që çdo pikë fituese do mposhte armikun e mamit.

Ajo nuk ishte aty atë ditë sepse unë nuk doja që ajo ta vuante atë sfidë. "Kemi një ndeshje me vajza të reja, nuk është e domosdoshme kësaj radhe të vish në sallën e lojërave me dorë", ishin fjalët që i thash asaj përpara kësaj sfide.

Në ndeshjen finale ndryshe nga herët e tjera më kujtoheshin momente të shumta në 22 vite karrierë.

Më shfaqej Cezi e vogël.

Nuk lija dy gurë në një vend. Kur bëhej fjalë për lojëra, nuk lija asnjë të më shpëtonte. Isha shumë aktive.

Mami si atlete, ishte shtysa e fortë për të qenë aktive në sport. Por ndryshe nga mami unë zgjodha volejbollin sepse e gjeja shumë veten. Në klasën e gjashtë nisa aventurën me volejbollin në Durrës. 

Që në hapat e parë mami ishte kudo me mua si tifoze, si trajnere si prind dhe si shoqe që më këshillonte dhe më korigjonte në koncept. Mbaj mend kur më thonte që pasuesja duhet ta ketë zemrën e madhe. 

"Duhet ta shpërndash topin tek të gjitha gocat edhe sikur të mos flisni bashkë, sepse në fushë duhet të jeni një familje", thonte ajo.

Në ndeshjen finale isha gati të pasoja në çdo cep, që kjo këshillë të shpërblehej në fund me trofeun e shpirtit. 

Sfida po shkonte në rrugën e duhur, por mungesa e mamit në tribunë më dërgonte në kujtimet e mia. 

Më kujtohej ndeshja e parë të cilën e nisa si shytere, dhe vazhdova si e tillë për 4 vite. Me pas ishte trajneri Agim Doraci që më kaloi pasuese. 

"Çez, nuk ke premisa për t'u zgjatur shumë dhe mendoj se duhet të të kaloj si pasuese, sepse i ke të gjitha të dhënat për të qenë e tillë". 

Nuk e kuptova këtë dhe si pasojë mu duk sikur aty mori fund karriera ime. Isha ende fëmijë dhe si e tillë doja të gjuaja gjithnjë topat në rrjete. Ai provoi të më vendoste libero. Të dyja i bëja shumë mirë pasi luaj shumë edhe me këmbë. Por në fund vendosi të më kalonte si organizatore. Kisha shumë cilësi në organizimin e lojës në koncept. I respektoja të gjitha koleget njësoj dhe nuk mbaja askënd me hatër. Këto cilësi për tranjerin ishin shumë të rëndësishme ndërkohë që unë isha e vogël dhe nuk logjikoja ndoshta si një e rritur. Gjithsesi aty pranë meje ishte mami që më inkurajonte në çdo moment. 

Në ndeshjen finale, këto cilësi që trajneri mi vuri në dukje kur isha fëmijë me vlejtën shumë. 

Çdo pasim ndiqej nga kujtimet.

Kujtimet e emocionuese të fanelës kuq e zi më erdhën në atë moment. Adrian Gorenca më përzgjodhi në kombëtare për moshat, duke realizuar ëndrrën e madhe që ka çdo sportist. Ndërsa talentin tim e dërgoi përpara Roland Tare, trajneri që më përmirësoi profesionalisht si organizatore.


Qëndronim me orë të tëra në laptop duke studiuar çdo teknike te pasimit, mënyën e shpërndarjes se topit gjatë lojës, mbrojtjen, etj... Trajner që me mungon shumë..  

Ndeshja vazhdon, ndërsa reflektimi zhytet në kujtime për të gjetur forcën e duhur.

Ana psikologjike është e rëndësishme, aq sa përgatitja fizike. Të dyja bashkë bëhen një e vetme. Si kapitene jam munduar që në ekipin tim të mbizotërojë harmonia sepse ne jemi si një familje e dytë me njëra-tjetrën. Nësë nuk ka një grup të vetëm nuk ka rezultat. Ne këtë gjë e kemi vërtetuar për vite me radhe që jemi një trup i vetëm.


Shumë reflektime më vinin nga vendi bosh që shikoja sa herë ktheja kokën në tribunë.   

Puna dhe volejbolli ndikojnë në performancën e njëra-tjetrës. Sepse ne stërvitje shkojmë të lodhura nga puna dhe në punë vijmë të lodhura nga ndeshjet ose stërvitja e përditshme që unë bëj çdo ditë vajtje-ardhje, Durrës-Tiranë. 

Dhe të them të drejtën e ndiej lodhjen shumë, por kur futem në fushë mundohem të harroj çdo gjë dhe të përqendrohem fort tek stërvitja. Pasioni kërkon sakrificë dhe unë i jam dedikuar shumë volejbollit. Ajo është dashuria që më është injektuar fort nga mami im, ndaj së cilës doja të jepja gjithçka në finale për të rrokur trofeun e saj, që në këtë rast ishte vetë jeta. 

Volejbollin vazhdoj ta dua njësoj si ditën e parë që kisha emocione dhe prisja me padurim orarin e stërvitjes për të filluar.


Dikur kisha endërr të bëhesha dikush në sport dhe punoja shumë, duke u përballur me shumë momente negative. Por përballë padrejtësivë, asnjëherë se kam ulur kokën sepse kam pas shtysën me të fortë pranë meje. Kur mendoja se isha rrëzuar, ishte pikërisht mami ajo që më çonte prap si një triumfatore duke më thënë: 

"Do shkëlqesh një ditë ashtu siç ti e meriton kampionia ime". 

Dhe ja ku vjen pika finale në ndeshjen finale. Trofeu që e dëshiroja aq shumë ishte në duart e mia. Ai trofe është trofeu i shpirtit tim, mamit, prej dashurisë së cilës sot jam ajo që dëshiroja kur isha fëmijë. 


Ai trofe është arma e fortë e mendjes dhe e shpirtit që i duhet mamit për të mposhtur armikun e saj. Trofeu i shpirtit tim, trofeu i vetë jetës.

 Faleminderit!

 

Nga

Cezariza Xheka

(volejbolliste) 

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!