Publikuar më: 03.05.2023
Në Danmarkë kam përjetuar një nga momentet më të vështira me kombëtaren.
Kur arritëm atje, nuk kishim fanella për të zbritur në fushë. Sponsori i
Danimarkës mori përsipër të përgatiste uniformat në mënyrë që të mos e
humbisnim ndeshjen në tavolinë. Për herë të parë dhe të vetme, kombëtarja dhe unë u veshëm me fanella
ngjyrë blu. Ishte një ndeshje, por dhe një turp. Ishte turp sepse media
vendase na titulloi më pas si lojtarë që nuk kishim as mbathje. Gjithsesi edhe
pse me shumë vështirësi të kësaj natyre, nuk i thashë asnjëherë jo kombëtares,
ku në shumë raste kam humbur dhe vendin e titullarit në klubet ku luaja.
Gjithsesi në rrugëtimin tim kuqezi mbaj me vete kujtime mbresëlënëse me Gjermaninë e famshme ku në katër ndeshje si kapiten i Shqipërisë kisha përballë kapitenët Oliver Kahn, Jurgen Kohler, Oliver Bierhiof dhe Jurgen Klinsman. Në njërën nga ndeshjet e mëdha që zhvilluam, golin e barazimit të përkohshëm e shënova unë në Hanovër ku shënuam tre gola.

Duam apo nuk duam, një gur në imazhin e Shqipërisë për mirë e kemi
vendosur ne futbollistët. Sokol Kushta dhe Bellai shkuan ilegalisht duke fituar
pozicionin e titullarit dhe rregulluar imazhin tonë në Greqi, etj.
Por jo të gjithë e dinin rëndësinë e kësaj situate. Për forcimin e
marrëdhënieve midis dy vendeve, në Britani erdhi Sali Berisha në vitet 90. Xhorxh Robetson ishte debutet i zonës sonë në
Gllasgou. Ai iu drejtuar Berishës: "Ju keni një ambasador që ju përfaqëson".....
"Kush është ky?", pyeti Berisha...! U ofendova unë më tha Robertson
për këtë situatë. Ai e kishte pyetur me ironi Berishën: "Mister, sa njerëz
të rëndësishëm keni nëpër Europë dhe Botë që ju përfaqësojnë?"
Pasi mbarova kontratën me Celtikun një menaxher grek më sugjeroi
të luaja me AEK-un e Athinës. Më kërkonte dhe Marseja. Qëndrova 2 java në hotel
në Athinë. I thoja të shkonim te Olimpiku Marsejës, por ai u përgjigj se në
Athinë do firmosja me siguri. Por kjo këmbëngulje e menaxherit rezultoi e
dyshimtë dhe e parealizuar dhe si pasojë përfundova në Qipro me Apollon
Limasol.
Atje gjeta një ambjent me shumë përgjegjësi. Trajneri serb
Mukotiç kishte detyrë që më katër lojtarë
që pagueshin 15 herë më shumë se pjesa tjetër të arrinin objektivat e sezonit.
Atje duhej të vërtetoja se kisha qenë një lojtar Celltikut. Nga i ftohti në të
nxehtë, por në fundin e sezonit dola lojtari më i mirë i kampionatit. Atje më
mbajnë ende mend si një nga futbollistët më të suksesshëm të ekipit.
Askush nuk e kishte menduar se do kaloja në Gjermani. Por falë paraqitjeve të mira në Qipro kjo mundësi erdhi. Feliks Magat dhe Eduard Geyer ishin trajnët më të çmendur. Gazetat gjermane thanë se "Bakembaueri i Shqiperisë ka nënshkruar me Energi Kotbus". Trajneri më ftoi të nesërmen dhe më tha: "Këtu nuk je Bakenbauer, se ne e kemi atë. Nuk më intereson se çfarë je në Shqipëri, por duhet ta vërtetosh sa i zoti je. Respektin duhet ta fitosh përditë".

Në ndeshjen e fundit në kombëtare pata një konflikt me Demollarin,
i cili ishte trajner. Isha i dëmtuar. "Nëse do të më aktivizosh në Angli
do të sakrifikoj", i thash, "nëse jo atëherë më mirë mos më grumbullo".
Me mori, por nuk më futi në lojë. Pas ndeshjes thashë se sa të jetë Demollari
nuk do luaja më. Por ishte gabimi im, sepse si kapiten nuk duhej të bëja një
sjellje të tillë.
Pas largimit të Demollarit, trajner i kombëtares u zgjodh Brigel.
Në një përvjetor të një televizioni në hotel Rogner, takohem me Brigel. Ishte
me Dukën kur e takova. "Kam dëshirë të kem sërish në kombëtare dhe
eksperieca jotë do më ndihmojë. Mendoje dhe kthehu në kombëtare", më tha.
Nuk jam larguar përfundimisht, por jam larguar sepse kam qenë kapiten dhe
gabova, i thashë. Lamë takim të nesërmen. Shkoj tek Rogneri për ta takuar se
kërkonte përgjigjen time për të ardhmen. Por ai nuk priti përgjigjen time.
"Rudi, kam marrë urdhër nga presidenti i Federatës Armando Duka dhe për
shkak të konflikteve në kombëtare nuk mund të jesh pjesë e kombëtares sepse dhe
disa lojtarë nuk të duan në ekip", tha Brigel.
Por kjo nuk ishte e vërtetë. Presidenti i Vllaznisë Myfter Cela e ka financuar Duken për ta sjell në pushtet. "Sa të jem unë president i Vllaznisë, Rudi nuk luan më me kombëtaren", ka thënë ai pasi unë kalova tek Tirana. Ai e kishte si "lojtar" të vetin Dukën, sepse ai ishte i fuqishëm dhe e komandonte. Ishte periudha që kalova te Tirana dhe jo te Vllaznia. 13 ndeshje dhe pesë gola.

Më thirrën shumë të ri në kombëtare që ishte gjëja më speciale për
një futbollist. Një grubullim dukej sikur ishte parajsa. Rriteshe me emocionin
që kultivohej në shpirt. Por kur u largova më humbi motivi. Kohët u ndryshuan
për keq, sepse u larguan profesionistët. Papadhopulli ishte një njeri që u rrit
në sport, me sportin dhe nuk e ndau asnjëherë kronometrin nga dora. Pas tij
erdhën njerëz që nuk kishin lidhje me futbollin. Sot mjafton të shikosh
kurikulumet e njerëzve që drejtojnë futbollin dhe kuptohet qartë se si dhe se
ku ka shkuar ky sport.
Kur u bëra trajner kisha dëshirë për të ndryshuar gjërat. Isha rritur me mentalitet tjetër jashtë dhe nuk e kuptoja se si funksiononte. Larguan Mirel Josën dhe më kontaktuan mua tek Vllaznia. Më thanë nëse isha i interesuar. Nuk kisha bërë llogari dhe nuk e kisha menduar si situatë. Doja të ndërtoja një klub me vlera. Kryetarin i bashkisë Shkodër e konsiderova si qytetar që do të kishte interesat e qytetit primare. Më bëri premtimet e duhura, por kur i kërkova të largoja njerëz që nuk kishin mentalitetin e duhur, u zhgënjeva. Doja ta largoja hajdutin dhe mashtruesin, por ai më tha ta mbaja. U prishën balancat dhe gjysma e tyre që kishim në ekip ishin bixhozxhinj dhe ishin totalisht amatorë. Kishte dhe lojtarë të rinj si Guri që kishin dëshirë të bënin diçka. Doja të ndërtoja një sistem të ri në ekip. Ishte çështje vullneti dhe unë dola i vetëm kundër sistemit. Kam mësuar shumë nga ajo eksperiencë. Sot kur kthej kokën pas, mendoj se sa udhëtim kam bërë me futbollin tim. Por ky rrugëtim nuk ka përfunduar, sepse ai po vazhdon në familjen time.
Djali im i vogël Roko është më i talentuar se unë. Ka shpejtësi dhe cilësi. Nuk kam qenë shumë i shpejtë, ndryshe do luaja tek Bajerni. E kam rritur që i vogël me modelin se si jam rritur unë duke qenë sa më pranë natyrës. E lija zbathur që të ngjitej nëpër pemë, të shijonte natyrën. Është shumë inteligjent dhe flet shumë pak. Ka disa llogaritje të jashtëzakonshme. Është zhvilluar sipas metodës që jam rritur unë dhe ndryshe nga shokët ai stërvitet më shumë.

Një kompani e njohur nga Milano më kontaktoi dhe pas takimit me ta
më ofruan 1 milion euro që të menaxhonin tim bir. Pasi i dëgjova deri në fund
iu përgjgja: Ju mendoni se djali im është kali im? Nuk mund të bëj tregti me
djalin tim. Për të ardhmen nuk ka shanse me mua". Kur isha drejtor në
Belgjikë mbaja fotografitë e fëmijëve të mi në zyrë. Më pyesnin se cilët janë.
Unë i thoja: Kam një obligim se për çdo vendim që duhet të marr për të rinjtë
do të shikoj fëmijët e mi për të marrë një vendim si prind....
Muskulatura e Rokos është ndërtuar shumë mirë dhe ka rënë në sy pa u reklamuar. "Zoti të ka dhënë diçka që nuk ia ka dhënë një fëmijë tjetër. Ta ka dhënë për një qëllim që duhet të arrish atje ku duhet", i them shpesh. Më ka kërkuar të blejë një makinë me kokën e zeze dhe pjesën tjetër të kuqe. Por për ngjyrat kuqezi të kombëtares nuk është koha për të diskutuar edhe pse me shpirt dhe me zemër do doja të ishte në kombëtaren e jetës sime.

Kur kam parë zemrën time të më dal nga vendi thoja le të vdes se
në fund të fundit do thonin në shtëpi që
djali vdiq nga që donte të bëhej futbollist. Kam respektuar vullnetin e zotit për të bërë atë që bëj më
mirë.
I kam marrë maksimumin dhe kam dhënë maksimumin. Jam shumë i lumtur sepse kam bërë mirë dhe kam ndërtuar imazh shumë të mirë. Kudo ku kam punuar nuk kam gabuar në asnjë rast. Kurrë nuk kam gabuar për të marrë një dënim, qoftë edhe në jetën e përditshme. Po mendove mirë ke për të vepruar mirë dhe veset e mira do të ndikojnë në karakter.

Kur kam jetuar ditët më të vështira në karrierën sportive në
Francë kam lexuar Shekspirin. Ai thotë se ne luftojme tërë jetën për të shkuar
tek lumturia. Unë jam në përgjithësi i lumtur sepse nuk kam asnjë pritshmëri
ndaj askujt. Janë pritshmëritë që na bëjne të kemi probleme. Duhet të mos
presim ndaj askujt dhe në këtë mënyrë arrijmë të jemi të lumtur. Jam i lire si
zogu dhe këtë privilegj ma ka dhënë liria e shpirtit, mendimit dhe zgjedhjes. (Artikulli i parë (kliko këtu për ta lexuar)
Faleminderit!
Nga
Rudi VATA
(ish-futbollist)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)