Besi SHABANI

 




Publikuar më 11.05.2023

Më konsideronin një futbollist me të ardhme, si pasojë në moshën 18-vjeçare më bënë pjesë të kombëtares U-21 të Shqipërisë!  Zbres në fushë ndaj Gjeorgjisë. Çuditërisht në atë sfidë ndihesha më i lirshëm për të shfaqur talentin. Driblime, sprint dhe goditje në portë..... Por nuk ndodhi deri në fund të takimit kjo gjë, sepse një traumë e fuqishme më pushtoi trupin dhe papritur e gjej veten të shtrirë në fushë! Nuk po kuptoja asgjë, vetëm se mjekët e kombëtares dhe shumë lojtarë ndodheshin rreth meje. Ligamentet e gjurit të majtë ishin këputur. Ndodhesha në gjendje shoku. Më ra të fikët nga dhimbjet e forta. Pas rezonancës magnetike rezultoi se duhej ndërhyrje urgjente, ndërhyrje që realizohej vetëm jashtë vendit. Pas mjekimit në spital, ambulanca më dërgoi në shtëpi ku babit nuk i pushonin lotët nga sytë. Ai kishte parë qiellin ti shëmbej mbi kokë. Endrra e tij dhe e imja ishin shuar.

Duhej ndërhyrje në Austri ku kërkohej një shumë  e madhe për kohën dhe mundësitë e familjes sime. Por mbi të gjitha duhej të siguroja vizë.  Familja po përjetonte një nga momentet më të vështira, ishin ditë zie. Midis dëshirës dhe pamundësisë fitoi kjo e fundit. Lotët më rrëshkisnin nga sytë njësoj si para pak vitesh kur qaja për Ronaldo Fenomenin i cili pësoi të njëjtin dëmtim si unë. Lotoja sepse nuk mundesha më të kaloja rrugën me xhonglimet e topit deri në strëvitje. Këtë bast me veten e fitoja gjithnjë i vogël kur shkoja në stërvitje duke përshkruar rrugën dhe kryqëzimet nga shtëpia në stërvitje dhe anasjelltas. Mami, motra dhe babi u vunë të gjithë në shërbimin tim pa ndalim. "Jam i lumtur për çdo gjë që ke bërë deri tani por disa gjëra nuk i kemi ne në dorë", më tha babi i rënë psikologjikisht.  Nuk e ndieja më gjurin, më dukej si i huaj sepse nuk i bëja më lëvizjet e dikurshme. Këmba e majtë nuk jepte siguri, sepse ishte gati të më tradhtonte në çdo moment. Ecja vetëm drejtë dhe në momentin që doja të bëja triblim, gjyri më dilte nga vendi. Sa herë që përpiqesha të dribloja, dëmtohesha dhe si pasojë qëndroja dy-tre muaj jashtë fushave për rikuperim. Problemi u kthye kronik. Nuk munda të bëja ndërhyrje në gju, kështu që rrezikoja edhe të ecurën në një momet të caktuar. Isha i pafat, sepse nuk munda të realizoj ëndrrën në futbollin e luajtur në një moment që konsiderohesha një talent i së ardhmes. Nuk munda të vazhdoja ëndrrën e babait, i cili sakrifikoi vite duke më mbështetur në çdo hap. Kisha zhvilluar mbi 50 ndeshje me kombëtaret e moshave, më shumë se sa zhvillova me ekipet si profesionist dhe papritur isha jashtë! Po le ta nisim nga fillimi, nga fëmijëria, le ta nisim nga momenti kur u lidha aq shumë më futbollin dhe kur babai im nuk humbi asnjë stërvitje timen.

Në lagje luanim shumë dhe mbusheshim me entuziazëm pas çdo topi të prekur, pas çdo driblimi dhe pas çdo goditje në portë. Dalloja menjëherë nga fëmijët e tjerë sidomos në futbollin me një të prekur me katër porta. Luaja me lagjen Skelë kunder lagjeve të tjera, Kume, Uji i ftohtë etj. Arrinim të fitonim gjithmonë ku shkëlqeja në çdo ndeshje. Nuk mund të kalonte pa u vënë re talenti sepse fati më solli pranë Latif Gjondedën, një nga lojtarët më të shquar vlonjat. Pas ndeshjes me lagjen "Uji i Ftohtë" ai më thirri dhe më tha: "Ti djalë duhet të mërresh menjëherë më futbollin e vërtetë". Babin e kisha në emigrim në atë kohë dhe i thash që nuk mundesha të paguaja. Ai mu përgjigj që skishte nëvojë të paguaja, por të shkoja dhe të nisja stërvitjen.

Babi në emigrim ëndërrontë që ta shikonte djalin një ditë futbollist, por ai nuk ishte i sigurt nëse kisha talent, sepse nuk më kishte parë të luaja, vetëm kishte dëgjuar. Kur ai u kthye nga emigrimi u surprizua kur më pa ashtu si në ëndrrat e tij. Djali i tij ishte një yll në sytë e tij. Nga ai moment babi nuk mungoi në asnjë seancë stërvitore, në asnjë ndeshje timen. Ai u bë mbështetja ime e madhe. Në ekipet zinxhir të akademisë u rrita shpejt profesionalisht duke qenë një hap para moshatarëve. Kalimi më pas te ekipi i të paratërinjve të Flamurtarit drejtuar nga Rrapo Taho ishte drita tjetër jeshile që më hapi të tjera mundësi. Por në çdo hap timin kisha një gjurmë para meje, gjurmën e ëndrrës së babit që të shikonte djalin një futbollist me të ardhme të madhe.

Kombëtarja e parë shqiptare U-15 sapo ishte krijuar. Luajta në ndeshjet seleksionuese me kombetaret e Veriut, Lindjes dhe Jugut. Në finalen e madhe u evidentova për cilësitë që shfaqa. Emrat dilnin në gazetë dhe ftesa vinte në klub kur vendosej. Dëshira e babit ishte aq e madhe që të më shikonte me fanellën kuq e zi, sa që për një muaj rresht u interesua në zyrat e klubit Flamurtari nëse kishte shkuar ftesa. Ai e ndiente sepse shikonte gjëra të mëdha tek cilësitë që kisha.  Pas pritjes, në klub erdhi ftesa nga kombëtarja e 15 vjeçarëve. Nuk kishte lumturi më të madhe për një prind të shikonte djalin në kombëtare. U bëra lojtari i vetëm nga Vlora që u ftova në kombëtaren e parë të kësaj moshe. Ndërkohë mosha isha 14 vjeç dhe bëhesha gati të ndiqja shkollën e mjeshtërisë në Tiranë për katër vite.

 Ishtë  iniciativë e jashtëzakonshme, sepse në Tiranë do isha vetëm, do më mungonin të afërmit, familjarët. Sapo shkova, më vendosën në një dhomë me 12 djem. Ishim të gjithë moshatarë që kishim të përbashkët ëndrrën futboll. Pikërisht kushtet e vështira në fillim nuk u dukën pengesë sepse kisha ëndrra të mëdha.  Stërviteshim tre herë në ditë. Në darkë isha aq i uritur, saqë mezi prisja të ushqehesha. Netët e para kisha në dispozicion një fetë bukë, një gotë çaj dhe pak djathë. Kjo ishte darka ime pas një strëvitje stërmunduese. Por ky zakon ishte i përhershëm dhe nuk ishte kalimtar. Me vështirësi të kësaj natyre kalova katër vite të jetës sime në shkollën e mjeshtërisë. I vetmi mjet argëtimi ku merrnim kënaqësi ishin stërvitjet e Tiranës, ku shikonim me shumë vëmendje yjet e ekipit, Fortuzin, Halilin dhe Mukën. Kur ktheheshin në dhomë, urinë nuk e ndienim nga kënaqësia që merrnim duke parë yjet. Dëshira për të bërë sport më bënte shpesh të sakrifikoja. Doja që kur të isha gati, babai të surprizohej sërish nga niveli ku do më gjente. Dhe në të vërtet ai e dinte zhvillimin tim, sepse më ndiqte në çdo ndeshje. Kombëtaret e moshave u bënë diçka e zakonshme për mua ku kalova tek U17 dhe U19.


Gjithnjë evidentohesha për cilësitë e shfaqura në fushë. Shpesh për shkak të gjendjes ekonomike dhe pamundësisë, qëndroja me javë pa u kthyer në Vlorë.

Mendoja që ato para që do më duheshin për të vizituar familjarët ti përdorja për ushqim. Ishin vite të vështira, por që për mua u kthyen në një shkolle jetë që më vlejnë ende edhe sot e kësaj dite. Sot është e vështirë të përjetohen të tilla situata.

Kur arrita moshën e një profesionisti u ktheva në Vlorë. U bëra pjesë e ekipit 18 vjeç . Flamurtari luftonte për trofetë sezonalë dhe në organikë kishte lojtarë të njohur dhe me eksperincë. Për të marrë  minuta dhe eksperincë u huazova tek ekipi i Bylis. Në 21 ndeshje shënova 12 gola. Luaja dhe shpalosja talent në çdo ndeshje.

Ashtu sikurse thashë, luaja rregullish me kombëtaret e moshave. Në një ndeshje miqësore me kombëtaren e madhe në "Niko Dovana" në Durrës, isha pjesë e U-18. Përballë si konkurent i drejtpërdrejtë ishte Skela. Në pjesën e parë të sfidës bëra më shumë se sa mund të bëjë një 18 vjeçar përballë yjevë të kombëtares së madhe. Brigel mu afrua pas pjesës së parë dhe më tha: "Ti je në ekipin e gabuar". Në pjesën e dytë më dha uniformën e kombëtares së madhe. Kalova në ekipin ku ëndërrojnë të gjithë të jenë pjesë, kombëtaren e madhe.

Stadiumi duartrokiti shumë atë ditë. Gëzimi i babit tim ishte i jashtëzakonshëm. Më thanë se kisha bërë gjëra të bukura. Kjo paraqitje bëri të mundur që të kaloja disa shkallë si 18 vjeçar.

U grumbullova nga Ramadan Shehu me ekipin kombëtar  U-21. Për këdo konsiderohesha një talent i së ardhmes. Por cili mund ta mendonte që sfida ndaj Gjeorgjisë do ishte sfida që do kthehej në fatin e keq që do më ndërpriste një ëndërr? Cili mund ta mendonte kur të gjithë prisnin se në cilin ekip të madh do të luaja në të ardhmen? Fati donte që të largohesha nga futbolli në momentin e shpërthimit tim!

Provova të luaja dhe me Luftëtarin, ashtu me ligamente të këputura ku në 12 ndeshje shënova tre gola. Dëshira e madhe më bëri të luaja dhe të shpresoja, por ishte vendosur tashmë që nuk mund të luaja më. 21 vjeç dhe kur duhej që të vallëzoja në fushën e blertë, gjuri më largoi përgjithmonë jashtë futbollit të luajtur. Ishin vitet e vështira 2000. U përpoqa deri sa erdhi momenti që nuk mbante më këmba e majtë. Babai më jepte kurajo që të mos ndahesha nga futbolli. Ai donte që të vazhdoja kurset 
dhe të bëhesha trajner.

U mundua të mos e shfaqte mërzinë që e pushtoi pas fundit tim. U mundua ta kapërdinte dëshpërimin që do bëja edhe më mirë si trajner. Por meraku e sëmuri rëndë. Kjo ishte goditja e dytë që pësova në një kohë të shkurtër. Mërzia e mori shpejt me vete. Meraku që nuk arriti të shikojë futbollistin e ëndrrave të tij për shkak të fatit të keq dhe pamundësisë ekonomike ishin fatale. Ai iku nga kjo jetë pa e parë ëndrrën të realizuar. Mbështetësi im që më kishte ushqyer me pasionin për futbollin në çdo hap më la në moshën 21 vjeçare por një kërkesë të lënë pas, që të mos ndahesha nga futbolli.

Kur moshatarët luanin, unë nisa të ndjek kurset e trajningut, ashtu siç donte babi. Pasi arrita të marr licensën Uefa B, po ndiqja stërvitjen e ekipit të parë të Flamurtarit. Trajner ishte Ernest Gjoka. Po qendroja pas gardhit rrethues. Në një moment ish-trajneri im që më kishte stërvitur tek Mjeshtëria Sportive më afrohet dhe më thotë: "Cfarë bën këtu ti? Shko në klub dhe nis punën, trajno moshat e Flamurtarit". Me ndihmën e drejtorit të klubit Ardit Behari dhe trajnerit Ernest Gjoka u emërova trajner ekipit U-8 të Flamurtarit.


Pas sukseseve dhe vlerësimeve kalova tek U-17 dhe U-19. Pas kësaj eksperience më vjen mundësia e parë për tu bërë trajner në futbollin e të rriturve.

Isha 33 vjeç kur marr drejtimin e Orikumit. Ishte një ëndërr e realizuar, një ëndërr e realizuar e babait që la pas. Ata militonin në kategorinë e parë. Tre fitore, dy barazime dhe një humbje. Por për disa arsye shëndetësore duhej të largohesha  nga drejtimi. Pas një viti u riktheva sërish në Orikum, por ky ekip ishte në kategorinë e dytë. Që sezonin e parë arrita të nxjerr  skuadrën në kategorinë e parë. Ishte arritje e jashtëzakonshme për karrierën.


Motivimin për futbollistët e gjeja tek jeta ime. "Sot i keni të gjitha mundësitë për të bërë operacione se në kohën time ishte e pamundur, nuk kishim të ardhura dhe nuk mund  të merrje vizë. Duhet të fokusoheni në këtë sport për të arritur atë që dëshironi".  Gjithashtu kisha një idhull, Aleks Ferguson. Ai e merrte një gurë dhe e kthente në diamant. Ai menaxhoi dhe fitoi shumë trofe. Ai kishte një aftësi që të merrte një lojtar dhe ta bënte fitimprurës për klubin. Suksesin me Orikumin për ngjitjen në kategorinë e parë ia dedikova babit. "Po ndjek gjyrmët e tua. Shpresoj që po të gëzoj", thashë në heshtje, duke përjetuar një çlirim. Dëshirën e tij që të vazhdoja trajningun pas largimit nga futbolli i luajtur ishte bërë një ëndërr e kthyer në realitet. Fotografinë e babait e kam tatuazh në trup, sepse dua që ai të jetë gjithnjë me mua në rrugën që ai ëndërronte dhe që unë po e ndjek. 

Pas Urikumit mora Labërinë në kategorine e parë dhe Apoloninë disa muaj. Më pas hapa "Akademinë  Junior Vlorë" ku aktualisht marim pjesë në të gjitha aktivitetet e moshave dhe kampionatet rajonale. Nga mosha 7 deri 15 vjeç tashmë akademia është kthyer një nga më të mëdhatë në Vlorë. Bashkë me Albano Ameti dhe Alesio Dudo.

Fati ndikon, përcakton, por nuk duhet të dorëzohemi kurrë përballë tij.  Futbolli është gjithçka për mua, është vetë jeta falë mos dorëzimit dhe sakrificave. Nuk shikoja gjë tjetër përveç futbollit dhe çdo gjë në familjen time ka qenë dhe është e lidhur me futbollin. Edhe krushqinë e bëmë më sportin, ku Bruno Telushi është daja i fëmijëve të mi. Sportin e kam shumë të shenjtë. Fëmijët i shikoj me dashurinë që më ka rritur futbolli. Vajza ime Aria është pesë vjeçe, Rajden 3 muajsh.

Sa do që mundohem ta shikoj ndryshe djalin, nuk mund ta ndaj dot nga gjurmët e familjes, dëshirat dhe pasioni me emrin futboll. Endërroj që ta ndjek në stëvitjet e tij ashtu sikurse babi im më ndoqi në çdo hap. Shpresoj që ëndrrën e etij të lënë  përgjysmë për të më parë mua në fushë, ta vazhdojë djali im dhe unë ta ndjek me përkushtimin që më im atë më dha pa kushte.

Faleminderit!


Nga

Besi Shabani

(trajner, ish-futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)