Rudi VATA

 




Publikuar më 25.04.2023

Papritur e pashë veten në një hotel... Më vendosën një preparat për të rritur dhe shpejtuar rrahjet e zemrës. Duhej të përballoja sfidën e jetës për një muaj pa ndërprerje, ndryshe do vdiste ëndrra bashkë me mua....

Nga preparati më dukej sikur zemra do më dilte nga vendi. E gjitha kjo bëhej për të rritur rrahjet për tu përshtatur me ritmin e futbollit britanik.

Gjoksi pomponte në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe zemra më vinte deri tek qafa nga rrahjet....

"Po vdes", mendoja shpesh. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte, sepse dhe anglishten e flisnin gjysma-gjysma. Ndodhesha në Skoci...

Pija vetëm lëng frutash dhe s'mundesha të haja asgjë. Tortura mbaroi pas tri javësh dhe vetëm atëherë nisa ambjentimin.

Ndihesha si makinë e re që nuk i kisha dhënë gaz ndonjëherë. Nisa të fluturoj. Më thonin të pushoja, por nuk ndalesha. U përkushtova totalisht, ashtu sikurse vrapoja krah kamionëve në rrugët e Francës në ndjekje të ëndrrës dhe ashtu sikurse kapërceja mbi tjegulla kur isha i vogël vetëm e vetëm për të përqafuar futbollin.....

Vuajtjet që po kaloja në hotelin skocez  më solli para syve jetën, më solli fëmijën Vata... Ai moment më risolli parimin tim. Kur trupi më thonte jo, mendja bënte shpesh të kundërtën. Në fund ndiqja gjithnjë mendjen.

Prindërit nuk kishin dëshirë që të merresha me futboll sepse nuk e shikonin si profesion. Pushimet e verës më mbyllnin në shtëpi, ndërsa unë hapja tjegullat e shtëpisë dhe kaloja mbi çati. Luaja futboll dhe para se ata të ktheheshin futesha sërish nga çatia në shtëpi sikur nuk kishte ndodhur asgjë. E doja shumë këtë lojë që i vogël.

Çdo vit i kërkoja një dhuratë prindërve, një top llastiku. Ndërrmarjet ku ata punonin jepnin në fundvit dhuratën që dëshiroja. Topi ishte gjithçka, por u shponte shpesh.  Shkoja tej ustai i biçikletave për ti vendos pullë. Luaja në rrugicën 3 metra të gjërë dhe 60 metra të gjatë, në lagjen e Boriçit dhe Rragamit. Sistemi nuk na linte hapësirë të imagjinonim jashtë kufijve, nuk mund të mendoja që një ditë do të luaja me Bajernin. E vetmja hapësirë që mund të ëndërroja ishte të bëhesha kapiten i kombëtares.

Ky u bë motivi i zgjimit i çdo dite, motiv që u kthye në qëllim në vetvete. Isha rebel i vogel. Flokët i mbaja të gjata dhe doja të isha ndryshe nga të tjerët. Betejat nisa ti fitoj në rrugë ku krijova mentalitet fituesi. Shpirti lufatarak më bëri më vonë një burrë luftarak.

Që i vogël luaja në sulm me ekipet zinxhir. Isha golashënues. Deri sa erdhi një ditë ku duhej të vendosja për të ardhmen.

Kundër dëshirës së prindërve mora përsipër në moshën 14-vjeçare të vazhdoja shkollën Loro Boriçi në Tiranë. Trajneri Aurel Verria ishte personi i jashtëzakonshëm që gjeta, i cili ndikoi drejtpërdrejt në rritjen time si futbollist. Ai ishte këshilluesi i duhur në çdo hap në ambjentin e egër që gjeta në Tiranë. Në aspektin fizik ishte personi i duhur në trajnim.

Nga fëmijë duhej të bëhesha burrë për të kapur nivelet e larta. Shikoja Mingën, Muçën, Kolën kur isha adoleshent dhe mendoja shpesh se si mund të jem përballë tyre në fushë. Cdo gjë ishte e lidhur me mentalitetin. Nëse nuk do kisha mentalitet fituesi do të dorezohesha. Nuk e kisha menduar kurre që do arrija aq shpejt në nivele të larta. Luaja në sulm dhe isha golashënues. Pas kater viteve "buka doli e pjekur nga furra dhe jo e djegur".

Kombetarja e 18 vjeçarëve do të zhvillonte ndeshjen kualifikuese për europianin me Hollandën. Trajneri Ramazan Rragami më ndryshoi poziconin, nga sulmues më vendosi mbrojtës.  Luajtëm shumë mirë dhe arritëm të merrnim barazimin. Nga ajo ndeshje roli im ndryshoi përgjithmonë në fushë, nga sulmues u transformova si qendërmbrojtës.

Bëhem pjesë e Vllaznisë më të mirë të të gjitha kohërave. Astrit Hafizi më thërrët në fazën përgatitore në Razëm. Ishte kohë e vështirë sepse duhej të tregoja se isha burrë. Në ndeshjet europiane kaluam ekipin maltez. Në kthim, kolegu ynë, Lulzim Bersheni u arratis në Greqi, duke krijuar një atmosferë jo të mirë në ekip. Si pasojë në ndeshjen e radhës në Finlandë, udhëtova drejt Tiranës për në aeroport.

Por më morën në një dhomë dhe më thanë se nuk do të shkoja me ekipin. Dyshuan se do arratisesha. Në atë kohë dyshonin se babi im ishte agjent i UDB-së nga që nëna ishte nga Mali i Zi me origjinë. Ndërsa gjyshi si çiklist ishte njohur me të në Ulqin.

Ekipi shkoi me 13 lojtarë në Finlandë. Kjo situatë dhe dëshira për të vazhduar studimet e larta më shtyu të kthehem në Tiranë. Në atë kohë Targaj do të largohej nga Dinamo dhe në këtë mënyrë mu dha mundësia të bëhem pjesë e bluve. Më quajtën tradhtar tek Vllaznia për këtë zgjedhje.  Por dyshimet nuk kishin fund. Do luhej kupa ballkanike. Fatmir Frasheri dhe Bejkush Birce e kishin ndarë mendjen ndërsa ata të ministrisë ishin tiofozë te çmendur.

Hekuran Isai me thiri në zyrë bashkë me babin. Më nxorren letrat dhe menjëherë mund të na kishin internuar. E gjithë kjo amulli ishte krijuar nga letra anonime.  Nuk kisha ndërmend të arratisesha nesë shkoja në kupën ballkanike.

I dhashë besën që nuk do arratisesha. Pas kësaj situate nisi rruga e konfirmimit. Zhvilluam ndeshjet për kupën ballkanike në Greqi dhe Turqi dhe nuk u largova, sepse nuk mund të rrezikoja familjen që mund të internohej.

Fitova superkupën e parë me Dinamon ku u shpalla lojtari i ndeshjes. Trajneri i kombëtares, Shyqyri Rreli merrte pese apo gjashtë lojtar të Tiranës dhe nuk kishte shumë hapësira për lojtarë të tjerë deri sa erdhi një trajner nga Gjermania Lindore.

Ai largoi lojtarët e vjetër dhe e ndërtoi skuadrën nga fillimi. U bëra pjesë e përhershme e kombëtares. Në atë kohë futbollistët konsideroheshin si të pa shkollë. 

Kur jam kthyer në Shkodër nëna më tha se pse nuk i kisha thënë asnjëherë që isha futbollist i famshëm. Kur shënova tre gola me kokë ndaj Shkendise nëna më pyeti: "Si dolët? Fituam i thash dhe shënova tre gola me kokë. Si ka mundësi tha, a ti quajtën golat, se unë e di që golat bëhen me këmbë dhe jo me kokë?". Nëna ime nuk dinte asgjë se çfarë ishte futbolli.

Prindërit e mi nuk e dinin se çfarë është futbolli. Por kohët e eksodit më përfshinë dhe mua të kërkoja atë që doja më shumë, lirinë. Një javë më pas marr vesh që prindërit e mi ishin të mërzitur. Vëllai kishte një javë që ishte larguar nga Shkodra. Ishin larguar me peshkarexhë dhe nuk kishin marrë më lajm prej tij.

Vendosa të qëndroja pranë prindërve sepse po kalonin një situatë të vështirë. Kur arrita me kombëtaren në Francë, takova disa emigrantë. Nga lidhjet e tyre më thanë se vëllai ishte në Bari në një kishë dhe se ishte mirë me shëndet. Pas këtij lajmi vendos të qëndroj në Francë. Shkruaj një letër dhe ja jap Hysen Zmijanit për t'ia dërguar prindërve.

Nga ndeshja që luajta me yjet e fubollit botëror, pas 24 orësh u gjenda në një kamp refugjatësh. Shokët e mi e nisën me uiski në kampe, ndërsa unë dola nga kampi se kisha një qëllim. Nuk zgjodha rrugën e lehtë për tu bërë gangster, por zgjodha rrugën më të vështirë, rrugën e futbollit. 

Aty nisi aventura ime me futbollin jashtë Shqipërisë. Për të arritur në nivelin europian duhej të kapja formën fizike. Bëja stëvitje pa pushim që në orët e para të mëngjesit në rrugët ku kamionët kalonin vetëm disa centimetra pranë meje. Mendoja se edhe nëse kamioni do më shtypte, doja të tregoja se po përpiqesha të arrija diku. Duhej kondicioni fizik.  Sikur të mos mjaftonin vështirësitë e fillimit, theva këmbën në ditën e parë në La Mansh, sa isha bërë pjesë e ekipit. Edhe pse u gjenda "rrafsh me tokën", pashë që kisha ende një shans, sepse njeriu duhet të luftojë. Dhe nëse lufton gjithnjë e ke një shans. Nëse nuk do kisha kaluar ato sakrifica nuk do kisha arritur kurrë këtu ku jam.

Në Francë kisha vetëm 100 dollarë në xhep, një palë xhinse, një palë këpucë futbolli, një palë atlete dhe nje bluze. Kaq kisha për të ëndërruar.

Kur u bëra pjesë e Tours, Dinamo kërkonte 100 mije euro dëmshpërblim.  Ndërkohë kërkesa për azil politik nuk u pranua sepse nuk konsiderohesha si person me probleme politike. U ndjeva si në grackë dhe u ktheva te luaja me Dinamon për të fituar lirinë e kalimit në një klub europian.

Babi dhe mami paguanin 5 lekë një mësues që të më mësonte italishten fshehurazi  në Shkodër kur isha fëmijë me vëllain. "Kjo gjuhë një ditë mund të hapë derën", më thonin. Dhe pikërisht kjo gjuhë më hapi portën e mundësisë. Pas një viti e gjysmë zoti më hodhi një sy dhe më tha se të dua te Celltiku i Gllasgout.  Ajo gjuhë më ndihmoi atë moment, pikërisht në kontaktet me Celltikun e Gllazgout. Komunikova me trajnerin Liam Brady në italisht dhe arrita të merrem vesh. Gjëja e parë që më tha ishte se zemra jote duhet të punojë dy herë më shumë se sa në Europë.

Në dhomen e hotelit kur ndjeja zemrën që më diltë nga kraharori nga rrahjet e forta dilja gjithnjë në një përfundim. Shpirti i një luftëtari në jetë kultivohet që fëmijë dhe unë fatmirësisht e kisha kultivuar brenda vetes luftëtarin....

Në Skoci duhej ta nisja sërish nga fillimi. Në Francë duhej të rritesha fizikisht për të qenë gati, ndërsa në Skoci duhej një sakrificë tjetër më e madhe. Ditët e para ishin luftë në të gjitha aspektet, duke nisur nga ambjentimi me jetën e përditshme dhe duke përfunduar tek mënyra e stërvitjes dhe e lojës.

Kur më thonin kolegët të dilnim, pija vetëm lëng frutash. Nuk u ingranova me kulturën e shokëve të ekipit për të ardhur i kuq dhe sy të zgurdulluar në orët e para të mëngjesit.

Kujdesesha shumë për regjimin dhe isha korrekt në stërvitje. Kalova tre sezone të jashtëzakonshme me ekipin historik Celtik Gllasgou........(vijon në artikullin pasardhës)

 

Nga

Rudi VATA

(ish-futbollist, kapiten i kombëtares)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)