Agustin KOLA





Publikuar më 23.01.2024

Kur po kthehesha në shtëpi, shumë tifozë gjendeshin poshtë shtëpisë sime. Ata brohorisnin. Atë ditë ishim kualifikuar në kupë dhe unë kisha shënuar katër gola. Pasi përshëndetem me tifozët, futem në shtëpi. 

Babai ishte ulur në tavolinën e ngrënies. Në shtëpi ishte aq qetësi, aq sa krijova idenë se askush nuk kishte parë apo dëgjuar për ndeshjen!

Papritur vijnë fjalët që në këtë rast askush nuk do donte ti dëgjonte… 

"Pse, ashtu luhet futboll, siç luajte ti?", shin fjalët shtangëse të babit. U mërzita jashtë mase dhe në nerva e sipër theva pjatën time në dysheme. Kisha shënuar katër gola dhe u largova në dhomë sikur kisha dalë me karton të kuq. Më vonë dola sërish në guzhinë. Kësaj radhe aty ishte vëllai i madh. “Babi ka të drejtë”, më tha ai. Iku dhe pjata e dytë e thyer në dysheme… 

Kjo ishte fryma kërkuese deri në ekstrem me të cilën jam rritur që i vogël. Karakterin dhe grintën e lindur tek unë e forcoi edhe me shume presioni që vinte nga familjarët. Në shtëpi ishin gjithmonë kritikë. Gjithnjë do gjenin diçka që nuk shkonte në lojën time.

Vija nga një familje sportistësh ku babi merrej me boks, mami me volejboll, vëllai i madh me futboll dhe dy vëllezërit më të vegjël, kampionë në hendboll.

Më aktivizuan me cirk dhe not. Ishte praktikë e familjes që fëmijët duheshin të merreshin me sport për të shmangur jetën e  rrugës. Dhe në një rast sporti më shpëtoi. Kur u ktheva një ditë nga noti shokët më thanë se do bënin diçka sapo të errësohej. Mezi qëndroja në këmbë nga lodhja e stërvitjes dhe në këtë mënyrë ika në shtëpi. Të nesërmen më thërrasin për shpjegime, por atë natë isha në shtëpi. Kisha alibinë time falë sportit. 

Edhe pse meresha me not, kohën e lirë e kaloja me topin e llastikut në duar para pallatit duke luajtur futboll. Në atë kohë çdo pallat kishte hapësira ku fëmijët luanin deri vonë. Në 8-vjeçare Aurel Verria më nuhati si talent tek kampionati i shkollave dhe më afroi tek ekipi i pionerëve (17 Nëntori )Tirana sot. 

Në fillim më aktivizuan në portë. Deri sa në një moment doli në pah karakteri i lindur. Përplasa dorezat gjatë ndeshjes në spartakiadë kur po mundeshim 1 me 0 nga Flamurtari. Trajneri Enver Rada më aktivizoi po në atë ndeshje në sulm ku shënova dy gola. Në fund të spartakiadës dolëm kampionë. Që atë ndeshje nuk luajta më në portë. 

Grinta për të qenë gjithnjë fitues më bëntë kërkues. Kështu isha mësuar. Trajneri na thonte shpesh se përpara se të bëheshim futbollistë duhej të ishim njerëz. Kritikat në shtëpi dhe në klub më bënë ta konsideroja luftë lojën sa herë që zbrisja në fushë. Dhe kjo luftë zgjati gjatë gjithë karrierës më pas. 

Në një rast po luaja në lagje ku kundërshtar kisha vëllain tim të madh. Nga një përplasje shumë e fortë i nxorra gjurin. Ishte si pasojë e luftës në fushë pa armë, ku nuk njihja njeri, jashtë fushe më pas ishte çdo gjë normalitet. 

Sistemi i punës në atë kohë i kërkonte lojtarët kokëulur në stërvitje dhe në ndeshje dhe të zbatohej gjithçka që thonte trajneri. Futbollisti fliste me këmbë dhe jo me gojë. 

Tirana kishte emër të madh dhe një histori që më bëri për vete kur shikoja kolosët e këtij ekipi. Kalimi në Mjeshtërinë Sportive bëri që të luaja me Shkëndinë. Dhe atje me emra të mëdhenj. Saimir Dauti trajneri që më afroi tek të rinjtë. Shyqyri Rreli pyeste trajnerët për talentin e gjithsecilit. Tek Shkëndija luaja mbrojtës i majtë. Ndeshjen e parë si profesionist në Superligë e zhvillova në Elbasan ndaj Labinotit. Isha vetëm 16 vjeç e gjashtë muaj.


Ndaj Vllaznisë përplasem në një dylyftim me Zhegën dhe i çaj hundën. Gjaku i dilte pa pushim, ndërsa ai  mu afrua dhe më tha: “Kështu luaj mos hap rrugë”. Ishte fryma e tillë në atë kohë. Kështu u rrita si lojtar, duke dhënv gjithçka në fushë. Dinamo e Tiranës më huazoi për ndeshjet Europiane si mbrojtës i majtë. Pas ndeshjeve blutë donin të qëndroja aty. Por i thashë që doja Tiranën. Dhe ashtu ndodhi. Të luaja me Tiranën ishte gjëja që ëndërroja.

Ali Mema dhe Frashëri më donin në sulm, sepse aty bëja më mirë. Dhe kështu që në atë kohë pozicioni im nuk ndryshoi më edhe pse isha në gjendje që të luaja në disa pozicione. Tirana u bë shtëpia ime, ku më shumë qëndroja në klub se sa në shtëpi. 

Shokët e skuadrës u bënë familja ime. Aty u bashkova me Benin (Arben Mingen), për të cilin prekem sa herë që i përmend emrin. E kisha si vëlla. Ai ishte njeri i shakasë, unë më i tërhequr. Kemi kaluar kohë të arta në klub dhe kudo me vëllain tim, Benin.


Si skuadër ishim grup shumë i bashkuar dhe e ndihmonim njëri tjetrin në fushë. Edhe ekipet  si Vllaznia, Flamurtari, Besa, Labinoti, Luftëtari etj qenë shumë të forta. Stadiumet ishin gjithnjë plot dhe në fund të çdo ndeshje na respektonin kudo ku luanim. Me këto kujtime më zë gjumi natën. 

Vetitë që ushqeva që në fëmijëri nuk i humba kurrë. Karakteri im për të mos u dorëzuar më ndihmoi shumë edhe në momentin më delikat të karrierës. Djali i Xhaxhait u arritis jashtë shtetit. kjo ngjarje nuk mund të më linte jashtë vëmendjes dhe mua si i afërm. Si pasojë më dënuan me tre kartonë të kuq, që do të thonte 1 vit pa luajtur. Madje nuk u lejova të shkelja as në klub. Vrapoja si i çmendur çdo ditë nga liqeni artificial, i cili u kthye si zona e stërvitjes me trajnerë të atletikës. Organizoja ndeshje me shokët e lagjes për të mbajtur trupin dhe reflekset me topin. Mendonin që do e kisha të vështirë të kthehesha në fushë si profesionist, por grinta ime nuk më la në baltë. Futbolli dhe jeta ime ishte beteja që duhej ta fitoja atë vit. Dhe fitova. U ktheva i fortë, sikur nuk isha larguar asnjë ditë nga klubi. 

Rivaliteti me Partizanin i kalonte ndonjëherë kufijtë, por gjithçka mbetej në tribuna dhe në ndeshje. Jashtë ishim miq. Në një ndeshje babi ishte në tribunë. Një tifoz i Partizanit më shan nga mami. Ai nuk e dinte që aty pranë ishte im atë. "Me mamin e tij merrem unë", i kishte thënë babi. I shtangur nga kjo situatë, ai i kërkoi falje. Të nesërmen më erdhi dhe mua dhe më tregoi çfarë kishte ngjarë duke më përkuar falje. "Janë normale që këtë gjëra ndodhin gjatë një ndeshje, por e rëndësishme është që jashtë saj jemi njërëz", i thash. Dhe në të vërtetë ishte një gjest i respektuar falja e tij, sepse pavarësisht kundërshtarit inatet mbeteshin në fushë. Ky është një mesazh për tifozët e sotëm që duhet të shmangin koret dhe të respektojnë njeri tjetrin. 

Tirana ishte ekipi i zemrës, por të gjithë ëndërronim fanellën kuqezi të kombëtares. Kur shkonim të luanim jashtë me kombëtaren e kishim mendjen se si të mos pësonim shumë gola dhe se çfarë gjërash do mernim për ti sjellë në shtëpi. Qëndronim gjatë gjithë natës jashtë nëpër klube ate. Kur mendonim se të nesërmen do të ndesheshim me Rumenigen nuk na zinte gjumi.

E vetmja mundësi reale për tu kualifikuar ishte fitorja me Belgjikën. Fati ynë i keq ishte që ndeshja pasardhëse me Greqinë u shty për shkak se Enveri vdiq. Kjo ndikoi në frymën e ekipit dhe në shumë faktorë të tjerë që të mos bënim më shumë. Për shkak të tij në fakt shumë lojtarë në kohën time kishin frikë të largoheshin nga Shqipëria për të luajtur. Në një rast në Linfild të Irlandës së Veriut presidenti më ftoi pas ndeshjes që luajtëm me Tiranën dhe më tha që të kërkoja çfarë të doja për tu bërë pjesë e ekipit të tij... Arben Vila dinte anglisht dhe me anë të tij komunikova me presidentin e ekipit të Linfild.

Por ai nuk e dinte se çfarë mund ti ndodhte familjes sime nëse vendosja të qëndroja. Duhej të vinin vitet 90, madje kur isha 32 vjeç që të luaja për herë të parë jashtë vendit. Isha nisur për të kaluar në Turqi, sepse ishte gati një kontratë me Beshiktashin. Kalimi në Greqi dhe qëndrimi për disa ditë aty i ndryshoi planet. Ndërkohë që po stërvitesha me Egaleo të kategorisë dytë, presidenti më ofroi një kontratë që nuk e kisha parë kurrë më parë. Dhe me ndërhyrjen e djalit të xhaxhait vendosa të qëndroj aty për disa sezone. Isha 32 vjeç. 

Me Benin në distancë vendosëm ta linim së bashku karrierën tek Tirana më 1998. Kështu u bashkuam dhe u veshëm edhe një herë bardheblu përpara se ti jepnim lamtumirë fubtollit të luajtur. Një futbollist që është marrë gjithë jetës me këtë lojë nuk mund të bëjë dot pa të. Kështu nisi dhe rruga e trajningut. Suksesi më i madh ishte fitorja e titullit me Tiranën kur ishim shumë pikë larg vendit të parë. Që nga ajo kohë dëshira dhe pasioni më ka orientuar në trajnimin e fëmijëve.

I stërvis me të njëtën pasion siç jam stërvitur unë nga trajnerët e mi. Figura e trajnerit është shumë e rëndësishme, aq sa herë shkoj në stadiumin Selman Stremasi përqafoj statujën e Ali Memës. Ata na bënë këto që jemi sot. Ata na bënë të jemi njerëz dhe të kemi sukses.


Fëmijët duhet të meren me sport me apo pa talent. Vajza ime Xhulia u mor me futboll që në moshën 6 vjeçare. Luante me djemtë. E donte futbollin dhe ishte shumë e pasionuar. Ajo i kuptonte shumë mirë se cili lojtar kishte reputacion pozitiv. Ajo e kuptoi që përpara se të jesh profesonist në një fushë duhet të jesh njeri. Ky është mësimi bazë që kërkoj tek fëmijët dhe të rinjtë. Jam i lumur që kam arritur të nxjerr disa futbollistë shumë cilësorë, si Agolli, Bulku, Hoxhallari e të tjerë. 

Shpirti luftarak dhe karakteri i fortë më ka bërë të kaloj shumë situata dhe të fitoj luftën time në fushë, por pa armë. Jam i lumtur dhe nostalgjik sepse ja kam arritur fale grupit, sepse futbolli është lojë kolektive. 

Do vazhdoj të kujtoj gjithçka para gjumit, sepse kujtimet më të bukura të jetës sime kanë emrin fubtoll. 


Faleminderit!


Nga 

Agustin Kola

(Ish-lojtar, trajner) 


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !