Publikuar më: 15.05.2021
Nga lart më dukej sikur thellësia e ujit më thërriste në atë ditë të nxehtë në Ohër.
I përgjigjem thirrjes dhe kërcej fort duke u hedhur me kokë.
Por atje nuk më priti thellësia, por diçka tjetër...
Ishte një shkëmb i cili kishte zgjatur duart në cekësi...
Nuk kuptova asgjë.
Pas një minute në ujë më shfaqen mrekulli të pashpjegueshme. Isha në qetësi, po përjetoja kënaqësi të jashtëzakonshme, të cilat nuk i shpjegoj dot.
Një dorë më tërheq nga uji, rrjedhimisht dhe nga gjendja ku isha futur.
"O Tafe, pse më nxorre nga uji?" , pyeta Kristidhin, ish lojtarin e Luftëtarit.
U ktheva nga "rruga" ku isha nisur.
Nga 40 gradë, temperatura u ndryshua menjëherë në atmosferë.
Nisi shiu dhe unë gjendesha në ambulancë në drejtim të spitalit të Shkupit.
Mendoja se ishte diçka e lehtë.
Në spital filluan të më vizitonin shumë njerëz jo vetëm nga futbolli. Vizitat nuk mbaronin kurrë...Ishin shumë, shumë.
Vetëm në ato memente kuptova se çfarë isha në futboll, se çfarë kisha bërë në lojën magjike. Vetëm në atë moment kuptova se sa vlerë kisha, diçka që skisha mundur në asnjë rast ta shikoja te vetja kur luaja në fushë.
Vizitat e shumta më dhanë madhështi, por në të njëjtën kohë më lanë të kuptoja njëkohësisht se ajo tragjedi më kishte shkëputur përgjithmonë nga jeta ime, futbolli.
Isha paralizuar...
Para meje çdo vizitë më sillte në mendje çdo çast nga karriera si futbollist, karrierë e cila ishte në kulm. Jeta ime ishte kthyer në një urë lidhëse midis së shkuarës dhe së ardhmes. Ishte fat i keq ndoshta, por mendoj që me disa zgjedhje ndryshe në jetë, sot historia mund të ishte ndryshe.
Prandaj dua ta cilësoj historinë time si mesazh për këdo.
Nuk isha bërë futbollist në atë moment, por sapo kisha fituar kombëtaren dhe në të njëjtën kohër kisha humbur gjithçka. Ato momente delikate në spital më rikthyen në kujtime vrapimet në fushat me bar natyral në qytetin tim. Legjenda Hasan Germeni ishte trajneri, i cili më pikasi si talent në klasën e tretë fillore. Teknika e lartë kishte rritur shumë pritshmëritë ndaj meje. Dribloja shumë mirë ndaj çdo kundërshtari të moshës. Pas dy vitesh, kalova te klasat sportive. Edhe pse isha shumë i vogël, më grumbullonin me ekipin e klasës së tetë. Realizoj gola të rëndësishëm. Rritja ime premtonte dhe si pasojë kaloj me paratërinjtë e Besës, drejtuar nga i mirënjohuri Bujar Pagria. Menjëherë edhe aty shpërthej me lojën dhe driblimet e shumta. Isha 10-ësh në këtë moshë. Luanim një ndeshje ndaj Tiranës. Në pjesën e parë ata shënuan dy gola me Bushin. Në pjesën e dytë dal unë në skenë dhe me tre golat e mi arrijmë të kthejmë rezultatin. Vetëm një vit me paratërinjte, sepse pa mbushur 15 vjeç më thërret trajneri që ka ndikuar më shumë në rritjen time si futbollist, trajneri Fisnik Kosova.
Para çdo ndeshje për të më karikuar dhe dhënë besim më thonte gjithmonë: "Tregoje veten. Je më i miri i moshës tënde".
Kavaja jetonte me futbollin, Fusha e vjetër mbushej me 6-7 mijë tifozë në çdo ndeshje kur luanin të rinjtë. Ishte atmosferë e jashtëzakonshme. Edhe me këtë grupmoshë arrita të kthej ndeshjet me talentin që disponoja. Isha një lojtar me shumë perspektivë.
Derbi me Durrësin përjetohej shumë. Në finalen e dytë arritëm të kalonim përpara mijëra sportdashësve, por në fund këtë të drejtë na e hoqi gjyqtari. Në fushë me ekipin tonë kishte zbritur një lojtar, i cili ishte i pezulluar. Çdo ndeshje jetohej shumë. Qytet me 35 mijë banorë, por kishte në dispozicion 9 fusha të mëdha futbolli me bar natyral. Fusha e Kadive kishte një kompleks me 5-6 fusha natyrale, ishte si Milanelo. Sot ndihem shumë keq kur shikoj që pasioni i atyre viteve është venitur dhe katandisur në këtë mënyrë ku ndodhet sot.
Nga ky qytet kanë dalë shumë lojtarë që kanë bërë histori në futbollin tonë. E kam të vështirë të përmend emra se janë pa fund. Gjithsesi do veçoja një emër, mbretin e futbollit kavajas dhe atij shqiptar, Muharrem Kariqi. Dikur një zyrtar i lartë me një batutë tha se në Kuçovë kur vendos belin mund të nxjerrës naftë, ndërsa po të vendosësh belin në Kavajë do nxjerrës futbollistë. Kjo thënie e kohës ishte në sinkronë me realitetin e futbollit që tregonte qartë fidanishten kavajase. Sot nuk ka mbetur asgjë nga ajo fidanishte. Çdo gjë është ndryshe.
Në vitin 1991 bashkohem me ekipin e parë me trajnerin pasionant, Bajram Hushi. Në ndeshjen e dytë të kampionatit në Kavajë prisnim Korçën. Trajneri më thërret të bëja nxemjen nga krahu i portës. Stadiumi ishte i mbushur plot, atmosfera ishte elektrizuese. Emocionet më kishin bërë që mos të isha aty me mendje por vetëm fizikisht. Tifozët më kishin ndjekur tek të rinjtë. Ata kerkonin me ovacione që të futesha në lojë. Aty pranë meje më afrohet i madhi Ali Plaku, tifozi i Besës.
"E shikon atë të gjatin që luan me Skënderbeun? Nëse i fut një top mes shalëve do të mbahesh mend gjatë", më tha.
Nuk e kisha mendjen fare. Isha i hutuar, do luaja për herë të parë me Besën. Vjen momenti. Pas tre minutash në fushë, i kaloj topin Stratobërdës midis shalëve. I gjithë stadiumi u transformua në vullkan. Por pas këtij momenti, për 20 minuta nuk kapa më asnjë top. Kjo ditë është e veçantë në jetën time. Isha 17 vjeç.
Edhe pse fushat ishin të shumta, cilësia e tyre na kishte bërë që të luanim me kokën poshtë. Me kokën poshtë sepse duhej të kujdeseshim instiktivisht që topi të mos pengohej nga ndonjë gropë apo gungë. Pëlqehesha shumë për teknikën e lartë, por gabimi im ishte që nuk bëra atë që duhej në pëgatitjen fizike. Nuk i përmirësova vetitë dhe nuk bëja stërvitje ekstra për tu rritur në aspektet e tjera si fizike apo psikologjike. U mjaftova vetëm me talentin natyral.
Në moshën 19 vjeçare po zhvillonim një kampionat ku rrezikonim të dilnim nga kategoria. Duhej të fitonim ndaj Vllaznisë dhe Partizanit. Duheshin dy fitore. Më Shkodrën loja po shkonte drejt fundit në barazim. Gjyqatari dha 9 minuta shtesë dhe nuk po përfundonte. Minuta e fundit e shtesës. I afrohem gjyqtarit dhe i them.
"Nuk kemi çfarë të themi, ti e bërë tënden".
Ekzekutohet goditja e këndit dhe me gjysmë roveshtatë shënoj golin që na dha fitoren.
Në ndeshjen e radhës ndaj Partizanit kalojmë në avantazh me golin tim, ku në portë ishte legjenda Perlat Musta. Por Bogdani barazoi lojën me kokë. Duhej të vinte goli i Ilir Duros përballë Mustës që të na jepte qëndrimin në kategori.
Në atë kohë luajtëm një miqësore më Dinamon e Demollarit. Ishte një moment që nuk do e harroj, sepse për mua Sula është një nga lojtarët më të jashtëzakonshëm. Gjatë kësaj periudhe nuk mund të lë pa përmendur eksperiencën e paharruar me legjendën Zihni Gjinali (Ustai) dhe eksperiencën me trajnerin e shquar Haki Arkaxhiu. Ishte kohë ku lojtarët donin të largoheshin jashtë shtetit për një karrierë më të mirë.
Largohem edhe unë në Itali për gjashtë muaj. Atje u aktivizova me një ekip nga rajoni i Barit në ligat inferiore. "Je një lojtar me talent, do besh karrierë", më thonin drejtuesit. Por kjo eksperiencë u mbyll shpejt sepse presidenti i ekipit kishte problememe drejtësinë. Ndërkohë nga Shqipëria kishin shpërthyer firmat. Kthehem. Daiu më thotë që të kaloja të Partizani sepse paguanin shumë mirë. U vendos të kaloja atje. Por një natë para një mik më vjen në shtëpi."Nga Tirana do largohet Prenga dhe ata të duan në ekip".
Në mëngjes destinacioni im ndryshoi dhe përfundoi te Tirana. U vesha bardheblu.
Drejtuesit e Besës nuk më jepnin dokumentacionin. Kërkonin 4 milionë lekë. Luhej derbi me Partizanin. Mezi e kisha pritur atë moment. Ndërkohë rruga ime vajtje ardhje në Kavajë ishte bërë e zakonshme, sepse shkoja me shpresën për të marrë dokumentet. Por nuk ishte e thënë. Lutjes sime për të disatën herë drejtuesit kavajas nuk iu përgjigjen.
Atë derbi e pashë nga tribuna. Kaluan disa muaj deri sa dokumentacionin ma dhanë rastësisht. Por këto vonesa kishin ndikuar negativisht, si në aspektin profesional por mbi të gjitha psikologjik. Këtu duhej vendosmëri dhe ego për të arritur qëllimin. Isha një lojtar që nuk punoja nga ana psikologjike. U bazoja thjesht tek talenti. Një veti që më penalizoi në shumë raste gjatë karrierës. Edhe largimi nga ky ekip erdhi si pasojë e një momneti që nuk u menaxhua siç duhej nga unë. Aktivizohem si zëvendësue, por pas 20 minutash shikoj emrin tim në tabelen e ndërrimeve. Këtë moment nuk e përballova dot dhe kërkova me ngulm të rikthehesha në Kavajë. Besimi në aftësitë që disponoja nuk ishte në nivelin e duhur. Demoralizimi ecte me mua në këtë fazë. Trajneri Ramadan Shehu më këkonte kudo ku shkonte. Ai besonte tek unë. Kështu u largova me pengje nga Tirana drejt vendlindjes sime, sepse kërkohej të shpëtonim Besën nga rënia. Aventurë që zgjati pak. Në karrierë kam kaluar periudhën më të mirë tek Partizani. Edmond Gëzdari më gjeti pozicionin ideal. "Do qëndrosh tek kjo hapësirë në fushë. Nuk ke punë në vend tjetër", tha.
Më vendosi në krahun e majtë pas dy sulmuesve. Aty ndryshoi bota ime. Luaja shumë pastër dhe dribloja pa problem çdo lojtar që dilte përpara. Ai arriti të merrte më të mirën nga talenti që kisha...Luftëtari nga ana tjetër po ndërtonte një ekip shumë të mirë. Synohej maja e tabelës. Afruan disa lojtarë me të cilët u rrita tek Besa. Ndër to isha dhe unë. Duhej të vinte ky moment që të realizohej dhe ëndrra ime, fanella kuqezi. Fillimisht u përzgjodha për të luajtur një miqësore me Kosovën. Në atë sfidë u paraqita shumë mirë. Kozniku, lojtari i famshëm nga Kosova që luante me Dinamon e Zagrebit më tha në fundin e takimit që duhej të largohesha nga Shqipëria dhe të luaja në një kampionat të huaj. Ndërkohë në tribunë ishte Zhega, trajneri i kombëtares. Mesa dukej i kisha lënë përshtypje shumë të mirë. Pasi kthehem në Gjirokastër, Nora më thotë që për ndeshjen e radhës kombëtarja më kishte ftuar. Nuk e besova, sepse ishim mësuar të bënin batuta me njëri-tjetrin. Gjithsesi ai nxiti kureshtjen të shkoja në një lokal aty pranë për të ndjekur edicionin informativ. Kronika e fundit fliste për kombëtaren. Nga të gjithë të grumbulluarit, vetëm pak lojtarë ishin nga Shqipëria ndër të cilët edhe unë. Lumturia nuk kishte fund atë natë. Do luanim në turneun Rothmans në Maltë.
Grumbullimi me kombëtaren ishte arritja ime e madhe. Duke parë lojtarët e grumbulluar nga njëra anë dhe mungesën e besimit tek cilesitë e mia nga ana tjetër nuk e mendoja që do të aktivizohesha. Ndërkohë pësoj një dëmtim në gju. Për arsyet që thash më lart e mbajta të fshehtë.
Nuk e pashë si problem, por thjesht u mundova ta mbaja të fshehtë, sepse thjesht nuk mendoja se do luaja qoftë edhe 1 minutë. Papritur Medin Zhega më thotë të bëhesha gati. Isha në formacionin titullar.
U shtanga. Dhimbja dhe kënaqësia u bënë bashkë në atë moment. Duhej të zgjidhja, të tregoja që isha i dëmtuar dhe të humbisja mundësinë e jetës, apo të rrezikoja dhe të futesha i dëmtuar. I them Jupit që isha i dëmtuar. Ai më tha ti tregoja Zhegës. Perlat Musta nga ana tjetër foli me doktorin e kombëtares. Kur Lluka Heqimi afrohet, i kërkoj voltaren. Kisha vendosur të luaja. "E kam parandjenjë që nuk do luaj më më kombëtaren. Po rrezikoj, do futem në ndeshje", i thashë. Futem me gjurin e dëmtuar. Çdo top e pasoj me të majtën për të mbrojtur dëmtimin e këmbës tjetër. Minutat kalojnë dhe dhimbja nis dhe largohet. Arrij deri aty sa godas me roveshatë një top nga një kros, por portieri grushton. Fitojmë takimin e parë.
Në fund të ndeshjes shtrihem në fushë. Zhega afrohet pranë dhe më ledhaton kokën për të shprehur gëzimin, ndërkohë dhimbjet u rikthyen shumë fort në gju dhe këmba u bllokua. Isha i dërrmuar totalisht. Në ndeshjen me Azerbajxhanin qëndrova në tribunë. Ndërkohë ndaj Maltës isha i veshur civil. Më thonë të afrohesha në pankinë. Vishem shpejt me rroba sportive se ndryshe nuk më linin. Por nuk ishte e thënë që do qëndroja në stol. Edmond Dalipi duhej të zëvendësohej. Zhega kthehet nga unë. Me gjurin e dërrmuar sërish nuk thashë jo. E gjithë kjo tregonte edhe nivelin amator ku gjendeshim si kombëtare në ato vite në të gjitha aspektet. Dhashë kontributin tim në fitimin e trofeut.Pasa triumfit kthyehen në Gjirokastër ku qëndroj shumë larg fushave të lojës. Duhet të rikuperoja dëmtimin. Një nga sfidat e jashtëzakonshme që më kujtohet shpesh në kampionat ishte Vllaznia. Pas golit të shënuar dhe kthesës nga 0 me 2 në 3 me 2, shkova të festoja nëte trubuna e tifozëve. Dikush nga ata me hedh një tufë më dhrami. Ishin rreth 300-400 mijë lekë të vjetra. Imagjinoni se në çfarë atmosfere u luante në Gjirokastër. Gjithsesi në Maltë kisha marrë një mesazh, një parandjenjë më kishte thënë se nuk do luaja më me kombëtaren, por jo vetëm kaq. Nuk do luaja më futboll. Karriera ime do përfundonte në moshën 26-vjeçare në mënyrën më të keqë të mundshme me aksidentin që pësova. Rrugëtimit tim i kishte ardhur fundi. Ishim në fazë përgatitore në Oher. Pas fatkeqësisë që erdhi tek unë në formë paralize, kalova 10 muaj në spitalin e Shkupit, ku erdhën dhe me takuan shumë njerëz, prej të cilëve shumë nuk i njihja, por më njihnin ata mua. Qëndrova dhe një vit e gjysmë në Kinë më vonë në një spital shumë të kualifkuar. Miku im, Kujtim Xhani ambasador, më mundësoi këtë së bashku me familjen e tij. Pranë meje qëndruan dhe qëndrojnë miqtë e mi të panumërt. Përkrahja nuk më ka munguar në asnjë rast, nga kolegët veçanërisht. I jam mirënjohës pa fund të gjithë shokëve dhe miqve. Nga Kavaja që më dha titullin e mirënjohjes së qyetetit deri te Partizani që më vlerësoi me mirënjohje në rastin e 70 vjetorit.Sot jetoj duke pasur pranë nipërit dhe mbesat e mi. Gresi, Denisi, Matia dhe Brajan janë kthyer motiv në jetën time.
Sot jam paralizuar dhe kur ndjek futbollin nga ekrani mendoj shpesh rreth kohës kur luaja futboll.
Nuk do bëja gjërat që bëra.
Talentin do e vlerësoja më shumë dhe do kujdesesha ta përmirësoja anët e tjera për tu transformuar në një lojtar me synime të qarta. Duhej të stërvitesha më shumë, të sakrifikoja më shumë, të djersisja më shumë dhe ndodhta vetëm kështu do mund të ndryshoja fatin tim..
Por kjo nuk ndodhi. Ajo që mbetet tashmë është historia ime, e cila shpresoj të jetë një mesazh për të rinjtë që duan futbollin, për brezat, në mënyrë që të besojnë dhe vlerësojnë cilësitë që secili ka, të punojnë fort për qëllimet dhe të mosmjaftohen thjesht me talentin që i ka dhënë natyra.
Falë futbollit arrita të përballoj shumë mirë fatin tim.
Për këtë ndihem mirënjohës, faleminderit futboll.
Nga
Altin Rrica
(ish-futbollist)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!