Andi RIBAJ

 

 

 


Publikuar më 03.12.2020


Fillimi e ka një fund, por edhe fundi sjell gjithnjë një fillim. Qyteti që më ka ofruar qetësinë e gjithanshme meriton të jetë në majën e futbollit shqiptar për vetë historinë që përfaqëson. Në Vlorë jam me bindje  që të jap atë që duhet për Flamurtarin.
Jam këtu sepse ambjenti më ofron qetësinë, e cila nuk gjendet lehtë.
Pa dashur të jem nostalgjik, këtu më shfaqet herë pas here ai fëmija që luante në sheshet e pallateve në Fier. Ribaj i vogël, i cili vraponte me shokët pas topit. Prindërit kanë qenë mbështetja ime e fortë. Më regjistruan që në moshjën 7-vjeçare në akademinë e Apolonisë. Trajneri im i parë ishte Zhdranov Tartari. Më pas te paratërinjtë ishte Roland Mehmeti, i cili ishte një shtysë e madhe në karrierën time.
Te ekipi i të rinjve u stërvita nga Andrea Tanaka dhe Shpëtim Sino.
Në moshën 18 vjeçare bëhem pjesë e skuadrës Norga që luante në kategorinë e dytë. Krahas stërvitjes dhe aktivizimit më krijuan mundësinë që të vijoja edhe studimet te "Vojo Kushi".
Pas një sezoni kthehem te Apolonia. Trajneri serb Esat Karishik kishte nisur seleksionimin. Nuk shikohesha si lojtar titullar në fillim për shkak të moshës. Por atë sezon nisën kontradiktat midis futbollistëve të formacionit bazë me drejtuesit e klubit. Kjo situatë ndikoi që shumë lojtarë të largoheshin. Aktivizohem për herë të parë me Apoloninë si titullar dhe menjëherë shfaqem si golashënues. Ndeshja e parë  u pasua me katër vite karrierë në ambjentin bardhë e jeshil. U transformova në lojtarin kryesor të ekipit.
Paraqitjet cilësore sollën edhe hapin e madh të karrierës. Kalova te Skëndebeu, i cili ishte në shkallët më të larta. Aktivizohem në kupat e Ligës së Europës.  Luanim ndaj Odesës.
Orelesi më jep një pasim fantastik dhe unë shënoj golin e fitores. Ky konsiderohet një nga golat më të rëndësishëm në karrierën time.
Ndjeva për herë të parë emocionet e forta që të jep suksesi në arenat europiane. Sezonin e dytë shfaqa oshilacione në lojën time për shumë arsye. Nuk po e gjeja më veten dhe kthehem te streha ime e përhershme, Apolonia.
Pas një sezoni me fierakët  transferohem te Makabi Kiriat në Izrael. Fotografi i ekipit më thotë se duhet të tregohem serioz në foto. Por ajo fotografi më nxori më shumë qesharak se sa serioz nga mënyra e qëndrimit tim.
Ishte një sezon pozitiv. Kisha mundësi të vijoja me një ekip tjetër atje, por kushtet nuk ishin të favorshme. Kthehem në Shqipëri dhe transferohem te Teuta. Më pas te Vllaznia e trajnerit Cungu. Luajta një nga sezonet më të hidhur në karrierë. Fundi i kampionatit ishte shumë zhgenjyes, ku përgjegjësi kishim të gjithë për rënien e djepit të futbollit shqiptar në kategorinë e parë.
Kur po bëhesha gati të luaja me Apoloninë, me të cilët kisha rënë dakord, Flamurtari më kërkon të luaj për ta. Oferta nga emri i madh i futbollit nuk mund të refuzohet lehtë nga askush. Me mirëkuptimin e dejtuesve të Apolonisë transferohem te Flamurtari. Pas problemeve që dihen tashmë, rënia nga kategoria u përjetua si dramë, kjo për shkak të historisë së klubit. Rënia u shoqërua me blookimin e merkatos. Me Flamurtarin mu rikthye historia me fotografin. Ishte ai kompozim dhe ajo foto shkaku ku unë dola me të kuqe ndaj Partizanit. Ky episod nuk duhej të ndodhte.
Skuadra është e mbushur me djem të rinj këtë sezon që kanë ego për të dhënë shumë në fushën e lojës. Shpresojmë që emri i madh i Flamurtarit të kthehet atje ku e ka vendin. Si kapiten kam detyrimin të orientoj ekipin në drejtimin e duhur.
E gjithë karriera ime është e lidhur ngushtë me familjen. Në fillimet e mia ishte familja që më shoqëroi në profesionin tim.
Tashmë bashkëshortja më mbush më ngrohtësinë që një lojtar ka nevojë në fushën e lojës.



 Nga  

Andi Ribaj

(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!