Ansi AGOLLI






Publikuar më 17.04.2021

Më thanë që do huazohesha në një ekip tjetër, sepse duhej të rritesha për të qenë gati. 

U nisa drejt destinacionit të ri!

Nga stadiumi "Selman Stermasi" më shoqëruan disa "miq" të papritur.

Kisha kohë që nuk i shihja...

Ata ishin lotët e mi...

Nuk u ndalën në asnjë çast... më shoqëruan deri në Fier.

Isha shumë i mërzitur, po largohesha nga Tirana.  

Kam qarë gjithë rrugës, sepse mendoja që nuk do kthehesha më tek bardheblutë, ekipi ku u ushqyen ëndrrat e mia si futbollist.

Moment që nuk do e harroj kurrë, sepse për herë të parë pasioni im ishte lëkundur. 

Ngjante me atë momentin kur shkon ditën e parë në shkollë dhe ti duhet të qëndrosh aty pa prindërit nga pas.

Muajt kaluan shpejt. 

Eksperienca 6-mujore me Apoloninë rezultoi  thelbësore për rritjen time profesionale por dhe si njeri.

Rikthehem në shtëpi, kesaj radhe pa "miqtë" dhe i lumtur...

Ndryshe nga sa e prisja, rikthimi te Tirana nuk ishte ashtu siç e kisha menduar.  

Presidenti El Sayed bëri të mundur që ekipi të kryente fazën përgatitore në Egjipt. 

Në organikë ishte afruar një lojtar grek. 

Futbollisti i sapoardhur nuk kishte uniformë për të luajtur një ndeshje miqësore. 

Në atë kohë nuk ishte si tani që çdo lojtar ka dy uniforma, por secili kishte nga një uniformë që e mbante me vete.

Drejtuesit e ekipit më marrin uniformën dhe ia japin lojtarit të sapoafruar. Isha më i vogli në ekip dhe kjo ishte zgjidhja e duhur sipas tyre. 

Ajo ditë u kthye në ditë zie për mua.

U ndjeva tmerrësisht keq. Më dukej sikur më kishin marrë shpirtin dhe unë nuk munda të bëja asgjë.

E vetma gjë që më mbante fort ishte mendimi që një ditë do të bëhesha titullari i bardhebluve, ashtu si në ëndrrat e mia.

Këto situata patën ndikim të fortë në rritjen e vazhdueshme. Situatat më përgatiten që të vlerësoja çdo sekondë mundësie që më jepej. Më bënë që të kuptoja që asgjë nuk arrihej lehtë pa sakrificën dhe durimin e duhur. 

Duhej të fokusohesha totalisht tek aftësitë që disponoja dhe ti përmirësoja çdo ditë. Fokusimi u kthye në qëllimin tim më pas...

I përjetoja shumë situatat në fillimin e karrierës sepse u rrita në një ambjent ku çdo gjë ishte e lidhur me futbollin.

Kur isha i vogël ndeshjet e Tiranës i shikoja në Rtsh.

Minga, Kola dhe Mersini u kthyen në pikat ku shikimi im tërhiqej fort. 

Shtëpia ishte kthyer në një vend grumbullimi të tifozëve edhe për ndeshjet ndërkombëtare. Aty mblidhej e gjithë "mhalla". 

Babai kishte vendosur një amplifikator poshtë çatisë së shtëpisë dhe me anë të antenës, që e kthente nga perëndimi, shikoheshin të gjitha ndeshjet ndërkombëtare, kupa e kampioneve, kampionati botëror dhe ai europian. 

Gjermanët  ishin më të preferuarit për tu parë në ambjentin e improvizuar sportiv. 

Si pasionant i futbollit, babi ishte promotori që të hidhja hapat e para në futboll. Ndikimi i tij ishte thelbësor. Ai ka luajtur futboll, po jo në nivele maksimale. Më vonë u bë trajner i ndërmarrjes artistike "Migjeni". 

Kampionati i ndërrmarrjeve ishte shumë i fortë në atë kohë ku në çdo ndeshje vinin me mijëra njerëz për ta ndjekur. Babi me merrte me vete në çdo sfidë që skuadra e tij kishte. 

Injektimi i pasionit tek unë për lojën më të bukur në botë erdhi pikërisht nga ai, i cili kishte gjithmonë një zgjidhje që në shtëpi të mos mungonte asnjëherë topi, në një kohë kur materialet sportive mezi gjendeshin.

 Ai më dha topin e parë në duar për të luajtur në rrugicat e "Siri Kodrës" ku jetonim në lagjen pas dispancerisë. 

"Nesër do shkojmë në plazh". Kjo thënie e tij në muajt e verës më lumturonte shumë, jo sepse do shkonim në plazh çdo të diele, por sepse do luaja me top në rërë.

Në shtëpi dhe në lagje jetohej me këtë sport.  

Nuk kishte ekipe të rinjsh siç janë sot dhe në vendin e tyre funksiononin klasat sportive. 

Trajneri im i parë ishte Ramizi tek shkolla "Skënder Çaçi". Kjo periudhë ishte shumë e mirë për ne fëmijët, sepse e kishim një mundësi që të evidentoheshim për talentin tonë. 

Ekipet e moshave nisën të hapeshin nëpër klube. Luan Zengla sapo kishte ndërtuar skuadrën e të vegjëlve të Tiranës për moshat 8-9 dhe 10-vjeç.

Regjistrohem dhe unë.

Dita e parë ishte e çuditshme.

Më dukej vetja si i humbur në një vend të huaj.

Nuk e dija ku isha, emocionet më kishin bllokuar.

Luaja futboll rruge dhe për mua ishte diçka e re.

Peripecitë e fillimit më shoqëruan shpesh gjatë zhvillimit si futbollist me moshat. Thirrja me ekipin e parë ishte momenti ku shikimi im shkoi përtej, ishte atje ku qënia ime donte të ishte.

Arrita të kthehem në lojtarin bazë. Dikur i shikoja në ekran idhujt e mi me fanellën që mbaja tashmë veshur.  

Pas paraqitjeve shumë të mira në sezonet e para me Tiranën kërkova të provoja aftësitë e mia jashtë vendit. 

Mora një ftesë nga Neuchatel Xamax skuader e superliges zviceriane.

Nuk u mendova dy here. Pas dy javëve provë më afrohet një kontatë dy vjeçare.Rezultuan 2 vite pozitive  dhe plot mësime. Kalova nje periudhe tranzicioni që shumë futbollistë e kalojnë.

Rikthimi sërish në shtëpi ishte vazhdimi i asaj që kisha arritur më parë me bardheblutë.

Fitova gjithçka në moshë shumë të re, kampionate, kupa, superkupa. 

Në mendjet time do të mbetet goli i shënuar ndaj Gak Graz për kupën e kampioneve. Gjithashtu fitimi i kampionatit në vitin 2008 në atë ndeshje shumë emocionuese ndaj Vllaznisë, që për mua ishte finalja e kampionatit.  

Ekipin kombëtar, pra fanellën kuqezi, e fitova fale bardhebluve. 


Por nuk mjaftonte ky rikthim, duhej  të ndërmerrja edhe një  hap tjetër dhe për të testuar veten në një kampionat më të fortë, tashmë më i pjekur profesionalisht si futbollist. 

Dhe këtë hap e hodha në Qarabagh FC, Azerbajxhan, hap që rezultoi shumë i rëndësishëm në karrierën time.

Kalimi tek ky ekip ishte një bast, një risk që vendosa ta marr mbi vete. Përqendrimi tek cilësitë e mia më kishte dhënë shumë. Kështu i besova intuitës. Nuk kisha pothuajse asnjë informacion nga ai vend. 

Në vitin 2008 kisha luajtur me Shqipërinë një miqësore kundër kombëtares së Azerbaixhanit dhe ajo eksperiencë nuk më kishte lënë një shije të mirë.

E njëjta ndjenjë mu kthye sapo mbërrita në Baku.

Ishte fund Qershori, vapë e tmerrshme dhe lagështi.

Baku ishte pothuajse njësoj siç e kisha lënë.

Skuadra nuk kishte një fushë për stërvitje, as stadium të vetin. Praktikisht ishte një skuadër pa shtëpi ose më saktë, shtëpia e klubit ishte pjesë e Armenisë.

Ajo pjesë ishte aneksuar si territor në vitin 1993.

Skuadra ishte e dërrmuar nga plagët e asaj lufte, me mbi 1 milion banorë të shpërngulur nga shtëpitë e tyre.

E vetmja gjë që i mbante në jetë ishte shpresa, shpresa për tu kthyer edhe njëherë tek shtëpitë e tyre.

Tre vitet e para ishin vite mjaft të vështira.

Të vetmet gjëra që ishin pozitive, ishte mikpritja që më kanë bërë që nga dita e parë, stili i lojës që më përshtatej dhe korrektesa e njerëzve dhe sidomos e trajnerit.Kur e mendon thellë nuk janë gjëra të vogla.

Pavarësisht mangësive që kishim nga ana e infrastrukturës apo zhvillimi larg shtëpisë tonë çdo ndeshje, Qarabag kishte një organizim gati perfekt.

Çdo hallkë e klubit ishte e lidhur dhe bënte punën e saj në mënyrë shembullore. Mënyra e stërvitjes dhe stili i lojës ishin perfekt për atë nivel, i cili çdo vit rritej.

Trajneri i skuadrës Gurban Gurbanov një njeri i mençur dhe me disiplinë dërgoi përpara një projekt afatgjate. Jo vetëm që e dërgoi përpara por mbi të gjitha arriti dhe suksese.

Ne 10 vite tek kjo skuadër u fokusova vetëm tek futbolli, disiplina, përmirësimi, si të bëja më mirë ndeshje pas ndeshje, stërvitje pas stërvitje.

U transformova në plot kuptimin e fjalës në një ushtar futbolli dhe sigurisht një nga gjërat kryesore ishte respekti i ndersjelltë me çdo njeri të atij klubi, lojtarët, stafin, njerëzit që punonin në klub, tifozët e shumtë dhe çdo person në jetën e përditshme.

Nuk kam bërë diçka të çmendur për tu bërë lider apo për të marrë rezultate, thjesht kam bërë punën time, ndoshta e kam kaluar objektivin dhe kjo do të thotë që kam punuar më shumë dhe më mirë. 

Kur punohet në mënyrë cilësore, në qetësi dhe me disiplinë, atëherë rezultate janë vetëm çështje kohe. 

Kjo eksperiencë ishte thelbi im i të qenurit futbollist.

Kur mendoj se si nisi futbolli tek unë dhe ku arrita...në asnjë rast nuk e kisha imagjinuar që do fitoja kaq shumë... 

Në fillim imagjinoja, më pas lotova deri sa fokusimi mori komandën time duke më drejtuar drejt realizimit të imagjinatës....

(vijon në artikullin pasardhës....kombëtarja, etj...kliko këtu)


Nga

Ansi Agolli

(Ish kapiten i Shqipërisë)





Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!