Anton QAFARENA





Publikuar më : 19.11.2021

Tek zgjedhjet që bëjmë në jetë gjithnjë gjendet një shkak aty pranë nesh. Kur shikoj lojtarët më të mirë në botë që luajnë rreth meje, ndonjëherë nuk më besohet. Volejbolli shqiptar dhe Verona në Itali janë tablotë që paraqesin dy botë të ndryshme. Janë bisedat e përditshme me vëllain që më bëjnë të vlerësoj edhe më shumë mundësinë që më është dhënë duke ndjerë dhe dallimin e madh. 

Në Shqipëri ky sport merr vëmëndje vetëm kur ka sukses dhe në tjetrën, vëmendja është maksimale dhe shkon përtej rezultatit. Bisedat më rikthejnë tek Vllaznia ime, ekipi i vetëm me të cilin u rrita, atje ku u ngjiz pasioni për këtë lojë. Imagjinoni ambjentin shkodran ku futbolli është sporti që bën për vete të gjithë, të madh dhe të vogël. Për këtë shkak çuditen se si volejbolli më bëri për vete dhe jo futbolli. 

Por siç e thash më lart, gjithnjë bëhet një shkak në zgjedhjet tona. Fati im ishte se vëllai i madh, Nikolin Qefarena, ishte volejbollist me ekipn shkodran. Ai  u bë shtysa që të ndiqja këtë rrugë. 

Në moshën 12-vjeçare Vllaznia po zhvillonte një fazë përgatitore gjatë verës. Ai i kishte idetë e qarta dhe nuk më kishte marrë rastësisht me vete. Atje zhvillova stërvitjen e parë ku gjithnjë si udhërrëfyes ishte vëllai. Ermal Kraja ishte trajneri i parë që më krijoi mundësinë të realizoja goditjet  profesioniste përtej rrjetës.

Kur e pashë veten midis shumë moshatarëve atje, i thashë vetes se çfarë doja aty... Ajo lojë mu duk shumë e vështirë. Në të vërtetë volejbolli nuk është i lehtë për tu kuptuar, por është shumë tërheqës dhe atraktiv kur je pjesë e tij. 

Për të lajtur futboll më moshatarët në rrugë mjaftojnë dy gurë për portën dhe një top, ndërsa për të luajtur volejboll, të paktën duhet një rrjetë. Në këtë mënyrë edhe kushtet për edukimin e të rinjve më këtë lojë nuk janë të shpejta. Ky nuk është fenomen që ndodh vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Tek ne vëmendja ndryshon shumë nga vendet e tjera. 

Më pas Artan Kalaja u bë trajneri i parë që më hapi derën tek ekpi i parë. Fitimi i kampionatit të parë dhe të vetëm nga Vllaznia ishte dhe edicioni i fundit ku luajta në Shqipëri me trajner Mark Kroqi. U largova me titullin kampion.

Por volejbollin e vërtetë, pra si profesion e kam ndjerë vetëm në momentin kur u largova nga Shqipëria. Në Gjermani fillimisht, Ukrainë dhe tani në Itali, volejbolli është një profesion në kupimin e mirëfilltë të fjalës. Në Shqipëri një volejbollist duhet të stërvitet me pasionin në krah dhe çdo gjë tjetër duhet ta sigurojë vetë. Për këtë shkak bisedat me vëllanë më bëjnë çdo ditë ta vlerësoj edhe më shumë vendin ku kam arritur, por në radhë të parë duke respektuar të kaluarën time. 

Të luash në nivele të larta nuk është asnjëherë e lehtë. Por egoja dhe natyra ime kërkuese ka qenë një element plus, prej së cilës kam fituar. Kur futem në nje ndeshje e cila duket e mbaruar, kam vetëm një objektiv "ta provoj dhe të mos dorëzohem deri në pikën e fundit". Kjo sjellje më ka lidhur shumë me këtë lojë, rreth së cilës tashmë është ndërtuar e gjithë jeta ime. Në Gjermani gjatë një sezoni munda të jem në finale të kupës me Buhl.

Ndërsa në tri vite në Ukrainë fituam gjithçka, por në fund pandemia na mohoi Europën. Në sfidën ndaj Dinamos në Bukureshtit, 6 lojtarë dolën pozitivë dhe në këtë mënyrë u përjashtuam.
Sot koha e lirë nuk ekziston në kuptimin e mirëfilltë, sepse në Itali filloj stërvitjen në orën 09.00 paradite dhe pas pushimit apo rikuperimit të energjive në palestër, stërvitja rinis në 17.00 dhe përfundon në 21.00 të darkës.
Profesioni, pasioni tashmë janë një në vendin ku volejbolli është gjithnjë në qendrën e vëmendjes. Këtu luajnë yjet nga e gjithë bota. Kur e prek këtë realitet çdo ditë ndihem i privilegjuar që ndodhem në këtë kampionat.  Me kombëtaren është pika tjetër më e lartë që një sportist ëndërron. Të përfaqësosh ngjyrat e kombit tënd është fantastike.

Pas një seleksionimi në moshën 17-vjeçare, u bëra pjesë e pandashme e ngjyrave kuqezi, ngjyra të cilat më plotësojnë në pasionin tim... Gjithsesi, jeta ime nuk do ishte kjo që është sot nëse pranë meje nuk do ishte dora e vëllait tim, ndaj të cilit do ndihem gjithnjë mirënjohës që më ushqeu pasionin e tij për volejbollin. Asgjë nuk do arrija nëse nuk do kisha mbështetjen e madhe të familjes.


Faleminderit!  

 

Nga 

Anton Qafarena

(volejbollist) 

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!