Aurora SERANAJ






Publikuar më 18.10.2020

Babi erdhi në shtëpi dhe më tha: "Aurora do vish me mua në stadium për të parë futboll"! Në atë kohë futbolli konsiderohej vetëm një sport për meshkuj. 

Isha 10-vjeçe dhe nuk e dija se çfarë ishte futbolli. Në familjen tonë jemi 4 vajza ku unë jam njëra prej tyre. Siç ndodh zakonisht me baballarët, mungesën e djalit e vuajnë disi. Kjo situatë e shtynte babin të gjente ngushëllim duke më konsideruar si djalë edhe për faktin se futbollin ai e donte shumë. 

Pas kontaktit të parë, nisi të më tërhiqte ideja për tu marrë me këtë sport.

Tipi dhe dëshira ime për të luajtur bëri që babi te më regjistronte në një ekip djemsh, që në atë kohë quhej Dea FK.

Imagjinoni, një vajzë që luan si e barabartë me djemtë futboll! 

Luajta dhe u stërvita në këtë klub për disa vite. Vajzat kanë momentet e tyre delikate dhe mosha është njëra prej tyre. Si pasojë në moshën 16-vjeçare u shkëputa nga skuadra e meshkujve. Ëndërroja të luaja në një ekip për femra.

Por në atë kohë nuk ekzistonte asnjë ekip i tillë. 

Nisa të merrem me atletikë. Stërvitesha me trajneren e mirënjohur, kampionen e atletikës, Liliana Gjerazi.

U bëra pjesë e atletikës për 6 vjet. Garoja në 100 metra dhe në kërcimin tre hapësh. 

Atletika solli një të mirë të madhe në profesionin tim të mëvonshëm. Më ndihmoi të rregulloja mënyrën e të vrapuarit si dhe të rritesha fizikisht.

Për mua flitej shpesh. Fakti që një vajzë kishte luajtur futboll me djemtë ishte çudi për të gjithë. Njihem me moderatorin e TVSH-së, Genc Ymeraj. 

Ai kërkonte të ndërtonte një ekip femrash. "Më gjej pesë vajza dhe të premtoj se do të fitojmë turneun ", më tha. Ai kishte planifikuar të zhvillonte një turne për futbollin e femrave në Sarandë.

Në rregull i thashë dhe pas shumë përpjekjesh gjeta vajzat për të formuar ekipin. Vajzat ishin pasionate dhe donin të luanin.

Ashtu ndodhi, Tirana AS, skuadra e femrave u shpall kampione e turneut.


Kjo ishte pika ku startoi futbolli i vërtetë për femra në Shqipëri dhe unë isha një nga pioneret e para. 

Më pas u krijua kampionati i parë kombëtar dhe kupa e Shqipërisë, pasuar nga kombëtarja. 

Ishin kohë shumë të vështira për një femër të luante sportin e meshkujve mbi të gjitha për mentalitetin, i cili nuk e pranonte një gjë të tillë.

U munduam ta thyenim me zgjedhjen tonë si vajza, por ishte shumë i vështirë ky koncept. 

Një nga sekretet e mia ishte familja. Ajo më dha shtysë dhe mbështetje shumë të madhe që ta vazhdoja këtë ëndërr. 

Futbolli ynë kishte njërëz shumë pozitivë që besonin të rritja e futbollit të femrave. Sot që po flasim, ky sport është zhvilluar shumë në vendin tonë. Kuptohet ka ende edhe shumë për tu bërë. 

Me Tirana As isha kapitene për shumë vite duke u shpallur kampione e Shqipërisë. Në fushë ishim triumfatore. Për herë të parë ndieja kënaqësinë që ëndërroja gjithnjë, pra të isha pjesë e një ekipi për femra.

Ana Baro, Irisi, Daniela, Artemisa, Xhilda, etj ishim vajzat që ndërtuam themelet e para të këtij sporti në Shqipëri.

Do zhvillohej ndeshja e parë e kombëtares së femrave. Pas shumë përpjekjesh ky objektiv u arrit. Trajneri i kombëtares, Altin Rraklli më gradon si kapitene në sfidën e parë miqësore që luajtëm me Maqedoninë e Veriut.

Ishte një nga ditët më të lumtura në jetën time. Pashë të konkretizohej ëndrra shumë vjeçare dhe mbi të gjitha 
ëndrra e babait tim. 

Një natë para ndeshjes, isha shumë e emocionuar. Mbeta gjithë natën pa gjumë. Por kjo nuk ishte asgjë, sepse në fushë zbrita e etur. Shënova golin e parë të kombëtares për femrave në futboll dhe fituam ndeshjen e parë në sfidën e parë historikë.

Kur mendoj se si nisi rrugëtimi im në fillime dhe si u konkretizua, ndihem vërtet e lumtur.

Sakrificat ndër vite në fund morën shpërblimin e merituar. Mora vlerësimin e gjithë ato viteve stresuese dhe në luftë të vazhdueshme me mentalitetin e shoqërisë sonë.

Rrugëtimi në futboll zgjati 9 vite në Shqipëri. Fitova kampionate dhe kupa me ekipin. Përfaqësova Shqipërinë në eliminatoret e botërorit dhe europianit. 

Gjatë  viteve nuk jam shkëputur dhe nga arsimi. U diplomova në akademine Vojo Kushi si specialiste atletike. Gjithashtu u paisa edhe me liçensën e Uefa B për trajnere.

Nuk qëndroja dot pa futboll. Ai është si oksigjen i jetës sime. Gjeta një ekip në Romë. 

Mungonte trajneri dhe unë nuk u mnedova dy herë dhe  mora drejtimin. Ndërkohë ata kishin nevojë edhe për një lojtare me eksperiecë siç isha unë. U bëra trajnere dhe lojtare e Grifone Giallo Verde u-19. Kisha një grup prej 17 vajzash të uritura për të mësuar. 

"Jam këtu për t'iu dërguar atje ku meritoni", i thash vajzave italiane.  I shikoja në sy dhe ata habiteshin. Kisha aq besim sa ia përcolla duke i bërë të mendonin mentalitetin e një kampioneje.

I qëndrova besnike vetes deri në fund. Besimi u konkretizua.

U shpallem kampionë duke mos humbur asnjë ndeshje, e çova ekipin në një ligë më lart.

Ekpserienca ime vijoi më pas me Torinon.


Luaja dhe trajnova U- 19 dhe U- 15 për femra.

Nga aty deri me sot stërvis dhe argëtohem duke luajtur e duke shpërndarë eksperincë.

Ëndrra është të kthehem në Shqiperi me projekte pasi të diplomohem dhe me licensën e Uefa A.

Diplomë e cila më mundëson të trajnoj edhe me lart.

Dëshira ime e madhe është të jem pjesë e Kombëtares së femrave, tashmë si trajnere.

Jam gati ta perballoj këtë sfidë.

Jam gati të investoj kohë dhe dije...Jam gati të jem trajnerja e parë femër, ashtu sikurse isha futbollistja e parë femër në Shqipëri.

 Dua të kualifikoj Shqipërinë e femrave në një kompeticion europian apo botëror.

Ëndrra vazhdon me futbollin, i cili është gjithçka në jetën time...

Nga

Aurora SERANAJ

(ish-futbolliste, trajnere)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !