Bruno DITA




 Publikuar më 10.09.2020

Çanta e librave po më priste për tu hedhur krahëve.

Përfundoj mëngjesin dhe nisem për në shkollë.

Ishte një ditë e çuditshme sepse dukej ndryshe nga të tjetrat. Isha 10 vjeç dhe ndieja sikur diçka do ndodhte!

Ecja me ngut për në shkollë me shpresën që orët të kalonin shpejt dhe unë të kthehesha pranë pasionit tim, topit të futbollit. 


Por nuk ndodhi kështu. 


Pasi kthehem në shtëpi babi po më priste. "Sot nuk do luash me shokët futboll" më tha.

U habita, "Pse" e pyeta me gjysmë zëri. 

"Sepse kam një surprizë për ty", tha.


Më merr për dore dhe më drejton drejt enigmës që më priste.

Akademia e Dinamos ishte dhurata e madhe që më kishte rezervuar babi im. 

Ëndrra ime filloi të kristalizohej në atë moment. Isha vërtet i lumtur. 

Isha pjesë e akademisë së Dinamos. 


Nisa të ëndërroj stadiumin me mijëra tifozë që brohorisnin. 

Nga ky moment nisi rrugëtimi im si futbollist.

 
Babi kishte lexuar qartë dëshirën tek unë për të qenë futbollist dhe ishte ai që ma bëri realitet këtë ëndërr. 


U rrethova nga fëmijet e akademisë që më shikonin dhe përshëndesnin. U vura në siklet,  nuk dija se si të sillesha. Nuk kaluan shumë ditë dhe u miqësova më të gjithë shokët e skuadrës.

 
Aty nisa të kuptoj magjinë që të dhuron futbolli edhe pse sapo kisha e nisur  rrugën time.

Për mua futbolli është magji.

Këtë po jua ilustroj me një nga detajet që jo vetëm më ka mbetur në mendje, por është shpjegues shumë i mirë. 

Me ekipin e të rinjve zhvilluam një sezon të shkëlqyer, ku arritëm 15 fitore radhazi, sukses që na gëzoi pa masë, por në fund ndodhi ironia e fatit. 

Kampion u shpall Vllaznia edhe pse ishim me pikë të barabarta, fakt që na hidhëroi shumë. 

Gëzimi dhe hidhërimi janë dy pjesë të pandara të futbollit dhe ky shembull që ju solla është ai detaj ku futbolli për mua është magji. 


Magji, sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë gjithnjë hidhërim pa gëzim, apo anasjelltas. 

Pas stërvitjes me të rinjtë më afrohet trajneri i ekipit të parë, Dritan Mehmeti. 


"Bruno, je gati për hapin e madh? "Për një moment u hutova, por nuk ngurova të thoja po. 


"Do jesh në skuadrën e parë" më tha. 

Ishte një ditë e veçantë për mua. Kisha kohë që e prisja këtë moment. 

Familja ime ishte shumë e lumtur kur po shikonin që djali i tyre kishte kaluar në një stad tjetër. 

Babi po shikonte që mundimi dhe sakrificat e gjithë ato viteve nuk shkuan dëm, por u konkretizuan tek unë si futbollist profesionist.

 Ndeshjen e parë me Dinamon e kam luajtur ndaj Flamurtarit. 

"Qemal Stafa" atë ditë u shfaq para meje me një fushë që nuk kishte fund. 

U futa në lojë. Emocionet më bllokuan totalisht për pak momente.
Ndihesha që në fillim i rëndësishëm për skuadrën. Gjë e cila më dha besim edhe në eksperiencat me ekipet  e tjera më vonë.

 Sukseset e një futbollisti lidhen drejtpetdrejtë me sukseset që arrin skuadra ku bën pjesë.


Skënderbeu ishte ekipi që më bëri të përjetoj momentet më historike të futbollit tonë. 

Kualifikimi në fazën e grupeve në "Elbasan Arena" ndaj Dinamos së Zagrebit ishte një dalldi e vërtetë. Tifozët ishin çmendur dhe festimi me ta nuk ishte aspak i zakonshëm.

Dukej sikur e gjithë Shqipëria ishte aty me ne duke festuar, kjo për shkak të arritjes së jashtëzakonshme për një klub shqiptar.  

Këtë sezon për herë të parë do të luaj në një kampionat tjetër tashmë. Shkëndija e Tetovës erdhi si një shkëndijë në karrierën time.

Kombëtaret e moshave janë shkallë shumë të rëndësishme, të cilat i kam kaluar të gjitha. Ata janë grimca  shkëndijash  për ëndrrën time të madhe, kombëtaren. 

Ngjyrat kuq e zi janë oksigjen në zemrën time. 


Por fati për një futbollist është  përcaktues në shumë raste. 

Në rrugëtimin tim kam kaluar dy dëmtime të forta në gju, të cilat më ngadalësuan ngjitjen e shkallëve të karrierës. 

Ishin vërtet dy momente të vështira në karrierën time. 


Mblodha forcat brenda meje dhe nxora në pah dy "armë" të rëndësishme për të përballuar një situatë të tillë. 

Qetësia dhe përqendrimi nuk humbën kurrë tek unë në ato momente kritike për karrierën. Forca dhe dëshira e madhe më bënë të kaloj këto pengesa për të vijuar ndjekjen e ëndrrës time. 


Pas çdo vështirësie jepja më shumë se 100% në stërvitje në mënyrë që të isha aty, në shinat e duhura. 

 Ëndrra është e bukur në futboll. Ajo nuk ka fund. Do doja më shumë fat dhe me pak dëmtime, të cilat me kanë kushtëzuar për të arritur atje ku dua. 

Shpresoj që më e mira të mos ketë ardhur akoma. Kjo shpresë bazohet në elementët e durimit dhe qetësisë, te cilat për mua kanë rezultuar jetike në profesion.

Eksperienca më ka mësuar që ti marrim situatat me qetësi dhe të japim maksimumin. Të permirësohemi çdo ditë e më shumë edhe kur kemi kaluar një hidhërim apo gëzim. 

Edhe në momentet më të vështira të jemi gati dhe të vetëdijshëm për të dhënë 100% nga vetja. 

Të ndjekësh ëndrrën është rruga e vetme për një futbollist.

 

Nga Bruno Dita
(Futbollist, Shkëndija Tetovë)

 
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !