Donald SUXHO





Publikuar më 04.06.2022

Për të hyrë në Pallatin e Sportit radha ishte e gjatë. Dukej sikur i gjithë qyteti ishte grumbulluar pranë dyerve të tij.
Kaosi që ishte krijuar rrethe e rrotull nisi të më tensiononte jo vetëm mua, por edhe mamin e vëllain tim që më shoqëronin atë ditë.
Mjegullnaja që përhapej si shtëllunga tymi mbi turmat e njerëzve nisi të më trazonte. Nuk e di nëse ishte frikë apo parehati. Nisa të pyesja veten së ç’donim aty.
Pas një kalvari të gjatë u futëm në Pallatin e Sportit.
Sfida kishte nisur dhe, pas disa çastesh, trajneri i Skënderbeut, i cili mbante një cigare në dorë, kërkoi pushimin e parë dhe mblodhi lojtarët rreth vetes. Dukej sikur po bënin planet për të zënë në kurth kundërshtarin.
Njeriu me cigare nuk ishte thjesht trajneri i Korçës.Ai ishte babai im, Petraq Suxho, një nga volejbollistët më të mirë në historinë e sportit shqiptar. 

Isha i vogël dhe në parket pashë vetëm babin,  jo trajnerin, as ish-volejbollistin. Sytë e mi njihnin vetëm atë, portreti i tij më qetësoi menjëherëm duke më larguar frikën që më kishte shoqëruar deri në momentin që isha ulur në tribunë midis mijëra tifozësh. Në atë çast rifitova sigurinë, që di të ma japë vetëm babi. Edhe pse fëmijë, më kishte përfshirë entuziasmi. Atmosfera e krijuar jashtë dhe ndeshja ishin thjesht fantastike. Në disa çaste doja të isha dhe unë aty në parket. Ajo ditë mbetet si fotografi e veçantë në mendjen time.

Askush nuk e imagjinonte që ai djali pesëvjeçar në tribunë një ditë do të arrinte majat në volejbollin botëror.Nuk e shikoja as nëpër ëndrra një gjë të tillë. Nuk e dija dhe askush nuk e di se si dhe se ku do jemi pas disa vitesh! Fëmijëria ime ishte plot me kujtime të bukura, plot me ëndrra, megjithë kushtet e vështira që kishte Shqipëria në ato vite të komunizmit.

Fusha me qymyr më nxinte me pluhur gjysmën e trupit çdo ditë, por kjo nuk ishte arsye për të lënë lojën. Ishim ndarë në grupe katër me katër dhe luanim futboll me shokët. Por shpejt përballja shkonte dy kundër dy, pasi të çmendur pas lojës nuk ishin të gjithë.
Kishte nisur të binte muzgu, por nuk doja të kthehesha në shtëpi, pasi atje më priste radha për t’u larë.  Krahas futbollit, na pëlqente edhe loja me petëza. Nisëm lojën me vrullin e një dite të re, edhe pse nata kishte rënë mbi qytet. Ne nuk e njihnim lodhjen. Fusha e zezë e qymyrit ishte vendi ideal ku merrnin jetë dëshirat tona. Por dëshirën time të çmendur për të luajtur e që s’njihte as natë e as ditë e braktisi edhe shoku i fundit që më shoqëronte.  Mbeta vetëm dhe u nisa për në shtëpi. Vëllai dhe babi kishin shkuar para meje. Ishin në radhë për t’u larë. Nuk kishte dush, por një enë alumini që ngrohej mbi furnelën me vajgur.
Kampioni olimpik i së ardhmes priste të lahej me gota uji. Ne nuk e dimë të ardhmen, por ajo mbruhet brenda nesh. Po, kampioni i së ardhmes po priste në radhë pas kampionit shqiptar, Petraqit. Eh...

Ndërsa mami, e shtrenjta ime, kujdesej për gjithçka. Pasi të ngrohte ujin dhe të lante rrobat tona, ajo duhej të përgatiste darkën. Rrobat donin dy ditë të thaheshin, që t’i vishnim sërish. Dhe mami nuk lodhej kurrë. Imazhi i saj prej një heroine më shoqëron gjithmonë në rrugën time. Ajo është pjesë e forcës, e krenarisë dhe këmbënguljes për të ecur përpara.

Xhaxhallarët, të njohurit, komshinjtë mbanin gjithmonë derën e tyre hapur për fëmjët e njëri-tjetrit. Rrallë shkonim në shtëpitë tona pas shkolle apo stërvitjes, sepse shumë prej nesh prindërit i kishim në punë dhe ktheheshin vonë. Në këto kushte, një copë bukë e lyer me gjalpë dhe sheqer kishte vërtet shije të mirë. Nuk e di, ndoshta mund të jetë dhe shija e mrekullueshme e nostalgjisë që më kthen shpesh në kohë.
Gjithsesi, në atë kohë ëndrrat nuk më dërgonin kurrë në majën e Olimpit. Nuk më dërgonin as në majat e volejbollit europian dhe botëror apo në majat e kupave dhe kampionateve me shume klube. Nuk e mendoja kurrë që një ditë do të isha lojtari më i rëndësishëm për SHBA në olimpiada. Apo se do shpallesha dy here si lojtari i vitit ne SHBA,

 Madje volejbolli trokiti vonë tek unë. Mund të duket e çuditshme, por volejbollin e kam nisur shumë vonë. Them çuditërisht sepse babai im, që ishte kampion dhe njëri me kontribute të jashtëzakonshme në volejbollin kombëtar, nuk kërkonte të impononte dëshirën të tij tek unë dhe vëllai. Ishim të lirë të ndiqnim pasionet tona. Kështu në fillim u regjistrova në futboll, duke luajtur me paratërinjtë e klubit korçar.
Të bëhesh sportist duhet të shmangësh shumë kënaqësi që t’i jep jeta. Isha i gjatë dhe kjo më dha shtysën e parë për të kërcyer më shumë se të tjerët.
Por ne nuk i dimë asnjëherë mundësitë nëse nuk provojmë dhe mbi të gjitha nëse nuk guxojmë dhe besojmë tek mundësitë tona.  Koha ma ka mësuar të kërkoj brenda vetes atë që di të bëj më mirë.
Shtati i lartë dhe dëshira më hodhën në krahët e sportit të shtëpisë, volejbollit në moshën 12 vjeçare. 

Nisa të provoj mundësitë e mia.  Kështu me këtë dëshirë të brendshme u bëra pjesë e ekipit të paratërinjve të volejbollit me trajner Gjergj Borova.
Javët e para ishin shumë të vështira. Kur në parket shikoja lojtarët e jashtëzakonshëm të ekipit të parë, si Kapedani, Qirici, Jani Melka, Damo që stërviteshin nga babai im, më zinte ankthi. Ishte ekip magjik. 

Midis ankthit dhe turbullimeve stërvitja ishte makth. Kthehesha i sfilitur në stëpi. Nuk më diltë më koha të shkoja tek fusha me qymyr. Më zinte gjumi në këmbë nga lodhja.
Që në nisje, misioni im ishte të kërceja sa më shumë. Nuk duhej të mendoja se çfarë mund të më ndodhte me dëmtimet, sepse duhej të kapja nivelin e lojtarëve të ekipit të parë. Stërvitja me shumë intesitet ishte në shkallën më të lartë të mundshme. Sakrifica dhe lodhja ishin ekstreme. Borova qëndronte gjithnjë i qeshur, por ishte shumë kërkues dhe motivues.

"Duhet të fluturosh, të kërcesh dhe të sundosh rrjetën", kjo ishte kërkesa e babit më vonë, i cili më ushtronte gjithmonë pas seancave stërvitore. Stërvitje që zgjasnin dhe dy orë.
Pas Borovës, trajner kam pasur babin tek Skënderbeu dhe tek ekipi i të rinjve të kombëtares. Stërvitesha me intesitet deri në limitet e lodhjes  fizike.Gradualisht mësova se në lojën e volejbollit  duhen edhe elementë të tjerë si zgjuarsia, përqendrimi dhe guximi. 

Tri vite pasi nisa volejbollin, në moshën 15 vjeç më grumbullon ekipi i të rriturve. Ndeshjen e parë u aktivizova në kryeqytet ndaj Tiranës për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërië.
Isha i turbulluar dhe në ankth. Presioni ishte prezent kudo. Të sharat vinin nga të gjitha anët. Qirici dhe Melka më thonin që duhej të përqendrohesha vetëm tek topi. Nuk duhej të mendoja asgjë rreth asaj që vinte nga jashtë parketit. Në atë sfidë erdhi dhe shpëthimi im. Fluturimet që kërkonte im atë më hoqën ankthin dhe shtruan rrugën e ëndrrës. 

Asokohe, në çdo pallat sporti luhej me praninë e mijëra ndjekësve. Por prania e jashtëzakonshme e tyre në pallat shpesh prodhonte dhe momente paniku. E tillë ishte dhe sfida në Durrës ndaj Teutës për sezonin 94-95, kur njerëzit u futën në parket të irrituar. Presioni nga të gjitha anët bëri që lojtarët të linin herë pas herë ndeshjen. Momente paniku që askush nuk dëshiromt’i përjetojë.
Shkallët e karrierës i ngjita shpejt dhe njëra prej tyre ishte dhe kombëtarja e të rinjve ku luajta për disa vite.
Udhëtuam për tri ditë në Turqi. Arritëm të sfilitur nga rruga e gjatë që e përshkuam me autobus Por falë elementëve cilësorë në organikë arritëm të shpalleshim nënkampionë të ballkanit për të rinj.
Në pak kohë kërcimin e përmirësova shumë në aspektin profesional, duke prekur disa maja të suksesshme. Fillimi dhe eksperienca ishin magjike. Por ne nuk e dimë asnjëherë sesi është e ardhmja, thjesht duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë. Nuk duhet të mendojmë në asnjë rast që këmi arritur majën.

Familja ime u persekutua në kohën e komunizmit. Gjyshja ime kishte arritur të shkonte në SHBA. Ajo u kthye në Korçë në vitin 1995. Këmbënguli që ne të shkonim me të në Amerikë. Në fillim na u duk e pamundur dhe ndihesha disi cuditshëm. Si mund të ndodhë kjo, pyesja veten. Po, kjo mund të ndodhte, thjesht duhej të kisha besim tek gjyshja. Kërkesat e saj në Ambasadën Amerikane për pajisjen tonë me vizë gjetën mbështetje. Ashtu midis vrullit dhe paqartësisë u futëm në avionin drejt Italisë dhe më pas drejt Bostonit në SHBA.
Uauuu. 

Kur e kujtoj ishte vërtet një çmenduri. Ishte Janari i vitit 96.
Papritur isha larguar nga Skënderbeu dhe kombëtarja e të rinjve. Tani duhej ta nisja çdo gjë nga fillimi.
Cili isha unë në Amerikën e madhe?
Unë isha askushi.
Ditët e mia tashmë kishin një emër, sakrificë. Shpesh gjeja brenda vetes një forcë që më shtynte përpara, nuk e di nga më vinte por e ndieja. Volejbollin e kisha braktisur, por volejbolli nuk më kishte braktisur mua.
Përpjeket e vazhdueshme, puna, kolegji, studimet më krijuan mundësinë që të evidentohesha. Në vendin e mundësive, merita vlerësohet, dhe për këtë isha me fat. Po po isha me fat, sepse ndodhesha në vendin e mundësive. Ndodhesha në vendin ku merita të udhëheq në çdo hap që ti hedh, sepse merr atë që të takon.
Kjo është SHBA, vendi ku nisa një jetë tjetër nga zero.
Fushat me qymyr ndodheshin në shpirtin tim.
Indiciet e babait, të xhaxhallarëve më ndiqnin kudo për të bërë të pamundurën dhe të mos dorëzohesha në asnjë rast. Duhej të fluturoja. Të kërceja fort, tashmë jo vetëm mbi rrjetë, por edhe në jetë.  
Por asgjë nuk ishte e lehtë. Duhej sakrifië për të arritur atë që doja, pasionin tim, volejbollin. 

Muajt e parë kaluan midis punës dhe përpjekjeve për të vijuar kolegjin dhe pasionin. Cilësitë e mia u ranë menjehrë në sytë ekspertëve të volejbollit amerikan. Mundësitë u rritën dhe nisa të shikoj dalëngadalë të ardhmen. Nisa të shikoj brenda vetes, të besoj te mundësitë kur luaja dhe stërvitesha me Universitetin e Kalifornisë.

Por sërish në ëndrrat e mia nuk shikoja majën e Olimpit. Jo, nuk e shikoja veten me medaljen olimpike, ende...

Por erdhi një mundësi e artë. Pas tri vietesh në volejbollin amerikan m’u ofrua një kontratë në Europë, në Poloni. Duhej të zgjohesha në 2 të mëngjesit për të udhëtuar drejt destinacionit tim të parë dhe për t’u bërë kështu lojtari i parë amerikan që luante në Poloni. Një vend ku volejbolli ka një rol të rëndësishëm tek njerëzit. Ishte kontrata e parë profesionale me Olsztyn. Punoja fort në stërvitje, 7 ditë në javë. Nuk kisha interent për të komunikuar me askënd dhe kështu u izolova. Stërvitje dhe vetëm stërvitje për gjashtë muaj, aspak argëtim.
Çdo sukses i arritur në parket më forconte mendimin që guximi të dërgon tek suksesi. Një përcaktim që më ka vlejtur më pas gjatë gjithë jetës sime. Polonia ishte dera e parë e suksesit në volejboll, sukses që u pasua me shumë ekipe të tjera në Europë por jo vetëm.

Fitova kampionate, kupa, superkupa, u shpalla lojtari më i mirë në Europë, Ballkan, fitova tituj individualë në Champions League. Jam cilësuar si një nga setterat më të mirë në botë. Për këtë jam shpallur shpesh si lojtar i turneve, i kampionateve me ekipe të ndryshme. Dy herë më kanë vlerësuar si lojtari i vitit në SHBA. Në karrierë numëroj me dhjetra ekipe Europiane dhe jo vetëm ku gjithnjë më kanë dënë rolin e lojtarit kryesor.

 Shqiptaro-amerikani, nga fusha me qymyr, në vëmendjen e ekipit olimpik.  
Luaja në Turqi me Erdemir, kur trajneri i ekipit olimpik amerikan kërkoi që unë të isha pjesë e ekipit të tij.
Çfarë? Unë me ekipin olimpik amerikan?
Ëndrrën që s’e kisha parë asnjëherë, tashmë ishte bërë papritur një realitet para meje.

Ndjesi e jashtëzakonshme. Në Athinë, unë midis emrave të jashtëzakonshëm amërikanë duke parakaluar me flamur. Jo, nuk  di ende si t’i përshkruaj emocionet që më ngërthyen atë kohë. Por di që fusha me qymyr e vendlindjes sime ishte promotori i fatit tim. 

Kisha plotësuar dëshirën e babit që të fluturoja shumë lart. Shqiponja e gdhendur ne trupin tim me krijoi lehtesi ne vrullin tim, Po, isha në majën e Olimpit. Në tri oplimpiada u bëra shqiptaro-amerikani i vetëm që kisha realizuar më shumë se vetë ëndrra.
Pas ndeshjes së parë në Olimpiaden e Athinës, u ktheva në dhomë. Nuk e di pse po kujtimet më çuan larg, në vendin tim të lindjes, aty ku thurja ëndrra dhe dëshira.

U riktheva në kohë. 

Kujtova Korçën dhe ditët e para të stërvitjes në volejboll. Në mendje më vinin miqtë e mi që pinin cigare, bënin paralele, luanin futboll, ndërsa unë qëndroja gjatë gjithëkohës në strëvitje, në kërkim të fluturimit që donte babi im. Nostalgjia më kishte pushtuar, por kuptova dhe diçka. Mund të jesh i talentuar, por pa punë të fortë talenti nuk vlen. Karrierën e mbylla me ekipin Studenti, pikërisht në vendin ku u linda me sportin.

Volejbolli më njohu me njeriun e jetës. Bashkëshortja imem Eleni ka qenë volejbolliste dhe ka luajtur me përfaqësuesen Ukrainase. Nuk kemi luajtur kurrë kundër njëri-tjetrit. Në jetë kemi sjellë dy djem, Leo dhe Marcus. Kanë dëshirë të merrem  me sport, por unë kam ndjekur rrugën e babait tim. Ashtu si ai më la të lirë të zgjidhja dhe unë kam zgjedhur të njëjtën gjë me bashkëshorten. Ata le të ndjekin ëndrrën e tyre, edhe pse unë ëndërroj të shikoj sërish në fanellën e kombëtares mbiemrin Suxho. Mbiemrin Suxho e ka mbajtur në nivel djali i madh Shanem i cili u bë pjesë e ekipit ku unë nisa rrugëtimin.

"Duhet të fluturosh sa më lart që të arrish të mposhtësh çdo rrjetë".
Babi, arrita të fluturoj dhe ta prek majën e Olimpit! 

Pa mbështetjen e mamit tim Vera Suxho, vëllait Rando Suxho, i cili ka luajtur volejboll dhe babit Petraq Suxho, sot nuk do isha këtu ku jam. Falë familjes sime dhe pasionit që më ushqyen arrita gjithçka. Për këtë do jem gjithnjë mirënjohës.

Edhe nëse do jetoja 100 jetë, në asnjë rast nuk mendoj që do e prekja një ëndërr të tillë. Për këtë ia vlen të ëndërrojmë gjithnjë.

Historia ime është një thirrje për të njohur veten. Sakrificë, punë, pasion, fitore! Të besojmë tek mrekullitë, sepse ia vlen.

Jam krenar që linda në Shqipëri dhe me fat që u rrita në Amerikë!

Falemnderit!

 

Nga

Donald SUXHO

(ish-volejbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!