Elvira BAJRAKTARI





Publikuar më 26.03.2021

Në sfond dëgjohej himni i shtetit që përfaqësoj...

Kosova ishte e lirë ashtu si pasioni im, volejbolli...

Si 18-vjeçare ëndrrat e mëdha më pushtuan trupin...

"KOSOVA”, ulëritëm me të madhe si ekip.

Këtë ta krijon vetëm liria dhe sporti është vendi ku buron kjo frymë. 

Madhështore, sepse ishte përfaqësimi i parë i ekipit në arenën ndërkombëtare. Sapo kishim hapur një faqe të re. 

Nuk ishte një ndjenjë nacionaliste, por një ndjenjë lirie. Unë jam shqiptare, e lindur dhe e rritur në Kosovë dhe kështu do jem gjithmonë. 

Një ndjenjë lumturie më pushtoi në ato momente...dhe kjo ka një burim.

Prej dy vitesh radhazi jam shpallur si volejbollistja më e mirë qendër në Kosovë.

 Njëkohësisht në profesion po punoj fort të jem infermire e zonja. 

Volejbolliste dhe infermiere, ku është lidhja? 

Një infermiere në thelb ka pozitivitetin dhe përçimin e frymës optimiste te pacienti. Këtë thelb e kam marrë fale pasionit, volejbollit nga i cili kam përfituar disiplinën. Kjo veti ka ndërtuar brenda meje ndjenjën e abligimit. Të dyja për mua janë ato që bashkëpunojnë shumë me njëra-tjetrën duke ndihmuar me thelbin e tyre. 

Prandaj ishte kjo ndjenjë shumë e fortë kur përfasqësova për herë të parë Kosovën, sepse liria e qënies ka në themel një vend të lirë.

Nuk kam lindur volejbolliste, madje vetëm në moshën 13-vjeçare kam parë për herë të parë volejboll. Në atë kohë nisa të ndjek Thaisa Menezes. Ajo ishte shembulli që ëndërroja të ndiqja.

Si një vajzë shtatlartë, në shkollë më thonin gjithnjë që të merresha me volejboll. Dëshira e profesorëve më motivoi shumë që të ndiqja këtë rrugë. Ylli Kadriu ishte profesori im që pati një rol të rëndësishëm në formimin e mëvonshëm në këtë sport.

Në shtëpi nuk kemi pasur sportistë. Familjarët i druheshin që duke u marrë me sport do lëshoja shumë nga mësimet. Por kisha nisur të dasgurohesha me sportin. Aq shumë sa shpesh harroja që ekzistonte shtëpia ime diku. 

Këmbëngulja e trajnerit Ylli Kadiu dhe Agron Istogu më bindën që ta merrja seriozisht.

Më ka mbetur në mendje momenti kur po u bëja gati për strëvitjen e parë me ekipin e Skënderaj. Përgatita çantën me shumë dashuri dhe delikatesë. "Tani është koha të punosh për dëshirën tënde. Duhet të punosh fort dhe me këmbë në tokë që të arrish qëllimin tënd", i thash vetes.

Mënyra e pritjes ishte emocionuese dhe shumë e ëmbël nga vajza në stërvitje.

Ishte emocionuese dhe mezi prisja të dëgjoja prej tyre eksperiecat e secilës. Veshët e mi u bënë katër. Duhej të dëgjoja gjithçka nga volejbolli sepse isha e "pa ditur" nga ana profesionale.

Shikoja secilën prej tyre dhe thoja me vete. "Unë do bëhem si këto vajza". 

Ndeshje e parë me të rinjtë ishte emocionuese dhe shumë e veçantë.

 Ashtu e përhumbur nga emocionet nuk mbaj mend se si u futa në lojë. Isha e interesuar vetëm të godisja topin. Ndeshje pas ndeshje nisa të shmang emocionet dhe të kthehem në një lojtare me personalitet. Pas tri viteve kaloj tek ekipi i parë. Trajneri më thotë në vijim që të luaja vetëm në qendër. U frikësova sepse nuk isha e sigurtë që mund të mbaja presionin e lojës. Graduaisht edhe në këtë rast komunikova me veten time. "Askush nuk mund ta mbajë më mirë se sa vetja jote këtë rol".

Ndryshe nga sa prisja i kontrollova emocionet. Arrita të kontrolloj veten dhe arsyeja kishte një rol të fortë. 

Më pas erdhi dhe suksesi i parë ku fituam kupën e Kosovës për herë të parë. Për të arritur në këtë pikë ku jam si lojtarja më e mirë qendër duhej gjtihashtu kontributi i jashtëzakonshëm i Ylli Kadriut, Agron Istogut dhe trajnerit aktual Lorik Ilazi.

Kur më pyesin se cili është sekreti i suksesit tënd, nuk e di pse them gjithmonë që ana psikologjike është thelbësore në suksesin e një sportisti. 

Sigurisht pa anashkaluar përgatitjen fizike që është shumë e rëndësishme. Familja gjithashtu është një mbështetje e madhe për një sportist. Kur prindërit ndodhen në tribunë duke parë ndeshjet e mia gjithmonë kujtoj kohën kur ata vinin në shkollë për të ndjekur recitimet. 

Në volejboll prezenca e tyre më motivon shumë. Më motivon që të kaloj çdo situatë negative, që në jetë gjithnjë janë të pranishme. Nuk i jam dorëzuar asnjëherë demotivimit sepse ashtë problemi që pengon në çdo situatë. E rëndësishme është rruga që duhet të ndjekim për të qenë të lumtur.


Kur isha fëmijë, lumturinë e lidhja gjithnjë me familjen, aty ndihesha vërtet e lumtur. Sot mendoj që lumturinë e fëminisë ma ka dhënë volejbolli. Këtu u rrita si person dhe mësova më pas të përballoj vetë pengesat e jetës.

Aty njoha shoqërinë e vërtetë, dashurinë e sinqertë. Njrëzit që bashkohen rreth sportit nuk janë aty për përfitime personale, por e duan me shpirt me gjithë sfidat që sjell. Prandaj për mua volejbolli është lumturi.


Nga

Elvira Bajraktari

(Volejbolliste)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!