Endrit HYSENAGOLLI

 



Publikuar më 30.09.2020

Isha vetëm 7-vjeç kur zbulova pasionin tim për basketbollin. U ndikova nga babai im Medat Agolli, i cili ka qenë basketbollist për një kohë të gjatë tek ekipi i Partizanit. Çdo ditë babi më shoqëronte për në stërvitje dhe jo rastësisht profesori im i parë ishte Astrit Greva. Ai ishte trajner i ekipit të Partizanit në kohën kur im atë luante me të kuqtë.

Me basketbollin me ka lidhur shumë edhe geni i trashëgimisë. Gjatësia ime binte në sy që fëmijë. Në shkollë më linin gjithnjë në bankat e fundit. Nga atje, tabela e mësimeve më dukej e pakuptimtë sepse mungonte koshi. E shikoja tabelën dhe planifikoja se si të realizoja me duar në tabelë, ashtu sikurse bënin herojtë e mi te San Antonio Spurs.

Pas shume sakrificave mes sportit dhe shkollës arrita të isha pjesë e ekipit të Partizanit me profesor Arben Fagun. Aty u rrita profesionalisht dhe me shumë vullnet e punë arrita të isha pjesë e kombëtares në moshën 16-vjeçare. Ndeshja e parë ka qenë kur isha pjesë e skuadrës së Studentit të drejtuar nga Arben Fagu. Në përfundim të stërvitjes, ai na mblodhi. Trajnerët e kombëtares së të rriturjve, E. Çarçani dhe A. Muhametaj kishin përgatitur listën e lojtarëve që do të grumbullonin për ndeshjen miqësore. Fagu nis të lexojë emrat. Në një moment, trajneri shqipëron emrin tim.
Endrit Hysenagolli... 
Jo thashë me vete, është gabim. Më kanë ngatërruar. 
Nuk e kisha menduar që kjo do ndodhte kaq shpejt.
Më duhej të pyesja dhe ripyesja trajnerin deri sa u sigurova që nuk ishte gabim. 
Bashkohem me kombëtaren për ndeshjen miqësore me Maqedoninë. 
U futa në lojë.

Nisa të lëviz, por nuk doja të më pasonin asnjë top. Emocionet më kishin pushtuar trupin. Dridhesha dhe  nuk mundesha as të kontrolloja veten.
Topi i parë më rrëshkiti nga duart. Provova të realizoj koshin e parë me fanellën e kuq e zi. 
E dini si përfundoi? 
Topi nuk shkoi fare drejt koshit, por u përplas në tabelë. Emocionet në atë moment triumfuan ndaj meje. 
Fatmirësisht momentet e para kaluan dhe nisa të hyj gradualisht në lojën time. Që nga ajo ditë, kam 15 vite pa ndërprerje me kombëtaren kuq e zi.

Kam luajtur mbi 100 ndeshje me kombëtaren. Të luash me fanellën kuqezi  është një ndjesi që nuk mund ta marrësh kudo. Sporti dhe konkretisht basketbolli më ka dhënë emocione të jashtëzakonshme.

Në rugëtimin tim me Shqipërinë kam kaluar edhe situata të çuditshme, të zumta, por edhe triumfuese. 

Ekipi kombëtar do të zhvillonte një ndeshje miqësore në Bjellorusi. Kalimi nga Rusia në këtë vend u shoqërua me një ngjarje të pazakonte. 
Na mbyllën 14 orë në një dhomë, sepse nuk na jepnin lejen për të kaluar kufirin. Ishte një situatë e pazakonte për ne si sportistë, e cila na goditi moralisht. 
Gjithsesi kjo nuk është shija më e hidhur që kam përjetuar në kombëtare. Humbja e thellë ndaj Hollandës me atë rezultat të frikshëm mbetet shenja më e hidhur në memorien time. Në atë sfidë në zbritëm pa shpirt, pa ego. Ishim thjesht disa qënie që lëviznin në tapet. Ai rezultat na riktheu në tunelin ku nuk shikoje dritë shprese.

Por dritë në fundin e tunelit kemi parë në shumë raste të tjera. E tillë ishte fitorja e jashtëzakonshme ndaj Serbisë në lojërat mesdhetare. Gëzimi ishte i shumëfishtë, sepse mundëm jo vetëm një kundërshtar me vlera në basketkoll, por mbi të gjitha një kundërshtar historik.
Por në kombëtare nuk do të isha kurrë pjesë nëse me ekipet e karrierës sime nuk do të isha një lojtar që bëja diferencën. 
Kam luajtur gjithnjë me skuadrat elitare në kampionatin tonë.  
Periudha ime më e mirë ishte me Tiranën, ku në pesë vite fituam pesë tituj kampionë. Ishim ekip i jashtëzakonshëm ku bënim diferencë me kundërshtarët.
Studenti, Partizani, Kamza dhe Teuta nga ana tjetër janë faqe të rëndësishme në historinë time.

Të gjitha ekipet kanë pasuruar vlerat në karrierën time të sukseshme në basketboll. Me Teutën kam kaluar sezone fantastike. Në njërin prej tyre arrita një rezultat të jashtëzakonshëm në planin personal. U shpalla lojtari qendër më i mirë në Ligën Ballkanike.

Por nuk ka vetëm momente pozitive. Sepse sporti është si jeta, ku zhgënjimi dhe gëzimi ecin bashkarisht.  Kur luaja në Ligën e Kosovës kalova një moment shumë delikat.
Me Bashkimin e Prizrenit  po luanim në gjysmëfinalen e kupës. 
Salla ishte e tej mbushur me tifozë të zjarrtë.
Asnjë vend i lirë. 
Pas një kërcimi rutinë, një gurë i madh më goditi fort në shpinë !!!.... 
Kthej kokën me vështirësi nga trullosja.... 
Shikoj tifozët që ulërinim, por nuk kuptova asgjë. 
Papritur gjendem i shtrirë në tapet. 
Vetëm në atë moment zbulova se çfarë kishte ndodhur. Nuk ishte gurë dhe askush nuk më kishte goditur. 
Tendina ime e akilit ishte dëmtuar rëndë. Kisha pësuar një nga dëmtimet më të rënda që i ndodh një sportisti në karrierë. Fati në këtë rast ishte kundër meje. Karriera si basketbollist më kaloi para syve. Më duhej të qëndroja 8 muaj larg pasionit tim, koshit. 
Por nga ana tjetër kisha dhe fatin e mirë pranë meje.
Në Kosovë basketbollin e ndjekin shumë admirues. Njerëzit janë të lidhur tej mase me këtë sport. Drejtuesit e Bashkimit besuan fort tek unë dhe nuk më flakën në rrugë, ashtu siç mund të ndodhte në një rast tjetër.  Kjo sjellje më dha forcë dhe kurajo që të rikthehesha më i fortë.
Familja më qëndroi shumë pranë në atë moment kritik. Ishte ajo që më inkurajoi dhe më dha forcë. 
Pas ankthit erdhi shpresa. Dëmtimi kaloi dhe unë nisa stërvitjen sërish me Bashkimin. Vullneti dhe dëshira ishte e madhe. Më dukej sikur sapo kisha nisur basketbollin. Vitet e fillimit të karrierës mu rikthyen sërish pas dëmtimit.

Menjëherë me Bashkimin u transformova  si lojtari më i mirë dhe më i rëndësishëm. Fitova çmimin sportisti më i mirë në Prizren atë vit. Besimi dhe pasioni për basketbollin më riktheu më të fortë. Kisha kaluar një moment që asnjë sportist nuk do e dëshironte në fatin e tij. 
Gjithsesi ky dëmtim nuk ka ndikuar aspak në paraqitjet e mia të mëvonshme në ekipet e tjera. Përkundrazi, më ka forcuar pasionin dhe dëshirën për të dhënë maksimumin në çdo sfidë. Si pasojë e kësaj sukseset vijuan sërish. Rezultatet e arritura gjatë karrierës dhe më vonë më dhanë të drejtën të vlerësohem me shumë çmime. Çmimi "Nami Frashëri", i dhënë nga presidenti i Republikës, personazhi i vitit nga gazeta sportive "Panorama" si dhe çmimi si lojtari i vitit nga Komiteti Olimpik janë shenjat e vlerësimit që më bëjnë krenar për atë që kam dhënë dhe po jap si basketbollist.

Por mbi të gjitha më kujtojnë së asnjëherë nuk është e lehtë të ndjekësh pasionin. Mundi dhe sakrifica janë dy elementë të rëndësishëm që të dërgojnë te suksesi. 

Gjithsesi nuk ka mbaruar këtu historia ime. Për mua është njësoj sikur ka nisur tani. Dhe këtë sezon jam gati. Goga Basket është sfida ime e radhës.
Fati, vullneti dhe pasioni janë udhëheqësit kryesorë në rrugëtimin tim të jashtëzakonshëm në kaq shumë vite. Por pavarësisht viteve që ikin, për mua çdo eksperiencë e re është një fillim dhe motivim i ri. 
Familja më dha pasionin për topin e basketbollit.

Të njëjtin pasion shpresoj t'ia transmetoj edhe vajzës time. Ëndrra vazhdon...

Nga Endrit Hysenagolli
(basketbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !