Eno BITRI


 

 


Publikuar më 14.07.2021

Fotografia që shikoni në kopertinë simbolizon një moment të rëndësishëm, jo thjesht në planin profesional por më shumë se aq.  
Me të rinjtë e Tomorit luajta shumë ndeshje të tilla dhe sot aromën e baltës e kam ende me vete. Ka qenë pikërisht kjo baltë që më forcoi egon për të bërë hapa të rëndësishëm në futboll.
Aty mendoja Ronaldo Fenomenin, doja Interin edhe pse isha ende në hapat e mi të parë. Në fund të çdo takimi me kushte të tilla, kënaqësia ishte shumë më e madhe se në një sfidë me kushte të tjera.

 
Nuk linda në një fushë me baltë, por në një familje që e dashuron futbollin. Në moshën 6-vjeçare pash për herë të parë futbool, Inter- Breshia. E mbaj mend si ndeshjen e parë edhe sot atë gëzim të familjarëve pas fitores e kam të freskët.  Edhe kur Brazili fitonte, shtëpia gumëzhinte. Ata donin që në familje të kishin një futbollist dhe sytë i kishin tek unë. Fatmirësisht nisa të fiksohem me këtë sport.
Pas një viti nga ky moment, babi më regjistroi të ekipi i moshave Tomori A, U-9 me trajner Avenir Bejo, të cilit i jam mirënjohës shumë për kontributin që ka në rritjen time.

Që kur shkova tek ky ekip u ndjeva mirë edhe për faktin që në grup kisha disa çuna të lagjes, të cilët ishin pak më të mëdhenj se unë. Isha më i gjati dhe doja të imitoja Ronaldo fenomenin  në sulm. Në fillim trajneri më aktivizonte sulmues, por në moshën 12 vjeçare, ekipi në një ndeshje kishte nevojë një mbrojtës.
Realizova një ndeshje fantastike në qendër të mbrojtjes dhe nga ajo ditë pozicioni im nuk lëvizi më.
Në moshën 15 vjeçare kaloj te 17-vjeçarët  me profesor Bledar Fatia.
Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme  sepse luaja me lojtarë më të mëdhenj se mosha ime. Në një vit arritëm të dilnim në vendin e tretë në kampionat dhe menjëherë pas këtij rezultati u katapultova me ekipin e U-19, ku falë punës së dy trajnerëve, Arben Paja dhe Arben Arbëri u bëmë një grup shumë i fortë.
Por nuk kaloi shumë kohë. Pas pak muajsh më thërrasin në ekipin e parë. Shefi i klubit, Polizoi Kuqo me aprovimin e trajnerëve Madrit Muzhai dhe Tom Fani më bëjnë pjesë të Tomoirrit që luante në Superligë.
Ishte ndryshe të ishe pjesë e skuadrës  së parë, aq më tepër në Superligë. Ndihem mirënjohës trajnerëvë prej të cilëve mësova shumë si lojtar profesionist.
Isha vetëm 16 vjeç, më i vogli i skuadrës. Ndeshja e parë, priviliegj, sespe do zbrisja në fushë ndaj Flamurtarit, një ekip i madh i kampionatit tonë.
Ëndrat po realizoheshin gradualisht. Ndeshja e parë si profesionist do të mbetet gjithmonë në mendje, sepse balta kishte marrë ngjyrën e parë. Fanella e Tomorrit  më kishte krijuar mundësinë për të qenë titullar në ekipin e parë.
Sezonet ndiqnin njëri - tjetrrin deri kur pas katër vitesh më vjen një telefonatë nga  menaxher Ferati. Më pyeti nëse kisha dëshirë të isha pjesë e Partizanit. Me thënë të drejtën e prisja që do ndodhte diçka e mirë atë sezon sepse kisha zhvilluar një kampionat shumë cilësor ku shënova 7 gola si mbrojtës qendre.  Kur oferta e Partizanit me erdhi zyrtare isha mjaft i lumtur pasi nga Kategoria e Parë te shkosh direkt tek një ekip që luan për titullin kampion është diçka shumë e madhe. Vitin e parë nuk luajta shumë, pasi mundësitë ishin të pakta, por pas atij sezoni ekipi pati disa ndryshime dhe mua mu besua vendi i titullarit ndeshjen më të rëndësishme në Europë kundër Qarabag.
Pas asaj sfide nisi epoka ime te Partizani, ku balta ime u pasurua me një ngjtyrë tjetër, atë të kuqe. Mezi prisja të përjetoja derbin në fushë. Momenti i bukur erdhi me një fitore në derbin e parë të karrierës time 2-1. Ishte një emocion i paharrueshëm.
Ruaj kujtime shumë të bukura me Partiznain, por  nuk do e harroj ndeshjen me Vllazninë ku humbëm kampionatin. Do të  jetë gjithmonë një kujtim i keq …
Kalimi im tek Astana, ngjyra e verdhë,  e konsideroj një hap tjetër përpara që një ditë të jem pjesë e kombëtares kuqezi. Kalimi te ky ekip nuk erdhi rastësisht, por pas një sezoni shumë të mirë te Partizani. Shumë menaxherë më kontaktuan, por si profesionist kërkova që ata të kontaktonin menaxherin tim, Bode. Në këtë formë u realizua dhe ky kalim.
Ngjyrat në karrierë i shkojnë familjes sime, e cila ka sakrifikuar shumë që sot të jem këtu. Vujatjet e tyre ishin të shumta dhe për këtë do i jem mirënjohës gjithë jetën.

 
Familja dhe më pas futbolli më kanë mësuar të jem njeri i rregullt kudo në jetë.
Nuk do e harroj baltën në ndeshjet e mia të formimit, por do e respektoj duke e pasuruar me ngjyra. Futbolli është pasioni, është puna me të cilin mbaj familjen dhe veten. 

Për këte gjë falenderoj Zotin, sepse fal besimit ndaj tij jam këtu ku jam sot ….
Faleminderit! 

 

Nga 

Eno Bitri

(futbollist)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !