Ergys LUGA







Publikuar më: 10.04.2021

Të rritesh në një familje arsimtarësh është e vështirë për një sportist që dëshiron të bëjë karrierë. Babai ishte një fans i futbollit, por mamaja ishte armike e lojës së gladiatorëve, siç e quan. Ajo kishte një shkak që kishte arritur në këtë përfundim. Çdo darkë shkoja i dëmtuar në shtëpi dhe i duhej të merrej me mjekimet e plagëve të marra si pasojë e terreneve të vështira dhe konfrontimeve fizike.

Mamaja shkonte deri aty sa këshillonte rrethin e saj miqësor që të mos kishin fatin e saj si me mua. 

Koha kalonte dhe si arsimtare mundohej te bindte babin që të me mbante larg futbollit, por ishte e pamundur. Për këtë arsye ajo pagoi mësuesin e matematikës që të vinte sistematikisht në shtëpinë time që të më rriste performancën. Por më e bukura ishte që mësuesi kishte luajtur futboll dhe kishte qenë ish-trajner.

Imagjinoni se sa e rrita performancën në matematikë ku më shumë flitej për futbollin dhe për ndeshjet e mia sesa mësoja matematikën. 

Nga familja  nuk kam pas mbështetjen e duhur në kohën që dëshiroja të isha futbollist. Kjo mbështetje e munguar erdhi kur u bëra trajner më vomë, kur ata kuptuan egon time.

Ishte botërori USA 94 dhe në finale Brazil - Itali. Ky ishte momenti ku nisa të kuptoj rreth futbollit. 

Njerëzit dhe komshinjtë kishin nxjerr televizorët në rrugë dhe ndiqnin çdo minutë të botërorit me fanatizëm. Kjo vëmendje më ndoqi dhe mua duke u bërë një udhërrëfyes në profesionin që jam sot.

Bashkë me shokët imitonim lojtarët e preferuar. 

"Çfarë pozicioni luan në lagje?", më pyeti trajneri i parë Hyqmet Kuka tek "Pallati i Pionierit".

"Mesfushor" i thash, dhe ndeshja e parë nisi me konfrontim fizik, sepse ndërhyrja ime ishte e rëndë ndaj një lojtari kundërshtar, i cili më kërcënoi më pas. Që në moshë të re doli në pah natyra ime e theksuar grintoze. Kjo natyrë më ndoqi gjatë gjithë karrierës si futbollist.  

Në moshën 14-vjeçare aktivizohem tek ekipi i 17-vjeçarëve të Don Boskos duke u bërë dhe kapiten. Isha më i vogli i ekipit. Pas dy 2 vitesh e gjej veten tek Akademia e Dinamos me Artan Mergjyshin. 

Arrij të grumbullohem nga ''Xhaxhi'' Faruk Sejdini për pak kohë në ekipin e parë. Me Akademine kishim turne jashtë vendit në Gjermani kur ishte koha e Boterorit 2006. Momentet e bukura me shokët e skuadrës nuk kanë të paguar jo vetëm në atë turne por dhe sot e kësaj dite ato janë momentet më të bukura përpos medaljeve, shoqëri të cilën e ruajmë me fanatizëm sot e kësaj dite.

Gjithsedsi, në futboll nuk kam rezultuar shumë me fat.


Pas rikuperimit intensiv qe mora në një ndeshje në shpinë futem si zëvendësues në ndeshjen me Partizanin U-19 dhe goditem përsëri në të njëjtin vend  dhe më pas mbaj mend që dola jashte me dhimbje të shumta. Ky dëmtim më shoqeroi gjatë kohës kur isha në fazën përgatitore tek Erzeni në kategorinë e parë. 

Komplikacione kam ende dhe sot e kësaj dite. 

Futbolli ishte gjithmonë në plan të parë. Çdo ditë, çdo fundjave, çdo moment. Vitet kalonin dhe syri nuk shkonte më tek lojtari më i mirë por shkonte tek loja kolektive dhe grupi. 

Më tërhiqte Mourinho për impaktin që kishte mbi ekipet dhe Faruk Sejdini në Shqipëri. Pas përfundimit të Masterit për trajner,  "instikti grintoz" ishte në gjumë por jo i vdekur. 

Më jepet mundësia të përfundoj Uefa B dhe Uefa A. Kurset në Federatën Shqiptare të Futbollit më bënë të kuptoj se trajner dhe lojtar janë totalisht gjëra që skanë lidhje me njera-tjetrën.

Mbaj mend që pas përfundimit të UEFA B shkova për stazh tek Tirana U-19 duke shfrytëzuar njohjet e vjetra. Njihem me Hafizin dhe Sokol Bulkun dhe i ndjek. 

Me vonë marr Akademinë e Kamzës dhe përmes punës se palodhur kaloj si ndihmës tek ekipi i parë në Superlige pranë Ernest Gjokës, i cili bëri që unë të rris performancën dhe etiken profesionale në marrëdhënie me futbollistët dhe ambientin. 

Rezultatet dëtyrojnë Nestin të largohet për tu pasuar nga Stojku me të cilin përjetuam dhe situatën e vështirë të rënies se ekipit nga kategoria pas ngjarjeve që dihen tashmë. Pas kësaj ndodhie telefoni më ra mua për të drejtuar skuadrën. Isha më në brendësi të situatës, trajner i ri, impakt i ri dhe klub me pak fonde. 

Pas një selektimi të saktë fillojmë kampionatin me lojtarët U-21. Por pas ndeshjes së parë të kampionatit kontaktohem nga agjenti për të dhënë intervistë në anglisht sepse kërkohej trajner në Kinë. E konsiderova hap të rëndësoshëm për të pasur karrierë ndërkombëtare ndërkohë dhe të ardhurat nuk ishin shaka.


Kur mbërrita në Shenzhen ishte vape. U prita në aeroport nga agjentja e ekipit dhe shkuam për të bërë analizat mjekësore dhe marrjen e numrit, kartën e bankës të cilat kishin formalitete burokratike dhe të them të drejtën si shqiptar e humba durimin. Të nesërmen u njoha me trajnerët ku kishte dhe të huaj me të cilët kemi ende marrëdhënie profesionale. 

Frekuentimi i shpeshtë i restorantit kinez në Tiranë ndikoi që të mos kisha problem përshtatje me ushqimin. Problem ishte mentaliteti i të kuptuarit ndryshe nga ne. Filluam përgatitjet për kampionatin, i cili u ndërpre për shkak të pandemisë.

Kohën që kam qenë këtu kam punuar dhe për Federatën Kineze për Zyrën Rajonale të Shenzhenit duke trajnuar dhe selektuar lojtarët e rinj. Erdhi perfundimi i kontratës 1 vjeçare dhe më ofrohet një post si Drejtor Teknik ne Akademinë e Jilin Profesional FC ku jam aktualisht. Këtu jam pranë Europës sepse minoranca ruse ka nje rol thelbësor në futboll dhe në rritjen e nivelit.


Prinderit e femijëve të vegjël kinez mund të jenë personat më të bezdisur në botë, thashethemaxhinj dhe të prirur për të bërë keq. Jo pak trajnerë akademie kanë vuajtur në këtë drejtim.

Për një trajner të ri si unë do të jetë faktor përcaktues për të ardhmen. Pse jo mos ta kem dhe unë mundësinë për në Kategorine Superiore. Do ishte mundësi e mirë për të nxjerr instiktin grintoz dhe shpërndaj njohuritë e mia dhe metodat të cilat i kemi punuar me koleget spanjoll dhe anglez. 

Shqiperia është pjesë e kontinentit të vjeter dhe normalisht shihemi me superioritet në traditat dhe konceptimet e futbollit. Me futbollin tonë ne mundohemi ta "vrasim lojën" nga pikpamja tekniko-taktike. 

Ndërsa në Kinë duan të imitojnë ndërtimin e lojës duke kopjuar metodologjinë spanjolle. Futbolli në Shqipëri është fizik dhe më agresiv.


Infrastruktura dhe pajisjet kineze janë në perfeksion. Kujdesen në çdo detaj. Drejtorët janë të bezdisshëm sepse duan që çdo gjë të jetë e përkryer duke filluar nga baza materiale dhe prezenca. 

Kurse për sa i përket trajnerëve kinezë nuk mund të krahasohen, madje mendoj që janë nën nivel. Ka dallime ndërmjet skuadrës që stërvitet nga trajneri kinez dhe skuadrës që stërvitet trajneri i huaj. 

Ngjarja më e bukur ishte fitorja e thellë kundër Shanghai Shenhua në miqësore. Fitore ndaj ekipit me buxhetin më të lartë në Kinë, por nga ana tjetër kur shkoj në supermarket do të bëj ngatërresë me gjuhën kineze. 

Jetoj me bashkëshorten këtu, e cila filloi pune si arsimtare kohën që jetonim në Shenzhen, një nga qytetet më të mira të Azisë. Ajo u përshtat më se miri sepse faktor plus që kemi është dhe njohja e gjuhës angleze.


Gjithsesi i kam hyrë detit me not që të mesoj kinezçen, por akoma s'po ia dal tamam. Jeta aziatike është shumë e lashtë. Kemi parë ndërtesa të larta, qytete gjigande me popullsi jashtëzakonisht të zgjeruar, ndërthurje e antikitetit dhe modernizmit për të cilin kinezët po përparojnë me hapa kolosal.


Nga

Ergys Luga

(Trajner)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!