Erkand QERIMAJ

 




Publikuar më 13.09.2020
 

Me shpirt të lënduar, por i etur për të vërtetën iu drejtova shtangës...

"Erdhi koha!" një zë më buçiste  nga e gjithë qenia ime...

 Përqendrohem fort përtej hekurave,  që  dukeshin se frikësoheshin!

Afrohem... 

Marr frymë thellë... 

Heshtja e atyre muajve u duk se donte të fliste!

Është momenti të tregoj të vërtetën...

Është momenti të mposht atë vit të errët, që u rrek të rrëmbente krenarinë time...

 Është koha të tregoj që unë nuk jam rastësisht në këtë sport...

 Është koha të ngrej peshë zemrat e lënduara të shqiptarëve që më ndjekin me ankth... 

Është koha të thërras fort:

 

Unë jam ERKAND QERIMAJ..."



Afrohem pranë shtangës. 

Përkulem. 

Vendos kyçet.

Përpara meje qëndron juria. Në sytë e tyre nuk shikoj asgjë. Ata janë bosh nga muajt e mbrapshtë. 

Pas tyre shikoj sy që janë gati të shpërthejnë në lotë. Janë sy që presin shkëlqimin tim.

Rrëmbej fort peshën time..

Nga shpirti më del shpejtësia e natyrshme. Rrebelimi që më kishte ardhur nga errësira e dërgoi peshën lart si të ishte një pupël... 

Në pak sekonda bota ndaloi rreth meje. 

Heshtja mbaroi me përplasjen e shtangës në tapet.

Syte e njerëzve në juri nisin të mbushen me pendim. 

Sy të tjerë nisin të shpërthejnë në lot.

Trajneri im legjendar, Zef Kovaçi nuk përmbahej dot nga gëzimi. Ai nisi të qajë si fëmijë.


Një nga tifozet e mi special Hamdi Salihi kullonte në djersë nga tensioni, si  të ishte ai ngritësi i peshës. Sytë nuk i mbanin dot lotët që i vërshonin pa pushim. 

"Këtë emocion e kam përjetuar vetëm kur kam shënuar golin tim të parë", tha shkodrani im.  

Arrita ta kthej të pamundurën të mundur. Mposhta gjithçka negative të akumuluar prej muajsh. 

Aty kuptova që të dorëzohesh nuk ka asnjë kuptim për mua. Krenaria ime nuk mund të nëpërkëmbet kurrë... 

Ky është Izrael 2014, vendi ku emri im u rishkruajt me gërma të mëdha. 

Por historia ime nuk nis këtu. 

Këtu rinis jeta ime sportive pas 'aksidentit' të vitit 2012. 

Po le të rikthehemi shume kohë më parë, për të kuptuar më mirë gëzimin e jashtëzakonshëm që solli triumfi im në kampionatin Europian 2014 në Izrael.


Pasi kisha provuar karatenë dhe disa sporte të tjera, në moshën 9-vjeçare nisa të ushtrohem  për shtangë. Ishte pasioni im. Por ishte viti i mbrapshtë '97. 

Bashkë me djalin e tezes shkova për të provuar vullnetin tim në palestrën e peshëngritjes në Shkodër.

 Futem brenda. Trajneri Muhamet Tuzi më ofroi të provoja peshën time të parë.

Lagështira mbizotëronte gjithandej. Ndryshku i shtangave nuk njihte limite. Dukeshin si antike. Nga do të ktheje sytë shikoje vetëm trishtim.

Nuk kishte tifozë si në Izrael, vendin e tyre e kishin zënë dy minj që ironizonin me mua. 

 Nuk kishte drita herë pas here. Qiriu ishte gati në çdo rast vetëm që stërvitja ime të mos ndërpritej.

Por këto detaje për mua ishin argëtim. Shtysa  e fortë për t'u stërvitur quhej pasion. Ai sa vinte e shtohej.

Pas disa javësh, trajneri me afrohet dhe më thotë. "Me elementët që ke do jesh kampion i padiskutueshëm!"

Kjo me shtoi edhe më shumë dëshirën për t'u stërvitur më shumë. 

Mungesa e kushteve ishte rutina ime në fillimet e karrierës. 

Familja ka pasur një rol thelbësor në këtë rrugëtim.

Babi ishte shoqëruesi im kryesor që më mbështeste në çdo seancë stërvitore. Mami gjithashtu kujdesej në shtëpi për vaktet e mia.

Që në garat e para isha i uritur për të qenë i pari. Nisa të thyej rekorde të njëpasnjëshme.

Rezultatet e arritura në kampionatin shqiptar më dhanë të drejtën të përfaqësoj Shqipërinë në Francë, në kampionatin Europian për paratërinj.

Për herë të parë pashë kontrastet e dy botëve.

Nga palestra e zymtë në Shkodër, tek salla gjigande në Nicë. Nga lagështira e palestrës në bregdetin e bukur francez. 

Por kjo gjë nuk e preku aspak ambicjen time. Triumfova duke ngritur lart simbolin kombëtar. Adoleshent, por emocionet ishin të pritshme. Ambicja ime ishte shpërblyer. Kreanaria ime ishte e jashtëzakonshme duke mbajtur lart flamurin kombëtar.

Ditëlindjen time të 14-te e festova në garë. 

Pritja në aeroport pas kthimit më bëri përshtypje. Isha i hutuar, pasi nuk kisha parë aq shumë njerëz të më vlerësonin njëkohësisht dhe mbi të gjitha në atë mënyrë.  Isha në qendër të vëmendjes. 

Por më pas triumfi im nuk u vlerësua aq sa duhej. "Me paratërinjtë fitove. Pate fat. Të konkurosh me të rriturit është ndryshe", ishin fjalët që qarkullonin.

Nuk u demoralizova. Përkundrazi. Ky zhvlerësim më shtoi edhe më shumë adrenalinën brenda meje për të dhenë më shumë. 

Triumfova në të njëjtën mënyrë edhe katër vitet e ardhshme me paratërinjte dhe të rinjtë në kompeticionet Europiane dhe Botërore. Medaljet u bënë normale në katër vite radhazi, ku isha njeriu që duhej mundur. Në të gjitha aktivitet për të rinj isha në majë.

Por sërish vleresimi mungonte. Do gjendej gjithnjë një justifikim për të zbehur meritën time.

Egoja më shtynte të bëja më shumë, të tregoja që nuk jam rastësisht në këtë sport. 

Nisa të garoj në garat për të rritur. Nisa të rrok medalje që tashmë dihen, por që nuk numërohet dot.

Sot kur i mendoj këto gjykime arrij vetëm në një konkluzion. Për motivimin  tim ato ishin të domosdoshme. Sepse rezultatet treguan dhe tregojnë se unë nuk jam rastësisht në këtë sport.

Krenaria ime ishte në shkallën më të lartë. Sepse falë djersës, emri i Shqipërisë kishte një imazh tjetër.

Të dhënat e mia ishin të jashtëzakonshme edhe në aspektin shkencor.

Nga një univeristet i huaj u organizua një testim me disa kamera të vendosura për të matur shpejtësinë time bashkë më shtangën. Në fund të testimit unë kisha kaluar kohën më të mirë botërore në këtë sport. Një e dhënë e rëndësishme që fliste për dhumti të lindur. Dhunti që nuk kishte nevojë për substanca.

Më ka mbetur në mendje një ngjarje tjetër që tregon vlerësimin e profesionistëve. 

Isha në superformë. Në  garën e kontrollit para Europianit nisa të ngrija peshat me një lehtësi të jashtëzakonshme. I pranishëm ishte rekordmeni botëror David Regerd, të cilin e  pushtuan papritur lotët! 

"Duke parë se si i ngrije peshat me kaq lehtësi mu rikthyen kujtimet kur isha i ri. Po të kishe kushtet e federateave më të forta ti do ishe i pamposhtur", më tha.

Mundësitë për të përfaqësuar një vend tjetër kanë qenë të mëdha për mua. Një nga mundësitë më ka ardhur në moshën 15 vjeçare. Më kërkuan me shkresë zyrtare të përfaqësoja SHBA-në. Isha i vogël dhe familja nuk e kishte me shumë dëshirë që të largohesha.


Ndjenja ime për simbolin kombëtar është adrenalina tjetër e cila ka qenë një forcë më shumë për mua, por edhe një pengesë që unë të mos shkoja dhe të përfaqësoja një komb tjetër pavarësisht kushteve. Kam shpresuar gjithnjë që kushtet të ndryshojnë për sportistët në vendin tim.

 

Ndryshe nga sportet kolektive, sportet individuale kanë më shumë nevojë për motivim, për forcë psikologjike. Këto dy elementë vërtetohen tek sportisti në momentet më të vështira.

Dhe ja ku vjen momenti i testimit. Kësaj radhe jo nga universiteti, por nga pakujdesia.  

Pas triumfit në Europianin 2012, babi më sjell lajmin e rëndë. "Erkand, federata ndërkombëtare të ka dënuar për përdorim substancash të ndaluara duke të hequr titullin". 

E gjithë bota u përmbys para meje.

 Nuk po e besoja atë që po dëgjoja. Isha i tulatur nga ky lajm. Çfarë ka ndodhur vallë?  Isha i vetëdijshëm për gjithçka që kisha përdorur. 

Por pikërisht një nga vitaminat që dhe kisha deklaruar përpara garës ishte dhe problemi im i madh që më kushtoi titullin. 

Kishte pak kohë që vitamina, e cila gjendej lehtësisht edhe në market, ishte ndaluar nga federatat ndërkombëtare. Unë këtë vitaminë e kisha deklaruar para garës.  Më dhanë dënimin maksimal prej 4 vitesh, i cili më pas ra në dy vite dhe pas rigjykimit shkoi në një vit. 

Kanë qenë muaj të errët për botën time shpirtërore dhe atë sportive. Atmosfera që më rrethonte ishte pa jetë. E gjithë karriera ime papritur kishte prekur fundin, dhe për çfarë, për një 'aksident'. 

Unë nuk isha rastësisht në këtë sport dhe papritur dola kampion. Jo. Kisha një jetë sportive që isha kampion. Unë nuk kisha nevojë për substanca për të qenë në majën e këtij sporti. Jo. 

Famijla ime e madhe dhe e vogël ishte vendi i vetëm ku gjeja paqen e duhur. Ajo ishte burimi i forcës sime për të kapërcyer këtë moment shumë të vështirë. Trajneri im Zef Kovaçi ishte mbështetja tjetër. Ai besoi fort tek unë. 

Krahas kësaj, më duhej të mundja paragjykimet e gjithe botës. Ky ishte një motivim ekstra për të rikthyer krenarinë time. 

Por gjithnjë e drejta del në dritë. Këtë e kuptoj më mirë sot që kam studjuar për drejtësi. 

Duhej të vinte Europiani Izrael 2014. Vendi ku u vërtetua që unë nuk jam rastësisht në këtë sport. 

Pas kthimit në Shqipëri, në një moment e shikoj veten te ngritur peshë! Çuditem, sepse peshat zakonisht janë nën pushtetin tim, por kësaj radhe ishte situatë tjetër. Gëzimi ishte shumë herë më i madh se çdo herë tjetër. Brohorima nga të gjitha anët thërrisnin emrin tim! "Na bëre krenar, jemi shumë të lumtur me triumfin tënd!" Këto ishin fjalët e njërit prej personava që po më mbanin në krahë nga gëzimi. Ktheva kokën, ishte një nga komshinjtë e mi. U habita, por u gëzova gjithashtu pa masë.

Unë isha kampioni, që kisha mundur pasojat e pakujdesisë. Isha i njëjti, ai djaloshi 14-vjeçar, i etur ta rrok botën me duart e mia. Me të njëjtën dëshirë dhe krenari.


Për të arritur këtu është dashur shumë mund dhe sakrificë nga e gjithë familja ime. Babi im është kujdesur për mua deri në fund të jetës së tij. Prej tri vitesh tashmë bashkëshortja ime kujdeset shumë për mua si sportist dhe si njeri.


Kur kthej kokën pas, kujtimet më dërgojnë tek  fëmija i pasionuar pas sportit. Atë pasion e shikoj sot tek djali im 3 vjeçar. Ai është i lëvizshëm sikurse isha unë i vogël. Ai do të jetë i lirë, të zgjedhë sportin që don, ashtu sikurse babai im më dha lirinë e zgjedhjes për sportin që doja. 

Pas gjithë kësaj jam i lumtur sepse krenarinë time e riktheva me djersë në vendin që i takonte... 


Nga

Erkand QERIMAJ

(peshëngritës)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !