Esat MALA

 


Publikuar më 25.11.2020
Topi i bardhë ndodhej përballë meje dhe po më "vështronte" me habi.
Po vështronte fëmijën që nuk po kuptonte se cila lodër e argëtonte më shumë.

Në dhomë futet vëllai i madh. Merr topin dhe largohet. 

I habitur e ndjek dhe e pyes se ku po shkonte.

"Do luaj me shokët futboll. Do vish të shikosh?" më pyeti. 

E ndjek nga pas. Takon disa shokë dhe nisen së bashku për të luajtur.
Vëllai vendos topin e bardhë në fushë dhe e shkelmon. Më pas të gjithë vërshojnë drejt sferës.

Isha ulur diku dhe vëzhgoja me kureshtje. 

Loja më tërhiqte shumë.
Në moshën 5-vjeçare ndjek rregullisht vëllain me topin e bardhë dhe ashtu pa e kuptuar bëhem pjesë e lojrave me djemtë, të cilët ishin rreth pesë vite më të mëdhenj se unë.
Fakti që ata ishin më të rritur nuk më pengonte, por përkundrazi më motivonte.

Doja të bëja gjëra të mëdha.
Isha në kërkim të ndryshimit, isha në kërkim për të bërë gjërat e pamundura, të mundura.

Kjo pjesë e jetës sime mu rikthye përpara syve si reflektim kur po kthehesha nga Kosova me kombëtaren e shpresave. Nga dritarja shikoja vendin ku lindën ëndrrat e mia. Shikoja Prizrenin, vendi ku e shikoja veten kuqezi. Dhe ja, isha në autobuzin e kombëtares...

Duke ndierë nostalgjinë mendova të njëjtën gjë: Dua të bëj gjëra të mëdha.
"Tani është koha", thash me vete.
Po, po. Është koha e duhur pas eksperiencës me U-21. Ishte ndeshja e fundit e imja ndaj Kosovës dhe për shkak të moshës nuk do jem pjesë e kuqezinjve të rinj.

 Ëndrra më dërgon tek kombëtarja e madhe...!
Por duhet sakrificë dhe shumë mund... këtë e di.
Ashtu sikurse di që këto veti i kam fituar nga eksperienca ime.

Për tju treguar  se çdo të thotë sakrificë tek unë, po rikthehem atje ku e nisa, tek zanafilla e futbollit tim.

Babi kishte nuhatjen e duhur që duhej të vazhdoja të ndiqja futbollin. E ndiente që isha përfshirë shumë në lojën me top. Nisur nga të dhënat dhe dëshira ai më regjistroi te skuadra e moshave në Prizren.
Pasi kaluan vitet e para, ndieja që duhej të provoja veten diku tjetër.

Në moshën 14-vjeçare vjen mundësia për ndryshimin e madh. Shkëndija e Tiranës ishte hapësira ku unë mund të kultivoja ëndrrat.
Por duhej të zgjidhja.
Të shkoja dhe të vijoja i vetëm aventurën time, sepse prindërit nuk kishin mundësi të më ndiqnin, apo të qëndroja në Prizren!
Vendos të largohem nga qyteti i kulturës dhe historisë shqiptare, Prizreni, për tu bërë futbollisti që doja të isha, pra të isha në avionin me ngjyrat kuqezi në të ardhmen time.

 Shkoj vetëm në Tiranë dhe nis stërvitjen me Shkëndijën. Më pas provoj të jem pjesë e Hajdukut në Kroaci, por pas gjashtë muajsh e shikoj veten sërish në Kosovë, tashmë pjesë e Ballkanit.
Nuk po shkonte ashtu siç e parashikoja.
Gjithmonë duhet një shkak që gjërat të ndryshojnë. Dhe kështu ndodhi. Po kërkoja eksperincën e duhur, doja mundësinë që të realizoja ëndrrat e mia. 

Denis Cani bëhet ndërmjetësi për kalimin tim te Partizani dhe rikthimin e dytë në Shqipëri.
Trajneri i parë që më priti te të kuqtë ishte Genc Majmutaj tek ekipi B. Edhe pse në moshë të vogël, gjithnjë isha i fokusuar për të bërë realitet sfidat që dukeshin të pamundura.

 Kështu veprova, u vesha me petkun e "titullarit".

Me këtë mentalitet stërvitesha në fushë dhe palestër. Isha dhe jam gjithnjë i përuluar në punën që kryej. Me këtë mentalitet arrita të isha në vëmendjen e klubit të parë dhe më vonë kombëtares së shpresave të Shqipërisë.


Nuk e dija se çfarë ishte derbi i kryeqytetit. Kisha dëgjuar por nuk e kisha përjetuar emocionin që të jepte një sfidë e tillë. Ndeshja e parë ndaj Tiranës ishte fantastike.
Gol, fitore dhe një stadium që po shpërthente.

Afeksioni me tifozët e kuq ishte i menjëhershëm. Këtë përjetim në futboll e sjell vetëm prania e tifozëve në stadium, përjetim që pandemia na e ka ndaluar këtë kohë.
Titulli kampion me Partizanin ishte maja e realizimit të njërit prej qëllimeve të mia. Sigurisht sezoni më i mrekullueshëm i karrierës.
Ishim grup unik. Harmonia dhe dëshira e fortë na dërgoi drejt triumfit. Tashmë kaloj shumë kohë me Belicën. Gjithashtu me Çinarin, Brojën dhe Bitrin.
Shpresoj të përjetoj sërish të njëjtën gjë.

Kur mbaron një kapitull duhet menduar për fazën tjetër. Ky reflektim më shoqëroi gjatë gjithë kohës në autobuzin e kthimit për në Shqipëri pas ndeshjes së fundit me U-21.
Ishte fundi i një udhtimi fantastik.
Dhash më të mirën ndaj besimin që mu mundësua. Tashmë është koha për finalizim, për vulën profesioniste.
Autobuzi i fundit dhe njëkohësisht i së ardhmes më riktheu shpesh në kohë. Më riktheu debutimin ndaj Spanjës me kombëtaren shpresa. Fundi gjithnjë sjell në kujtime fillimin. 


Të gjithë lojtarët ishim bërë bashkë në darkën para ndeshjes. Tradita e kërkonte që futbollistët e rinj të këndonin një këngë. Këndova me shumë emocion " Dy dele 300 pare...".
Normalisht zëri im nuk duket aq mirë sa këmbët e mia në fushë, kështu të qeshurat nuk kishin fund.

Gjatë reflektimit në rrugën e kombit, fenomeni Ronaldo tundi mendimet e mia me lëvizjet e tij.  Lëvizjet me topin dhe impakti që ai krijoi me publikun janë modeli që përpiqem të ndjek.
Impakti që unë kam krijuar me tifozët e Partzianit më bën të besoj se çdo gjë është e realizueshme në lojën e futbollit.

Ajo që duket e pamundur është gjithnjë e mundur.
Këtë e kam provuar.
Dhe do e provoj sërish deri në fund.
Asgjë nuk i ndal ëndrrat.


Skuadra e madhe europianë dhe kombëtarja kuq e zi mbeten dy qëllimet madhore në kapitullin pasardhës të karrierës.

 Për mua futbolli është vetëm një fjalë, Lumturi.
Nëse lumturia nuk egziston te futbollisti, futbolli vështirë se jeton brenda tij. 


Nga

Esat MALA

(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!