Tefik OSMANI







Publikuar më 07.10.2020


Pas një vendimi jo të lehtë, mendimet nisin e turbullohen nga pse-të e njerëzve më të afërt. "Pse do e lesh futbollin? Pse nuk vazhdon, duam të shikojmë në fushë! Keto ishin pyetjet e  djemve të mi, kur  vendosa të shkëputem nga loja e futbollit.

"Mos po bëj gabim? Ndoshta duhet të vijoj të luaj ende!", thash me vete.

Ky ishte momenti i vetëm  kur vura në dyshim vendimin që mora. 
Djemtë më zgjuan pasionin e fëmijërisë. 
Si shkëndi u ndez brenda meje Tefiku endërrimtar... emocionet më pushtuan trupin...

Isha 4-5 vjeç, kur luaja futboll me vëllezërit e mi, Ladin dhe Kolin. M'u kujtua koha kur në shtëpi diskutonim të gjithë bashkë me vëllezërit, mamin dhe babin rreth futbollit pasi shikonim ndeshjet në televizor. Kjo dashuri familjare me shoqëron edhe tani me dy djemtë dhe bashkëshorten time Irsën.

Përtej nostalgjisë, ishte momenti i duhur për një 35-vjeçar të largohej nga futbolli, aq më tepër kampion në 100 vjetorin e Tiranës. Fillimi nuk ka kuptim pa fundin dhe në një moment apo tjetër shkëputja do vinte. Dhe ky ishte momenti i duhur.     

E nisa në këtë mënyrë historinë time për të shprehur se sa e rëndësishme është familja për një sportist. Vatra e ngrohtë që e shoqëron gjatë gjithë karrierës. Është i vetmi vend ku gjendet dashuri pa fund dhe si rrjedhojë ndikimi është i fuqishëm për çdo vendim që merr.

Isha 9 vjeç kur nisa rrugën e futbollit. Arben Beta dhe Fredi Stefa ishin trajnerët e mi të parë, të cilët më rritën si futbollist. Ëndërroja gjithnjë të isha pjesë e skuadrës së parë të Skënderbeut. Më dukej se ky ishte qëllimi im madhor. Por koha në vazhdim tregoi tjetër gjë.

Që në moshë të vogel u bëra pjesë e skuadrave kombëtare të moshave të Shqipërisë. Ëndrra ime nisi të kapërcejë shumë herët motivin primar. Isha egoist që në fillim. Nuk kënaqesha me atë që arrija, por shikoja shkallën e radhës. Tek 16-vjeçarët, Gjergji Ballço ishte trajneri, i cili i dha shtysë ëndrrës sime për të kaluar te skuadra e të rriturve të Skënderbeut që drejtohej nga Jani Kaçi. Shkova në një moment jo shumë të mirë  te ekipi i ujqërve të dëborës. 
 
Situata nuk ishte shumë optimale në ato kohë dhe pas gjashtë muajsh më kontaktoi Kristaq Mile, trajneri i Bylisit, i cili më fton të isha pjesë e ekipit të Ballshit, që në atë kohë po investonte shumë në futboll. Ky ishte një hap i rëndësishëm në karrierën time. Për këtë jam i mirënjohës Miles dhe presidentit të atëhershëm të Bylisit. Në Shqipëri futbolli varet shumë nga presidentët. Edmond Mallollari u largua nga Bylis në drejtim të Tomorrit, duke marrë me vete të gjithë stafin, përfshi këtu trajnerin Kristaq Mile. Në këtë grup isha pjesë edhe unë dhe kalova në Berat. Mallollari ishte njeri pasionant për futbollin dhe kontriboi pa limit si për Bylisin, ashtu edhe për Tomorin. Isha në formë të mirë. Hasan Lika më fton te shpresat e Shqipërisë U-21. Kjo shkallë ishte një kapërcim më shumë përtej motivit tim. Nuk u kënaqa, përkundrazi kjo arritje më shtoi edhe më shumë egon profesionale, e cila pati rol shumë të rëndësishëm për karrierën. 
Luajta me Teutën në kupën Intertoto dhe në adresën time vijnë shumë oferta nga ekipet elitare të Superligës.

Isha shumë i ri në atë kohë dhe  në adresën time kishin ardhur ofertat e rëndësishme për kapërcimin e madh. Por për këtë kalim Hasan Lika kishte tjetër mendim. "Je ende i ri dhe duhet të rritesh si futbollist. Që të rritesh duhet të luash vazhdimisht. Me ekipet e njohura, si Partizani apo Tirana hapësirat për të luajtur do të jenë të limitura për një lojtar të ri si ti", më tha. E mirëkuptova dhe e respektova këshillën e trajnerit Hasan Lika. 
 
Nuk shkova tek një ekip i madh por u bera pjesë e Elbasanit. Aty gjeta Nevil Deden. Ishte emocion të luaja krah tij. Me Deden në mbrojtje përgjegjësia ishte e madhe. Nuk duhej të gaboja në asnjë rast, sepse si lojtar i ri rreziku ishte shumë i madh dhe për një gabim të vogël mund të humbisja formacionin. Kjo përgjegjësi më rriti shumë në personalitet dhe më dha sigurinë që kisha nevojë.

Paraqitjet shumë të mira me Elbasanin më hapën rrugën drejt Kombëtares B. Por nuk do të kalonte shumë kohë që ëndrra e çdo futbollisti të konkretizohej edhe tek unë.

Në ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës isha pjesë e kombëtares A.

Ishte minuta e 70-të, e cila shënon historinë time në ekipin kombëtar. Ëndrra ime u realizua në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo ndjesi të vjen vetëm një herë në jetë.  Ishte historike edhe për një fakt tjetër. Në atë sfidë u shpalos flamuri gjigant i Shqipërisë, vërtet nostalgjik. Kur e kujtoj atë ndeshje, një frymë tjetër më pushton trupin. Isha vetëm 19 vjeç dhe shikoja që ëndrrat po më realizoheshin përpara syve.

E jashtëzakonshme.

Minutat që u aktivizova mesa duket mjaftuan që të më vinte oferta ukrainase nga Metalurgu.

Nuk mendohem shumë. E konsideroj shansin e jetës për të luajtur në nivele shumë të larta.  Së bashku me Bledi Shkëmbin bëhemi pjesë e skuadrës ukrainase. Luanim në formacionin bazë në fillim, por rezultatet e dobëta bënë që tekniku të shkarkohej. Ardhja e trajnerit të ri nuk më krijoi shumë hapësira. Këtë fakt e përjetova shumë keq në atë periudhë. Më dukej sikur futbolli kishte marrë fund. Më dukej sikur gjithçka duhej të niste nga fillimi.

Por ky mendim nuk ishte objektiv, por shumë subjektiv. Sot mendoj se duhej të veproja ndryshe. Duhej të tregoja në stërvitje se nuk isha rastësisht në atë ekip. Duhet të tregoja vlerat reale dhe ta detyroja trajnerin të isha në fushë, falë cilësive e mia.

Isha vetëm një 19-vjeç.  Dorëzimi ishte gabimi im. Nuk isha i përgatitur psikologjikisht për një situatë të tillë. Mundësinë që kisha në dorë nuk e shfrytëzova siç duhej. Metalurgu mund dhe duhej të ishte trampolina ime drejt Europës. Ky është një nga momentet e vetme që më ka mbetur në memorjen time ku unë duhej të bëja më mirë.

Nuk qëndrova shumë në Ukrainë dhe u ktheva në Superligë. Në Shqipëri më priti Hasan Lika, i cili drejtonte Partizanin. Kthehem me mendimin për ta nisur nga fillimi, por jo. Unë fillimin e kisha kaluar, por nuk e kisha kuptuar që isha në një stad tjetër. Dua të theksoj, isha vetëm 19 vjeç, dhe vendimet kryesisht i merrja vetë.

Ishte një vit i vështirë me të kuqtë. Duke vlerësuar aftësitë e mia si futbollist, Tirana bën ofertë prej 40 mijë eurosh për të marrë shërbimet e mia.

Deri në atë moment kampionati ynë nuk kishte njohur shitje blerje aq më tepër me këto shifra. U bëra blerja e parë në kampionatin shqiptar. E para brenda superligës. Kalimi i shkoi përshtat të dyja skuadrave. Në tri vite me bardheblutë arritëm të fitonim kampionatin dhe kupën e Shqipërisë.

Të fitoje apo të fitosh me Tiranën ishte dhe është detyrim, të fitoje me ekipet e tjera ishte gëzim. Këtë gjë e vërtetova në tri vitet e mia me ekipin e kryeqytetit. Ishte një periudhë shumë e mirë dhe një eksperiencë që do e kishte dëshirë çdo futbollist.

Nga bardheblutë u largova si kampion. U transferova në Durrës me Teutën. Me bregdetarët më ka mbetur në mendje humbja e kampionatit nga ai barazim pa gola ndaj Kamzës, rezultat që na hoqi mundësinë për të marrë titullin kampion. Në atë ndeshje mungoja në formacion, por mungesa më e madhe mendoj se ishte Mancaku, i cili me teknikën e tij  mund të merrte penallti.
Dua të theksoj një të veçantë në eksperiencën time të gjatë. Kam kaluar shumë ekipe në superligë dhe me të gjitha nuk kam patur kontrata të shkruara.

Po po, kjo gjë mund të duket e çuditshme, por me mua ka rezultuar pozitive.

Kontaktet e mia kanë qenë gjtihnjë me presidentët pa ndërmjetësimin e menaxherëve. Marrëveshjet e bëra ishin burrërore, ndaj të cilave i kemi qëndruar korrekt të dyja palët. Asnjë president nuk ka devijuar nga marrëvshjet që kemi bërë dhe për këtë ndihem mirënjohës. Sot, si pasojë e kësaj marrëdhënie, gëzoj respekt reciprok me të gjithë presidentët e klubeve.

Në këtë mënyrë u bë dhe rikthimi im në gjenezë, vendin ku lindi ëndrra për futbollin, Korçën e bukur. Skënderbeu ishte super skuadër, ekip që pretendonte kalimin e tureve në Europë. Këtu kalova periudhën e lavdishme, duke arritur të shkoj dy herë në Ligën e Europës.

Historike jo vevtëm për mua, por për të gjith futbollin shqiptar.

Herën e dytë në Elbasan ndaj Dinamos së Zagrebit gëzimi ishte i shumëfishtë. Kaluam katër ture, një arritje shumë e vështirë për një ekip shqiptar.
Para ndeshjes kisha së kthimit me ekipin kroat, premtova se nëse do të kalonim në ligën e Europës do të shpërndaja birra për të gjithë tifozët. Pjesa më e madhe ishin skeptikë dhe thonin se kjo ishte false sepse Dinamo ishte e pakalueshme. Por ndodhi e kundërta. Në stadiumin e Korçës e mbajta premtimin, shtrova birra për të gjithë tifozët. Ishte periudhë e jashtëzakonshme për të gjithë futbollistët. Ishim vërtet një ekip solid në fushë dhe jashtë saj.
Rikthimi me Teutën dhe 6 muaj me Vlazninë ishin pikat e tjera në labirintin e karrirës sime të gjatë fubtollistike. Tek të gjitha këto stacione kam kujtime të veçanta si lojtar. Pas 10 vitesh rikthehem më Tiranën. Dëshira ime ishte të dilja kampion për rastin e 100 vjetorit. Falë dëshirës dhe paraqitjeve në fushë, arritëm të hyjmë në histori. Ky është një nga ato momente që më futi në mendime. Nisa të diskutoj me rrethin tim të ngushtë familjar dhe shoqëror largimin tim nga futbolli.

Ishte e vështirë, se disa nuk e pranonin këtë vendim. Por ashtu sikurse e theksova edhe në fillim, fundi në karrierën sportivë është i pashmangshëm. Mendoja që do isha pjesë e klubit në të ardhmen, por presdenti Refik Halili më ofroi rolin e drejtorit teknik. Për mua ishte një privilegj dhe mbi të gjitha vlerësim. Për këtë i jam mirënjohës jo vetëm presidentit por të gjithë familjes Halili për besimin që treguan ndaj meje.
Jam sërish në futboll, tashmë jo i veshur me uniformën bardheblu, por me uniformën e përgjegjësisë për mbarëvajtjen e klubit. Kjo është në një farë mënyre kompesim i dëshirës së djemve të mi, Teo dhe Irti, të cilët kërkuan që të mos largohem nga futbolli.

Dy djemtë e mi binjakë 7-vjeçarë nuk e kanë patur primar sportin me të cilin unë jam rritur. Ndërkohë unë nga ana tjetër nuk i kam dhënë kurrë një top që të nxis dëshirën e tyre për të bërë atë që kam bërë unë. Nuk e kam aplikuar dhe nuk do e aplikoj, sepse dua që ata të zgjedhin vetë atë që duan. Unë do të mbështes lirinë e tyre të zgjedhjes në çdo moment si prind që jam bashkë me bashkëshorten time Irsën, e cila më jep forcë me dashurinë e saj.
Ndihem i plotësuar me arritjet e mia në karrierën sportive. Fitimi  i të gjitha trofeve të mundshme në futbollin shqiptar, kombëtarja dhe Liga e Europës më kanë dhënë shijen e ëmbël të emocioneve që të dhuron vetëm futbolli.

 Me të gjithë kolegët gëzoj marrëdhënie shumë të mira. Me presidentët e klubeve gjithashtu. Pikërisht kjo cilësi e imja më krijoi mundësinë për të nisur karrierën e re, tashmë si drejtues sportiv.

Linda me ëndrrën e çdo fëmije..

Vrapova drejt futbollit me dashuri..

Ëndërrova dhe përjetova emocionet unike që të dhuron vetëm futbolli. 
Faleminderit!


Nga

Tefik Osmani

(ish-futbollist)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !