Gazmend HUSAJ

 

 

 

 Publikuar më 11.10.2020

 Po ktheheshim nga ndeshja e transfertës me ekipin e Tours, kur luaja në Francë. 


I kërkuam trajnerit që të ndalonim diku për të konsumuar diçka. Ishte ora 23.30 e natës.
Sportistëve nuk  i lejohet të konsumojnë  fastfood, por atë natë trajneri bëri përjashtim. 


Ndaluam. 


Pronari i fastfood-it na tha se ishte orari i mbylljes. Kyç derën e jashtme, por na lejoi të konsumonim ushqimin brenda ambjentit.


Nuk kalon shumë dhe papritur dy persona me maskë u shfaqën tek dera.


Mbanin kallashnikov në duar.
Kërkuan të futeshin brenda, por për fatin tonë dera ishte mbyllur. 


Goditën derën me tytën e kallashnikovit...
U përpoqën shumë, por në fund u dorëzuan dhe u larguan.


Ekipi në atë moment ishte i traumatizuar. 

Disa lojtarë ishin futur në banjo, disa poshtë banakut. 


U krijua një situate tragjikomike.
Shpëtuam për mrekulli nga një tragjedi e mundshme, sepse ata erdhën për grabitje.


Çdo gjë ndodhi sa hap e mbyll sytë, a thua se ishte ëndërr!
Kjo ishte një ngjarje e pa mendueshme, por fatkeqësisht e vërtetë.


Me këtë situatë dua të ilustroj se sa i çuditshëm është fati në jetët tona.

 
Edhe karriera ime në volejboll është tërhequr, apo shtyrë nga fati.


Them kështu sepse në fëmijëri volejbolli nuk ishte pasioni im.
Doja dhe ëndërroja të bëhesha futbollist.
Të afërmit ndërtuan një minifushë volejbolli në Rugovë me rrjetë ku argëroheshim në kohë të ndryshme.
Ata bënë gjithçka që unë të merresha me volejboll. Shkak u bënë 3 djemtë e xhaxhait tim, të cilët merreshin me volejboll. Pikërisht ata pikasën talentin tim në këtë sport.


Pas shumë përpjekjesh nga të afërmit, më në fund i'u dorëzova talentit dhe fatit tim. Nisa të aktivizohem me Rugovën.
Një nga djemtë e xhajes, Astriti bënte programin e stërvitjes me disa shokë të tij deri sa në krye të ekipit erdhi një trajner bullgar. Skuadra u bë serioze me ardhjen edhe të sponsorit, u quajt Leka med Rugova. 


Trajneri bullgar kërkoi nga të afërmit që të më nxisnin më shumë që të vazhdoja me Rugovës.
Nisa të aktivizohem me ekipin në Superligë. Pa e kuptuar, volejbolli u bë pjesë e imja. Nisa të dashurohem me të.


Më pas kalova me Mabetex Prishtina për një sezon e gjysmë.  Në sfidën miqësore me Studentin, trajneri Ylli Tomorri më ftoi të luaja në Shqipëri.


Në të kohë Studenti ishte një nga ekipet më të mira në Ballkan. Ky fakt më shtyu të shkoja në Tiranë.
Kisha shumë vështirësi në fillim, sepse vazhdoja edhe universitetin e Prishtinës. 


Viti i dytë me Studentin ishte ndryshe.  U transformova si  lojtari më mirë. Ndihesha i lumtur, sespe volejbolli tashmë ishte bërë pjesë e imja.

 
Ëndërroja shumë të vishja ngjyrat kuq e zi që fëmijë. 

Kjo ëndërr më trokiti në derë, pikërisht me volejbollin.
U ftova në ekipin kombëtar.
Isha 18 vjeç.
Ndaj Anglisë ishte ndeshja ime e parë.
U bllokova totalisht nga emocionet.
Tifozët kuq e zi brohorisnin dhe na përkrahën shumë në atë ndeshje. Më dhanë shumë shtysë që të kaloja atë moment.

Gradualisht dola në lojën time.
Këtë çast e ëndërroja si futbollist në fëmijëri, më pas e bëra realitet si volejbollist.
Ai moment i parë bllokues me shqiponjat kaloi shpejt dhe tani pas kaq shumë vitesh jam kapiten i Shqipërisë. Për këtë ndihem shumë krenar.
Por edhe i zhgënjyer...

Pse?

Sepse nuk e kisha menduar kurrë që do të eliminoheshim nga humbja e papritur me Maqedoninë e Veriut.
Salla ishte plot me tifozët kuq e zi. Ndeshja e fundit e Shqipërisë në grup ishte ndaj maqedonasve të kualifikuar. Ata ishin me disa mungesa, ndërsa në kishim përkrahjen e madhe të publikut kuq e zi.
E nisëm ndeshjen me entuziazëm duke menduar se kundërshtari nuk kishte motiv.
Por ndodhi e kundërta. 

Ata luajtën një ndeshje sikur të ishte finale, vetëm e vetëm që ne të mos kalonim në raundin final.
Edhe pse u mundëm me set final, eliminimi erdhi nga mungesa e pikëve të duhura.
Ky është një nga momentet e hidhura më të mëdha me fanellën kuq e zi.

Shpresoj që ky zhgënjim të kthehet sa më shpejt në festë..


Me rrëfimin tim po rikthehem tek nisja karrierës.  
Kur luaja me Studentin, Chenos Voley, ekipi zviceran kërkoi shërbimin tim. Me ta luante një nga volejbollistët më të mirë shqiptar, Dritan Çuko.
Eksperienca zgjati vetëm një vit në Zvicër. Më pas u riktheva të luaj me ekipin shqiptar të Shkëndijës së Tetovës. 


Për herë të parë skuadra fitoi kupën e Maqedonisë, një ngjarje e jashtëzakonshme për të gjithë krenarinë shqiptare. Pjesë e triumfit isha dhe unë.
Si volejbollist kam provuar të luaj edhe në Katar për dy sezone përpara se të transferohem në Itali me Piaçencën.
Ekipi më i mirë në Itali. Triumfuam në kupë dhe u mundëm në finalen e kampionatit nga Peruxhia.
Rrugëtimi im nuk do të përfundonte këtu, sepse isha i destinuar të kaloja nga një shtet në tjetrin.

Radha ishte Turqia, Malye Meli Pyango dhe Inegol. Me të parën fitova Challange Cup, ndërsa me Inegol luajta tre vite. Ndër to, dy vite isha kapiten ku fitova kupën ballkanike.
Mora çmimin si lojtari më mirë i krahut për dy sezone. Nga kjo eksperiencë kam përjetuar një episod të veçantë.
Në gjysmëfinalen ndaj Fenerbahçes, rezultati ishte 2 me 1 me sete. Seti i katërt ishte me rezultatin 26-25 për kundërshtarin. Më zgjidhen lirset e këpucëve. 

Ulem për ti lidhur. 

Ndërkohë lojtari i Ferebahçes kryen shërbimin dhe unë instiktivisht e kap me këmbë topin.
Loja normalisht nuk duhej të vazhdonte, por gjyqtari bëri të kundërtën. E lejoi lojën dhe pikën duke kualifikuar Fenerbahçen. Më vonë u informuam që ai ishte një fans i flaktë i Fenerit. Nuk u lejua ta arbitronte në asnjë sfidë skuadrën tonë atë sezon.


Forma e mirë e imja bëri që të kaloja me Tourse në Francë.

Fitova të gjitha trofetë e mundshme gjatë sezonit, madje duke vendosur edhe rekord në Europë me 32 ndeshje radhazi pa humbje.
 Olimpiakos ishte ekipi tjetër i madh me të cilin luajta sezonin e fundit. Në fazën e parë praktikisht ne fituam titullin, por pandemia na detyroi të luanim finale me Panathinaikos.
U mundëm në mënyrë surprizë. 

Aktualisht, odiseja ime në volejboll ka ndaluar në Bursaspor, Turqi.


Në fillimet e mia nuk e kisha menduar kurrë që do të luaja me kaq shumë ekipe.


Sot pas kaq vitesh karrierë në volejboll me duhet të falenderoj djemtë e xhaxhait tim, të cilët me këmbënguljen e tyre e bënë të pamundurën të mundur për mua. Më bënë volejbollist dhe për këtë i'u ndihem shumë mirënjohës.

Nëse sot kam arritur të kem sukses në volejboll, një meritë kryesore ka dhe familja ime, bashkëshortja dhe vajza 4-vjeçe.

Kjo është pjesa më e rëndësishme mbështetëse e profesionit tim tani. Relaksi dhe çlodhja pas stërvitjeve dhe ndeshjeve vjen nga princesha e shtëpisë.

Në çdo fillim sfide ajo më shoqëron me nxemjen. Imiton veprimet e volejbollistëve. 

Në çdo ndeshje është aty në sallë me ëmbëlsinë e saj. Kjo është dhurata më e madhe që më mbush me pasion dhe më motivon të jap gjithçka. 

Sot, familja është lumturia dhe motivi i madh që më bën të jem aty ku jam.


Nga Gazmend Husaj
(volejbollist)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !