Ilir KEPA

 

 



Publikuar më 15.02.2021

Gjyqtari sinjalizoi përfundimin e ndeshjes ndaj Francës. 

Po dilnim nga fusha e lojës. 

Papritur para meje shfaqet ish-lojtari i klasit botëror, Michel Platini. E kisha parë vetëm në ndeshjet e mëdha në televizor. 

Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë ai do të ishte përballë meje.  

Më afrohet dhe më zgjat dorën. Për një moment u shtanga. 

Më drejtohet në frengjisht...

Ka kaluar shumë kohë dhe ende sot e kësaj dite nuk e di se çfarë kuptimi kishin ato fjalë në shqip.

Di vetëm që kisha zhvilluar nje ndeshje spektakolare ndaj francezëve dhe sigurisht ky ishte shkaku që kishte shtyrë ikonën e futbollit botëror të më takonte.

Një moment i veçanta që ka zënë vend në shpirtin tim, por falë futbollit ky nuk ka qenë i vetmi.

Kur luaja në Belgjikë,  trajneri kampion me Olimpikun e Marsejës, belgu Raymond Goethales vinte shpesh në stadium.

Nuk vinte thjesht për të parë një ndeshje futbolli.

Ai kishte një qëllim të caktuar...

Ai vinte për të parë shqiptarin Kepa që luante me Molenbek.  

U  bëmë miq dhe mbetëm të tillë deri ditën që ai ndërroi jetë.  

Falë futbollit, sot e kësaj dite shqiptarët në mbarë Belgjikën dhe kryesisht ata në Bruksel më respektojnë në mënyrë të jashtëzakonshme. 

Jam ndër të parët lojtarë shqiptar që me lojën e magjishme ndikova që në stadiumet europiane të valëvitej flamuri shqiptar. 

Të rikthehemi pak në kohë.

Ëndrra për futbollin tek unë ka lindur që fëmijë. Një shtysë të madhe ka patur babai im, i cili jetonte më ëndrrën e madhe që të shikonte djalin e tij të realizonte atë që nuk kishte arritur vetë. 

Im atë  ka luajtur futboll me Vllazninë dhe me Partizanin kur kryente shërbimin ushtarak, por në asnjë rast nuk arriti të provonte fanellën e ndeshjeve zyrtare me ekipet respektive.

Atletizmi ishte cilësia kryesore kur isha fëmijë. U bëra kapiten i klasës në Shkollën 10 korriku. Në moshën 12 vjeçare arrita vendin e parë në kërcim së larti dhe vendin e dytë në kërcim pengesash në nivel kombëtar.
 
Profesorët e  atletikës insistuan te babai im që unë të mos humbisja kohë me atletikën sepse kisha të dhëna shumë të mira që të ushtrohesha me futboll.

Dhe kështu ndodhi. 

 Futbolli ishte pasion dhe dashuri për të gjithë familjen time dhe Shkodrën mbarë. 

Në memorien time u siglua sfida e Vllaznisë kundër Austrisë së Vjenës. Ajo sfidë ushqeu pasionin. Yjet e futbollit shqiptar luajtën në mënyrë fantastike atë ditë. Ballgjini, Berisha, Bizi, Zhega, Rragami etj. Fituam 3-0. 

Ishte fat që dashurinë më të madhe për futbolin ta merrja duke pare Sabah Bizin dhe Mehdi Zhegën duke luajtur futboll.


Në spartakiadën e Korçës për fëmijët 14-vjeçarë, isha kapiten i ekipit. Dalloja  shumë për teknikën e lartë në fushën e lojës.

Në të njëjtin vit si rrallë herë fitova konkursin për të hyrë në shkollën e mjeshtërisë së futbollit Shkëndija. Falë talentit kapërceva një pengesë të lartë.

Ishte hera e parë që një i ri pranohej me gkatësinë 1.58 cm i gjatë në vend të 1.70 cm që ishte kriteri. 

Teknika e shfaqur në lojë më hapi dyert e realizimit të ëndrrës. Pas kapërcimit nga atletizmi në futboll, erdhi hapi tjetër.
Nisa të aktivizohem me shpresat e Vllaznisë nën drejtimin e legjendarit Sabah Bizi.
Të gjithë shokët mbaronin stërvitjen dhe shkonin për tu larë. 
Ndërsa unë nuk bëja të njëjtën gjë...
Me profesor Bizin qëndroja ende në fushë duke vijuar të stërvitesha në mënyrë të ashpër që të forcohesha nga ana psikologjike ndaj ndërhyrjeve të rënda.
Ai bënte kundërshtarin, ndërsa unë duhej të mbaja topin nën kontroll sa më gjatë.
 
Futbolli i viteve 80 ishte futbolli më i lartë i të gjitha kohërave jo vetem në Shqipëri por në të gjithë botën.
 
Njerëzit jetonin me futbollin, jetonin për futbollin dhe dëshira për tu bërë futbollist profesionist shtohej nga dita në ditë.
 
Me dëshirën e madhe dhe ëndrrën e bukur u rrita profesionalisht duke trokitur tek ekipi i parë. 

Sfida e parë si profesionist ishte në Shkodër kundër Flamurtarit të Vlorës.

Stadiumi ishte i tejmbushur.
 Tifozët krijonin një atmosferë elektrizuese. E kisha përjetuar në tribunë atë atmosferë, por në fushë ishte ndryshe.
 
Ajo ndeshje foli me emrin tim.
 
Pasim i Luan Vukatanës dhe topi gjen këmbët e mia. Dribloj Çipin me trup para portës se Arapit,  godas fort në cepin e portës dhe rrjetë. 

Goli im i dha fitoren Shkodrës duke entuziazmuar  tifozët.
 Në fundin e takimit ata më mbajtën në krahë deri në mesin e qytetit, pranë 5 heronjve.
Uauu, emocionohem kur në kujtimet e mia më vjen ky moment i mrekullueshëm.
 
Cilësitë e mia tërhoqën interesin e ekipit të Partizanit.
Por në atë kohë përdoreshin mënyra të tjera për afruar një  lojtar në ekip.
 
Ndodhesha në Tiranë.
Garnizoni ushtarak i Tiranës me një automjet Gips i atyre viteve ndalon përpara meje. "Kiço Mustaqi ka dhënë urdhër që të vini me ne tek klubi i Partizanit si ushtar", më thanë.
 
I kërkova të më linin një ditë kohë që të kthehesha në Shkodër dhe të merrja rrobat që kisha nevojë. 

Kur u ktheva në shtëpi shkova dhe takova sekretarin e parë të Shkodrës, Xhemal Dymylja. Me garantoi që do ta zgjidhte atë punë deri tek Ramiz Alia dhe të më çonte në shkollën e lartë në institutin e  Shkodrës. Në këtë mënyrë Partizani nuk mund të më merrte. 
Dhe ashtu ndodhi.
 
Të gjithë futbollistët e klasit të lartë dhe golashënuesit ishin rivalë në fushë. Demollari, Muça, Majaci, Shehu, Abazi, Kola, Minga, Bubeqi, Kushta, Millo, Ferko, etj.
 
Pikësynimi ishte të bëja gjithmonë më shumë spektakël dhe gola nga të gjithë këto sepse potenciali im ishte superior nga çdo këndvështrim.
Teknikisht asnjëherë, asnjë lojtar nuk ka dribluar me bukur se unë dhe si golashënues po të qëndroja tek Vllaznia edhe 10 vjet të tjera do të kisha arritur kuotën e 250, 300 golave.
 
Kombëtarja ishte ëndrra e madhe në sirtarin e dëshirave.
 
Luaja në Rumani ndaj vendasve me Shqipërinë U21. 
Pa pritur profesor Medin Zhega më thotë që trajneri i kombëtares, Shyqyri  Rreli më kërkonte në dhomën e tij të hotelit.
Shkoj i emocionuar  tek ai.
 
"Demollari është pa qejf dhe më duhet ta zëvendësoj", më tha....!
 
Më ra tavani mbi kokë. Uauu, ëndrra u kthye në realitet.
 
Atë ndeshje bëra një paraqitje dinjitoze. Më pas ftohesha gjithmone.
Të gjitha vetitë e mira dhe defektet lindin me njeriun. Çdo gjë është me të lindur, sepse zoti të dhuron atë që ai do dhe të privon nga ajo që ai do.
 
Duke parë situatën e Shqipërisë në atë periudhe babai më propozoi që të braktisja Shqipërinë dhe të qëndroja në Belgjikë, tek kushurinjtë e mi.

Ndeshja ndaj Francës ishte momenti i duhur...

Në fundin e sfidës fantastike ndaj Francës një gazetar, njëkohësisht manaxher francez, erdhi në prezence të profesor Hafizit, Birçes dhe doktorit dhe mu drejtua në italisht.  

Më kërkoi të qëndroja në Francë dhe të luaja me ekipe të kategorisë së parë.
 
Ai kërkoi të bëhej manaxheri im sepse loja dhe unë si lojtar i kisha pëlqyer shumë. 

Sipas tij kisha një potencial teknik të nivelit boteror. Përgjigja  nga unë ishte jo, sepse kisha vendosur të shkoja në Bruksel.

Kushërinjte e mi më prisnin poshtë në atë moment.
Gazetari francez më vështroi me keqardhje dhe me uroi fat të mbarë.

Kalimi në Belgjikë u shoqërua me peripecitë e zakonshme si emigrant. Mungesa dhe vonesa e pajisjes me dokumentacion bëri që të humbisja shumë ndeshje me kombëtaren shqiptare.
 
Ëndrra ime ishte që të luaja në një ekip kombëtar përkrah Demollarit dhe Muçës, por fatkeqësisht  Shkëlqimi u dëmtua rëndë dhe nuk lujajti më futboll. 

Sulejman  Demollari, Shkëlqim Muça, Vasillaq  Zëri  dhe Astrit Hafizi, janë lojtarët më spektakolarë për mua.

Më pas çdo gjë vijoi në rrjedhën e duhur në aspektin profesional.
Kujtimet më të bukura në Belgjikë i kam nga ndeshjet ndaj të gjitha ekipeve të forta në kampionat. Kundër Anderlehtit, Bruges, Standard, Genk dhe Maline. Ndër të tjera, sot  jam i vetmi lojtar i ftuar në një  konferenc shtypi të Anderlehtit në një kohë që ishin rivalët e klubit tim, Molenbek.
U transformova në lojtarin kryesor dhe pikë referimi në lojën e Molenbek. Futbolli ka ulje - ngritjet e veta, momente të cilat duhet të kalohen me arsye dhe qetësi nga futbollisti.

Në një rast nuk ndodhi kështu me mua.
Skuadra pësoi disa humbje. Trajneri nisi të më linte në stol. E konsideroja veten te paprekshëm. Si pasojë pas një ndeshje dhashë një interviste të nxituar.
Fola rëndë kundër trajnerit dhe drejtuesve të klubit. 
Isha mësuar titullar i pazëvendësueshëm dhe fakti që isha ulur në dy raste në stol reagova në atë mënyrë.
Presidenti dhe trajneri më thirren në zyre dhe ma bënë të qartë hidhërimin e tyre dhe shkëputjen midis nesh në fund të sezonit.
 
Ofertat ishin të shumta. Katët ekipe belge, një holandeze, një portugeze, një greke. 

Por unë zgjodha një ekip të kategorisë së dytë në Francë, i cili me ofroi shumë më shumë se të tjerët. Pranova pa hezituar aspak.
 
Nëse do të ktheja kohën pas, e para gjë që do të ndryshoja do ishte mentaliteti i trajnerëve të asaj kohe, të cilët i jepnin prioritet paraqitjes fizike dhe jo talentit.
 
Këtë e lidh shumë dhe me dy kujtime jo shumë të këndshme për mua. Ato janë dy ndeshjet ndërkombëtare ndaj Anglisë, ku profesor Rreli me la në stol pa më dhënë asnjë minutë në stol.

Nuk isha zgjedhje e tij, ndërkohë që në lojë luanin futbollistë shumë të dobët. E njëjta situatë u përsërit edhe në ndeshjen ndaj Suedisë në Shqipëri. Kur një futbollist është në kulmin e tij, mendoj se duhet të shfrytëzohen cilësitë e tij, sidomos në kombëtare.

Futbolli sot ështe shumë më i varfër në të gjitha aspektet e lojës dhe nga mungesa e lojtarëve potencialë që ishim ato vite. Po të shikosh kampionatin shqiptar sot, pa dyshim e krahasoj me atë të kategorisë së dytë dikur.

Futbolli për mua është dëshirë, pasion, eksitim, kolektivitet dhe shumë tërheqës në çdo aspekt. Të gjitha këto janë të bukura dhe mbresëlënse kur njeriu arrin diçka në karrierën e tij dhe mbahet mend nga sportdashësit.
E gjithë rinia të shkon duke u stërvitur për ëndrrën dhe nuk ke kohën e nevojshme 
as të studiosh.

Dhe kur një sportist nuk arrin asgjë dhe ngelet pa asnjërën nga këto që permenda dhe mbi të gjitha pa diplomë shkollore, atëherë ky është një zhgënjim i madh për veten dhe prindërit që sakrifikojnë tërë jetën.

Në çdo kohë brezat kanë dhënë kontribut të shkëlqyer në lojën më të bukur në botë.
Shqipëria ka shumë të tillë në historinë e saj.
Tek ekipi im i zemrës Vllaznia, Rragami, Bizi dhe Zhega janë histori. Me imazhin e tyre u rrita si futbollist. Tek Dinamo, Përnaska, Ballgjini dhe Zëri. Tek  17 Nëntori Kola, Minga dhe Muça. Me Flamurtarin Kushta, Bubeqi dhe Ferko. Duke u rikthyer sërish te ekipi i zemrës, Vllaznia. Në gjirin e saj  pa medesti  them se nuk mund të harrohet kurrë treshja e paharrusheme dhe spektakolare, Zmijani, Jera dhe Kepa.

Futbolli më dha gjithçka dhe për këtë do ndihem gjithnjë mirënjohës.

Faleminderit futboll......


Nga

Ilir Kepa

(ish-futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)