Izmir Smajlaj

 




Publikuar më 07.05.2021

"Mam, do e lë sportin dhe për këtë nuk duhet tju vijë keq. Po lodhem shumë dhe nuk po arrij të vlerësohem siç duhet. Dua të jem si shokët e mi. Të mos kufizohem, të dal i lirë dhe pa regjim. Nuk ja dal dot më..."

Pasi më përqafon, mami më tha. "Djalë, ki besim, sepse ti do ja dalësh...."

Fjalët e saj më depërtuan trupin dhe me këtë shkëndijë shpirtërore nisem drejt garës së radhës.

Terrenet shumë të vështira stërvitore në vendin tim dhe pa asnjë kusht elementar më kishin akumuluar këtë demotivim. Lodhesha shumë dhe nuk shikoja në asnjë rast daljen nga kjo gjendje e rënduar.

Nuk e dija se çfarë do ndodhte atje, pra në garën time, por për një gjë isha i sigurtë. Ndihesha ndryshe, sepse me vete kisha marrë bekimin e gjakut tim.

Ishin ato fjalë të nënës sime që më bënë të fluturoja 8.08 metra në pistën e vështirë të Beogradit.

Kjo bëri që të rrëmbeja medaljen e parë të artë në karrierën time dhe të parën në historinë e Shqipërisë në atletikë. 

Triumfi erdhi në vendin ku ishte ngritur droni në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Ishte si goditje e dytë kjo e krenarisë shqiptare. Por ndryshe nga sa prisja, ata pak tifozë që ndodheshin në stadium më dhanë durtrokitje për rezulatin e arritur.

Në jetët tona momentet e veçanta bëjnë diferencën e madhe. Dhe këtu nisi kthesa ime profesionale. Bindja për tu larguar nga atletika, papritur kjo e fundit u rikthye si dëshirë e fortë në jetën time.

Pas triumfit, kthimi në Shqipëri ishte shumë emocionues. Miqtë dhe të afërmit më pritën me brohoritje e me flamuj në aeroport. Ky ishte momenti i duhur dhe për institucionet tona, të cilët më në fund më "hapën" dyert, duke më dhënë atë duhej, mbështetjen.

Presidenti i asaj kohe Bujar Nishani më nderoi me titullin "Mjeshtër i Madh".

Nga zhgënjimi total që më kishte pushtuar, papritur gjithçka kishte ndryshuar si me buton. Po, atletika më në fund më kishte kthyer pas të gjitha sakrificat e mia dhe familjes sime.

Kudo ku kaloja apo qëndroja në pedonalen e Shkodrës, njërëzit nuk reshtnin së uruari. Ata më takonin më dashuri të madhe. 

Një sportist që të arrijë objektiva të tillë madhorë duhet të jetë i qetë psikologjikisht.  Stërvitesha vetëm me dëshirën time, pa kushte, pa mbështetje financiare. Deri në vitin e artë 2017 këtë "privilegj" pra motivimin, nuk e kisha. Familja dhe miqtë patën një rol themelor në suksesin e mëvonshëm duke më motivuar dhe mbështetur në çdo hap në jetën time, në çdo sakrificë ata ishin aty me mua.

Nëse sot jam këtu, kjo ka ardhur si pasojë e talentit, stërvitjes së rëndë, pasionit dhe mbështetjes nga familja dhe trajnerët.

Në çdo fazë të jetës njeriu duhet të kalojë momentet e tij. Ashtu sikurse i vogël, pas ecjes, nisa të vrapoj. 

Duke qenë djalë i një volejbollisti, sporti nuk ka munguar në shtëpinë tonë nisur nga bisedat e shumta deri në praktikimin e tij. 

Jetën sportive e nisa në moshën 9 vjeçare. Ishte rastësi.

Duke luajtur futboll, i ndjeri Vildan Tufi më pikasi në mesin e nxënësve të tij. Ai këmbënguli që të ushtroja atletikën në palestër. Lexoi elementë të veçantë për këtë sport tek unë.

Pas bisedës me prindërit vendosa të bëhesha pjesë e sportit që mban Kurorën e sporteve. Trajneri ishte i sigurt për suksesin tim dhe bashkë me babin u bënë shtysa kryesore  e rrugëtimit në atletikë.

Ditët kalonin dhe sa më shumë stërvitesha kuptoja që po largohesha nga shokët. Nuk isha më i lirë, isha nën regjim ushqimor, kohor. Isha i privuar nga shumë gjëra që moshatarët bënin. Trajneri ishte shumë korrekt dhe kërkonte zbatimin rigorioz të porosive që jepte. Dita ime ishte e fokusuar në stërvitje, në mëngjes dhe mbasdite. Nëse nuk do zbatoja rregullat e vendosura nga trajneri, atëherë abjektivat nuk do mund t'i arrija. Sa më shumë stërvitesha aq më e vështirë bëhej. 

 

Graduaklisht nisa të konkuroj në  garat kombëtare. Fillova të thyej rekorde e të rrëmbeja medalje të arta. Emocionet që më falte çdo kërcim ishin të papërshkrueshme, nga të dridhurat deri në lumturinë maksimale. 

Kështu filloi dhe pasioni im ndaj këtij sporti, pasi talenti im po zhvillohej çdo here e më shumë dhe vlerësimi që merrja nga duartrokitjet e tifozëve dhe nga lumturia e prindërve të mi më bënin të kërkoja më tepër që të arrija me lart. 

Kalonin vitet, rritej performanca dhe shtoheshin titujt, por terrenet nuk më linin të jetoja i qetë pasionin. Mungonte motivimi dhe djersa e derdhur nuk vlerësohej. Kjo më dërgoi gradualisht në gjendjen e rënduar psikologjike ku isha gati të largohesha përfundimisht nga ky sport. 

Duhej të vinte viti i artë 2017, që gjithçka të kthehej në vendin e duhur. 

Pas këtij viti edhe kushtet e stërvitjes ndryshuan. Tashmë janë shumë herë më të mira siç janë dhe vlerësimet apo vëmendja ndaj atletikës.

Prej katër vitesh stërvitem me trajnerin Gjergj Ruli, njëkohësisht president i FSHA-së, i cili është bërë shok dhe forcë në stërvitjen time. 

Tirana tashmë është kryeqyteti i katërt në Europë që ka një pistë vetjake për kërcim së gjati të hapur, kjo falë Bashkisë së Tiranës, e cila në bashkëpunim me KOKSH dhe FSHA, krijuan në zonën e Liqenit Artificial një pistë për të mirëpritur jo vetëm sportistët shqiptarë por edhe ata ndërkombëtar. Këtu do të zhvillohen turne ndërkombëtarë dhe unë do synoj të thyej rekordet kombëtare në vazhdimësi.

Gjatë këtyre viteve kam fituar shumë, por nuk reshtem së ëndërruari për majën e karrierës sime. Olimpiada është kulmi i jetës së një atleti elitar. Pjesëmarrja ime e dytë në këtë kompeticion, pikërisht Tokio 2021 është një arritje tepër e lartë, por... 

Pas rrugëtimit tim midis sakrificave të shumta, me zemër dua të jem sërish ai, thyesi i tabusë. Dua të kërcej mbi mundësitë e mia dhe ti sjell Shqipërisë medaljen e parë olimpike, ashtu sikurse i solla medaljen e parë europiane.  

Atletikën e dua shumë. Mendoj që të jesh sportist elitar duhet të kesh talent dhe më pas vullnetin e pasionin për të ndërtuar imazhin tënd në sport. 

Jam gjithmonë pro stërvitjes në paster, pa substanca për tu rritur profesionalisht, sepse një sportist i mirë duhet të ketë ndërgjegjen e pastër që arritjet ti fitojë me djersën e tij e jo falë extra-ve. 

Duhet të luaj pastër sepse dinjiteti dhe vullneti yt duhet të vleresohen sipas paraqitjes që ti jep në çdo garë. Të fitosh pastër është ajo çfarë të nxit të dalësh kampion në çdo kompeticion, brenda apo jashtë vendit, të jesh kryelartë 
e faqe bardhë! 

Jam këtu prej talentit, stërvitjes së rëndë dhe mbeshtetjes pa kufi nga ndjekesit e Atletikes, familjes e trajnerëve. Keto arritje e bënë Izmirin sot, kampion Kombëtar, Europian, Ballkanik dhe triumfues ne kompeticione ndërkombetare.

Mos gaboni për të ardhmen dhe imazhin tuaj! 

Fito pastër për vlerën që ke!


Nga 

Izmir Smajlaj

(atlet)





Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!